Pak pas mesditës së datës 11 nëntor 2025, pranë pistës së Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, disa breshëri kallashnikovi shkaktuan një prej ngjarjeve më të rënda të vitit.
Një atentat i pastër mafioz, i organizuar me profesionalizëm, la pas dy viktima dhe ngriti shumë pikëpyetje.
Objektivi i sulmit ishte Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazi, një emër që prej vitesh lidhet me dosje të rënda të krimit të organizuar. Por në atë automjet nuk ishte vetëm ai. Katër ditë pas atentatit, në spital ndërroi jetë edhe Muçi Shaljani. Edhe ai nuk ishte një qytetar i zakonshëm, por agjent i Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Një njeri që duhej të mbikëqyrte ligjin dhe që sot dyshohet se mund të ketë shërbyer për të kundërtën.
Tre muaj pas ngjarje, Prokuroria e Tiranës, pas verifikimeve paraprake, shpalli moskompetencë. Dosja i kaloi SPAK-ut, nën dyshimin se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, me porositës, organizatorë, logjistikë dhe ekzekutorë të ndarë sipas roleve. Një skemë tipike e krimit të organizuar që vepron me disiplinë ushtarake dhe zhduket pa lënë gjurmë.
Policia ngriti disa pista. Zona u kreh nga Operacionalja dhe RENEA. Një automjet i dyshuar u gjet pranë një banese në Zallë, bashkë me një arsenal armësh. Por ekspertiza i përjashtoi nga lidhja me atentatin. Autorët mbeten pa emër. Ekzekutimi mbetet pa përgjegjës.
Ndërkohë, hetimi mori një kthesë tjetër tronditëse. Me një vendim të datës 16 shkurt 2026, Gjykata e Tiranës pezulloi nga detyra drejtorin e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Gëzim Sala. Sipas hetimeve, ai lejoi punësimin e Muçi Shaljanit në kundërshtim me çdo kriter ligjor. Përveç pezullimit, ndaj tij u vendos edhe masa e ndalimit të daljes jashtë vendit, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Si mundi një person që nuk plotësonte asnjë kusht ligjor të vishte uniformën e shtetit? Kush e rekomandoi? Kush përfitoi? Dhe a ishte ai brenda sistemit për ta forcuar ligjin apo për ta minuar atë?
Ky nuk është vetëm një atentat mafioz. Është një histori infiltrimi. Një histori përplasjesh mes grupeve kriminale. Por mbi të gjitha, një histori që ngre dyshime të forta për depërtimin e krimit në strukturat ligjzbatuese.
Ky atentat, dëshmon se hetimi nuk duhet të ndjekë vetëm gjurmët e një ekzekutimi mafioz, por edhe të një sistemi që mund të jetë përdorur nga brenda.
Karta e AMP-së e gjetur në vendin e atentatit, nuk është një dokument i zakonshëm, por një dokument që simbolizon autoritetin. Një dokument që lejon qarkullim pa kontrolle të zakonshme.
Një çelës perfekt, jo vetëm për të shmangur Policinë, por me gjasë për të hapur shumë dyer.
“EMERGJENCA” – EMËRIMI I DYSHIMTË
Nëntorin e vitit 2025, pranë aeroportit “Nënë Tereza”, plumbat thyen qetësinë e mesditës. Një person mbetet i vrarë në vend. Një tjetër luftoi për jetën dhe disa ditë më pas, humbi betejën. Por historia nuk ndalet tek atentati. Provat në vendngjarje ishin të mjaftueshme për një hetim më të thelluar.
Në xhepin e personit, i cili u dërgua me shenja jete ne spital, gjendet një kartë identifikimi. Një kartë që hapi një tjetër histori.
