“Sokol Mjacaj! E gjithë zona është e rrethuar nga forcat speciale. Dorëzohu sa më shpejt në Policinë e Shtetit! Po të japim mundësi të mbrohesh edhe nga efektivët tanë.
Banorë të fshatit, në fshatin tuaj ndodhet një person me rrezikshmëri të lartë. Ai ka vrarë dy turistë çekë. Distancohuni dhe kini kujdes nga ai! Mos e strehoni se është i rrezikshëm!”.
Ndoshta jo të gjithëve, por banorëve të fshatit Prekal të Malësisë së Madhe, iu është rikthyer edhe një herë pas 8 vitesh kjo thirrje me megafon e Policisë. Teksa shihnin lajmet për situatën që po ndodhte në burgun e Peqinit, mesditën e 15 dhjetorit, ata kanë kujtuar edhe një herë kohën kur Sokol Mjacaj i fshihej Policisë në fshatin e tyre pasi vrau dy turistë çekë.
Në ngjarjen e vitin 2014, Sokol Mjacaj po fshihej nëpër male sepse i frikësohej humbjes së lirisë. Por më 15 dhjetor 2023, kur lirinë e kishte të humbur, madje përjetësisht, ai i frikësohej humbjes së jetës.
I rrethuar nga forcat speciale brenda mureve të burgut, me një armë në dorë, por pa fishekë brenda, ai kishte dy rrugë. Të dorëzohej, ose të vritej. Por duket se jeta është e shtrenjtë edhe kur e di që do e kalosh të gjithën brenda një qelie.
Ai zgjodhi të dorëzohej, por jo të tregojë të vërtetën. Pak kush mund ta besojë se vrasja ndodhi pas një sherri banal në burg. Pak kush mund ta besojë se një revolver brenda një burgu të sigurisë së lartë ishte futur për vetëmbrojtje. Të gjitha të dhënat të çojnë drejt një krimi të orkestruar jashtë burgut, ndoshta edhe të paguar e që u realizua brenda.
Por si ndodhi ngjarja e datës 15 dhjetor në ambientet e Burgut të Peqinit?
Në orën 13:52, në ambientet e regjimit të brendshëm të IEVP Peqin, i dënuari me burgim përjetshëm, i caktuar me vendim gjykate në sigurinë e lartë, Sokol Mjacaj, me armë zjarri, pistoletë, ka gjuajtur në drejtim të të dënuarve Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja. Ka lënë të vdekur në vend Arben Lleshin dhe plagosur Indrit Shaqjan. Më pas, Mjacaj ka kanosur me armë zjarri në dorë punonjësit e shërbimit, si dhe është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg.
Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, këqyrja e vendit të ngjarjes, deklarimeve të marra, pyetjes së personit nën hetim Sokol Mjacaj dhe akteve shkresore të administruara, arma e zjarrit rezulton se është futur në IEVP Peqin dhe më pas është mbajtur në dhomë nga autori, për një kohë rreth 20 ditë. Gjithashtu kjo armë dyshohet të jetë mbajtur prej tij edhe në ambientet e përbashkëta në këtë burg (ajrim, apo regjimi brendshëm).
Ka dyshime që pistoleta, e llojit revolver, me mulli, është fshehur nga Mjacaj në tualet. Mendohet se, duke qenë një objekt i vogël, jo më shumë se 300 gramë, arma është futur në shkarkuesin e tualetit. Këto dyshime ngrihen edhe nga deklarimet e një të dënuari, konkretisht Engjëll Ucajt, me të cilin Mjacaj ndante qelinë.
Engjëll Ucaj
Kam parë që po hynte në dhomë me shpejtësi Sokol Mjacaj. Sa hyri në dhomë, direkt shkoi në tualet. Aty ka qëndruar pak dhe u largua. Në kohën që ishte në tualet kam dëgjuar zhurme nga brenda tualetit dhe Sokoli është larguar menjëherë.
Grupi hetimor ka dyshime se pikërisht në këtë moment, të përshkruar nga dëshmitari, Sokol Mjacaj mund të ketë nxjerrë armën nga vendi ku e kishte fshehur në tualet e më pas ka dalë jashtë për të kryer vrasjen.
Në vijim të veprimeve hetimore ka dyshime të bazuara se nga punonjësit e shërbimit, nuk janë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, që konsiston dalja e të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes. As ditën e ngjarjes dhe as në ditët e mëparshme. Gjithashtu gjatë transferimit nga ambientet e godinës të emërtuar si “41 bis” ku ka qenë i akomoduar, për në godinën B të sigurisë së lartë, ku është akomoduar së fundmi i dënuari Sokol Mjacaj, rezulton se nuk është kryer procedura standarde e kontrollit fizik dhe të sendeve personale siç e parashikon skema e sigurisë. Po ashtu nga ana e autoriteteve të informacionit të burgut nuk është njoftuar ngjarja e ndodhur në orën 13:52 të datës 15 dhjetor 2023 në sallën operative të Policisë së Elbasanit apo Komisariatin e Policisë Peqin.
Mbi këtë bazë, nga policia gjyqësore është arrestuar në flagrancë shtetasi:
Sokol Mjacaj, i biri i Franit dhe i Tones, datëlindja 14 shkurt 1995, lindur dhe banues në Shkodër, Njësia Administrative Shalë, arsimi 9-vjeçar, beqar, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe vuan dënimin në IEVP Peqin, si i dyshuar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, nga të cilat njëra e mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruara një armë zjarri, 5 gëzhoja, si dhe 2 predha të dëmtuara.
