Një tragjedi e ngjashme me atë që ndodhi fundvitin e kaluar është parandaluar në Gjermani.
Autoritetet policore kanë arrestuar pesë burra të dyshuar si militantë islamistë që po planifikonin një sulm në një treg Krishtlindjesh në Bavarinë jugore.
Tre shtetas marokenë të moshës 22, 28 dhe 30 vjeç, një shtetas egjiptian 56 vjeç dhe një sirian 37-vjeçar u arrestuan të premten në pikën kufitare Suben midis Gjermanisë dhe Austrisë.
Hetuesit thanë se të arrestuarit kishin planifikuar sulmin dhe kishin ndër mend të merrnin para njerëzit me makinë në një treg Krishtlindjesh të tejmbushur në zonën Dingolfing-Landau me qëllim vrasjen ose plagosjen e sa më shumë personave.
Tregjet e Krishtlindjeve janë një traditë vjetore në Gjermani, por sulmet e viteve të fundit kanë ngjallur frikë te qytetarët.
Vitin e kaluar 6 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën në një sulm me makinë në një treg Krishtlindjesh në qytetin e Magdeburgut më 20 dhjetor.
Por ky nuk ka qenë rasti i vetëm në dekadën e fundit.
Më 19 dhjetor 2016, një person mori para me kamion një turmë njerëzish që shkonin në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, duke vrarë 13 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë./abcnews.al

