Këto gërmadha janë gjithçka që ka mbetur nga kulla e familjes së madhe të Haklajve, në fshatin Kërrnajë të Tropojës.
Pasi u vranë 4 djemtë e familjes, pjesëtarët e tjerë u larguan nga Shqipëria, ndërsa kulla u sulmua me eksploziv, duke u shkatërruar.
Ndërsa këto janë varret e pjesëtarëve të familjes Haklaj, që po ashtu janë dëmtuar disa herë ndër vite. Kryesisht varri i Fatmir Haklajt, që konsiderohej edhe më i rëndësishmi.
Nga viti 1997 deri në vitin 2000, në Tropojë numërohen më shumë se 150 të vrarë, nga sulme me armë e me eksploziv. Krime që i përkasin shekullit të kaluar, madje edhe mijëvjeçarit të kaluar. Shumë prej vrasjeve edhe sot konsiderohen si përballje të ndikuara nga influencat politike të asaj kohe.
Dhe vit pas viti, familja Haklaj drejton gishtin tek një person i vetëm. Ish-presidenti i asaj kohe, Sali Berisha.
Ai është akuzuar shpesh si personi që masakroi djemtë e familjes Haklaj, por në mungesën e plotë të besimit te drejtësia, ata nuk e kishin denoncuar asnjëherë më parë zyrtarisht, deri në vitin 2022.
Padia e parë penale në SPAK është bërë nga Muharrem Haklaj dhe Zylfie Haklaj, ndaj Sali Berishës dhe 14 personave të tjerë. Kallëzimi u dorëzua më 7 nëntor të vitit 2022. Ndërsa më 28 prill të vitit 2023 Prokuroria e Posaçme hapi dosjen dhe mori në pyetje vajzën e familjes Haklaj, Ajshe Haklaj. Ajo dëshmoi për afro 12 orë mbi këtë padi dhe akuzat që ka ngritur ndaj Sali Berishës. Sipas kallëzimit, Berisha akuzohet për vrasjen e Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklajt.
Ndërsa më 17 mars 2025 në Prokurorinë e Posaçme është depozituar kallëzimi i dytë penal nga motrat Shotë dhe Vjollca Haklaj, të cilat janë vajzat e xhaxhait të Fatmir Haklajn. Sërish i akuzuar është Sali Berisha dhe 12 persona të tjerë: Sokol Mulosmani, Miftar Lumneshi, Rasim Lumneshi, Besim Hajdarmata, Zef Lleshi, Agim Vuka, një person me mbiemrin Fufi nga Mamurrasi, Haki Hoxha, Sokol Hoxha, Elez Kuliçi, Riza Metalija dhe Hamdi Çelaku.
Me anë të këtij kallëzimi kërkohet fillimi i procedimit penal dhe kryerja e hetimeve, për veprat penale: “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” “Organizatë kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Shpërdorim detyre”, “Korrupsioni pasiv i prokurorit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Sipas kallëzimit, të depozituar në SPAK nga përfaqësuesi ligjor i familjes Haklaj, avokati Idajet Beqiri, këta persona akuzohen për vrasjen e tre pjesëtarëve të së njëjtës familje, Sokol Haklajt, Elez Haklaj dhe Cen Haklaj.
Ndërsa pretendohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrëse politike dhe private. Në kallëzim shpjegohen edhe rrethanat e ngjarjeve të trajtuara në emisionin “Gjërat Tona”.
Por duket se vrasja e dyfishtë që ndodhi më 22 qershor të vitit 1997 në urën e Milotit, ku u qëllua për vdekje djali i xhaxhait të Fatmir Haklajt dhe miku i tyre, efektiv i Gardës së Republikës, ndezi konfliktin e përgjakshëm që më pas shënoi qindra viktima.
Vrasja e Sokol Haklajt dhe Brahim Rrustemit
Familja e Elez Haklaj, banonte në qytetin Bajram Curri. Në datën 21 qershor të vitit 1997 në mëngjes, në qytetin e Bajram Currit është bërë një tentativë vrasje me armë zjarri ndaj Riza Rrustemit, i cili mbeti i plagosur rëndë. Riza Rrustemi ishte vëllai i Brahim Rrustemit, i cili ishte efektiv Gardës së Republikës. Ky i fundit, ishte shoku më i ngushtë i Sokol Haklajt, me detyrë ndihmës gjyqtar në Skrapar. Atë mëngjes, pas plagosjes së Rizait, vëllai i tij, Agim Rrustemi, që sot është gjallë, ka shkuar dhe ka takuar Sokol Haklajn dhe i është lutur të shkonte në Tiranë për të vënë në dijeni për plagosjen e rëndë të Rizait, vëllain e tij Brahim Rustemin dhe ta sillte atë me automjetin e vet në Bajram Curri.
Sokol Haklaj ka pranuar dhe para se të nisej në Tiranë, ka shkuar në fshatin Kërrnajë, ku banonte xhaxhai i tij, Muharrem Haklaj, për t‘i treguar vëllait të tij Shkëlzen Haklaj, që ndodhej në shtëpinë e xhaxhait, se po shkonte në Tiranë për të marrë Brahim Rrustemin. Fatmir Haklaj, që ishte kushëriri i parë i Sokol Haklajt, kur ka dëgjuar qëllimin e udhëtimit drejt Tiranës, i ka thënë se do ta shoqëronte ai, pasi nuk dontë që Sokoli të shkonte vetëm.
