Autoritet turke kanë njoftuar të mërkurën se Gjermania do t’i dërgojë asaj një sistem mbrojtjeje raketore Patriot për një vendosje gjashtëmujore nga qershori, për të zëvendësuar një sistem të vendosur si pjesë e masave të NATO-s në Turqinë juglindore, për të forcuar mbrojtjen ajrore gjatë luftës në Iran, shkruan Reuters.
Në mars, Ankaraja zyrtare ka thënë se një sistem amerikan Patriot ishte vendosur në Turqinë juglindore, pranë një baze radari të NATO-s, përballë kërcënimeve me raketa nga Irani.
Mbrojtja e NATO-s ka rrëzuar katër raketa balistike të lëshuara nga Irani gjatë luftës.
“Përveç sistemit spanjoll të mbrojtjes ajrore Patriot të vendosur aktualisht në vendin tonë, një nga dy sistemet shtesë Patriot të vendosura nga NATO për shkak të konflikteve midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit do të zëvendësohet nga një sistem gjerman”, ka njoftuar ministria turke e Mbrojtjes.
“Ky zëvendësim është planifikuar të përfundojë në qershor dhe sistemi pritet të mbetet funksional për afërsisht gjashtë muaj”, ka thënë ajo, duke shtuar se vlerësimet e sigurisë do të vazhdojnë në koordinim me aleatët.
Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, vitet e fundit ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të zvogëluar varësinë e saj nga furnizuesit e jashtëm në industrinë e mbrojtjes.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, asaj ende i mungojnë mbrojtjet ajrore gjithëpërfshirëse dhe mbështetet në sistemet e NATO-s të vendosura në rajon.


