Gjermani, një në gjashtë vetë rrezikohen nga varfëria

schedule08:56 - 5 Gusht, 2022

schedule 08:56 - 5 Gusht, 2022

Vitin e kaluar, në Gjermani ishin në rrezik për të rënë në varfëri rreth 13 milionë vetë. Siç ka njoftuar Zyra Federale e Statistikave, mbi të gjitha janë të prekura familjet me një prind dhe personat që jetojnë vetëm.

Numri i njerëzve në rrezik të varfërisë në Gjermani ra vetëm pak në vitin 2021. Siç raportohet nga Zyra Federale e Statistikave, vitin e kaluar nga varfëria u rrezikuan rreth 13 milionë vetë. Kjo korrespondon me 15.8 për qind të popullsisë dhe ose me afërsisht një në gjashtë qytetarë që jetojnë në Gjermani. Në vitin 2020, kjo shifër ishte 16.1 për qind me 13.2 milionë vetë.

Sipas përkufizimit të BE, një person konsiderohet i rrezikuar nga varfëria kur ka më pak se 60 për qind të të ardhurave mesatare të të gjithë popullsisë. Në vitin 2021, ky prag ishte 15.009 euro neto në vit për një person që jeton vetëm në Gjermani, dhe 31.520 euro neto për dy të rritur me dy fëmijë nën moshën 14 vjeç.

Pamje problematike e situatës sociale në Gjermani

Në varësi të llojit të familjes, numri i njerëzve që jetojnë në familje me një prind dhe i njerëzve që jetojnë vetëm dhe që rrezikohen nga varfëria është dukshëm më i lartë se mesatarja kombëtare. Në vitin 2021, më shumë se një e katërta e njerëzve që jetonin në familje me një prind (26.6%) kërcënoheshin nga varfëria. Për njerëzit që jetojnë vetëm, kjo shifër ishte 26.8 për qind.

Te pastrehe ne Berlin

Për njerëzit që jetojnë në familje të përbëra nga dy të rritur dhe një fëmijë (9.0%) ose me dy fëmijë (11.4%) si dhe për familjet e përbëra nga dy të rritur pa fëmijë (11.5%), shkalla e rrezikimit nga varfëria në vitin 2021 ishte më e ulët se mesatarja kombëtare.

Në të kundërt, njerëzit që jetonin në një familje me dy të rritur me tre ose më shumë fëmijë kishin një shkallë të rrezikimit nga varfëria prej 23.6 përqind, dukshëm më e lartë se mesatarja kombëtare. Me 16.2 për qind, fëmijët dhe të rinjtë në Gjermani ishin më të rrezikuar nga varfëria se mesatarja.

Vitin e kaluar, bazuar në statusin mbizotërues të aktivitetit të personave 18 vjeç e lart, pothuajse një në dy persona rrezikohej nga varfëria në grupin e të papunëve, ose 47.0 për qind. Nga ana tjetër, ky proporcion ishte vetëm 8,6% tek ata që kryenin një veprimtari profesionale.

Pamje simbolike e varferise

Një në pesë pensionistë rrezikohet nga varfëria

Për pensionistët, shkalla e rrezikut nga varfëria ishte 19.3 për qind. Në mesin e grave të moshës 65 vjeç e lart, rreziku i varfërisë ishte dukshëm më i lartë në vitin 2021 (21.0%) sesa tek burrat në të njëjtën grupmoshë (17.4%). Të ardhurat më të ulëta të grave në krahasim me burrat shpjegohen, për shembull, me ndërprerjen e karrierës profesionale dhe rrjedhimisht me të drejtat më të ulëta të pensionit, shpjegoi Zyra Federale e Statistikave. Gjithsej 16.5 për qind e femrave dhe 15.1 për qind e meshkujve rrezikoheshin nga varfëria në vitin 2021./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!