Eksperti për Europën jug-lindore në partinë e të Gjelbërve në Gjermani, Manuel Sarrazin ka kritikuar vendosjen e kushteve për Shqipërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në një deklaratë për “Dojçe Vele”, Sarrazin ka deklaruar se si Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur mjaftueshëm kriteret dhe se kushtet shtesë të formuluara nga koalicioni CDU-CSU e tejkalojnë objektivin.
“Është e papranueshme që Shqipëria çdo vit të duhet të përmbushë kushte të reja për negociatat e anëtarësimit në BE. Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por edhe e padenjë për një bashkekzistencë evropiane”, ka thënë Sarrazin.
Ai ka theksuar se ky është momenti që Bashkimi Europian të tregojë se është një partner i besueshëm dhe të hapë bisedimet e anëtarësimit.
“Ne, të Gjelbërit, do ta miratojmë çeljen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ky vendim vjen i vonuar dhe u vonua vetëm për shkak të taktikës së zvarritjes të disa pjesëve të grupit parlamentar CDU/CSU”, ka shtuar Sarrazin. /ABC News Albania 24/7