Mbretëria e Bashkuar është “100% e sigurt” në efikasitetin e vaksinës AstraZeneca, sipas një deklaratë të ministrit të vendit Robert Jenrick, pasi Gjermania pezulloi përdorimin e saj tek personat nën moshën 60 vjeç.
Gjermania njoftoi të martën në mbrëmje se do të pezullonte vaksinimin me AstraZeneca për personat nën 60 vjeç pas raporteve të “efekteve anësore të mpiksjes së gjakut të rralla, por shumë të rënda” në 31 persona pas dozës së tyre të parë.
Personat nën 60 vjeç mund të marrin vullnetarisht vaksinën në konsultim me mjekët, duke marrë parasysh rrezikun individual. Kur u pyet nëse qeveria e Britanisë mendon se duhet të rivlerësojë edhe njëherë vaksinën, Jenrick tha: “Jo nuk do ta bëjmë.”
“Ne jemi 100% të sigurt në efikasitetin e vaksinës, kjo është vërtetuar studimi pas studimi nga rregullatorët tanë dhe nga hulumtimi i fundit nga Shëndeti Publik.
Ministri shtoi se “njerëzit duhet të vaksinohen”, duke shtuar se edhe ai vetë do të vaksinohet , kur të ketë radhën.
“Është një vaksinë e sigurt dhe shpërndarja e vaksinave në MB po shpëton mijëra jetë njerëzish, në të gjithë vendin çdo ditë,” tha ai./abcnews.al