Nuk po pretendojnë të jenë si në 1974. Në një botë gjithnjë e më globale, edhe në futboll diferencat janë ngushtuar aq shumë saqë nuk mund të flitet për dinasti si Gjermania Perëndimore e Bekenbauerit, Mylerit apo Zep Majerit, që dominonte planetin dhe Europën.
Sot kërkohet më pak, sikur edhe t’i afrohen brezit të artë të Botërorit 2014, kur Gjermania e trajnerit Joakim Lëv shkatërroi Brazilin 7-1 në “Marakana” duke shkruar një nga faqet më të mëdha të historisë jo vetëm të sajën, por edhe të futbollit për të gjitha kohët.
Tifozët padyshim që ndihen keq, aq më tepër që nuk arrijnë të kuptojnë përse ndodhi që kjo skuadër e madhe, që mundi Lionel Mesin dhe Argjentinën e tij në finalen e atëhershme, sot as nuk mundet t’u afrohet titujve.
Eliminimi fatkeq ndaj Paraguajit, krejtësisht i pamenduar, por në vazhdën e humbjes në grup kundër Ekuadorit, bëri që të plotësohej cikli i tre kupave të botës pa lavdi. “Teutonët” këtë herë patën arritjen e rëndomtë për të qenë mes 32 ekipeve të turneut! Në 2018 në Rusi, skuadra që atëherë drejtohej sërish nga Joakim Lëv, u largua që në grup pasi u mund në minutat e fundit nga Koreja e Jugut.
Ai ishte dështimi i parë i madh në histori. Në 2022, ky skenar u përsërit dhe mallkimi erdhi sërish nga një skuadër e Lindjes së Largme, këtë herë nga Japonia, që fitoi 2-1 me përmbysje.
Që nga 2014-ta, në plot 6 turne të mëdhenj, Botërorë e Europianë, gjermanët nuk kanë arritur kurrë në gjysmëfinale, e pamendueshme dikur për këtë emër. Gjithsesi, tifozët nuk arrijnë të kuptojnë sesi Gjermania që dominoi Spanjën kampione të Europës në 2024, këtë herë ishte kaq dobët.
Kritikat janë për trajnerin Nagelsman, i sulmuar nga të gjithë analistët dhe ish-yjet e dikurshëm, ndërsa pritet në stol Jurgen Klop.
Gjithsesi, Nagelsman ishte në drejtim edhe në 2024, por pas atij Europiani u larguan udhëheqës si Toni Kros, Tomas Myler apo Gyndogan, ndërsa talenti më premtues, Musiala, u shkatërrua nga dëmtimi i vitit të kaluar. Ndoshta, Gjermania ka nevojë vetëm për një lider për t’u kthyer e madhe./abcnews.al



