Gjimshiti kthehet në Champions, pas dëmtimit/ Kapiteni i Kombëtares luan të enjten në Atalanta-Arsenal

schedule12:37 - 19 Shtator, 2024

schedule 12:37 - 19 Shtator, 2024

Në 22 maj ishte njëri nga njerëzit më të lumtur në botë. Berat Gjimshiti ngriti lart trofeun e Ligës së Europës si kapiten i Atalantës, dhe ndoshta refuzoi milionat nga Gjiri Persik për të provuar Championsin.

Kapiteni i Shqipërisë do të ketë sot shansin për ta shijuar sërish këtë kompeticion të mrekullueshëm, ku ka arritur dikur edhe në çerekfinale. Edhe kundërshtari është i veçantë pasi Bergamon e viziton Arsenali.

Pritet që Gjimshiti të jetë titullar, pasi u kthye nga dëmtimi që e la jashtë kombëtares, dhe luajti në fitoren 3-2 ndaj Fiorentinës në fundjavë në Serinë A. Në mungesë të mbrojtësit të rëndësishëm Skalvini, prania e tij është përcaktuese për trajnerin Xhampiero Gasperini.

Për më tepër, që mungojnë edhe mbrojtësit e tjerë Toloi dhe Godfrej. Për fat të keq, sulmuesi Skamaka mungon i dëmtuar, por Atalanta ka talent në sulm me yje si Retegi, Lokman apo De Keteler.
Edhe Arsenali ka problemet e veta.

Ylli kryesor, Bukajo Saka, nuk është i sigurt nëse mund të luajë, apo nëse mundet ta nisë ndeshjen pas një lëndimi në derbin ndaj Totenhemit.

Gjithsesi, anglezi u stërvit, ashtu si edhe italiani Kalafiori që u kthye nga dëmtimi. Të lënduar dhe jashtë aksionit janë Odegard, Merino, Zinçenko, Tiernej dhe Tomijasu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!