Një histori që çoi grupin hetimor brenda mureve të Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Policia e Prokuroria kishin të dhëna mjaftueshëm për objektivin e këtij atentati, Gilmando Danin, i cili ndërroi jetë në vend. Por për personin që e shoqëronte u ngritën shumë pikëpyetje. Muçi Shaljani, pak kohë para se të mbetej i plagosur rëndë në atë atentat e më pas të ndërronte jetë në spital, ishte bërë pjesë e strukturës kryesore që heton punonjësit e Policisë së Shtetit.
Ai kishte aplikuar për këtë pozicion pune në shtator të vitit 2025. Dokumentet janë në rregull: Vërtetime, diplomë, edhe pse e dyshimtë, certifikata.
Por diçka nuk përputhet. Dy nënshkrime të ndryshme, një formular që dorëzohet me vonesë, një procedurë që shmang konkursin dhe një fjalë që përsëritet: “Emergjencë.”
Një vend vakant në sektorin operacional çoi në një kontratë pune 3-mujore. Dhe një firmë bëri gjithçka zyrtare.
Në qendër të hetimit është Gëzim Sala. Një oficer me një karrierë policore 36-vjeçare. Një personazh pa asnjë problem disiplinor. Ndërsa sot i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
Nga ana tjetër, hetimet zbuluan se Muçi Shaljani, pavarësisht emërimit, nuk kishte shkuar asnjë ditë në punë. Madje edhe pse i pajisur me një ID operative, nuk rezultoi të kishte kaluar filtrat e zakonshëm.
Dosja e Prokurorisë
Personi nën hetim Gëzim Sala, 59 vjeç, banor i Qytetit të Tiranës, ushtron detyrën e drejtorit në Drejtorinë e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Shtetasi i ndjerë Muçi Shaljani, me emër tjetër Mustafa Sheqeri, me datëlindje 10 mars1983, ka qenë banor në Rrugën “Maliq Muça” Tiranë. Në datën 12 qershor 2025, personi nën hetim Gëzim Sala ka përpiluar shkresat në emër të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, me shkresën nr. 2313, datë 12 qershor 2025 dhe i është drejtuar Komisariatit të Policisë nr. 3, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me kërkesë për informacion në lidhje me kryerjen e procedurave për verifikimin e kushteve për pajisjen me vërtetim besueshmërie të aplikantit Muçi Enver Shaljani. Në datën 25 qershor 2025 me shkresën nr. 4380/K, datë 25 qershor 2025, Komisariati i Policisë nr. 3 Tiranë i ka përcjellë AMP vërtetimin e besueshmërisë së shtetasit Muçi Shaljani.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Muçi Shaljani, më 9 shtator 2025 ka paraqitur kërkesë me shkrim që të fillojë punë pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Ndërsa bashkëlidhur aplikimit të tij ka paraqitur dokumentet e mëposhtme:
Dokumentet e Muçi Shaljanit
- Formulari i aplikimit për pranim në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore datë 16.09.2025 ku duket me sy të lirë që nënshkrimi i shtetasit Muçi Shaljani është i ndryshëm nga ai në kërkesën së datës 09.09.2025;
- Diplomë e lëshuar nga Universiteti Justiniani I nr. diplome 175, në emër të Mustafa Enver Shaljani, shoqëruar me suplementin dhe listën e notave;
- Vërtetim datë 02.09.2025 lëshuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ku rezulton se shtetasi Muçi Shaljani nuk rezulton të ketë procedim penal, të regjistruar në ngarkim të tij;
- Vërtetim të gjendjes gjyqësore nr. 20, datë 01.09.2025 vulosur elektronikisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve;
- Vërtetim aftësie për punë lëshuar në datën 03.09.2025 vulosur elektronikisht nga Qendra Shëndetësore nr. 4, Tiranë;
- Certifikatë mjekësore për veprimtari të lejuara me armët datë 09.09.2025;
- Vërtetim datë 02.09.2025 lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku rezulton se nuk ka proces penal themeli nga data 01.01.2025 deri ditën e lëshimit të vërtetimit;
- Vërtetim datë 02.09.2025 nga Zyra Përmbarimore Tiranë se nuk ka detyrime ndaj personave fizikë dhe juridikë, privatë apo shtetërore.