Pasi u dorëzua, Sokol Mjacaj u shoqërua për t’u marrë në pyetje nga prokurori. Por dëshmia e tij përveçse zbuloi se sa i pasigurt ishte një burg i sigurisë së lartë, nuk ndihmoi në zbardhjen e motiveve të ngjarjes. Pa shprehur pendesë për atë që kishte ndodhur, Mjacaj tregoi një skenar që duket se e ndërtoi aty për aty. Nuk kishte pasur kohë ta mendonte më mirë, pasi siç e pranoi edhe vetë, vrasjen e përshpejtoi pasi mësoi se do të transferohej në regjimin “41 Bis”. Të paktën kjo mund të jetë e vërtetë. Por që krimi të ishte për një sherr brenda burgut, apo edhe më shumë se aq, por po aty brenda 4 mureve, pak kush mund ta besojë. Ai tha se armën e mbante në qeli prej kohësh, por jo se si e kishte marrë e kush e kishte ndihmuar.
Sokol Mjacaj është një i dënuar që nuk vizitohej shpesh në burg. Madje mund të thuhet se ishte braktisur aty. Por rreth 2 muaj më parë, 2 të afërm i kishin shkuar për vizitë, ndonëse kishin më shumë se 3 vjet që nuk kishte asnjë kontakt me familjen. Kjo po verifikohet tashmë nga grupi hetimor si një prej hallkave të një plani të organizuar nga jashtë. Pista më e mundshme është ajo e një vrasjeje me pagesë.
Kamber Hoxha, drejtor i Burgut të Peqinit, ka përmendur në veçanti dy persona që e kanë vizituar. Të vëllain dhe një vajzë që në disa raste është prezantuar si kushërira e në rastin e fundit si mikeshë e Mjacajt.
Kamber Hoxha
Nga verifikimet që bëra pas ngjarjes, për vitin 2023, Sokol Mjacaj ka bërë 5 takime dhe i fundit ka qenë në datën 25 gusht 2023. Nga verifikimi për futjen e ushqimeve, nga data 1 shtator 2023 deri sot ka futur ushqime më datën 1 shtator 2023, 14 shtator 2023, 22 shtator 2023, 3 tetor 2023 dhe 16 nëntor 2023. Në datën 1 shtator 2023, i ka sjellë i vëllai, Paulin Mjacaj, kurse në rastet e tjera i ka sjellë kushërira e tij me emrin Ilda Rapo. Kjo shtetase, në katër raste është prezantuar si kushërirë dhe në datën 16 nëntor 2023 është prezantuar si mikeshë. Personi që sjell ushqimet regjistrohet nëpërmjet kartës së identitetit dhe pyetet i burgosuri nëse është dakord që t’i pranojë ose jo ushqimet. Për rastin konkret, për periudhën që unë jam në detyrë nuk ka pasur rast të tillë, duke u bazuar në informacionin paraprak që kam marrë. Në dijeninë time për këtë periudhë nuk ka pasur asnjë konflikt.
Me vendim të Prokurorit të çështjes është urdhëruar ndalimi si të dyshuar për një krim edhe i 12 zyrtarëve e punonjësve të Burgut të Peqinit.
Zyrtarët e ndaluar të burgut të Peqinit:
Kamber Hoxha, 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IEVP Peqin;
Qani Muça, 60 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i Policisë së IEVP Peqin;
Nikolin Gjonpalaj, 54 vjeç, banues në Tiranë, ish-shef i Policisë së IEVP Peqin;
Vilson Shima, 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef regjimi në IEVP Peqin;
Arben Dulellari, 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist i informacionit në sallën operative të IEVP Peqin;
Fatos Pire, 50 vjeç, banues në Belsh, polic shërbimi i IEVP Peqin;
Ilir Balla, 46 vjeç, banues në Peqin, polic shërbimi i IEVP Peqin;
Florenc Mile, 43 vjeç, banues në Lushnje, polic shërbimi i IEVP Peqin;
Genci Muça, 49 vjeç, banues në Lushnjë, punonjës policie i IEVP Peqin;
Indrit Dubali, 41 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin.
Klement Haka, 44 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin;
Erjon Çela, 36 vjeç, banues në Belsh, punonjës policie i IEVP Peqin;
Drejtori i Burgut të Peqinit, i cili kishte më pak se një muaj në atë detyrë, gjatë deklarimeve që ka dhënë për prokurorin pas arrestimit, ka shpjeguar edhe momentin kur është njoftuar për ngjarjen dhe dinamikën e saj. Kamber Hoxha tregoi edhe negociatat që ka bërë personalisht me Sokol Mjacajn që ai të dorëzohej dhe sipas tij, i dënuari është bindur menjëherë dhe kishte vetëm një kërkesë. Që aty të shkonte prokurori dhe ai do t’i tregonte të gjitha.