Paraditen e 21 qershorit 1997 Sokol Haklaj, Fatmir Haklaj dhe Agron Gjyriqi, kushëriri i Fatmir Haklaj, janë nisur për në Tiranë. Sapo kanë mbërritur në Tiranë, kanë shkuar në shtëpinë ku banonte Brahim Rrustemi. Në shtëpi kanë gjetur bashkëshorten e tij, e cila u ka thënë se Brahimi ishte në punë, në Gardën e Republikës, duke u bërë me dije orën që ai kthehej nga shërbimi në shtëpi. Sokol Haklaj, Fatmir Haklaj dhe Agron Gjyriqi kanë qëndruar në Tiranë deri sa të vinte ora e kthimit nga puna të Brahim Rrustemit.
Të nesërmen, në datën 22 qershor 1997, në Bajram Curri do të shkonte të bënte një miting Sali Berisha për të prezantuar deputetin e PD-së për zgjedhjet e vitit 1997, i cili do të shoqërohej për këtë rrugëtim nga tri makina të Gardës së Republikës dhe një numër i konsiderueshëm gardistësh. Kjo për shkak të sigurisë së tij, në kushtet e kaosit, të destabilitetit dhe të gjendjes së luftës që sundonte të gjithë vendin.
Kallëzimi penal
Njerëzit e Sali Berishës në Tropojë dhe në Tiranë, posaçërisht ish -punonjësit e SHIK të Bashkim Gazidedes, mbanin nën survejim të plotë familjen “Haklaj“ dhe të gjithë ata që konsideroheshin “armiq” të tij, duke i ndjekur me kujdes lëvizjet e tyre. Për rrjedhojë, udhëtimi i Fatmir Haklajt, Sokol Haklajt dhe Agron Gjyriqit nga Bajram Curri në Tiranë, i është raportuar Sali Berishës, pa e ditur qëllimin e këtij udhëtimi, por duke e parë këtë lëvizje të Haklajve si të dyshimtë.
Sokol Haklaj, Fatmir Haklaj dhe Agron Gjyriqi, të cilët për orë të tëra kanë qëndruar nëpër Tiranë në pritje të kthimit nga puna për në banesën e tij të Brahim Rrustemit, janë takuar dhe i kanë treguar se çfarë kishte ndodhur me vëllain e tij Riza Rrustemi. I kanë thënë që po plotësonin një amanet të tij për t’ia çuar të vëllain në spital në Bajram Curri.
Por Brahim Rrustemi ishte gardist dhe këtë natë, pra mbrëmjen e 21 qershorit, do të ishte pjesë përbërëse e gardistëve të tjerë, të cilët me një autokolonë ushtarake, nën drejtimin e Sokol Mulosmanit, që ishte komandant i Gardës, do të niseshin nga Tirana rreth orës 21:15 për të marrë kontrollin dhe lirimin e rrugës Tiranë-Bajram Curri, për të garantuar zhvillimin pa probleme të mitingut të Sali Berishës, të nesërmen. Mirëpo Brahim Rrustemi, pasi mësoi përse ndodheshin në Tiranë Sokol Haklaj, Fatmir Haklaj dhe Agron Gjyriqi, u përgatit dhe së bashku me ta u nisën nga Tirana për në Bajram Curri rreth orës 23:00. Afro 2 orë më parë, pra në orën 21:15, ishin nisur nga Tirana në drejtim të Milotit e më tej drejtë Tropojës një autokolonë me dy makina të Gardës së Republikës dhe një fuoristradë.
Aksi i rrugës që do ndiqnin dihej, ishte Tiranë, Milot, Rubik, Shpal dhe Tropojë. Në makinën me të cilën udhëtonin, në timon ishte Fatmir Haklaj, në krah të tij në vend të parë ishte Brahim Rrustemi, pas Fatmirit ishte Agron Gjyriqi dhe pas Brahimit ishte Sokol Haklaj. Sapo kanë kaluar urën Milotit, ose e njohur ndryshe si “Ura e Zogut”, në kthesën e rrugës që të çon drejt Rubikut, rreth orës 01:00 të datës 22 qershor, kanë rënë në pritë. Në mënyrë të befasishme, pa asnjë paralajmërim, pa asnjë bllokim rruge, makina e tyre është qëlluar me breshëri armësh automatike për disa sekonda. Ishte një grup prej 4 apo 5 personash. Tre prej tyre janë me identitet të njohur prej familjarëve të viktimave.