Në këto kushte, me një urdhër që mban datën 15 shtator 2025, për pranimin e përkohshëm në detyrë të një aplikanti, të drejtorit të Përgjithshëm të AMP-së, i autorizuar, Artjol Saliasi, është vendosur që Muçi Shaljani të pranohet me kontratë të përkohshme për nevoja emergjente. Ai është emëruar me detyrë ndihmës specialist në Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të AMP.
Në vijim, është lidhur dhe kontrata e punës e miratuar nga drejtori i Financës, Gëzim Sala dhe drejtori i komanduar i AMP, Artjol Saliasi, me nënshkrimin edhe të specialistes së burimeve njerëzore, sipas të cilës të drejtat administrative financiare të tij kanë filluar më 16 shtator 2025. Por edhe këtu është konstatuar se, në rubrikën punëmarrësi është shënuar me kompjuter Muçi Shaljani dhe është vendosur një nënshkrim, i cili me sy të lirë ndryshon nga nënshkrimi në kërkesën e paraqitur dhe formulari i aplikimit. Muçi Enver Shaljani, me funksion “Specialist” pranë AMP është pajisur me kartën përkatëse me nr. ID AMP 054, kartë që u gjet edhe në automjetin ku ai u vra bashkë me mikun e tij Gilmando Dani.
Nga hetimet e kryera, rezulton se menjëherë pas punësimit, Shaljani ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë disa herë në datat: 22 shtator 2025, 19 tetor 2025, 26 tetor 2025 dhe 7 nëntor 2025 ku ka qëndruar disa ditë. Në daljen e tij të fundit, në datën 7 nëntor 2025, ku ka udhëtuar me “Wizz Air Barcelona”, rezulton se në të njëjtën datë, në të njëjtën orë, me të njëjtin fluturim ka qenë edhe Gilmando Dani, i njohur për përfshirjen e tij në kriminalitet. Ata janë kthyer në datën 11 nëntor 2025, në orën 14:25 dhe kanë qenë në një automjet bashkë kur pranë vendit të quajtur rrethrrotullimi i Rinasit, pranë aeroportit “Nënë Tereza”, janë qëlluar me armë zjarri dhe nga sulmi ka mbetur i vdekur Gilmando Dani e është plagosur rëndë në kokë Muçi Shaljani, i cili ka ndërruar jetë disa ditë më pas.
Menjëherë pas kësaj ngjarje, kanë filluar hetimet lidhur me procedurën e punësimit të Muçi Shaljanit, e cila rezultoi siç është përshkruar në dosjen e Prokurorisë.
Në vijim të hetimeve, më datë 12 nëntor 2025, është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale Gëzim Sala, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse në AMP, i cili ndër të tjera ka deklaruar se:
Gëzim Sala
Nga ish titullari i Agjencisë, i autorizuar në detyrë, Artjol Saliasi, jam thirrur në zyrën e tij dhe më ka dhënë për të administruar një praktikë dokumentare në të cilën ishte kërkesa për të filluar punë në AMP e shtetasit Muçi Shaljani. Bashkëlidhur kërkesës ishte dhe dokumentacioni tjetër që përbëhej nga vërtetime të ndryshme nga institucionet. Kjo praktikë dokumentare ishte e protokolluar. Mbaj mend, që në fillim të muajit qershor të këtij viti, jam thirr nga ish-drejtori Florjan Sulejmani dhe më është thënë që duhet të bëja kërkesa për Vërtetim Besueshmërie dhe shkresë për SHISH për këtë person. Florjan Sulejmani me ka sjellë në WhatsApp gjeneralitetet dhe foton e kartës së identitetit. Të dyja këto shkresa unë i kam bërë dhe me sa di kanë ardhur dhe përgjigjet përkatëse të dyja pozitive, pra SHISH nuk kishte të dhëna dhe Policia Vërtetimin e Besueshmërisë pa probleme. Kur mora praktikën nga titullari i autorizuar, Artjol Saliasi, konstatova se në dokumente mungonte diploma dhe në këto kushte i thashë Artjol Saliasit që mungonte diploma si dhe e pyeta: “Çfarë do të bëhet me këtë shtetas?”. Artjoli mu përgjigj që: “Do ta marrim përkohësisht për tre muaj sepse e kemi emergjente, e quajmë si periudhë trajnimi dhe më pas bëjmë shpalljen vakant dhe e fusim me konkurrim, meqë plotëson kriteret”. Unë i kam thënë që kjo nuk është procedurë ligjore por ai më tha që do ta marrim do ta fusim në konkurrim dhe do ta bëjmë të ligjshme. Mbaj mend që për diplomën që mungonte më tha që Komuniko me Gerald Shahun, drejtorin e Inspektimit në AMP.
