Mbrëmjen e sotme, në orën 20:45, “legjionarët” e Kombëtares sonë do të presin në “mitikun”, “Air Albania” kundërshtarët e radhës të Grupit E, Moldavinë në ndeshjen e vlefshme për raundin e kualifikueseve të Kampionatit evropian të futbollit, Euro 2024.
Djemtë e tekniku Sylvinho do të kërkojnë me çdo kusht fitoren, mbrëmjen e sotme, pas asaj humbjeje zhgënjyese të 27 marsit, ku u mundën nga Polonia në Varshavë me rezultatin minimal 1 me 0.
Mirëpo, përveç se kjo është ndeshja e parë e djemve në “Air Albania” për këtë raund kualifikuesesh, ndeshja e parë në “mitikun” tonë është dhe për teknikun Sylvinho, i cili ashtu siç është shprehur dhe në deklaratat e mëparshme kërkon 6 pikë të plota në përballjet ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, me këtë të fundit që do të zhvillohet më 20 qershor.
Deri më tani, pozitat në grupin E nuk janë në favorin tonë, teksa renditemi të fundit me 0 pikë nga vetëm 1 ndeshje. Në vendin e parë të grupit renditet Republika Çeke me 4 pikë, pas tyre vjen Polonia me 3 pikë, Moldavia me 2 pikë dhe Ishujt Faroe me 1 pikë. /i.m /abcnews.al