Kamber Hoxha
Më datë 15 dhjetor 2023, rreth orës 13:52 minuta kam qenë në zyrë, ku kam dëgjuar në radio marrëse – dhënëse se diçka po ndodhte në godinën B, në ambientet e ajrosjes. Ka folur në radio se çfarë problemi ka dhe me raportuan se ka ngjarje dhe duhet ambulanca menjëherë. U futa në ambientet e brendshme midis dy godinave të akomodimit të dënuarve dhe shkova tek vendi ku ishte i burgosuri Sokol Mjacaj. Objekti ndodhet aty ku bëhen takimet e familjarëve dhe ai kishte mbyllur derën nga brenda e po qëndronte aty. Mësova nga punonjësit e policisë se i dënuari Sokol Mjacaj, ishte tek dhoma e takimeve dhe kishte armë me vete. Afrohem tek dera dhe i burgosuri me tha që dua prokurorin se do ta dorëzoj armën. Në këto momente, i thashë një policit që të njoftonte oficerin e informacionit që të më sjelli telefonin brenda. Në orën 14:01 telefonova drejtorin e Përgjithshëm, të cilit i raportova që kemi një ngjarje, plagosje me armë të dy bashkëvujtësve të dënimit dhe pistoletën e ka me vete. Pastaj kam qëndruar mbrapa derës, kurse Sokoli qëndronte nga brenda derës. E vetmja kërkesë që kishte, ishte që takonte prokurorin. Thoshte që nëse vjen prokurori do të dorëzoj armën dhe do t’i tregoj të gjitha. Pas shumë negociatash bashkë me drejtorin e Përgjithshëm, shkuam i dhamë një palë pranga, me të cilat u prangos vetë dhe e la armën në tokë siç i thamë ne. Hapi derën dhe e shoqëruam me shërbimet e policisë.
Drejtori i Burgut të Peqinit, ka treguar edhe detaje të regjimit të brendshëm të burgut, sektorin ku ishte i izoluar Sokol Mjacaj dhe urdhrin për trafserimin në “41-Bis”. Më pas, ka treguar edhe se si kishte vepruar i dënuari pak para se të realizonte krimin.
Kamber Hoxha
I dënuari Sokol Mjacaj, nga koha që unë erdha i komanduar në detyrën e drejtorit, më 22 nëntor 2023, e kam gjetur të akomoduar në godinën e cilësuar si godina e “41-Bis”, i cili aty ishte i akomoduar i vetëm në dhomë. Për shkak se do të hapej “41-Bis”, duhet të boshatisej sektorët ku ishin të akomoduar rreth 20 të burgosur, të cilët brenda ditës janë sistemuar nëpër sektorë të tjerë dhe janë marrë masat për akomodimin e të burgosurit, i cili me urdhër të ministrit të Drejtësisë do të kalonte në regjimin e posaçëm. Për këtë arsye e kemi sistemuar në katin e dytë të godinës B.
Unë nuk e kam të qarte se si e ka kryer lëvizjen ky i burgosur. Nga komunikimet që unë pata me punonjësit e ajrosjes mu tha që Sokoli i kishte kërkuar që të shkonte të merrte kafe në dhomë. Ka shkuar nga ajrosja që gjendet në katin e parë, për në katin e dytë ku ndodhej dhoma e tij, pastaj ka zbritur përsëri poshtë për të dalë për në sheshin e ajrosjes. Dhoma ku janë dy të dëmtuarit është dhoma e parë, majtas në katin e parë, në një distancë rreth 5 metër nga sheshet e ajrimit. Aty nga dritarja pasi i foli në emër të dëmtuarve i ka qëlluar me armë. Pastaj ndërhynë punonjësit e policisë dhe e çuan tek ambientet e takimit. Në këtë kohë Sokoli i vendosi pistoletën në qafë punonjësit të policisë. Pas kësaj e futën në dhomat e takimit të familjarëve. Derën ku u fut Sokoli e mbylli me shul hekuri nga brenda.
Titullari i institucionit të vuajtjes së dënimit, ka konfirmuar në Prokurori se skaneri ka qenë me defekt para se ai të merrte detyrën dhe ishte rregulluar vetëm 3-4 ditë para ngjarjes. Sa i përket revolverit, me të cilën kreu vrasjen i dënuar, Kamber Hoxha thotë se vetë Mjacaj i ka thënë se e kishte futur para një muaji dhe e kishte mbajtur të fshehur në kutinë e qumështit.
Kamber Hoxha
Duhej të kontrollohej. Behet regjistrimi i të dhënave të personit, i cili sjell ushqimet tek postblloku në hyrje të rrethimit të jashtëm të IEVP-së. Shoqërohet personi për në vendin e kontrollit që është para hyrjes në regjimin e brendshëm. Atje bëhet kontrolli i të gjitha sendeve dhe i kalohen të burgosurit nga punonjës policie me detyrë kontrollor dhe i jepen të burgosurit. Skanohen, por skaneri ka qenë me defekt që nga data 21 tetor 2023. Skaneri është rregulluar përpara 3-4 ditësh. Monitorimi kryhet me kamera sigurie dhe me punonjës policie të cilët bëjnë vëzhgimin nga sipër. Ambientet monitorohen me punonjës policie dhe me kamera. Kontrollet bëhen periodike. Unë kam komunikuar me Sokolin për rreth një orë e gjysmë, pasi ai u fut tek dhoma e takimit. Në komunikim ishte shumë i qetë. Më tha se armën e kishte futur para një muaji dhe e kam mbajtur të fshehur në kutinë e qumështit. E kishte bëra këtë kur ka marrë lajmin nga mediat që u fut në “41-Bis”. Nuk mund ta sqaroj se si ka ndodhur, pasi kontrolli është kryer, por mund të këtë pasur neglizhencë në ndonjë moment të caktuar nga punonjësit e policisë, të cilët kanë kryer kontrollin. Kontrolli kryhet kryesisht me dorë duke i kontrolluar një për një sendet dhe me detektor dore.
Me interes për hetimet është edhe dëshmia e të dënuarit që mbeti i plagosur aksidentalisht ditën e ngjarjes, Indrit Shaqja. Ai është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Ka treguar se si ishte vrarë Arben Lleshi në dhomën e tij.