Pra në deklarimet e tij, Gëzim Sala, dëshmon se në lidhje me aplikimin e Muçi Shaljanit për t’u emëruar në APM kanë qenë në dijeni edhe ish-drejtori Florjan Sulejmani, por edhe ish-drejtori i komanduare Artjol Saliasi. Ndërsa në lidhje me faktin që mungonte diploma, ai ka deklaruar se fillimisht i është dërguar si foto nga ana e një specialisti e më pas, bashkë me specialisten e burimeve njerëzore është administruar dokumentacioni. Në vijim është hartuar urdhri për pranimin në detyrë te tij, me kontratë pune të përkohshme 3-mujore.
Gëzim Sala
Këto dokumente u përpiluan pasi u krijua bindja mbi bazën e shkresave përkatëse nga Policia dhe SHISH. Pas ardhjes se titullarit të ri, kam bërë prezent faktin verbalisht. Po ju njoh me urdhrin Nr. 675 datë 15.09.2025 “Për Pranimin e Përkohshëm në Detyrë të një Aplikanti në AMP”, i cili është konceptuar nga Elda Uku dhe miratuar nga ju. U njoha me Urdhrin dhe shpjegoj se unë miratoj konceptimin e aktit, i cili është në përputhje me modelin e akteve administrative, në të cilin citohet baza ligjore që titullari ka te drejtë të nënshkruaj akt adminstrativ, të dhënat e punonjësit, funksionin datën e fillimit dhe pagën. “Kontratë pune e përkohshme tre mujore” Nr.3568 datë 15.09.2025, është nënshkruar nga titullari Artjol Saliasi, nga specialistja dhe unë, dhe më pas specialistja ka thirrur shtetasin Muçi Shaljani, cili ka nënshkruar. Shpjegoj se nënshkrimi im ka të bëjë me miratimin formal të kontratës dhe jo në përmbajtje. Procedura ligjore fillon me shpalljen e vendeve vakante, publikimi në faqen zyrtare me Urdhër titullarit, priten afatet e aplikimit, Urdhër për tre Komisione, Pranim, Testim dhe Apelim, dhe pasi përfundoj dy komisionet e para dhe nxjerrin rezultatet, priten afatet e ankimimit për cdo rast. Në vijim, per fitues Komisioni i pranimit kryen verifikimet përfundimtare, të cilat nënkuptojnë korrespondencën me institucionet ligjzbatuese. Pasi përfundon kjo faze, mbi bazën e relacionit të komisionit që pasqyron rezultatet, titullari urdhëron vijimin e procedurave për emërimin në detyrë. Jo. Ky shtetas nuk është pajisur me dokument identifikimi të Agjencisë por dhe askush tjetër me të njëjtin funksion nuk është pajisur me dokument të tillë.
Nisur nga verifikimet por edhe vetë dëshmia e personit në hetim, Prokuroria thotë se procedura nuk është ndjekur siç duhet. Nuk ka konkurs, nuk ka komision dhe ka nënshkrim të dyshimtë, që është i ndryshëm në dokumente të ndryshme.
