Gjithçka për fanelën “bardheblu”, Hasani në garë me kohën për të kompletuar rikuperimin

schedule13:36 - 14 Dhjetor, 2023

schedule 13:36 - 14 Dhjetor, 2023

Florent Hasani në luftë me kohën për t’i dhënë “një dorë” Tiranës. Sulmuesi ka patur shqetësime në këtë fundvit. I dëmtuar në sfidën me Erzenin, ka sakrifikuar duke luajtur jo në 100% si në derbin me Partizanin, ashtu dhe në transfertën e Laçit.

Aktualisht, edhe këtë të enjte, 26-vjeçari nga Vushtrria është stërvitur i diferencuar duke zhvilluar një program individual riaftësimi. Stafi mjekësor i “bardhebluve”, dhe mbi të gjitha vetë lojtari, do të tentojnë deri në fund rikuperimin e tij.

Për të qenë gati që në sfidën e kësaj të diele përballë Vllaznisë, edhe pse afatet e shkurtra kohore nuk premtojnë. Kryegolashënuesi i skuadrës dhe i gjithë kampionatit shqiptar, me 10 gola është një lojtar vendimtar për “bardheblutë”.

Dhe i vetëdijshëm për diçka të tillë është i vendosur të sakrifikojë në këtë fund viti, për t’u rikthyer në fushë në mos ndaj Vllaznisë, për takimin e radhës me Egnatian. Në program pas rreth 10 ditësh, një objektiv ky më real për futbollistin, në një sfidë të rëndësisë maksimale për Tiranën.

Pavarësisht dëmtimit vetë lojtari ka vendosur t’i provojë të gjitha, i vetëdijshëm se do të ketë kohën e nevojshme për një rehabilitim përfundimtar gjatë pauzës së dimrit. Gjithmonë me objektivin për të ndihmuar Tiranën të rikthehet te fitoret.

Skuadra kryeqytetase vjen pas dy barazimesh dhe një humbjeje në tri ndeshjet e fundit. Për sfidën ndaj Vllaznisë, trajneri Julian Ahmataj shikon të rikthehet edhe Përgjoni, i cili ishte i pezulluar. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!