Kukësi gjeti fitoren e parë në kampionat. Verilindorët mposhtën skuadrën e Laçit me rezultatin 1-0 dhe presidenti Safet Gjici rikthehet të flasë për gjendjen në klubin e tij. Në një lidhje me emisionin “Pressing” në ABC ai fillimisht tha: “Është shpejt të them se më doli fjala, por morëm një fitore që duhej për qetësinë. Kemi bërë një ekip të ri dhe duan kohën e vet. I uroj Gegës shërim të shpejtë, pasi edhe mungesa e tij ndikon. Po vazhduam kështu do të kthehemi shpejt”.
“Futbolli nuk është me buton, do kohën e vet. Kur kërkojmë rezultate thonë që presidentët duan rezultatet të shpejta, madje të dalim kampion për gjysmë sezoni. Tani që themi ekipi është i ri dhe do kohë, edhe COVID-19 ndikon. Lojtarët janë aty, kanë CV të mirë. Kukësi do shkojë aty ku e ka vendin. Besoj se drejtuesit kanë bërë zgjedhje të mira. Normalisht fusha do tregojë se sa e justifikojnë veten këta lojtarë”.
“Nuk është hera e parë që media të ndryshme të japin informacione jo të vërteta. Nuk kanë çfarë japin, sepse vetëm Kukësin përbën lajm për ta. Hallaçi e ka sqaruar mirë. Ekipi ka qenë në palestër. Edhe sikur të ketë, nuk është ndonjë gjëmë e madhe. Po vuajnë edhe klubet e mëdha, pandemia ka bërë të veten. Realisht nuk ka pasur probleme”.
“Kampionati është i gjatë. Vllaznia është ekip që gjithmonë ka dhuruar futboll të bukur. Nuk e di sa do ecin kështu, Fakti që janë të parët dhe nuk kanë humbur do të thotë që kanë ecuri të mirë. Ne duhet të shkojmë të fitojmë me Vllazninë, pasi ne jemi Kukësi. Ata Vllaznia? Vllaznia e dikurshme. Tani e kemi qetësinë pas rezultateve negative. Duhet ta marrim seriozisht, pasi u hapin punë të gjithëve. Duhen vlerësuar, sidomos tani që kanë marrë superxhiro. I them ekipit dhe stafit ta marrin seriozisht”.
“Stadiumi? Është mbyllur kontrata fillestare. Ka pasur disa shtesa pas inspektimit të kryeministrit. Duhen bërë disa shpronësime që të mbarojmë kontratën shtesë. Me lëvrimin e fondeve nga qeveria, FSHF është gati të japë fondet e veta, për 2-3 muaj stadiumi mund të jetë gati. Gjithmonë nëse lëvrohen fondet”. /abcnews.al