Gjermani, parashikime të zymta për 2023

schedule13:05 - 11 Shtator, 2022

schedule 13:05 - 11 Shtator, 2022

Më 1 tetor, në Gjermani do të rritet paga minimale në 12 euro/ora. Ekspertët thonë se kjo do ta rrisë edhe më tej inflacionin. Sipas Instituti i Hulumtimeve Ekonomike në Mynih (ifo), rritja e sërishme e pagës minimale në Gjermani më 1 tetor me gjasë do të “rrisë më tej inflacionin”. Pothuajse një e treta e 6.900 kompanive të anketuara nga ifo kanë deklaruar se një pjesë të stafit të tyre e paguajnë me 12 euro në orë. 58 përqind e këtyre kompanive “po planifikojnë të rrisin çmimet si përgjigje ndaj rritjes së pagave”, bëri të ditur të premten, 9. 9. 2022, Instituti.  Paga minimale në Gjermani u rrit në korrik nga 9,82 në 10,45 euro në orë dhe do të rritet me ligj në 12 euro më 1 tetor. Nga kjo do të përfitojnë mbi gjashtë milionë të punësuar.

Logo ifo InsitutLogoja e Institutit ifo në Mynih, një nga institutet më të mëdha të Gjermanisë që merret me politikat ekonmike

Gjysma e kompanive të prekura presin më pak fitim, një e katërta llogarit me rënie të kërkesës për produktet e tyre. Për të kompensuar këtë, 18 përqind po mendojnë të ulin orarin e punës së punonjësve ose të ulin pagesat shtesë. Vetëm 13 përqind e kompanive të prekura planifikojnë të shkurtojnë vende pune, tha eksperti i ifo-s, Sebastian Link.

Dallime ndërmjet degëve të ekonomisë

Sipas ifo-s, ka dallime të mëdha në varësi të rajonit dhe industrisë. Ndërsa në Gjermaninë Perëndimore janë 29 përqind e kompanive të anketuara që i paguajnë punëtorët e tyre me më pak se 12 euro në orë, në Gjermaninë Lindore janë 40 përqind. Mesatarisht në të gjithë Gjermaninë janë 6 përqind e të punësuarve që paguhen me më pak se 12 euro / ora.

Kompanitë më të prekura janë në hotelieri (78 përqind) në sektorin e punësimit të përkohshëm (64 përqind), në degën e tregtisë me pakicë (58 përqind) në industrinë e tekstilit (72 përqind) dhe në industrinë e lëndëve ushqimore dhe pijeve (61 përqind). Në industritë e metalit dhe kimike, paga minimale nuk luan rol. Industria e ndërtimit paguan një pagë minimale prej 12,85 euro në orë.

Shteti nuk mund ta kompensojë inflacionin

Ministria gjermane e Financave (BMF) ngre dyshime për dobinë dhe efektivitetin e tre paketave të shpëtimit që qeveria federale ka nisur për të luftuar çmimet e larta të energjisë. “Kompensimi i plotë për të ardhurat reale të reduktuara nga shteti nuk është as i përballueshëm dhe as nuk ka kuptim nga pikëpamja ekonomike,” thotë një dokument i BMF në përgatitje për takimin e ministrave të financave nga eurozona dhe BE, i cili po zhvillohet këtë fundjavë.

Ministri gjerman i financave Christian Lindner, i partisë liberale, FDP Ministri gjerman i financave Christian Lindner, i partisë liberale, FDP

Nga këndvështrimi i Gjermanisë, deri më tani, qeveria federale i ka përmbushur vetëm pjesërisht synimet që i ka vënë vetes me tre paketat lehtësuese, të cilat në total kapin shifrën prej afro njëqind miliardë euro. Paketat përmbajnë shumë masa, si  ndihma financiare për personat në nevojë, kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë me një shtesë rroge prej 300 euro bruto në muajin shtator për çdo punëmarrës, dhe shtesë prej 100 euro për çdo fëmijë.

Pakot lehtësuese rrisin çmimet

Dokumenti në fjalë  gjithashtu paralajmëron shprehimisht se masat lehtësuese mund t’i rrisin më tej çmimet. “Kujdes i veçantë duhet treguar për të mos rritur më tej presionin inflacionist nëpërmjet politikave fiskale”, shkruajnë ekspertët e Ministrisë federale të financave.

Ekspertët gjithashtu kanë shprehur shqetësim se pakot lehtësuese të financuara nga borxhi mund të rëndojnë mbi buxhetet e vendeve anëtare të BE-së. “Financat publike të qëndrueshme mbeten thelbësore, sidomos në rrethanat e rritjes së normave të interesit,” shkruajnë ata. Situata ekonomike në eurozonë “karakterizohet nga një shkallë e lartë pasigurie”. Ekziston mbi të gjitha rreziku i një inflacioni edhe më të lartë në eurozonë, por edhe i një dobësimi të mëtejshëm të koniunkturës ekonomike.

Inflacion rekord 2023

Këto shqetësime i kishin shprehur më parë edhe dy institute të tjera. Instituti për Hulumtime Ekonomike me qendër në Kiel, IfW, në një analizë të botuar të enjten, 8.09.2022, ka parashikuar për vitin e ardhshëm një inflacion prej 8,7 për qind. Aktualisht inflacioni në Gjermani është në një nivel rekord prej 8 për qind. Ndërsa instituti për Hulumtime Ekonomike në Halle (IWH), në parashikimin e vjeshtës, të botuar po të enjten, llogarit me një inflacion prej 9,5 për qind.

Protest gegen steigende Energiepreise und steigende Lebenshaltungskosten in LeipzigQytetarët në Gjermani kanë nisur protestat kundër rritjes së çmimeve

Të dy institutet llogarisin me një rënie të fortë Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). “Ekonomia gjermane po merr tatëpjetën, thuhet në raportin e IfW. Rritja e çmimit të gazit dhe rrymës elektrike do ta ulin dukshëm fuqinë blerëse. Sipas IFW-së Gjermania do të ketë në 2023 një rënie të PBB prej 0,7 për qind, ndërsa IWH llogarit me një rënie të PBB-së me 1,4 përqind.

Dobësimi i koniunkturës në të gjithë botën ka si efekt jo vetëm rënien e eksporteve, por edhe rënien e investimeve. “Si rezultat, ekonomia gjermane sërish do të bjerë në një recesion, pikërisht në një kohë, kur sapo kishte filluar të merrte veten nga goditjet e pandemisë”, – shkruan IfW nga Kieli.

Rritja e papunësisë jo shumë e lartë

Mes të gjitha këto parashikime të zymta, ka një fije shprese: Nuk do të ketë rritje të madhe të papunësisë. Shkak për këtë është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Ekonomistët e IfW parashikojnë një rritje të papunësisë nga 5,3 përqind (sot) në 5,6 për qind.

Dhe as të ardhurat publike nuk do të zvogëlohen: Sipas ekspertëve, megjithëse shteti jep shumë para për të lehtësuar barrën e rritjes së çmimit të energjisë, të ardhurat e shtetit nga taksat dhe tatimet pritet të mos bien, për shkak të çmimeve të larta. Madje niveli i borxhit bruto në relacion me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) pritet të bjerë deri në vitin 2024 në 64,6 për qind. Në vitin 2021 ai ishte 68,7 përqind, parashikojnë ekonomistët nga Kieli.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!