Është padyshim në momentin e tij. Berat Gjimshiti do të jetë sërish titullar në një ndeshje për Atalantën, ndërsa e bëri sefte me gol pak ditë më parë në Serinë A.
Kapiteni i kombëtares shqiptare nuk do të ketë një detyrë të lehtë, po ashtu si edhe skuadra italiane, sepse përballë tyre do të jetë Çelsi, skuadra tepër e fortë angleze, kampione e botës në fuqi.
Mbrojtësi kuqezi do të udhëheqë linjën e prapavijës, ndërsa e ka treguar se ndaj ekipeve nga Anglia di të luajë shumë mirë.
Kush e harron paraqitjen ndaj Liverpulit në prill 2024, kur bergamaskët u kualifikuan me fitoren e madhe 3-0 në “Anfild” dhe humbjen minimale 0-1 në shtëpi?
Vetë UEFA i veçoi aksionet e kapitenit të Shqipërisë.
Pritet të luajë ndeshjen e 34-ët në Ligën e Kampionëve, në të cilën ka shënuar një gol ndaj Shahtarit të Donjeckut.
Të dyja skuadrat do të kërkojnë maksimumin.
Atalanta ka 10 pikë, po aq sa Çelsi, dhe një fitore jo vetëm që do ta ngjiste mbi rivalin, por edhe do ta ndihmonte për të hyrë ose për të qenë shumë pranë 8 vendeve të para që të kualifikojnë si vazo e parë në raundin e dytë në Champions, duke eliminuar plej ofin, e duke pasur avantazh në short.
Skuadra italiane e trajnerit Paladino ka shumë pak mungesa, vetëm Sulemanën dhe Bakerin.
Çelsi nga ana tjetër po kalon një sezon kontradiktor, duke qenë vetëm në vend të pestë në Premier Ligë, ndonëse mbetet tepër I fortë dhe I rrezikshëm.