Fatmir Haklaj ka ndalur menjëherë makinën dhe ka dalë jashtë saj. Brahim Rrustemi nuk ka lëvizur nga vendi. Plumbat e kishin lënë të vdekur brenda në makinë. Por edhe Sokol Haklaj ishte qëlluar nga armët automatike dhe kishte mbetur i plagosur. Agron Gjyriqi në momentin që të katërt ranë në pritë të kriminelëve ishte në gjumë në makinë. Fatmir Haklaj pasi ka dalë nga makina, i përkulur, në qetësi të plotë dhe pa lëvizur, po orientohej të dinte se nga po vinin breshëritë e plumbave. Në një moment të shtënat kanë mbaruar. Njëri nga autorët ka dalë nga prita dhe me armën në dorë i është afruar makinës nga ana ku ishte Brahim Rrustemi, i cili ishte vrarë. Ka konstatuar që Brahimi nuk lëvizte, ndërsa ka parë që Sokol Haklaj ishte i plagosur dhe nuk lëvizte. Ai ka kaluar nga mbrapa makinës tek krahu i majtë i automjetit dhe ka parë Agron Gjuriqin, të cilit i ka bërtitur: “Mos leviz”! Në këtë moment, Fatmir Haklaj e ka qëlluar me pistoletë, duke e lënë të vrarë.
Agron Gjyriqi ka dalë nga makina dhe është bashkuar me Fatmir Haklaj. Pas pak sekondash, një nga autorët që ishin në pritë ka thirrur dy apo tre herë: “Shpejt Agim, shpejt Agim”. Agim Vuka ishte njëri nga atentatorët që u vra nga Fatmir Haklaj. Në këtë moment 4 autorët e tjerë kanë filluar të qëllojnë pa pushim me breshëri automatikësh mbi makinën e Haklajt. Qëllimi i tyre ishte që të katër personat e ndodhur në makinë të ishin të vdekur. Në makinë janë gjetur shenjat e 157 plumbave. Edhe nga ana e Fatmir Haklajt dhe Agron Gjuriqit është qëlluar me armë në drejtim të autorëve. Pas këtij momenti atentatorët janë larguar nga prita dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të Milotit.
Bilanci i kësaj ngjarje ishte: Brahim Rrustemi i vdekur, Sokol Haklaj i plagosur rëndë, një prej autorëve i vrarë, ndërsa Fatmir Haklaj dhe Agron Gjuriqi arritën t’u shpëtonin plumbave.
Meqenëse makina ishte dëmtuar rëndë dhe nuk mund të lëvizte, Fatmir Haklaj ka marrë në shpinë Sokol Haklaj, i cili ishte i plagosur rëndë dhe janë nisur në drejtim të Milotit. Agron Gjuriqi i ruante të dy. Pasi janë larguar në një distancë të shkurtër nga makina, 4 autorët që u larguan para tyre, në një distancë disi të largët, kanë filluar përsëri të qëllojnë me breshëri automatiku në drejtimin e tyre. Fatmir Haklaj e ka kaluar Sokolin e plagosur nga shpina e tij, te Agron Gjuriqi dhe u është përgjigjur me breshëri automatiku. Në këtë moment kanë pushuar të shtënat.
Fatmiri dhe Agroni e mbanin Sokolin e plagosur me radhë mbi shpinë. Para se të mbërrinin në Milot, janë ndaluar tek shtëpia e parë që kanë parë. Kanë thirrur për ndihmë, por askush nuk u është përgjigjur. Në rrugë janë përballur me autokolonën e Gardës së Republikës, e cila përbëhej nga dy automjete transporti dhe një foristradë, të mbushur me ushtarakë të Gardës me uniformë policie, si dhe me disa vullnetarë civilë, të gjithë të komanduar nga Sokol Mulosmani. Fatmir Haklaj e ka vënë në dijeni Sokol Mulosmanin për sa u kishte ndodhur, për Brahim Rrustemin e vrarë si dhe për Sokol Haklajn të plagosur rëndë, të cilin ai e kishte mbi shpinë. Mulosmani i ka vënë në dispozicion foristradën, në të cilën udhëtonte ai vetë. Fatmir Haklaj dhe Agron Gjuriqi e kanë çuar Sokol Haklaj në Spitalin e Laçit, por pas pak minutash të mbërritjes në këtë spital, Sokol Haklaj ka ndërruar jetë.
Sipas Sokol Mulosmanit, ky grup i Gardës, kishte si mision garantimin e zhvillimit të mitingut të Sali Berishës në Tropojë. Përveç Mulosmanit, në atë autokolonë të Gardës, kishte gardistë dhe vullnetarë Tropojanë. Në këtë grup ishte edhe vëllai i personit që u vra nga Fatmir Haklaj, Agim Vuka, i cili ishte gardist në Gardën e Republikës.
Kallëzimi penal
Komandanti i Gardës dhe gardistët që ishin me të, megjithëse ishin të armatosur dhe me mjete të Gardës, edhe pasi morën informacionin se grupi prej 4 atentatorëve të mbetur gjallë, të shtënat e të cilëve ishin dëgjuar prej gardistëve dhe komandantit të tyre pasi ishin shumë afër, nuk u vunë në ndjekje të tyre, as tentuan të bënin krehjen e zonës, as të njoftonin strukturat e tjera të Policisë së Shtetit, por vazhduan misionin e tyre “për të pastruar rrugën” nga do të kalonte të nesërmen Sali Berisha për të shkuar në mitingun e Bajram Currit.