Në lidhje me këtë hetim është marrë ne pyetje edhe specialistja e burimeve njerëzore, Elda Uku, në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Ajo ka shpjeguar praktikën e ndjekur, duke pranuar se ka bërë edhe një lapsus.
Elda Uku
Më datën 10 shtator 2025, nga sekretaria e AMP më vjen për trajtim një praktikë dokumentare, e cila kishte brenda saj kërkesën e shtetasit Muçi Shalijani për të filluar punë në AMP. Kërkesa mbante datën 09.09.2025. Në kartelën shoqëruese të praktikës dokumentare kishte nënshkrimin e titullarit ,i cili ia kalonte drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse, Gëzim Sala dhe ky i fundit ma kalonte mua për trajtim. Në këtë kartele, drejtori im kishte shënuar detyra për t’u kryer nga ana ime dhe konkretisht me shënimin: “Të përgatitet kontrata e punës e përkohshme me afat 3- mujor. Më pas të përgatitet urdhri dhe të vijojë procesi i verifikimit Policisë dhe SHISH. Të drejtat, datë 15.09.2025″. Pasi kam marrë praktikën në fjalë, kam përpiluar dhe zbatuar detyrat që më la drejtori. U hap dosja personale e Muçi Shaljanit, e cila u inventarizua me dokumentacionin që përmbante brenda saj. U njoha me urdhrin që kam konceptuar dhe printuar dhe shpjegoj se është një lapsus njerëzor, ku unë duhet të kisha shkruar nenin 84 te Rregullores për “Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, që përcakton “Pranimin dhe emërimin në detyrë”. Ky aplikant nuk i është nënshtruar konkurrimit. Rrethanat, në të cilat është pranuar është emergjenca për vendin vakant të atij sektori. Vlerësimin se ishte rast emergjent mua ma ka thënë drejtor Gëzimi. Unë jam specialist dhe politikat e kuadrit i bëjnë eprorët e mi, me të cilët në këtë rast u konsultuam. Pra këtë Urdhër unë nuk e kam bërë nga vetja por vetëm pas konsultës me drejtorin tim, i cili pasi e kontrolloi konceptimin dhe e ka miratuar me nënshkrimin përkatës.
Dëshmitarja ka shpjeguar se pas përpilimit të kontratës së punës, Muçi Shaljani e ka nënshkruar në praninë e saj më çdo faqe të kontratës, në prani edhe të një kolegut të saj. Por në praktikën dokumentare që ai kishte sjellë, mungonte formulari i aplikimit. Për këtë arsye ajo i ka thënë kolegut të saj që ta lajmëronte Shaljanin që të sillte formularin e plotësuar. Pas lajmërimit, ai e ka sjellë dhe dokumentin që mungonte.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se Gëzim Sala është ripyetur edhe më 5 dhjetor 2025 dhe ka sqaruar se në datë 11 qershor 2025 i është kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i AMP, Florian Sulejmani, që të fillonte procedurat e verifikimit në SHISH dhe Policinë e Shtetit për Muçi Shaljanit. Sala ka përsëritur sërish se të dhënat për këtë shtetas i ka marrë përmes WhatsApp. Gjatë këtij deklarimi të detajuar, Gëzim Sala ka treguar se procedura e punësimit ka qenë e rregullt sipas Kodit të Punës. Deklarimet e tij për fillimin e komunikimit me Florian Sulejmani, sipas Prokurorisë gjenden të dokumentuara edhe nga këqyrja e telefonit celular të Gëzim Salës.
Për të sqaruar kushtet e emërimit në detyrë të Muçi Shaljanit, nëse ka pasur emergjencë apo jo, është marrë në pyetje edhe shefi i sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, i cili ka treguar se nuk e ka njohur asnjëherë këtë person. Sipas tij, Shaljani nuk ka paraqitur asnjëherë kërkesë me shkrim apo verbal të eprorëve të tij për punësime emergjente pasi në sektorin që ai drejtonte nuk ka pasur nevoja emergjente. Gjithashtu ka deklaruar se nuk ka pasur kurrë dijeni nëse shtetasi Muçi Shaljani udhëtonte jashtë shtetit.
