Gjigandi rus i energjisë “Gazprom” përgjysmon dërgesat e gazit në Evropë

schedule20:29 - 25 Korrik, 2022

schedule 20:29 - 25 Korrik, 2022

Gjigandi rus i energjisë Gazprom ka njoftuar se do të reduktojë në mënyrë drastike furnizimin me gaz në Evropë përmes tubacionit të tij kryesor “Nord Stream 1” në Gjermani.

Përfaqësuesit e Gazprom thanë se ndalimi i një turbine tjetër në tubacionin Nord Stream 1 do të reduktonte prodhimin ditor të gazit në 20%, duke përgjysmuar nivelin aktual të furnizimit, raporton abcnews.al.

Nga ana e saj qeveria gjermane tha se nuk ka asnjë arsye teknike, që Gazprom të kufizojë furnizimin me gaz, shkruan BBC.

Gazprom rifilloi rrjedhën e gazit përmes Nord Stream 1 javën e kaluar pas një ndërprerjeje 10 ditore mirëmbajtjeje, por vetëm në 40 për qind të kapacitetit të tubacionit. Rusia tha se ishte e detyruar të ulte volumin për shkak të kthimit të vonuar të një turbine që po servisohej në Kanada.

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se sanksionet e vazhdueshme rrezikojnë të shkaktojnë rritje katastrofike të çmimit të energjisë për konsumatorët në mbarë botën.

Lexo edhe: Von der Leyen: BE-ja duhet të përgatitet për një ndërprerje të plotë të gazit rus

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen javën e kaluar akuzoi  Rusinë për përdorimin e energjisë si armë, ndërsa paralajmëroi se Evropa duhet të përgatitet për një ndërprerje të mundshme të plotë të rrjedhave të gazit rus.

Një mbyllje totale e importeve mund të rezultojë në mbylljen e fabrikave dhe t’i detyrojë familjet të reduktojnë ngrohjen ose të paguajnë çmime edhe më të larta.

Rusia furnizoi Evropën me 40% të gazit të saj vitin e kaluar dhe BE-ja e ka akuzuar Rusinë për përdorimin e energjisë si armë.

Komisioni Evropian u ka kërkuar vendeve që të reduktojnë përdorimin e gazit me 15% gjatë shtatë muajve të ardhshëm pasi Rusia paralajmëroi se mund të frenojë ose ndalojë plotësisht furnizimet.

Çmimet e gazit me shumicë janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, me një ndikim negativ në faturat e energjisë së konsumatorit.

Gazprom i kontrolluar nga shteti rus tha se reduktimi i fundit i furnizimit do të fillojë në orën 04:00 GMT të mërkurën për shkak të “gjendjes teknike” të njërës prej dy turbinave të fundit që funksionojnë.

Por një zëdhënëse e ministrisë gjermane të ekonomisë i tha AFP: “Sipas informacionit që kemi, nuk ka asnjë arsye teknike për një reduktim të dërgesave.”

Kremlini pohon se është një partner i besueshëm energjetik dhe fajëson sanksionet perëndimore për ndërprerjen e fundit të furnizimit me gaz në Evropë.
Gazprom thotë se kthimi i vonuar – për shkak të sanksioneve – i pajisjeve të servisuara në Kanada e ka detyruar atë të mbajë rrjedhën e gazit përmes Nord Stream 1 në vetëm 40% të kapacitetit.

Gazprom ka ndërpreë plotësisht furnizimin me gaz për Bullgarinë, Danimarkën, Finlandën, Holandën dhe Poloninë, për shkak të refuzimit të tyre për të përmbushur një urdhër të Kremlinit për të paguar faturat e tyre në rubla, në vend të euro ose dollarë./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!