Lufta në Ukrainë i ka rritur ndjeshëm kostot e jetesës në Gjermani. Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner i përgatit qytetarët për një fazë të gjatë privimesh.
“Ekziston rreziku i një krize shumë serioze ekonomike për shkak të rritjes së fortë të çmimeve të energjisë, për shkak të problemeve me zinxhirët e furnizimit, por edhe për shkak të inflacionit”, është shprehur ministri gjerman i Financave, Christian Lindner për televizionin e dytë gjerman, ZDF. “Shqetësimi im është se në disa javë dhe muaj mund të kemi një situatë shumë shqetësuese”, tha kreu i liberalëve gjermanë.
“Bëhet fjalë për tre, katër apo pesë vite shtrëngese. Për këtë duhet të gjejmë një përgjigje”, theksoi Lindner. Për hapa të mundshëm kundër rritjes së çmimeve, veçanërisht të gazit, diskutojnë këtë të mërkurë krerët e koalicionit qeveritar gjerman të përbërë nga socialdemokratët, Të Gjelbrit, dhe liberalët.
Ka disa ditë që Gjermania ka reduktuar gazin ndaj Gjermanisë. Gjendja e furnizimit me gaz brenda vendit është e tensionuar, sipas Agjencisë Federale të Rrjetit. Sipas raportimeve jo të konfirmuara në media, qeveria po përgatit shpalljen e gjendjes së alarmit për të zbatuar planin e emergjencës kombëtare brenda pak ditësh. Që në mars Ministria e Ekonomisë shpalli gjendjen e paralajmërimit ndaj situatës. Hapi i parë i planit të emergjencës parashikon referimin ndaj keqësimit të furnizimit dhe përgatitje për kundërmasa. Si hap i tretë dhe i fundit mund të jetë ai i emergjencës, në furnizimin e “klientëve të mbrojtur”, ku bëjnë pjesë ekonomitë shtëpiake, i cili garantohet nga ndërhyrja e qeverisë.
Lindner kundër “ideve tabu”
Për masa të mundshme, me të cilat mund të sigurohet furnizimi me energji në Gjermani, të pavarur nga importet, ekzistojnë qëndrime të ndryshme në koalicionin qeveritar gjerman. SPD dhe Të Gjelbrit janë kundër metodës “fracking” të nxjerrjes së gazit (metodë e përftimit të gazit me presion dhe kimikate nga shtresat shkëmbore, shën red.) Po ashtu edhe kundër zgjatjes së afatit për tre centralet atomikë ende në funksion në Gjermani përtej vitit 2022.
Kurse liberalët nën Christian Lindner nuk duan t’i përjashtojnë këto opcione. “Ne mund të përdorim edhe mundësitë tona për furnizimin me energji”, tha Lindner, i cili shton, se “nuk duhet të kemi ide tabu tani, kur bëhet fjalë për të kontrolluar rritjen e çmimeve për njerëzit.”
Duke iu referuar shkurtimit të furnizimeve të gazit nga Rusia, Lindner theksoi: “Jo, Putini nuk na ka në dorë, por ne jemi krijueset dhe krijuesit e fatit tonë.” Gjermania mund të diversifikojë furnizimin me energji, të krijojë zinxhirë të rinj furnizimi dhe të tregtojë e lirë.
Ende në funksion – centrali atomik Isar në Bavari/DW