Për llogari të hetimeve, është marrë në pyetje edhe ish-drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.
Florian Sulejmani
Nga muaji nëntor 2023 deri në datë 9 korrik 2025 kam mbajtur detyrën e drejtorit të përgjithshëm të AMP. Nuk kujtoj të kem pasur komunikim me shtetasin Gëzim Sala në lidhje me punësimin e Muçi Shaljanit pasi nuk kam material të ruajtur në telefon. U njoha me këqyrjen e telefonit dhe është komunikimi im i natyrës administrative, rast si gjithë të tjerët pasi bazuar në kërkesat e shtetasit për punësim kam kërkuar të verifikohet pastërtia e figurës, veprime që duhen plotësuar për çdo individ që duhet të punësohet. Nuk kujtoj të kem pasur ndonjë kërkesë me shkrim. Nuk më kujtohet rasti i Muçi Shaljanit, por në këtë rast drejtori Gëzim Sala vepron në bazë të kërkesave, kjo provohet edhe nga komunikimet më telefon ku nga ana e Gëzimit nuk më është referuar mungesa e një kërkese. Në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm në atë kohë, nuk kam firmosur asnjë urdhër emërimi në detyrë për shtetasin Muçi Shaljani.
Në kushtet e deklarimeve kontradiktore të Gezim Salës dhe Artjol Saliasit, Prokuroria ka bërë edhe një ballafaqim mes tyre, duke mbajtur edhe procesverbalin përkatës. Gjatë ballafaqimit të dy janë shprehur se i qëndrojnë deklarimeve të motivin për nevoja emergjente.
Gëzim Sala pyet Artjol Saliasin: A ma ke kërkuar ti?
Artjol Saliasi: … motivin e punësimit për nevoja emergjente nuk ia kam sugjeruar as kërkuar unë Gëzim Salës.
Gëzim Sala: … nëse urdhri i emërimit dhe kontrata e punës nuk do të ishin nënshkruar nga ana juaj a do të merrte formë ligjore akti?
Artjol Saliasi: … nëse nuk do të më kishin ardhur akte të përpiluara për punësimin e Muçi Shaljanit unë nuk do të kisha firmosur asnjë akt.
Pra, njëra palë thotë nuk e kam kërkuar motivin emergjent, pala tjetër thotë: Veprova mbi kërkesë.
A është ky një zinxhir përgjegjësish të shpërndara? Apo një hallkë që u këput në vendin e gabuar?
Në seancën e datës 19 shkurt 2026, prokurori kërkoi vijimin e masave të caktuara me vendimin e datës 14 shkurt 2026 nga gjyqtari i hetimeve paraprake, për personin nën hetim duke argumentuar:
Prokurori i çështjes
Ndodhemi përballë një fakti të rëndë ku kanë ndërruar jetë 2 persona. Është punësuar një person në sektorin e operacionales në mënyrë të parregullt që nuk ka shkuar asnjë ditë në punë. I punësuari në atë pozicion mund të kalojë me makinë kudo pa u ndaluar nga Policia. Është e vërtetë që personi nën hetim e ka dorëzuar vetë telefonin e tij. Pozicioni i tij i punës e bën të rrezikshëm për hetimet. Për këtë arsye kërkuam dhe ato masa sigurimi. Praktika e punësimit është përpiluar nga personi nën hetim. Nuk ka asgjë të shkruar ku të thuhet se ai ka shprehur kundërshtim për punësimin e personit. Kërkoj vazhdimin e zbatimit të masave të sigurimit caktuar nga gjykata. Prokuroria është duke hetuar akoma. Dokumentacioni ndodhet në drejtorinë që drejtonte personi nën hetim. Vartësit e tij po pyeten. Veprimet hetimore janë sekret në këtë moment. Mund të ketë dhe persona të tjerë në bashkëpunim.
