Gjermania: Nuk jemi pengesë për reformimin e Eurozonës

schedule22:22 - 8 Maj, 2018

schedule 22:22 - 8 Maj, 2018

Reformimi i Eurozonës duket se ka ndarë Francën dhe Gjermaninë. Koalicioni qeverisës në Berlin ka pranuar se ka refuzuar propozimet e presidentit Macron për këtë proces, por ka deklaruar se nuk është pengesë për reformimin.

Koalicioni qeverisës i kancelares Angela Merkel ka hedhur poshtë akuzat se Gjermania po bllokon reformimin e Eurozonës. Reagimi ka ardhur pas refuzimit që Bundestagu i bëri propozimeve të presidentit francez Emmanuel Macron në lidhje me këtë proces.

Përfaqësues të bllokut CDU-CSU kanë bërë me dije se Gjermania kundërshton propozimet që sugjerojnë bashkimin e borxheve të vendeve të Europës, politikat fiskale pa kontrollin e parlamentit kombëtar dhe propozimin e Komisionit Europian për një ministër Financash të Eurozonës.

Volker Kauder, lider i konservatorëve në Dhomën e Ulët të Bundestagut, ka nënvizuar se nga ana tjetër Berlini mbështet rritjen e kontributit gjerman në buxhetin e Eurozonës dhe rritjen e fondit të shpëtimit përmes krijimit të një Fondi Monetar Europian, të kontrolluara nga parlamentet përkatëse të vendeve anëtare të Unionit.

“Dhe ne do ta implementojmë këtë plan”, ka deklaruar Kauder për gazetarët, në përfundim të një takimi dyditor me krerët e grupeve parlamentare të koalicionit të madh CDU-CSU plus social-demokratët.

Sa i takon propozimeve të Macron, Kauder ka nënvizuar se, jo çdo propozim i bërë nga një vend anëtar kthehet automatikisht në një masë për t’u aplikuar.

“Dhe kjo nuk ka lidhje fare me euro-skepticizmin”, ka shtuar ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!