Indrit Shaqja
Kam qenë duke qëndruar në ambientet e dhomës duke gatuar. Më thirri polici i kolonës dhe më tha që më kërkonin tek zgara e kolonës së sektorit. Kam dalë për të parë kush më kërkonte dhe aty pashë se ishte shtetasi Sokol Mjacaj. Ai më tha që të njoftoja pak Ben Lleshin që të dilte në dritare tek zgara, se kishte për t’i thënë diçka. U ktheva dhe pashë në korridor që ishte Arben Lleshi. I thirra dhe i thashë që e kërkonte Sokol Mjacaj në dritare. Arbeni u afrua tek dhoma ime. Në atë moment unë po shihja ushqimin që e kisha në sobë. Fillimisht dëgjova një krismë si kapsollë dhe kam kthyer kokën nga dritarja. Pashë se Arben Lleshi po tërhiqej në thellësi të dhomës duke humbur ekulibrin. Kam parë nga dritarja Sokol Mjacajn me pistoletë në dorë. Jam afruar tek dritarja për të folur me Sokolin dhe e kam sharë. Ai është larguar në drejtim të daljes për jashtë ajrimit. Dola në korridor dhe e ndoqa me vrap. Kur dola në ajrim pashë që Sokoli i kishte drejtuar pistoletën një polici. E ndoqa nga mbrapa por policët e tjetër po më pengonin sepse nuk e dinin çfarë po ndodhte dhe Sokoli më thoshte të mos i afrohem se do më vriste edhe mua. Sokoli me pas hyri tek dhoma e takimeve me familjarët e dhomës B.
Indrit Shaqja përveç momentin të vrasjes, ka dhënë edhe një detaj me shumë rëndësi, ku duket se janë orientuar hetimet e Prokurorisë së Elbasanit. Nga dëshmia, janë ngritur dyshime të arsyeshme se, vrasja e të dënuarit Arben Lleshi mund të jetë kryer me pagesë. Kjo, pasi vetë atij, i kishin shkuar letra anonime, ku i ofroheshin 200 mijë euro për vrasjen e Lleshit.
Indrit Shaqja
Gjatë gjithë kohës që kam qenë në burg, dy herë, në sportelin e derës së dhomës, kam gjetur dy letra të shkruara me shkrim dore. Njërën rreth 4 vjet më parë dhe tjetrën rreth një viti e gjysmë më parë në burgun e Peqinit. Të dyja kanë qenë me të njëjtën përmbajtje: “Do të paguajmë 200 mijë euro. Do të sigurojmë edhe helmin që ti ta kryesh vdekjen e atij Arben Lleshit. Nëse je dakord na kthe përgjigje me letër”. Në të dyja rastet letrat ia kam dhënë Arben Lleshit, për të cilin deklaroj se ka dijeni gjithë burgu që kam pasur marrëdhënie të mira, në Fushë-Krujë. Ndërsa më pas i kam prishur për shkak se ai më përbuzte fenë. Në Peqin kam qenë për 3 muaj në regjim të posaçëm se mu kap telefoni në dhomë. Një person anonim i ka dërguar letër Arben Lleshit tek dhoma dhe e paralajmëronte se: “Për kokën tënde po paguajnë 200 mijë euro dhe për Xheladin Krujën 200 mijë euro”.
Prokuroria po verifikon dëshminë e Shaqjas, nëse është e vërtete apo jo. Nëse realisht janë futur ato letra anonime siç pretendon ai, apo është thjeshtë një alibi e ngritur për të fshehur bashkëpunimin. Dsyhimet se edhe Shaqja mund të jetë i përfshirë në vrasjen e ndodhur brenda burgut, erdhën pasi gjatë kontrolleve iu gjet një celular i fshehur në qeli. Prokuroria e Elbasanit ka ngritur akuzë edhe ndaj Indrit Shaqjas. Sipas Prokurorisë, po verifikohet përfshirja e tij në këtë ngjarje dhe roli që ka pasur. Autoritetet kanë kontrolluar sërish vendin ku u vra viktima, që përkon me dhomën e të dënuarit Indrit Shaqja. Celulari u gjet në një arkë druri pas këqyrjes së imtësishme të sendeve që ndodheshin në dhomë. Shaqja pranoi që telefoni ishte i tij.
Por nga ana tjetër, në dëshminë e tij ai përmend edhe një tjetër të dënuar, Xheladin Krujën, që sipas tij, po ashtu ishin paguar 200 mijë euro për ta eleminuar.
Xheladin Kruja, është i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër. Ngjarja për të cilën ai është dënuar ka ndodhur më 3 maj të vitit 2001, kur në lagjen “Naim Gjylbegu”, ai ka qëlluar për vdekje vëllezërit Eliton e Enton Grezda, 20 e 18 vjeç, për shkak të një sherri banal të ndodhur mes të rinjve. Pas sherrit me njërin nga vëllezërit, Xheladin Kruja ka shkuar në shtëpi, ka marrë automatikun dhe është rikthyer tek vëllezërit Grezda, drejt të cilëve ka qëlluar me breshëri. Autori mundi të largohej dhe u arrestua 2 vite pas ngjarjes. Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e dënoi atë me burgim të përjetshëm.
Ky i dënuar është bërë dy herë protagonist krimesh brenda burgjeve, duke plagosur të dënuar të tjerë, në vitin 2012. Fillimisht në Burgun e Shënkollit, në Lezhë, Xheladin Kruja ka plagosur me Kaçavidë ish-kryetarin e Komunës Rrethina, Kleves Muja, që ishte dërguar atje për çështje droge. Pas kësaj ngjarje, Kruja ishte transferuar në Burgun e Burrelit por edhe atje kreu një tjetër plagosje. Ai u përfshi në një konflikt të ashpër me bashkëvuajtësin e tij në qelitë e Burrelit, Zaim Çupi, i dënuar gjithashtu për vrasje, të cilin po ashtu e plagosi.
