Në Gjermani vazhdojnë të bien këmbanat e alarmit për rritjen e numrit të ekstremistëve. Të dhënat e fundit të autoriteteve sinjalizojnë se mbi 12 mijë prej tyre janë gati të kryejnë akte dhune.
Në Gjermani llogariten rreth 24 mijë pjesëtarë të grupeve ekstremiste, rreth 12 mijë e 700 prej të cilëve janë të prirur të përdorin akte dhune. Kështu thonë të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, të cilat kanë alarmuar autoritetet për shkak të tendencës së nacionalistëve për të përdorur edhe armë. Disa qindra ekstremistë, të cilët aderojnë në të djathtën ekstreme, marshuan masivisht më herët gjatë javës në një qytet në lindje të Gjermanisë. Manifestuesit mbanin një parullë ku shkruhej “Drejtësi sociale në vend të kriminelëve të huaj”. Ata mbanin gjithashtu në duar pishtarë dhe duke u rënë daulleve parakaluan në qendër të Plauenit, një qytet në Saksoni sinagoga e të cilit u dogj nga nazistët në nëntor të vitit 1938. Marshimi i ekstremistëve u mbajt të mërkurën, në prag të përkujtimit të Holokaustit. Organizata kryesore hebree në Gjermani deklaroi se marshimi nuk duhet të ishte lejuar. Gjermania ka parë një rritje të mbështetjes tek e djathta ekstreme, me partinë Alternativa për Gjermaninë që është bërë më e madhja në radhët e opozitës në Bundestag. Por ndërkohë grupe të tjera ekstremiste krahas atyre tradicionale janë formuar, me më shumë se gjysmën e anëtarëve të tyre që janë të gatshëm të përdorin dhunë. /ABC News Albania 24/7