Gjimshiti, sezoni në rrezik/ Kapiteni i Kombëtares pritet të mungojë disa javë

schedule12:37 - 22 Prill, 2025

schedule 12:37 - 22 Prill, 2025

Në rastin më të keq, e ka mbyllur sezonin. Berat Gjimshiti, Atalanta dhe kombëtarja shqiptare nuk kanë marrë lajmin më të mirë që prisnin, ndërsa në klubin e Serisë A do të vazhdojnë analizat mjekësore për të parë shkallën e dëmtimit të mbrojtësit kuqezi.

Futbollisti 32-vjeçar doli nga loja në minutën e 59-të të ndeshjes Milan-Atalanta, pikërisht për kampionatin italian, dhe dyshimi është për dëmtim në kavilje, për përndrydhje, ndonëse ende nuk dihet saktë sesa do të mungojë.

Mediat në Apenine shkruajnë se është e sigurt se do të humbasë disa ndeshje.

Sa?

Ende është e paqartë dhe trajneri Gasperini shpreson ta ketë për fundin e sezonit.

Në Serinë A mbeten edhe 5 ndeshje, që nga 26 prilli kur Atalanta luan në fushën e vet ndaj Leçes, e deri në 25 maj, në sfidën ndaj Parmës në Bergamo.

Kalendari ka edhe ndeshje të forta si kundër Romës apo në fushën e Xhenoas, ndërsa e mbiquajtura “DEA” lufton për t’u kualifikuar në Champions sezonin e ardhshëm.

Seria A përfundon në 25 maj, dhe që nga ajo kohë kapiteni kuqezi do të ketë edhe 13 ditë për të qenë gati për ndeshjen tepër të rëndësishme eliminatore ndaj Serbisë në “Arenën Kombëtare”, në 7 qershor për eliminatoret e Kupës së Botës.

Kjo është hera e pestë që Gjimshiti lëndohet këtë sezon, siç e tregojnë statistikat, pasi I ndodhi në shtator, tetor e nëntor 2024, dhe në janar të këtij viti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!