Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues (BfV), në fakt një shërbim sekret që vepron brenda Gjermanisë, ka monitoruar punën e “Alternativës së Re”, siç është organizata rinore e partisë populiste “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), prej katër vitesh, më intensivisht se kurrë më parë.
A është radikalizuar “Alternativa e Re” (Junge Alternativa – JA)? A nxit ajo urrejtje kundër refugjatëve dhe emigrantëve? A propagandon një koncept diskriminues të shoqërisë? A i zhvlerëson qytetarët gjermanë me prejardhje migrante, duke i klasifikuar si qytetarë të rendit të dytë?
Përhapja e imazheve armiqësore
Përgjigjja e Zyrës për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues (BfV) në të gjitha këto pyetje është: “Po!” Prandaj rinia eAfD-së, e cila fillimisht u etiketua si “e dyshimtë”, tashmë renditet si organizatë me “aspirata të përcaktuara ekstremiste të krahut të djathtë”. Thomas Haldenwang i BfV e justifikoi këtë kategorizim: “Përhapja e synuar e imazhit të armikut dhe nxitja e indinjatës në popullatë është e favorshme për përgatitjen e terrenit për sjellje të dhunshme ndaj të prekurve”.
Në të njëjtën kohë, së bashku me grupin e të rinjve të AfD “Alternativa e Re”, “Instituti për Politikat Shtetërore” (Institut für Staatspolitik – IfS) dhe shoqata “Ein Prozent” (Një për qind) u shpallën në të njëjtën kategori me organizatat “e vërtetuara me aspirata ekstremiste të krahut të djathtë”.
Kjo rrit rrezikun që të tre grupet të vëzhgohen dhe monitorohen me mjete dhe metoda profesionale të inteligjencës. Kjo nënkupton edhe monitorimin e e njerëzve dhe komunikimeve të tyre elektronike.
Ideologjia kundër demokracisë
Kjo ishte e mundur më parë. Por probabiliteti që metoda të tilla të përdoren në të ardhmen rritet me këtë kategorizim. “Shërbimi gjerman për mbrojtjen e rendit kushtetues nuk përqendrohet vetëm te ekstremistët e dhunshëm, por ka parasysh edhe ato grupe njerëzish që përhapin vazhdimisht ideologji dhe koncepte antidemokratike dhe kundër dinjitetit njerëzor”, thekson kreu i BfV Haldenwang.
Të tre organizatat, të cilat janë tani më të shënjestruara, synuan të paraqisnin me imazh negativ të huajt në Gjermani dhe u përpoqën t’i “bënin këto pozicione të përputhshme shoqërore”, thuhet në shpjegimin e vendimit për rritjen e vëzhgimit dhe monitorimit. Hapi tjetër dhe përfundimtar mund të jetë tani ndalimi i punës.
Në Gjermani është vështirë të ndalohet puna e ndonjë partie
Ministria e Brendshme gjermane ka shfrytëzuar disa herë rastin për të ndaluar punën e organizatave dhe shoqatave ekstremiste të krahut të djathtë. Megjithatë, ndalimi i punës së ndonjë partie politike është shumë më i ndërlikuar. Kështu, në vitin 2017, një përpjekje për të ndaluar partinë ekstremiste të djathtë NPD (Partia Kombëtare Demokratike e Gjermanisë) dështoi.
Gjithsesi, për AFD-në, klasifikimi i të rinjve të saj në grupin me “aspirata të dëshmuara ekstremiste të djathta”, është një sinjal alarmi, sepse që nga marsi i vitit 2022, pas kategorizimit të kësaj partie si të dyshimtë, Shërbimi i Mbrojtjes së Rendit Kushtetues ka mundësi të monitorojë dhe mbikëqyrë të gjithë AfD-në. Kundër kësaj AfD ka ngritur një padi në Gjykatën Administrative të Këlnit, por pa sukses. Pak para këtij vendimi, kryetari i atëhershëm i AfD-së, Jörg Meuthen, u largua nga partia.
Ish-shefi i AfD: “Partia në linja totalitare”
Jörg Meuthen e justifikoi këtë hap duke deklaruar se Alternativa për Gjermaninë (AfD), e themeluar në vitin 2013, ka shkuar shumë larg djathtas, se ka zhvilluar tipare totalitare dhe se pjesa më e madhe e partisë nuk bazohet më në rendin kushtetues të demokracisë së lirë. Ky është një qëndrim prej kohësh edhe i Shërbimit të Mbrojtjes së Rendit Kushtetues.
Ky organ i sigurisë tani e konsideron edhe më të rrezikshëm rininë e AfD-së – “Alternativën e Re”. “Kuptimi i konceptit (etnikisht homogjen) të popullit, i cili zbulohet qartë në deklaratat dhe njoftimet e “Alternativës së Re”, është në kundërshtim me përcaktimet në Kushtetutën gjermane dhe është i përshtatshëm për të dëbuar anëtarët e gjoja grupeve të tjera etnike.
Paragjykime të sheshta për muslimanët
Emigrantëve dhe migrantëve me origjinë (gjoja) myslimane u dedikohen veçori negative – si prapambetja kulturore dhe një prirje disproporcionale e fortë për krim dhe dhunë. Dhe kjo vetëm për shkak të origjinës dhe fesë së tyre.
Zyra për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues (BfV) gjithashtu dyshon në besnikërinë dhe përkushtimin e të rinjve të AfD ndaj Kushtetutës gjermane. Dëshminë e kësaj BfV e sheh në një numër të madh shpifjesh (diskreditim, nxirje, shpifje, heshtje dhe skualifikim) të kundërshtarëve politikë, por edhe të shtetit dhe përfaqësuesve të tij. “Alternativa e re” nuk kujdeset të përballet me ndonjë problem, por përkundrazi punon në përçmimin e përgjithshëm të sistemit demokratik në Gjermani. Kjo është arsyeja pse grupi i të rinjve AfD është tani një grup me “aspirata të provuara ekstremiste të djathta”/DW