Gjermani, “koalicioni i madh” nis të lëkundet

schedule19:40 - 3 Qershor, 2019

schedule 19:40 - 3 Qershor, 2019

Social-demokratët në Gjermani kanë nisur konsultimet për zgjedhjen e drejtuesit të ri, pas dorëheqjes së kryetares Andrea Nahles. Thirrja e saj për rishikimin e pjesëmarrjes në aleancën qeverisëse ka bërë që Koalicioni i Madh të ndjejë lëkundjet e para.

Social-demokratët në Gjermani kanë nisur diskutimet për të gjetur pasuesin e kryetares Andrea Nahles, e cila dha dorëheqjen dhe bëri thirrje për të rishikuar aleancën e brishtë me koalicionin qeverisës. Nahles, që në fillim ishte propozuesja më e zëshme për të krijuar një koalicion të madh me konservatorët e kancelares Angela Merkel, u detyrua të tërhiqej për shkak të rezultateve katastrofike në zgjedhjet euro-parlamentare. Sipas mediave gjermane, votuesit e ndëshkuan SPD-në pikërisht për vendimin për t’u bashkuar me mazhorancën qeverisëse, ndëshkim ky që u vu re edhe në qytetin-bastion të Bremenit, ku partia humbi kontrollin pas 70 vitesh.

Për të mbushur vakumin e krijuar deri në zgjedhjen e një lideri të ri e afatgjatë, burime nga SPD deklaruan për agjencinë “Reuters” se krahu ekzekutiv i partisë ka propozuar tre bashkëkryetarë për të menaxhuar partinë. Ndërkohë, Anegret Kramp Karrenbauer, tashmë pasuese e Merkel në krye të konservatorëve, i ka bërë thirrje SPD-së që të vazhdojë të jetë pjesë e koalicionit qeverisës, ku social-demokratët janë partneri më i ri. “Gjermania duhet të jetë në gjendje të veprojë në të tashmen dhe e përgatitur për të ardhmen, ndaj ne shpresojmë shumë që social-demokratët do të marrin atë vendim që i mundëson këto gjëra”, deklaroi Karrenbauer për gazetarët. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!