Kombëtarja gjermane është nën presion të madh në prag të ndeshjeve ndaj Serbisë dhe Holandës. Trajneri Joachim Lov ka bërë ndryshime të shumta, por një dështim i mundshëm do të kishte pasoja.
A thua do të jetë një tjetër epokë e suksesshme? Kombëtarja gjermane është në një moment vendimtar tranzicioni, ndërsa trajneri Joachim Lov, ka grumbulluar ekipin e tij me ndryshime të shumta.
“National Manschafti” do të provojë veten, fillimisht në miqësoren ndaj Serbisë, e pastaj në ndeshjen eleminatore të Europianit në fushën e Holandës, ndërsa në radhët e saj janë larguar tre kampionë të mëdhenj, dhe janë afruar shumë talente të rinj.
Lov la jashtë emrat e mëdhenj të Bajernit, Mats Humels, Jerome Boateng e Thomas Muller, në një përpjekje të qartë për t’u ndarë nga e kaluara, pas dështimit në Botërorin e Rusisë vitin e kaluar.
“Ne jemi përballë një kohe të re, dhe një sfide të re, – tha trajneri që ka 13 vjet në stol, – duhet që lojtarët të kuptojnë se unë besoj 100 për qind tek ata. Duhet t’u japim mundësinë që të rriten, të përmirësohen, të marrin përgjegjësi, por edhe që të piqen, pasi do të kenë mundësi të ndreqin gabimet që do të bëjnë”.
Vetëm 4 lojtarë të sotëm kanë 30 apo më shumë ndeshje në kombëtare.
Të tjerët janë shumë të rinj, si Niklas Shtark, mbrojtës nga Herta e Berlinit, Julian Brandt një lojtar ofensiv që vjen nga Leverkuseni, Marsel Halstenberg që është pjesë e Lajpcigut, Tilo Kehrer, organizatori Kai Haverc, Maksi Egeshtajn apo mbrojtësi Klosterman.
Presioni mbi Lov-in është i madh, sidomos pas kritikave nga Bajerni për largimin e veteranëve.
Ekziston frika se një dështim ndaj serbëve apo holandezëve, mund të dëmtonte besimin e të rinjve, dhe projekti i rinovimit të kombëtares gjermane mund të dështonte./abcnews.al