Gjici i bindur: Kualifikimi detyrim, ia dalim! Të përsërisim veten

schedule11:37 - 27 Gusht, 2020

schedule 11:37 - 27 Gusht, 2020

Numri 1 i Kukësit, Safet Gjici, e cilëson si detyrim kualifikimin për në turin e dytë të Ligës së Europës. Kryebashkiaku i qytetit verior mendon se Slavia e Sofies është kundërshtar i fortë, por ekipi shqiptar ndihet gati.

Nuk ka qenë dot pranë skuadrës për shkak të detyrës tjetër. Safet Gjici njihet ndoshta më shumë tani si kryetar i Bashkisë së Kukësit, sesa si numri 1 i klubit të futbollit të këtij qyteti, por kjo nuk do të thotë se nuk po e ndjek përgatitjen për Ligën e Europës.

Të besuarit e trajnerit Skënder Gega luajnë këtë të enjte në “Elbasan Arena” ndaj Sllavias së Sofies, dhe shqetësimi i parë i presidentit të nderit ishte ai për mbrojtjen nga koronavirusi. “Teste janë bërë dy herë, u bë i pari dhe dolën të gjithë negativë, si stafi, ashtu edhe lojtarët. E njëjta gjë ndodhi edhe pas testit të dytë. Kjo falë grumbullimit të skuadrës, fillimisht në Tropojë e më pas në Elbasan”, tha Gjici fillimisht.

Si i gjykon Gjici shanset në përballjen ndaj bullgarëve? “Është një ekip i fortë, duhet vlerësuar. Janë shumë të fortë. Megjithatë, ne e kemi detyrim kalimin e turit të parë. E kemi bërë këtë në shumicën e viteve që kemi marrë pjesë në kupat e Europës”.

Kryebashkiaku mendon se Kukësi ka pasur veçanti nga ekipet e tjerë shqiptarë këtë verë, me lojtarët e afruar. “Kam bindje, sidomos me stafin e ri dhe me disa prej afrimeve që janë të mira, se ekipi i Kukësit do ta kalojë këtë tur. Gjithsesi fusha do ta tregojë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!