Në kallëzim thuhet se kjo ngjarje të bëjnë përshtypje edhe dy fakte dhe dy prova të tjera tepër të rëndësishme, të cilat tregojnë se prita e ngritur në urën e Milotit, ishte vepër e organizuar, e frymëzuar dhe e realizuar nga Sali Berisha kundër Fatmir Haklajt dhe gjithë personave që ndodheshin në makinë me të. Sipas akuzuesve, Sali Berisha, sapo mori vesh ardhjen nga Tropoja në Tiranë të Fatmir Haklaj, vlerësoi se shkaku i ardhjes së tij në Tiranë dhe kthimi në orët e vona të natës për në Tropojë, ishte organizimi i një prite kundër tij, për ta eliminuar rrugës, duke mos e lejuar kështu të shkonte në Bajram Curri.
Sokol Mulosmani, komandant i Gardës së Republikës pohoi se po shkonte me forcat e tij të Gardës në Tropojë për të siguruar mitingun e Sali Berishës. Në fakt, të nesërmen, në datën 22 qershor 1997, që Sali Berisha zhvilloi mitingun në Bajram Curri, nuk ishte i pranishëm asnjë gardist, as vetë Sokol Mulosmani, komandant i tyre. Autokolona prej 3 makinash të mbushur me gardistë nuk shkoi në Tropojë.
Kallëzimi penal
E para, nëse gardistët dhe Sokol Mulosmani do të ishin në Bajram Curri, do të kishin ndërhyrë dhe nuk do lejonin që mitingu i Berishës të prishej dhe situata të degradonte në atë mënyrë të turpshme. Kjo do të thotë që misioni i tyre ishte organizimi i pritës në urën e Milotit dhe ekzekutimi i Fatmir Haklajt, Sokol Haklajt, Agron Gjuriqit dhe Brahim Rrustemit dhe kthimi më pas në Tiranë. E dyta, komandanti i Gardës, Sokol Mulosmani dhe dy makinat e Gardës së Republikës të mbushura plotë me gardistë dhe “vullnetarë” të Saliut, të veshur me uniforma policie, janë nisur nga Tirana në orën 21:15. Ata nuk u ndeshën askund gjatë rrugës nga Fatmir Haklaj, Sokol Haklaj, Agron Gjuriqi dhe të bashkimit me ta në Tiranë të gardistit Brahim Rrustemi, të cilët u nisën nga Tirana afro 2 orë më vonë. Ku qëndruan këto forca të Gardës së Republikës dhe Sokol Mulosmani për më shumë se 3 orë, derisa u ndeshën në rrugë në Milot me Fatmir Haklaj dhe Sokol Haklaj të plagosur rëndë?!
Autokolona e Gardës me Sokol Mulosmanin në krye, pasi janë ndarë me Fatmir Haklaj, kanë shkuar në vendin e ngjarjes, kanë tërhequr trupin e pajetë të Agim Vukës, të vrarë nga Fatmir Haklaj dhe për të mos lënë gjurmë, e kanë çuar diku tjetër larg zonës së Milotit.
Spitali i Laçit i vuri në dispozicion Fatmir Haklaj një ambulancë për t’i transportuar trupat e Sokol Haklajt dhe Brahim Rrustemit deri në Bajram Curri. Ambulanca me dy personat e vdekur, të shoqëruar nga Fatmir Haklaj dhe Agron Gjuriqi arritën në Koman në datën 22 qershor 1997, në të njëjtën kohë që mbërriti në traget edhe Sali Berisha dhe personat që e shoqëronin. Ata kishin ardhur nga Tirana dhe do të merrnin tragetin e Komanit, për në fshatin Dushaj të Tropojës.
Kallëzimi penal
Ndodhur në kushtet e dijenisë së plotë të gjithçkaje që kishte ndodhur natën e një dite më parë, madje si urdhëruesi i pritës që ju bë Fatmir Haklaj, Sokol Haklaj, Agron Gjuriqi dhe Brahim Rrustemi, ku mbetën të vrarë dy prej tyre, Sali Berisha, i befasuar që Fatmir Haklaj kishte mbetur i gjallë nga prita vdekjeprurëse që ai i ngriti te Ura e Milotit me kriminelët e organizatës së tij kriminale, bëri aktin më të turpshëm, me antitradicional, antikanunor dhe antizakonor të shqiptarit malësor, duke urdhëruar njerëzit që e shoqëronin që të mos lejonin hipjen në traget të ambulancës me dy kufomat e vrara Sokol Haklaj dhe Brahim Rrustemi, si dhe të Fatmir Haklajt dhe të Agron Gjuriqit, të cilët në Dushaj të Tropojës i prisnin me qindra njerëz të fisit, të afërm të tyre dhe qytetarë të ndryshëm, për të organizuar ceremoninë mortore.
Kur Sali Berisha mbërriti në Tropojë dhe zbriti nga trageti, ndërsa në traget nuk ishin Fatmir Haklaj, Agron Gjuriqi dhe dy të vrarët, njerëzit që prisnin për dy të vrarët, të cilëve do u bëhej ceremonia e varrimit, janë revoltuar. Berisha shkoi në Bajram Curri dhe u ngjit në foltore duke nisur mitingun, në prani të përkrahësve të tij. Ndërsa personat që prisnin për Fatmir Haklajn dhe Agron Gjuqirin, vijuan të prisnin në fshatin Dushaj, që të mbërrinte trageti tjetër.
