Numri rekord i votave të marra nga partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet shtetërore ka ngritur shqetësime tek qytetarët gjermanë me prejardhje turke në Gjermani, raporton Anadolu.
AfD-ja pa një rritje të mbështetjes në zgjedhjet e 1 shtatorit, duke dal e para në Thuringia dhe e dyta në Saksoni.
Këto rezultate kanë alarmuar komunitetin turk të cilët përbëjnë një nga komunitetet më të mëdha të emigrantëve në Gjermani.
Komuniteti turk ka frikë se nëse AfD-ja fiton më shumë pushtet në nivel federal, kjo mund të çojë në rritjen e ksenofobisë dhe shënjestrimin e të huajve.
Hayrettin Kurt, një banor i Këlnit, thotë se sigurisht është shqetësuese kur një parti e ekstremit të djathtë siguron 30 për qind ose më shumë vota në Gjermani. Kur kujtojmë Luftën e Dytë Botërore, thekson ai, është e frikshme që një vend si Gjermania ka një nivel kaq të lartë të mbështetjes për një parti të krahut të djathtë.
“Në të ardhmen, ata do të përpiqen t’i kthejnë të huajt në një masë të madhe. Ata do të përpiqen t’i kthejnë azilkërkuesit. Ksenofobia do të rritet domosdoshmërisht. Përjashtimi do të rritet. Jeta e përditshme do të bëhet më e vështirë për të huajt”, thotë Kurt.
Ali Nesanır, i cili drejton një kioskë në Këln, u bëri jehonë këtyre shqetësimeve.
“Kjo rritje e votave na shqetëson shumë. Frika ime është se me këtë ritëm AfD-ja do të hyjë në parlament dhe do të marrë shumicën. Kjo do të ishte shumë keq për ne të huajt”, shprehet ai.
Po ashtu edhe Ali Haydar Güneş, i cili ka lindur në Gjermani dhe ka nënshtetësi gjermane, është shprehur se “retorika e politikanëve të ekstremit të djathtë është absolutisht e gabuar dhe ata po ndjekin një politikë të gabuar”.
Ndërkaq, Nurettin Demir, po ashtu nga Këlni, tha se nëse AfD-ja vinë në pushtet në të ardhmen atëherë do të ketë probleme shumë të mëdha.
“Jo vetëm unë, por të gjithë të huajt këtu, veçanërisht turqit, janë shumë të shqetësuar”, thekson ai.
Suksesi i AfD-së shënon herën e parë që nga viti 1945 që një parti e ekstremit të djathtë renditet e para në zgjedhjet shtetërore gjermane.
Partia rriti votat e saj me 9,4 për qind në Thuringia dhe 3,1 për qind në Sanksoni krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Rezultatet u kanë dhënë një goditje partive kryesore, të cilat formojnë qeverinë federale në të dy shtetet gjermane.