Një alarm sigurie u dha të martën në mbrëmje në Aeroportin e Leipzigut në Gjermani, pasi një avion mallrash i kompanisë DHL u përplas me një objekt të paidentifikuar menjëherë pas ngritjes.
Sipas mediave gjermane, përplasja ndodhi në një lartësi prej rreth 400 metrash dhe afërsisht 6 kilometra larg aeroportit.
Gjatë kontrollit të objektit të rrëzuar, i cili dyshohet se ishte një dron, u gjet një substancë e dyshimtë, ende e paidentifikuar, si dhe një detonator. Pajisja u ekzaminua nga ekipet piroteknike pasi kishte rënë pranë një avioni Antonov ukrainas.
Avioni i DHL-it u detyrua të kryente një ulje emergjente në Aeroportin e Hanoverit, ndërsa autoritetet nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe origjinën e dronit.
Për shkak të situatës së krijuar, Aeroporti i Leipzigut qëndroi i mbyllur deri në orën 02:00 të mëngjesit. Disa fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera, përfshirë atë të Nurembergut.
Autoritetet gjermane vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një incident aksidental apo një veprim të qëllimshëm.