Gjatë mitingut, teksa Sali Berisha prezantonte dy kandidatët e PD-së, Azem Hajdarin dhe Xhevdet Mehmetin, pati një moment që sipas dëshmitarëve nisi të lëshojë fyerje në drejtim të kandidatit të PS-së për Tropojën, doktorit Din Selimi, por edhe në drejtim të fisit Haklaj. Teksa i quante “komunistë të fëlliqur”, apo “agjentë të Serbisë”, nga turma e njerëzve, aty poshtë tribunës, Shkëlqim Haklaj, vëllai i Fatmir Haklajt, ka nisur të shajë Berishën dhe i ka ndërprerë fjalimin. Familja Haklaj ka denoncuar vazhdimisht se atyre u është vënë në dispozicion një audio regjistrim, kur Berisha, pas incidentit në miting, ka kërkuar që të rrëmbehej Shkëlqim Haklaj, duke u thënë njerëzve të tij që e donte patjetër me vete atë person.
Kallëzimi penal
Në këtë moment disa të rinj tropojanë, të cilët u bënë pjesë e këtij mitingu edhe pasi morën vesh turpin e Sali Berishës me lënien e kufomave të dy njerëzve të tyre pa i hipur në traget, mes tyre edhe Ylli dhe Shkëlqim Haklaj, vëllezërit e Fatmir Haklajt, janë ngjitur në tribunë, i kanë shqyer mjetet e fonisë dhe e kanë sharë rëndë ballë përballë në sy Sali Berishën, duke qëlluar në të njëjtën kohë në ajër me breshëri armësh.
Pak ditë pas varrimit të Sokol Haklajt, babai i tij Elez Haklaj, i shoqëruar nga vajza e tij, Feride Haklaj, kanë shkuar në Prokurorinë e Lezhës, për të mësuar nëse ishte regjistruar procedimi penal, çfarë veprimesh hetimore ishin kryer dhe kush ishin vrasësit e Sokol Haklajt. Në dosje kishte vetëm dy fotografitë e të vrarëve, Sokol Haklajt e Brahim Rrustemit dhe asnjë material tjetër hetimor. Elez Haklaj ka pyetur prokurorin që përse në dosje nuk ekzistonte fotografia dhe emri e mbiemri i atentatorit që ishte vrarë në pritë, por përgjigja e prokurorit ka qenë: “Tani për tani nuk kemi asnjë të dhënë tjetër”.
Elez Haklaj, pas disa ditësh, përmes miqësisë dhe të njohurve të tij, ka shkuar në Milot dhe Laç dhe ka bërë vetë disa hetime rreth ekzekutorëve të pritës te ura e Milotit. Ka zbuluar se përveç Agim Vukës që mbeti i vrarë, i pranishëm në pritë ka qenë edhe Zef Lleshi, banor i rrethinave të Shkopetit, nga Mirdita. Zef Lleshi ishte një person me precedent të rëndë kriminal, i dënuar për grabitje me armë dhe vrasje, por që kishte dalë nga burgu në marsin e vitit 1997. Agim Vuka, personi i vrarë në pritë nga Fatmir Haklaj, ishte kunati i Zef Lleshit.
Punonjësi i postës së Milotit u ka deklaruar familjarëve të viktimave se në datën 21 qershor 1997, Agim Vuka, Zef Lleshi dhe një djalë tjetër, kanë qëndruar për një kohë të gjatë pranë kësaj poste dhe Zef Lleshi telefononte vazhdimisht në Tiranë, por edhe kërkohej në telefon nga Tirana, deri sa posta u mbyll dhe ata shkuan te ura e Milotit ku zunë pritën. Autori i dyshuar i pritës, Zef Lleshi, kohë më vonë është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit dhe gjatë një aksioni për arrestimin e tij dhe të mikut që po ashtu ishte pjesë e grupit të atentatorëve, një djalë nga Mamurrasi me mbiemrin Fufi, kanë mbetur të vrarë nga forcat e Policisë.
Elez Haklaj në mënyrë të vazhdueshme ka shkuar në Prokurorinë e Lezhës dhe çdo informacion që merrte rreth organizatës kriminale i paraqiste në këtë Prokurori. Vizita e tij e fundit në Prokurorinë e Lezhës ka qenë muaji janar 2002, kur prokurori e ka vënë në dijeni se hetimet ishin mbyllur për shkak të mungesës së provave.
Kallëzimi penal
Një fakt tjetër që duhet të merret në konsideratë dhe që i shërben hetimit objektiv të çështjes dhe vënies para përgjegjësisë penale të personave pjesëmarrës në organizatën kriminale, të udhëhequr, frymëzuar, nxitur dhe urdhëruar nga Sali Berisha për të vrarë Fatmir Haklaj dhe 3 personat e tjerë e që në fakt dy prej tyre u ekzekutuan, ka të bëjë me atë që, pak muaj përpara datës 22 qershor 1997, në Bajram Curri ndodhi një “incident” verbal, mes Sokol Mulosmanit, Fatmir Haklaj dhe Sokol Haklaj. Në këtë incident ishte prezentë e gjithë familja Haklaj dhe shumë banorë të qytetit Bajram Currit dhe të fshatrave përreth. Sokol Mulosmani kishte ardhur në Bajram Curri i shoqëruar nga disa ushtarakë të Gardës së Republikës dhe kërkonte djem dhe burra vullnetarë të Malësisë, të cilët sipas tij i thërriste Sali Berisha në Tiranë, për të mbrojtur Atdheun, që ishte në rrezik nga Jugu komunist, që sipas bisedës së Sokol Mulosmanit, po tentonte me luftë ndarjen e Jugut nga Shqipëria dhe bashkimin me Greqinë.