HISTORITE KRIMINALE – AUTORI, VIKTIMA DHE I PLAGOSURI
SOKOL MJACAJ
Autori i vrasjes në burgun e Peqinit, u arrestua në vitin 2015
Autori i dyshuar që realizoi vrasjen brenda një qelie të burgut të Peqinit, 28-vjeçari Sokol Mjacaj, nga fshati Lotaj i Dukagjinit, ndodhet i izoluar në burg prej më shumë se 8 vitesh. Ai po kryen dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë, Michael Svato dhe Anna Kasinova, ngjarje e ndodhur më 4 korrik të vitit 2015, në Prekal, të Malësisë së Madhe. Në atë kohë Mjacaj ishte vetëm 20 vjeç.
Policia e arrestoi në atë kohë, pa u bërë 48 orë nga ngjarja. Pesë snajperistë të forcave speciale RENEA ishin pozicionuar në disa pika kyçe të fshatit, për të monitoruar lëvizjet e autorit të dyshuar. Fillimisht është rrethuar shkolla e fshatit, por shumë shpejt është mësuar se Sokol Mjacaj kishte lëvizur nga aty në drejtim të shtëpive disa metra më tej. Të ndarë në disa grupe autoblindat e forcave speciale kanë nisur të lëvizin pranë shtëpive ku dyshohej se ndodhej i dyshuari dhe konkretisht pranë një shtëpie dykatëshe ku snajperistët kishin dhënë shenjë se ndodhej Mjacaj. Fillimisht ata i kanë bërë thirrje në distancë me megafon, duke i thënë se ishte më mirë për të që të dorëzohej pranë forcave të Policisë së Shtetit. Nuk është negociuar në format standarde që operon grupi i negociatorëve të RENEA-s, por i është bërë e qartë në distancë që të mos bënte rezistencë, pasi mund edhe të qëllohej. I rrethuar dhe pa arritur të gjejë ndonjë rrugëdalje, 20-vjeçari e ka parë veten edhe më keq kur ka kuptuar se forcat speciale ishin pas derës së shtëpisë. Në këtë moment ai ka bërtitur duke iu lutur që të mos qëllojnë. “Jam i paarmatosur. Mos më qëlloni”, ka thënë Mjacaj dhe në këtë moment një grup special është futur brenda duke e prangosur.
Gjakftohtë dhe pa i ndryshuar ngjyra e fytyrës, Sokol Mjacaj, pas arrestimit ka pranuar krimin duke shpjeguar edhe motivin e ngjarjes. Sipas tij, qëllimi ka qenë grabitja, por duke qenë se drejtuesi i mjetit kishte bërë rezistencë, duke frenuar dhe duke i kapur armën, ai e ka qëlluar pas koke e menjëherë pas tij edhe vajzën, e cila nisi të bërtiste.
Dëshmia e Sokol Mjacajt:
Po, unë i vrava. Doja t’i grabisja por më kundërshtuan. Nuk isha gjithë kohës me ta, por deri në Prekal. Hipa me forcë në makinën e tyre në Lotaj. Kur pashë që po bëheshin gati për të lëvizur me makinë, i ndoqa dhe iu drejtova armën. Hapa derën e pasme dhe u thashë të ecnin. Më pas i thashë që të vazhdonin rrugën. U kërkova të me jepnin paratë dhe sendet me vlerë, por ata bënin sikur nuk kuptonin. E dija që ishin të huaj, po nuk e dija se nga ishin. Mendova se do kuptonin ndonjë fjalë shqip.
Kam udhëtuar me ta në makinë për gati 3 orë. U kërkoja të ndalonin makinën sa herë që shihja ndonjë kthesë të fshehtë, por ai djali nuk ndalonte. Me acaroi. Në fillim nuk doja t’i vrisja, doja vetëm t’i grabisja, të merrja dhe makinën dhe të ikja. Por ai djali vazhdoi me ato të vetat. Frenonte fort, donte të më përplaste. Pastaj deshi të më merrte armën. Vajza po qante gjithë rrugës. Bërtiste. Nuk e di çfarë thoshte se nuk kuptoja gjuhën, por kthehej ndonjëherë nga unë dhe e shihja që po qante. Pastaj qëllova sepse më kapi armën ai, shoferi. Atë qëllova të parin, dy herë pas kokë.
Pastaj qëllova edhe vajzën. Edhe atë pas koke. Makina iku vetë pastaj, sepse shoferi vdiq dhe u rrëzua. Unë u vrava pak, por dola shpejt nga makina. Kur dola isha me nerva dhe qëllova prapë drejt makinës, sepse nuk doli ashtu siç doja unë. Armën e lashë aty. S’kisha pse ta merrja me vete. E dija që në një moment do më kapnit dhe nuk është se u kujdesa shumë për të fshehur gjurmët. Mendova vetëm të largohesha dhe të mos më gjente njeri aty. Kam qenë vetëm Nuk më ka ndihmuar askush. Kam ecur në këmbë.
