Gjermani, oficeri i afërt me partinë AfD pranon se ka spiunuar për Rusinë

schedule11:21 - 1 Maj, 2024

schedule 11:21 - 1 Maj, 2024

Akuza: Spiunazh veçanërisht i rëndë në shërbim të Rusisë. Të hënën oficeri gjerman tregoi në Gjykatën e Lartë Rajonale në Dyseldorf shkaqet pse ka spiunuar për Rusinë. Gjatë leximit të aktakuzës, një përfaqësues i Prokurorisë Federale tha se 54-vjeçari ishte përgjegjës për sistemet e luftës elektronike si kapiten në Bundeswehr. Një vit më parë ai ka kontaktuar disa herë me ambasadën ruse në Berlin dhe konsullatën e përgjithshme në Bon për të ofruar bashkëpunimin e tij.

Ai zbuloi sekretet zyrtare që supozohej t’i shkonin shërbimit inteligjent rus. Oficeri dyshohet se ka ofruar informacione me iniciativën e tij.

Frika nga përshkallëzimi bërthamor

Qëllimi i tij ishte “t’i jepte forcave të armatosura ruse një avantazh në sfondin e situatës aktuale politike”. Ushtari profesionist dëshmoi në gjykatë se ishte i motivuar nga frika e një përshkallëzimi bërthamor në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse ai donte ta çonte familjen në një kohë më të sigurt. Ai, siç tha, mendohet se së shpejti do të përdoreshin armët taktike bërthamore në Ukrainë. Ai pohon se me palën ruse ka kërkuar kontatke për të marrë informacione në kohën e duhur se kur do të shpërthejë një luftë bërthamore. “Unë pashë vetëm këtë rrugë,” tha ushtaraku në gjykatë.

Ai tani pendohet shumë për këtë dhe, duke parë prapa, e sheh si një gabim. Oficeri tha se ishte në një gjendje shumë të keqe mendore në atë kohë. “Isha në gjendjen time më të keqe,” vazhdoi i pandehuri. Ai thotë se asokohe ka humbur 18 kilogramë, se mezi flinte dhe ishte i pllakosur nga ankthi.

Kryetari i trupit gjykues theksoi se motivimi i përmendur ishte shumë i vështirë për të kuptuar. Me sa duket ishte më e lehtë për të pandehurin të tradhtonte vendin e tij sesa të shkonte te mjeku. 54-vjeçari tha se sot është e pakuptueshme edhe për te si ka mundur ta bëjë këtë.

Indoktrinimi përmes videos në Tiktok

I akuzuari pohon se një mesazh “ndoshta në Tiktok” i ka dhënë atij impulsin për të kontaktuar konsullatën ruse. Kapiteni pranoi se ai kishte ndjekur në atë kohë një influencer pro-rus, të lidhur me AfD-në në Tiktok, por “nuk e mbante mend saktësisht se çfarë mesazhi ishte”.

I pandehuri ishte anëtar i AfD-së

Në të njëjtën kohë, ai kontaktoi AfD-në dhe aplikoi për anëtarësim. Sipas gjykatës, aplikimi i tij për anëtarësim u miratua në korrik 2023. Sipas deklaratave të tij, 54-vjeçari kishte kontaktuar edhe me partinë e Majtë. Megjithatë, ai u zmbraps për shkak të qëndrimit të tyre ndaj Bundeswehr-it.

Dyshimet e para për veprimet e tij janë paraqitur, siç tha vetë, në fund të korrikut 2023, kur “ndihej më mirë mendërisht”. Ai thotë se tani më ka kërkuar të largohet nga partia, por “nuk e di nëse kjo tashmë është zbatuar”.

Gjykata e Lartë Rajonale e Dyseldorfit ka caktuar shtatë ditë gjykimi në këtë proces, i cili parashikohet të zgjatë deri më 24 qershor 2024. Nëse shpallet fajtor, i pandehuri mund të dënohet deri në dhjetë vjet burg./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!