Megjithatë, emergjencë ose jo, fakti mbetet fakt. Muçi Shaljani u emërua në AMP, u pajis me dokument dhe siç ishte edhe kontrata e tij e punës, për pak ditë ajo do të përfundonte. Arsyet dhe qëllimi i tij mbeten të paqarta.
Edhe pse pas atentatit në Rinas, duket se u ekspozua një pjesë e qëllimit të tij. Fakti që një agjent i AMP, shoqëronte një person me të shkuar kriminale, duket i mjaftueshëm për të justifikuar “misionin” e tij, qoftë ky edhe 3-mujor, aq sa ishte kontrata e punës.
Por vetë procedura e ndjekur ka shumë vend për dyshime. A ishte Muçi Shaljani i vetmi i punësuar në këtë mënyrë? Dhe a do të zbulohej kjo procedurë në rast se nuk do të ndodhte vrasja e tij teksa ishte në shoqërinë e Gilmando Danit?
DRAMA PËRTEJ DOSJES
Pas çdo dosjeje ka një familje. Një djalë, për të cilin duhet të kujdeset. Një prind që thotë se kjo masë e pezullimit e godet ekonomikisht familjen. Një karrierë 36-vjeçare në Polici. Dhe një firmë që sot po peshohet në peshoren e drejtësisë. A mjafton një shkelje administrative për të qenë vepër penale?
A duhet të provohet dashja? A është pezullimi masë e drejtë apo e rëndë?
Mbrojtja e personit nën hetim u shpreh se ishte pjesërisht dakord me vendimmarrjen e Gjykatës. Avokati i Gëzim Salës argumentoi se klienti i tij diskutohet se ka shkelur procedurën për punësimin e një personi. Por sipas tij, jo çdo veprim për punësimin e dikujt përbën vepër penale.
Avokati Artur Selmani
Ai akuzohet se ka dashur të prishi procedurat. Ai ia ka shprehur mendimin e tij drejtorit por ai i ka thënë se është në rregull dhe të vazhdohet. Më pas ai ka folur me juristët e institucionit ku ka shprehur se nuk ishte i bindur me punësimin e personit. I mbrojturi prej meje është i gatshëm të bashkëpunojë me organin e akuzës. Ai ka dhënë dhe telefonin e tij në funksion të hetimeve. Nuk jemi dakord me pezullimin nga detyra pasi nuk ka rrezik të prishë prova. Prokuroria e ka marrë fashikullin dhe nuk ka më prova të tjera për të marrë. Mendojmë se kjo masë është tej proporcionales. Ai ka një fëmijë për të mbajtur dhe me këtë masë vështirësohet gjendja ekonomike e familjes së tij. Ai ka 20-30 vite që punon dhe nuk ka pasur asnjëherë problematika me ligjin. Ai është i gatshëm për të bashkëpunuar me prokurorinë duke dhënë informacione. Jemi dakord me ndalimin e daljes jashtë shtetit. Nuk jemi dakord me pezullimin nga detyra. Nga momenti që kanë filluar hetimet, kanë kaluar 3 muaj dhe vetëm tani e pezulluan. Prokuroria ka pasur gjithë mundësinë t’i merrte ato dokumente që shërbejnë për hetimet. I mbrojturi prej meje nuk ka prishur asnjë provë gjatë kësaj kohe. Me sa kam unë dijeni Prokuroria i administron shkresat proceduralisht duke i sekuestruar në arkivën e vendit dhe nuk kërkon që t’i marri me shkresë dhe që të mund t`i dërgojë personi nën hetim.