Por askush nuk iu bashkua Mulosmanit pas ndërhyrjes së Fatmir Haklajt, xhaxhait dhe kushëririt të tij, bashkë me 3 burra më në moshë. Ndërsa Fatmir Haklaj iu drejtua Sokol Mulosmanit duke i thënë:
Fatmir Haklaj
Sokol, ardhja jote në Tropojë me ketë mision, po korit fisin e Mulosmanajve e të krejt Malësisë së Gjakovës. Ti Sokol Mulosmani, si djalë i familjes së Bajraktarit të Krasniqes, do hysh në historinë e zezë të Malësisë dhe të Shqipërisë, si sejmen i Sali tradhtar Berishës, që të ka çuar në Malësi të Gjakovës për të kërkuar burrat e Malësisë, për t’i çuar në luftë kundër vëllezërve tanë shqiptarë të Jugut. Sokol, me këtë akt, ndoshta ti do t’i shërbesh shumë Sali Berishës, por më shumë do t’i shërbesh Greqisë dhe Serbisë…
Në kallëzim, paraqiten si fakte të tjera që i japin fuqi provave se pritën në urën e Milotit për të vrarë Fatmir Haklaj, Sokol Haklaj, Agron Gjuriqi dhe Brahim Rrustemi, edhe pohimet dhe qëndrimet e vetë Sali Berishës në disa emisione televizive dhe gazeta të vendit. Për këtë arsye, dy motrat Haklaj, vajzat e Elez Haklajt, që kallëzojnë Sali Berishën, kërkojnë që të merren dhe të analizohen si prova të rëndësishme 3 nga këto intervista televizive dhe një artikull të “Gazeta Sot” e datës 1 tetor 2020.
Sali Berisha në intervistën që ka dhënë në TV Vizion Plus, i drejtuar nga gazetari Sokol Balla, më 5 mars 2018, ka pohuar indirekt se vrasjet e Sokol Haklaj dhe të 4 kushërinjve të parë të tij, vëllezërve Haklaj, i ka planifikuar dhe komanduar ai personalisht.
Në një intervistë tjetër në Euronews Albania në emisionin, “NOW me Erla Mëhillin” të datës 3 Maj 2023, pasi i shpjegon “historitë” dhe vrasjet e djemve të “Haklajve”, jep versionet dhe gjykimet e tij personale, që sipas kallëzueseve janë totalisht gënjeshtra.
Kallëzimi penal
Në rastin e Milotit, ku u vranë Sokoli dhe Brahimi, në qoftë se objektivi dhe dëshira makabre e urdhëruesit, komanduesit dhe planifikuesit të kësaj prite, ishte vrasja e Fatmir Haklajt, mënyra e përdorur nga kriminelët, për realizmin e kësaj vrasjeje, duke qëlluar me breshëri armësh automatike natën, mbi një makinë civile në lëvizje e sipër, me pasagjerë të panjohur nga vrasësit, pa asnjë paralajmërim, pa asnjë dallim, tregon, që qëllimi i tyre final, ishte vrasja e të gjithë atyre që ndodheshin në atë makinë. Në të gjithë botën ky atentat konsiderohet dhe është një akt terrorist.
Sipas kallëzueseve, gardisti që ishte nën komandën e Sokol Mulosmanit, vëllai i atentatorit të vrarë Agim Vuka, është pajisur me pasaportë diplomatike nga Sali Berishës dhe sot jeton në Australi.
Vrasja e Elez Haklajt dhe Cen Haklajt
Në mëngjesin e datës 8 maj 2002, jo më shumë se 100 – 150 metra larg shtëpisë së familjes së Elez Haklaj, babait të Sokol Haklaj, që u vra në pritën te ura e Milotit, ndodh një tjetër ngjarje e rëndë. Duke ecur në rrugë, vritet edhe Elez Haklaj 82 vjeç bashkë me djalin tjetër të tij, Cen Haklaj, 55 vjeç, mësues në Shkollën e Mesme të qytetit Bajram Curri.
Elez Haklaj dhe Cen Haklaj janë qëlluar dhe vrarë me armë zjarri nga 3 persona që udhëtonin në një autoveturë, ku 2 vetë ishin ulur përpara (shoferi dhe pasagjeri) dhe një person tjetër ndodhej i ulur mbrapa. Personi, që ishte ulur mbrapa ka qëlluar mbi babë e bir duke i lënë të vdekur në vend. Shtëpia e viktimave ndodhet afër spitalit të qytetit. Në momentin kur u qëlluan, ata po shkonin drejt qendrës së qytetit. Elez Haklaj ishte thirrur për të takuar në qendër një person, i cili është pjesë e organizatës kriminale, ndërsa Cen Haklaj po shkonte në punë, në gjimnazin e qytetit ku ishte mësues. Vrasësit kanë ardhur nga qyteti në drejtim të spitalit dhe kur kanë arritur në afërsi të Elez Haklaj dhe Cen Haklaj, kanë qëlluar mbi ta në lëvizje e sipër. Më pas makina e tyre ka vazhduar rrugën që të çon në fshatrat Margegaj, Koçanaj, Klysyrë, Dragobi, etj.