ARBEN LLESHI
I dënuari që mbeti i vrarë në qelinë e Burgut të Peqinit
I dënuari që humbi jetën brenda Burgut të Peqinit, është Arben Lleshi, 37 vjeç, nga fshati Laç-Bruçi i Matit. Ai ishte akuzuar nga drejtësia angleze, që edhe e dënoi atje, për vrasjen e bshkëkombasit të tij, Agim Hoxha, ngjarje e ndodhur më 10 prill të vitit 2012. Hoxha u vra në një apartament në qytetin Southampton, por trupi i tij u dogj dhe u gjet në një makinë “Mercedes Benz”. Për të njëjtën ngjarje, ishte arrestuar edhe Afrim Lleshi, i cili ka pranuar para gjykatës se ka bashkëpunuar në djegien e trupit të viktimës. Ata ishin të përfshirë në çështje droge që në adoleshencë. Arben Lleshi në maj të vitit 2016 u ekstradua në Shqipëri në, ku më pas u burgos në Peqin.
Në vitin 2013, Arben Lleshi, është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëkombasit të tij, Agim Hoxha, nga fshati Shqefën i Macukullit të Matit. Një Gjykatë në Winchester e gjeti fajtor Arben Lleshin për vrasjen e shokut të tij, Agim Hoxha, ndërsa liroi nga akuza të akuzuarin tjetër, Afrim Lleshi. Megjithatë, Afrim Lleshi, në atë kohë 37 vjeç, mbeti në burg pasi me anë të dëshmive të tij ka ndryshuar me dashje rrjedhën e hetimeve. Ai u dënua me 3 vjet burg.
Pas kësaj ngjarjeje, nisi saga e vrasjeve për hakmarrje dhe eliminimeve në fisin Lleshi në Mat. Në vitin 2012 u ekzekutua me armë zjarri Xhavit Lleshi, xhaxhai i Arben Lleshit. Më pas në vitin 2017 u vra Hajredin Lleshi në fshatin e lindjes në Burrel, i cili është vëllai i Xhavitit dhe xhaxhai tjetër i viktimës së sotme Arben Lleshi. Ndërkohë po në vitin 2017 u zhduk Artan Lleshi, djali i Hajredinit, i cili nuk është gjendur as sot e kësaj dite. Të njëjtin fat pati edhe Klevis Lleshi, i cili u zhduk në vitin 2020 dhe eshtrat e tij u gjetën në pronën e dajave të Agim Hoxhës, personit që u vra në Angli nga Arben Lleshi.
Hajredin Lleshi, i ekzekutuar mbrëmjen 14 majtit të vitit 2017 në fshatin Rukaj nga së paku dy persona është vëllai i tretë që vritet nga familja matjane që prej vitit 2000. Vëllai i parë i Lleshit, që është vrarë në vitin 2000, nuk ka lidhje me hakmarrjen e nisur nga Londra. Mbrëmjen e 14 majit, persona të paidentifikuar thirrën në emër pranë banesës së tij, Hajredin Lleshin. Sapo ai doli në oborr, drejt tij u qëllua me breshëri automatiku. Policia u njoftua nga djali i të vrarit. Vrasësit, edhe sot të paidentifikuar, qëlluan të paktën 15 plumba mbi Lleshin, i cili po udhëtonte i vetëm nga fshati i lindjes drejt Burrelit.
INDRIT SHAQJA
I dënuari që u plagos aksidentalisht në Burgun e Peqinit
I dënuari tjetër që mbeti i plagosur në burgun e Peqinit është Indrit Shaqja. Ai dyshohet të jetë qëlluar aksidentalisht nga një plumb në këmbë, pasi ndodhej në të njëjtin ambient me viktimën, Arben Lleshi. Shaqja është shpallur fajtor e dënuar me burgim të përjetshëm për grabitjen me pasojën vdekjen e dy të moshuarave Gjinovefa dhe Elsa Vava, më 2 shtator të vitit 2014 në Durrës. Pas ngjarjes, Shaqja u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestuar në tetor të vitit 2014 nga Interpoli, në Barcelonë të Spanjës. Pak ditë pas vrasjes së dy kunatave, Elsa dhe Gjinovefa Vava, policia e Durrësit bëri të mundur zbulimin e autorëve të ngjarjes. Në një aksion të mirorganizuar, efektivët e krimeve të rënda bënë të mundur arrestimin e Vlison Elmazit dhe Artur Kaçanollit, ndërsa shpallën në kërkim Indrit Shaqjen, i cili kishte mundur të largohej në drejtim të paditur.
Më 4 mars të vitit 2016, Gjykata e Durrësit vendosi të dënojë me burgim të përjetshëm tre personat që u shpallën fajtorë për vrasjen e dy kunatave, Gjinovefa dhe Elsa Vava.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 2 shtatorit 2014, në lagjen nr. 11 të qytetit të Durrësit, kur dy të moshuarat u gjetën nga të afërmit e tyre të pajeta. Më herët në mbrojtjen e tyre avokatët të të pandehurve, teksa rindërtuan ngjarjen sollën dëshmitë përkatëse të të akuzuarve, kërkuan veçimin e rolit të secilit prej autorëve të dyshuar në krim. Gjatë seancave, i ekstraduari nga Spanja, Indrit Shaqja, mori përsipër autorësinë e vrasjes së dy kunatave, duke i hequr përgjegjësinë nipit të viktimave dhe bashkëpunëtorit tjetër të tij.
