Së bashku me talentin e mesfushës, Medon Berisha ishte një nga surpriza e teknikut Sylvinho, në listën e të grumbulluarve për në Kampionatin Evropian të futbollit, Euro 2024, me “gardianin” e Eintracht Frankfurt, Simon Simoni, i cili fitoi goxha eksperiencë, si dhe besim se në një të ardhme do të jetë ai që do të mbrojë shtyllat “kuqezi”.
Talenti 19-vjeçar është pjesë e “Shqiponjave” gjermane, të Eintracht Frankfurt, të cilët derdhën plot 600 mijë euro në arkat e “Bluve”, të Dinamos, kur lezhjani ishte vetëm 17-vjeçar dhe duket se ardhmja e tij do të jetë e ndritur, të paktën kështu besojnë edhe drejtuesit e “gjigantëve” të Bundesliga, të cilët kanë filluar të mendojnë për kohën e tij në fushën e blertë.
Drejtuesit e klubit besojnë te cilësitë e Simonit, mirëpo me një “gardiani”, si Kevin Trapp, mes shtyllave minutazhi i tij, në “Deutsche Bank Park”, mund të jetë goxha i kufizuar, për të mos thënë tejet minimal, kështu që kanë vendosur për të huazuar talentin shqiptar, deri në fund të sezonit të ardhshëm, te skuadra e Ingolstadt, skuadër e cila pas rënies nga Bundesliga, në vitin 2017, tashmë militon në kategorinë e tretë gjermane.
Duke qenë vetëm 19-vjeç, Simoni konsiderohet si një portier me të ardhme të madhe, ndaj te Eintracht Frankfurt po e trajtojnë me shumë kujdes portierin e lindur në Lezhë, teksa në bazë të kontratës së firmosur, “legjionari” do të jetë portieri i parë i Ingolstadt në sezonin e ri dhe nëse gjërat shkojnë mirë, edicionin e ardhshëm nuk do ishte aspak çudi që ta shohim të mbrojë kuadratin e një prej skuadrave më të mëdha në Gjermani, si Eintracht Frankfurt. /i.m /abcnews.al