Në fshatin Klysyrë autorët kanë djegur makinën, moment që është parë nga disa persona. Sipas disa dëshmitarëve që kërkojnë mbrojtje nga SPAK, në ketë vrasje kanë qenë disa persona, të ndarë në 2 makina, një grup prej 3 personash që kryen dy vrasjet, ndërsa pjesë e grupit të tyre kanë qenë edhe disa persona të tjerë që ishin pozicionuar tek “Lloçi i Kolgecajve”, për t’ju ardhur në ndihmë grupit që kryen vrasjet. Ndërsa disa të tjerë kishin mbajtur në vëzhgim shtëpinë e dy viktimave.
Pasi kanë kryer vrasjen, gjatë largimit nga qyteti, autorët janë ndeshur në rrugë me një person te “Lloçi i Kolgecajve”, të cili meqenëse rastësisht u bë dëshmitar i këtyre dy vrasjeve, e kanë kërcënuar me jetë duke i thënë: “Ti na njeh, por edhe ne të njohëm. Ose na jep besën që nuk e hap gojën kurrë, ose po ta mbyllim gojën tani e përgjithmonë”. Personi i kërcënuar me jetë iu ka dhënë besën që nuk do të flasë kurrë për jetë për çfarë ka parë dhe kriminelët kanë vazhduar rrugën.
Dëshmitari këtë ua ka pohuar disa të afërmve të tij, ndërsa pak kohë më pas, nga frika, ka ikur në SHBA, ku ka jetuar disa vite. Tani është kthyer dhe jeton në Shqipëri.
Pak përtej varrezave të Margegajve, afër një kafe-kioskë që gjendej në krahun e majtë të rrugës, autorët janë ndaluar për disa sekonda dhe kanë folur me një tjetër person, që gjithashtu njihet prej familjarëve të viktimave, i cili po i priste. Më pas kanë vijuar rrugën në vendin ku kanë djegur makinën. Me një tjetër makinë kanë shkuar në fshatin Dragobi ku kanë fjetur atë natë në shtëpinë e njërit prej pjesëtarëve të grupit që kreu dy vrasjet, i cili është nga Dragobia dhe njihet prej familjarëve të dy viktimave.
Kallëzimi penal
Në pranverën e vitit 2006, dëshmitarja Ajshe Haklaj, motra e Fatmir Haklajt, i ka shkuar në zyrë prokurorit të rrethit Besim Hajdarmataj, ku i ka kërkuar që të dinte se në çfarë faze ishin hetimet për vrasjen e xhaxhait të saj Elez Haklaj dhe djalit të xhaxhait Cen Haklaj. Prokurori Besim Hajdarmataj, në vend që të bënte rolin e prokurorit, e ka pritur shumë keq këtë dëshmitare duke u sjellë sikur të ishte pjesë e organizatës kriminale dhe mbrojtësi i flaktë i kësaj organizate vrasëse. Fakt domethënës, që e bëjnë bindës sa sipër është që dosja penale e kësaj vrasje që dispononte prokurori Besim Hajdarmataj kishte brënda të shkruar vetëm që vetura kishte ardhur nga Gjermania, marka e veturës, dhe emri i shitesit të vetures, që ishte një kosovar nga Peja, i cili jetonte në Gjermani dhe që quhej Ismet Isufaj, dhe asgjë më shumë…!
Familjarët e viktimave, akuzojnë Sali Berishën si urdhërues dhe frymëzues të autorëve të vrasjeve të Sokol Haklajt, Elez Haklajt dhe Cen Haklajt. Ndërsa shprehen në kallëzim se, emrat e 3 atentatorëve që kanë qenë në makinën nga ku janë qëlluar Elez Haklaj dhe Cen Haklaj, emrin e personit të kërcënuar tek “Lloçi i Kolgecajve”, emrin e personit, me të cilin kanë folur pas varrezave të Margegajve këta persona, si dhe emrin e personit të organizatës kriminale nga Dragobia, në shtëpinë, e të cilit kanë fjetur atë natë pas dy vrasjeve, do t’i paraqesin para drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. Por me kushtin e tyre që domosdoshmërisht të jetë i pranishëm kur të jepen deklarimet avokati Idajet Beqiri, të cilin e kanë pajisur me prokurë. Nëpërmjet këtij kallëzimi, ata vlerësojmë dhe kërkojmë të regjistrohet procedimi penal dhe të kryhen hetimet përkatëse për ekzekutimin të Sokol Haklajt e Brahim Rrustemit në urën e Milotit dhe të Elez Haklajt e Cen Haklajt në qytetin e Bajram Currit.