Dëshmia e Indrit Shaqjas
Vrasjet i kreva unë. Vilsoni dhe Arturi nuk kanë lidhje fare. Edhe Vilsoni vetëm mori pjesë në grabitjen që kishim organizuar, pastaj isha unë që dhunova dhe i lashë të lidhura plakat. Brenda në banesë hymë vetëm unë dhe Vilsoni, ndërsa Arturi nuk u afrua. Filluam t’i dhunonim se nuk po na tregonin ku mbanin lekët dhe sendet me vlerë. Nipi i tyre (Artur Kaçanolli) na kishte thënë se ato kishin valutë dhe monedha ari. I lidhëm, me qëllim për të kontrolluar vetë në shtëpi. Kur i gjetëm lekët dhe sendet me vlerë, si dhe 20 monedha franga ari, u larguam me shpejtësi, duke i lënë të lidhura dhe me skoç në gojë. Por kjo u mori jetën. Ne nuk e dinim se do të vdisnin, e kemi marrë vesh vetën ditën tjetër kur e dhanë lajmet se kishin vdekur. Nuk menduam se skoçi që u vumë në gojë, që të mos bërtisnin, do t’u bllokonte frymëmarrjen. Vrasjet i marr përsipër, sepse ishte vepra ime, ndërsa Vilsoni vetëm sa mori pjesë në grabitje.
VRASJET NE BURGJE
Nga krimet në familje, te ekzekutimet me snajper
Vrasja në burgun e Peqinit është një ngjarje e paprecedentë. Një ngjarje që vë në pikëpyetje sigurinë e një burgu të sigurisë së lartë. Jo vetëm për faktin se aty u vra një i dënuar, por edhe për faktin se aty u fut një armë zjarri. Në burgje nuk kanë munguar vrasjet, plagosjet, apo vetëvrasjet. Por është hera e parë që në një Institiucion të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, ndodh një krim i tillë, i organizuar dhe e planifikuar deri në futjen e armës brenda.
Në të njëjtin burg, më shumë se 15 vjet më parë, ndodhi një vrasje e dyfishtë. Në fakt ishte një krim në familje që ndodhi në një prej dhomave të takimeve speciale brenda burgut. Por nuk bëhej fjalë për një krim të sofistikuar si ky që ndodhi më 15 dhjetor.
Më 29 korrik të vitit 2008, një i dënuar në Burgun e Peqinit vrau ish-bashkëshorten, duke i lidhur rreth qafës një tel. Mynyr Muça, 33 vjeç dhe ish-gruaja e tij, Thëllëza Muça, 27 vjeçe, janë gjetur nga gardianët pa shenja jete në dhomën e takimeve. Thëllëza Muça, e cila ishte rrëmbyer një vit para ngjarjes, me qëllim për t’u trafikuar, ka shkuar që të takonte ish-burrin e saj, pas më shumë se 1 viti. Ajo e kishte bërë rrugën nga Pogradeci deri në burgun e Peqinit bashkë vjehrrin e saj, babanë e Mynyrit, si dhe vajzën e tyre 6-vjeçare. Autori i krimit po vuante dënimin prej 22 vitesh heqje lirie, së bashku me tre vëllezërit e tij, pasi ishin të akuzuar për tentativën e vrasjes së shefit të Krimeve të Policisë së Pogradecit, me anë të një granate. Vrasja duket se ka qenë e paramenduar dhe autori kishte planifikuar që ta realizonte ditën kur të ndodhej vetëm me ish-bashkëshorten. Nga rindërtimi i skenës së krimit, rezultoi se 33-vjeçari, ka shkulur kabullin e freskueses që ndodhej në tavanin e dhomës dhe me të ka mbytur ish-gruan e tij. Më pas ai ka shkulur të gjithë telin e korrentit dhe është hedhur mbi të duke mbetur i vdekur nga rryma elektrike. Krimi i dyfishtë është zbuluar në momentin kur gardianët kanë kërkuar që të nxirrnin çiftin nga dhoma e takimeve. Kur dera nuk është hapur, e kanë shpërthyer me forcë dhe janë përballur me skenën e krimit.
Por më herët, një tjetër krim i sofistikuar, u realizua brenda burgut 313 në Tiranë. Më 9 mars të vitit 2000, Ilir Bardhi i izoluar në burgun e sigurisë së lartë, mbeti i vrarë pas goditjes në kokë nga një plumb snajperi. Ngjarja ndodhi në mes të ditës dhe u dyshua se snajperisti kishte qëlluar nga dritarja e pallatit që ndodhej 200 metër larg burgut 313. Objektivi i snajperit ishte Ilir Bardhi, i izoluar në katin e tretë të burgut. Pasi ka kryer ekzekutimin, vrasësi profesionist ka zbritur shkallët dhe ka hipur në një makinë që e priste poshtë me targa italiane, por nuk ka bërë më shumë se 5 metër rrugë dhe shoferi është përplasur me trotuarin. Në këto momente të dy kanë dalë nga makina dhe kanë tentuar të largohen, por forcat speciale kanë arritur të ndalojnë njërin prej tyre. Pikërisht atë që u dyshua se qëlloi, Roland Kostaren. Viktima, Ilir Bardhi, ishte izoluar në burgun 313 për vrasjen e dy të rinjve, Denis Gina dhe Medjan Shehu.
