Gjergj Prevazi: Ende të paqartë se kur nisin aktivitetet kulturore, projektet i kemi pezull

schedule15:57 - 23 Qershor, 2020

schedule 15:57 - 23 Qershor, 2020

Organizatori i Festivalit ndërkombëtar të “Dancit Modern” Gjergj Prevazi thotë se ende nuk ka marrë një përgjigje nga Ministria e Kulturës për zhvillimin e aktiviteteve kulturore.

Ky vendim, ka lënë pezull sipas tij edhe zhvillimin e edicionit të 15-të.

 “Nëse e konsiderojmë artin ushqim të patjetërsueshëm të shpirtit tonë, nuk duhet të hezitohet për hapje me protokolle përkatëse ashtu si gjithë Evropa i organizon”, u shpreh ai.

Ndarja e artistit me spektatorin është vrastare.

 “Një vit me mungesë të theksuar të aktivitetit kulturor i bën dëm jo vetëm audiencës, por për artistët është vrastare”, theksoi ai.

Komunikimi ballazi u zëvendësua me atë virtual, por kur vjen fjala për koreografin, kjo kthehet në një  mision gati të pamundur, sipas pedagogut të koreografisë.

Baleti flet me gjuhën e trupit, i cili nuk realizohet dot virtualisht

 “Jo rastësisht në botën e baletit, partneri është një person shumë i rëndësishëm, është gati-gati si partneri në jetë”, tha ai.

Ndërkohë që ai është duke punuar për një koreografi të inspiruar nga dy lëkundje të mëdha që pësoi shoqëria , nga tërmeti dhe pandemia e covid-19.

 “Kemi lëkundjen fizike që na e dha tërmeti dhe shkundje psikike që na e solli izolimi, që na rikujtoi se vlerat më të mëdha janë komunikimi, kontakti”, tha Prevazi.

Shumë kompani të njohura në botë janë fokusuar te realizimi i pjesëve mbi pandeminë si shenjë e kohës  mbi të cilën po jetojmë./abcnews.al