Vrasjet e Tropojës
Krimet e rënda në Tropojë ndodhën në fundin e mijëvjeçarit të kaluar, ku në më pak se tre vjet u vranë dhe u plagosën mbi 150 persona. Ai 3-vjecar edhe sot konsiderohet si një nga konfliktet më të përgjakshme. Por sot është e vështirë të kuptohet se sa shumë gjëra nuk janë sqaruar, pasi nuk janë hetuar asnjëherë siç duhej. I vetmi që arriti të siguronte prova dhe që të identifikonte autorë të dyshuar, pas vrasjes së Fatmir Haklajt, ishte komisari Gani Malushi, i cili në atë kohë ishte shef i Komisariatit të Tropojës. Në vendngjarje u gjetën edhe një palë dylbi identike me ato që përdornin forcat speciale. Komisari Malushi, bëri një raport të gjatë ku kishte edhe emra konkret të dyshuarish, si dhe kërkoi që të merreshin gjurmët e gishtave në dylbitë që ishin gjetur pranë një çante të harruar në vendin e ngjarjes. Por kërkesa e tij nuk mori asnjë përgjigje. Pa çka se kishte arritur të siguronte prova që e lidhnin vrasjen e Fatmir Haklajt edhe me vrasjen e vëllait të tij, Shkëlqimit, në 5 janar të vitit 1998. Bëhej fjalë të për njëjtat gëzhoja armësh zjarri, që do të thoshtë se ishte i njëjti grup qitësish.
Malushi shkoi shumë pranë zbardhjes së ngjarjes, madje urdhëroi edhe arrestimin e Jaho Mulosmanit, që po merrte mjekim në spitalin e Bajram Currit, pasi u plagos në pritën ku u vra Fatmir Haklaj. Por as ky urdhër nuk u ekzekutua, pasi Mulosmani kishte arritur të largohej, i ndihmuar nga persona të tjerë. Komisar Gani Malushi, kërkoi nga eprorët e tij në Ministrinë e Rendit të asaj kohe që të verifikonin nëse dy efektivë të forcave speciale ndodheshin në repart atë ditë apo jo. Bëhej fjalë për Përparim Hykën dhe mikun e tij Anton Gjergji, ish-truproja i Fatos Nanos. Anton Gjergji u vra disa muaj më vonë në Tiranë, duke mos arritur kurrë të dëshmonte për ngjarjen. E po ashtu edhe Gani Malushi, i cili u ekzekutua në Durrës 6 gusht të vitit 2003, bashkë me shoferin e tij Gjovalin Ndreu. Ngjarje që u konsiderua në atë kohë me motive gjakmarrje nga Policia, madje duke deklaruar se objektiv kishte qenë pikërisht shoferi i tij dhe për vrasjen u arrestua më vonë Agim Pepa. Por ajo ngjarje edhe sot mbetet e mbuluar me mister, ashtu sikurse dhjetëra vrasje të Tropojës.
Konfliktet e asaj kohe, shënuan viktima edhe në vitet në vazhdim. Madje, më 5 janar të vitit 2020, mbeti i vrarë Guxim Gjuriqi, i cili është vëllai i Agron Gjuriqit, që i mbijetoi atentatit të ’97-ës në urën e Matit bashkë me Fatmir Haklajn, vend ku u vranë Sokol Haklaj dhe Brahim Rrustemi. Ai është vrarë pranë pikës së karburantit të tij në lagjen “Partizani”. Gjuriqit i është zënë pritë dhe pasi e thirrën në emër, atentatorët e qëlluan me breshëri automatiku nga një mjet pa targa duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Një makinë e djegur u gjet në fshatin Golaj të Hasit, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët për tu larguar nga vendi i ngjarjes pas vrasjes së 47-vjeçarit. Ngjarja vijon te mbetet pa autor.
Zbardhja e krimeve të vjetra të Tropojës, ishte porosia e fundit që Taulant Balla u la drejtuesve të Policisë, kur ishte ministër i Brendshëm. Në takimin që zhvilloi më 16 dhjetor të vitit 2023, në Komisariatin e Policisë Tropojë, Balla kishte me vete edhe një listë të gjatë të vrasjeve, zhdukjeve të personave e shumë krimeve të tjera të ndodhura atje përgjatë viteve 1997, 1998 e 1999, por edhe në vijim, për të cilat nuk ka ende autorë, e për pasojë mbeten dosje të hapura për drejtësinë dhe për Policinë e Shtetit. Ai kërkoi hetim të plotë dhe zbardhje sa më shpejt të ngjarjeve të vjetra kriminale detyrë kryesore e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, për t’i dhënë fund çdo forme pandëshkueshmërie.
Sot, familja Haklaj, duket më e vendosur se kurrë për t’i shkuar në fund të vërtetës së atyre ngjarjeve dhe akuzojnë drejtpërdrejt Sali Berishën. Me dy kallëzime në SPAK dhe me besimin tashmë te drejtësia e re, ata po dorëzojnë çdo provë që kanë mbledhur për 28 vite me radhë. Hetimet për kallëzimin e parë, atë për vrasjen e Fatmir Haklajt dhe 3 vëllezërve të tij po vazhdojnë. Ndërsa pozitat e Sali Berishës dhe besnikëve të tij në atë kohë mund të tronditen edhe më shumë, pas kallëzimit të ri penal nga dy vajzat e xhaxhait të Fatmir Haklajt. Nëse kësaj historie do i shkohet ndonjëherë deri në fund, tashmë është në dorën e Prokurorisë së Posaçme.
/abcnews.al/