Në vitin 2016, konkretisht më 30 korrik, një tjetër vrasje me snajper u tentua të kryhet në burgun e Vaqarrit në Tiranë, por fatmirësisht u mbyll me një të plagosur. Personi që u tentua të vritet në Burgun e Vaqarrit, ishte Gazmir Daci, në atë kohë 28 vjeç. Në momentin kur ndodhi ngjarja, rreth orës 16:30, Daci ishte në ajrim bashkë me rreth 40 të burgosur e të paraburgosur të tjerë. Ai i shpëtoi atentatit, pasi autorët ngatërruan objektiv, duke plagosur në këmbë kosovarin Lili Dulaj, që po ashtu ndodhej në ajrim. Sipas Policisë, Gazmir Daci u tentua të ekzekutohej për gjakmarrje, pasi në vitin 2015 ka vrarë vëllain e njërit prej atentatorëve dhe ka plagosur vëllain tjetër. Që prej 23 dhjetorit të vitit 2015, i Daci, ndodhej në paraburgim, i akuzuar për “vrasje” dhe “vrasje të mbetur në tentativë”. Ngjarja për të cilën ai akuzohej ka ndodhur pasditen e datës 4 nëntor 2015, në Bathore të Tiranës, kur ai ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy vëllezërve, Valmir dhe Robert Kolaveri. Njëri nga vëllezërit, Valmiri, 28 vjeç, mbeti i vdekur në vend, ndërsa vëllai i tij u plagos rëndë. Policia e Tiranës arrestoi dy të dyshuar për atentatin me snajper në Burgun e Vaqarrit, Ergys Kolaveri dhe kushëriri i tij Enea Caka. Ndërsa si motiv të ngjarjes, grupi hetimor përcaktoi gjakmarrjen.
Policia tha në atë kohë se ishte qëlluar nga kodra në drejtim të burgut të Vaqarrit me një pushkë 20-ëshe, të pajisur me dylbi, e përshtatur në formën e snajperit. Dyshimet rreth përdorimit të një arme të tillë u ngritën nga predha e gjetur në këmbën e të plagosurit, por edhe për faktin se distanca nga ku është qëlluar është relativisht e largët dhe për pasojë është përdorur armë me preçizion.
Të izolosh në burg një kriminel, nuk do të thotë domosdoshmërisht se e ke izoluar nga jeta kriminale që bënte jashtë. Edhe pse në fakt qëllimi ky duhet të jetë. Përkundrazi. Historia ka treguar se shumë kriminelë që janë çuar pas hekurave, janë fuqizuar edhe më shumë aty brenda. Kane drejtuar linja të trafikut ndërkombëtar të drogës, kanë urdhëruar pengmarrje e vrasje dhe janë kthyer në kapo të grupeve të strukturuara kriminale. Për vite me radhë futja e një celulari në qeli nuk ka qenë kurrë problem. Brenda 4 mureve të një dhome burgu, të dënuar për krime nga më të rëndat kanë mbajtur kontakte me botën jashtë me anë të celulareve, që nga më të thjeshtët e deri tek spartfonët. Bllokuesit e valëve apo edhe të internetit nuk kanë funksionuar qëllimisht në shumicën e rasteve.
Kushte të tilla që u krijoheshin të dënuarve, duke i kthyer në persona të rrezikshëm, si brenda ashtu edhe jashtë burgut, sollën domosdoshmërinë e krijimit të “41 Bis”. Aty do të izolohej edhe Sokol Mjacaj ditën kur realizoi vrasjen në burg. Vrasje që u përshpejtua të kryhej pikërisht pasi ai mori lajmin se do të izolohej në regjimin e posaçëm. Por se cila ishte shkelja që ai kishte kryer dhe arsyet se përse ai do të izolohej aty, kjo mbetet sekret. Me siguri ka pasur informacion, ndoshta edhe krimin që do të kryente. Kjo nuk thuhet, jo vetëm sepse është sekret, por nuk është më në dobi të askujt për aq kohë sa ngjarje nuk u parandalua.
Informacioni që shoqëron dosjen e një të dënuari kur merret vendimi për ta izoluar në “41 Bis” është aq i klasifikuar sa me të nuk njihet, jo vetëm avokati i të dënuarit, por as Gjykata. I pari që e ktheu në çështje këtë problem, ishte i dënuari Emiljano Shullazi, i cili përmes avokatit të tij iu drejtua Gjykatës. Ai pretendonte se ishte shkalur parimi i barazisë së armëve.
Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 05, datë 22.02.2022, ka vendosur: Konstatimin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt ligjor gjatë gjykimit të ankimit ndaj urdhrit nr. 253, datë 28.7.2020 të ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë për të paraburgosurin Emiljano Shullazi”, si pasojë e mosrespektimit të parimit të kontradiktoritetit.
Shkelja ka të bëjë me cenimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor në drejtim të garantimit të parimit të kontradiktoritetit në gjykim, duke u fokusuar posaçërisht në faktin e mungesës së shqyrtimit të elementeve substanciale të urdhrit nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, që nuk u konstatua dhe nuk u rregullua as nga Gjykata e Posaçme e Apelit ose Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të kërkuesit për vlerësimin nga gjykatat të urdhrit të ministrit të Drejtësisë, me qëllim që, të paktën ato të njiheshin me përmbajtjen e këtyre akteve.
Një dosje kaq sekrete, me të cilën nuk njihet as Gjykata, rrezikon të ketë mungesë transparence në çdo rast dhe askush nuk mund ta dijë vërtetë se çfarë ndodh në burgje. Po në rastin e një vrasjeje, ashtu si në Burgun e Peqinit, a do të deklasifikohet ai dokument që e dërgonte Sokol Mjacajn në “41 Bis”? A ishin në dijeni autoritetet përkatëse për një krim të tillë, apo qoftë edhe për futjen e një arme? Raportet flasin që Mjacaj shoqërohej në qeli me personazhe të konsideruar tepër të rrezikshëm dhe që kanë historik në thyerjen e mureve të burgut, si dhe përfshirjen nga aty në krime të rënda. Me gjasë Mjacaj nuk po izolohej në regjimin e posaçëm vetëm për një celular./ abcnews.al