Rruga zëvendësuese që vjen në kuader të projektit të ndërtimit të hidrocentralit të Moglicës ka përfunduar së ndërtuari. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit.
Kjo rrugë e re prej 15 kilometrash përgjatë bregut verior të rezervuarit të Moglicës zëvendëson atë ekzistuese e cila me fillimin e punës se hidrocentralit parashikohet të përmbytet.
Investimi është realizuar nga qeveria dhe kompania Statkraft që po zbaton në Shqipëri projektin hidroenergjetik të Kaskadës së Devollit me hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës.
“Është një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit të partneritetit publik-privat, me një nga kompanitë më të mira në Shqipëri që është Statkraft. Në negociata me qeverinë ata arritën të nënshkruajnë një marrëveshje për ndërtimin e rrugëve zëvendësuese në gjithë këtë zonë ku një pjesë të kontributit e ka dhënë drejtpërdrejtë edhe qeveria nëpërmjet Buxhetit të Shtetit”.
Veç rrugëve zëvendësuese kompania tregoi ministri Gjiknuri ka ndërtuar dhe shtëpi zëvendesues e njëkohësisht ka kontribuar për mjedisin.
“Jam i bindur se përfundimi i këtyre rrugëve, ashtu sikurse ndodhi me hidrocentralin e Banjës dhe me gjithë infrastrukturën e krijuar në të, do të fillojë të tërheqë edhe vizitorët në këtë zonë. Jo vetëm Gramshi, por besoj se shumë shpejt edhe Moglica do të jetë një nga vendet më të vizituara nga turistë për shkak të rrugës shumë piktoreske dhe liqenit të mrekullueshëm që pritet të krijohet”.
HEC- i i Moglicës pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, ndërsa ai i Banjës ka hyrë në prodhim. Gjithashtu është gati dhe rruga nga Banjë-Gramsh dhe Ura e Trashovicës me gjatësi 15.5 kilometra. Për realizimin e te dyja rrugëve zëvendësuese u angazhuan më shumë se 800 punëtorë, pjesa më e madhe e të cilëve banorë të zonave ku zhvillohet projekti. /abcnews.al