Gjermani, reziston koalicioni qeverisës

schedule08:32 - 6 Nëntor, 2018

schedule 08:32 - 6 Nëntor, 2018

Koalicioni qeverisës në Gjermani duket se po i reziston presioneve, të rritura pas performancës së dobët në zgjedhjet rajonale dhe paralajmërimit të Merkel për dorëheqje nga drejtimi i CDU-së. Në mbledhjen e radhës, aleatët kanë rënë dakord të vazhdojnë punën.

Koalicioni i madh në Gjermani duket se do të vazhdojë të qeverisë vendin, pavarësisht lëkundjeve nga rezultati i dobët në zgjedhjet lokale dhe paralajmërimit të Merkel se do të heqë dorë nga politika. Në përfundim të një takimi të mbajtur ditën e hënë mes aleatëve, Merkel tha se partia e saj CDU, Partia Social-demokrate dhe Unioni kristian-socialist i Bavarisë janë dakord për të vazhduar punën.

“Mendoj se e rëndësishme për social-demokratët, dhe natyrisht për ne si CDU, është se jemi gati të vazhdojmë zotimin që kemi marrë përsipër në kuadër të marrëveshjes së koalicionit”, tha Merkel.

Kancelarja nënvizoi se, mbështetja në radhët e partive për të vijuar punën e koalicionit është unanime.

“Që do të thotë se ekziston bindje tërësore se ne duhet të vazhdojmë punën, siç është rënë dakord në marrëveshje”, theksoi Merkel.

Javën e kaluar Merkel njoftoi tërheqjen nga posti i kryetares së CDU-së, por të hënën ajo nënvizoi se do të vazhdojë detyrën e kancelares deri në përfundim të mandatit, që skadon në 2021-shin.

Nga ana tjetër, social-demokratët, të ndodhur nën presion për shkak të performancës së dobët në zgjedhjet rajonale, braktisja e koalicionit qeverisës është jashtë çdo diskutimi. E pyetur në një konferencë shtypi pas takimeve nëse liderët politikë e kanë diskutuar një opsion të tillë me konservatorët, kryetarja Andrea Nahles u përgjigj prerë: “JO”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!