Gjermani/ Schulz heq dorë nga Ministria e Jashtme

schedule18:27 - 9 Shkurt, 2018

schedule 18:27 - 9 Shkurt, 2018

Lideri i Social-Demokratëve në Gjermani ka lëshuar postin e ministrit të Jashtëm, që kishte siguruar nga marrëveshja me Merkel, me qëllim që t’i jepet fund debatit mbi emërimet.

Lideri i Social Demokratëve në Gjermani, Martin Schulz ka zyrtarizuar tërheqjen nga posti i ministrit të Jashtëm në qeverinë e ardhshme të drejtuar nga kancelarja Merkel. Në një deklaratë për mediat, Schulz ka bërë me dije se veprimi i tij ka si qëllim t’i japë fund debateve mbi emërimet, për të mos vënë në rrezik votën e bazës së partisë së tij për Koalicionin e Madh.

“Njoftoj tërheqjen time nga hyrja në qeverinë gjermane dhe në të njëjtën kohë shpresoj që debati për anëtarët të marrë fund”, ka thënë Schulz në reagimin e tij të shkruar. Kreu i SPD-së ka nënvizuar se, pjesëmarrja në koalicion ka qenë e kushtëzuar nga prioritetet e social-demokratëve, që synojnë përmirësim të arsimit, kushteve të punësimit dhe shëndetësisë.

“Mund të them me krenari se të gjitha këto janë pranuar. Ndaj për mua është e rëndësishme që anëtarët e SPD-së në baza të shprehen në mbështetje të kësaj kontrate, nisur nga fakti se ata kanë insistuar për këto prioritete po aq sa dhe unë”, ka thënë Schulz.

Emërimi paraprak i Schulz në krye të diplomacisë gjermane shkaktoi pakënaqësi tek ish-lideri i social-demokratëve Sigmar Gabriel, i cili u shpreh i zhgënjyer nga mungesa e respektit në radhët e partisë së tij dhe la të kuptohet se vota pro koalicionit mund të rishqyrtohej./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!