Gëzim Sala
Jam dakord me avokatin. Kam 36 vite punonjës policie. E kuptoj që këtu ka ndodhur një gabim por nuk pa pasur dashje. Ju lutem të mos më pezulloni nga puna pasi kushton shumë mbajtja e fëmijës tim. Jam i gatshëm të bashkëpunoj me Prokurorinë. Është hera e parë që përballem me këtë situatë pasi nuk kam pasur kurrë probleme në punë. Praktika nuk shprehet nga ana ime. Unë jam me formim në ekonomik. Dokumenti është marrë nga një ish-punonjës. Nuk merrem as me listë prezencat.
Megjithatë, lidhur me pretendimet e mbrojtjes për ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm, nëse kemi fakt penal ose jo, apo nëse jemi përpara parregullsive në ushtrimin e detyrës, që jo domosdoshmërisht sjellin përgjegjësi penale, Gjykata vlerëson se i takon shqyrtimit në themel të çështjes. Për Gjykatën, deri më tani ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se është kryer vepra penale nga personi nën hetim.
Në sintezë, Gjykata konkludon se kërkesat e Prokurorisë janë të bazuara në ligj dhe në prova dhe si të tilla duhet të pranohen, ndaj masat e sigurimit duhet të vijojnë më afatin e përcaktuar nga Gjykata në vendimin e datës 14 shkurt 2026 të Gjyqtarit të Hetimeve Paraprake, me përjashtim të afatit të kohëzgjatjes së masës pezullim nga detyra.
Për këto arsye, më 19 shkurt 2026, Gjykata vendosi vazhdimin e zbatimit të masave të sigurimit personal, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, si dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” duke u ndaluar përkohësisht, për një afat një mujor, Gëzim Salën, të kryejë detyrën e drejtorit në Drejtorinë e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Tiranë.
ATENTATI NË RINAS
Në një vend që supozohet të jetë ndër më të mbrojturit. Aty ku çdo lëvizje, çdo hyrje dhe çdo kthesë filmohet e regjistrohet nga dhjetëra kamera, ndodhi që siguria u thye në formën më të ashpër.
Nga plumbat e kallashnikovëve.
Pak pas mesditës së datës 11 nëntor 2025, rreth orës 14:15, një makinë e ndaluar në rrethrrotullim, në hyrje të rrugës që të çon drejt Aeroportit “Nënë Tereza”, kishte ndaluar duke pritur një tjetër makinë që do të dilte nga parkingu i Rinasit.
Në 75 sekonda ndodh gjithçka. Të paktën 82 plumba të shkrepur drejt një “Mercedes”-i të bardhë lanë të vdekur në vend një 47-vjeçar pasagjer në këtë mjet dhe drejtuesi 42 vjeç u plagos rëndë dhe ndërroi jetë pas 4 ditësh në spital.
Hetimet flasin për profesionalizëm të lartë e një koordinim në kufijtë e perfeksionit.
Çfarë e mundësoi që një veprim i tillë të realizohej në një zonë të mbikëqyrur? A ishte dështim teknik? Një rrjedhje informacioni? Apo diçka më e errët, koordinim nga brenda?
Hetimi do të kërkojë përgjigje në videot që regjistruan çdo kënd, në dëshmitë e kalimtarëve dhe në komunikimet që po shqyrtohen tashmë nga grupi hetimor.
Por një detaj i ftohtë vjen si një goditje tjetër. Vetëm 2 minuta pas largimit të autorëve, një delegacion shtetëror kaloi në të njëjtën rrugë. Pranë makinës së bërë shoshë nga plumbat e ku brenda saj ndodhej një i pajetë e një tjetër që vetëm merrte frymë.
Një kalim që ngrit pyetjen më të thjeshtë dhe më shqetësuese: Çfarë na tregon kjo për kontrollin dhe për menaxhimin e informacionit në zemër të kryeqytetit?
Rëndësinë një krimi të tillë, nuk ia jep vetëm vendi ku ndodhi ngjarja, por edhe personazhi që u ekzekutua. E po ashtu edhe grupi që mori pjesë për realizimin e atentatit. Katër autorë, 3 kallashnikovë dhe një pistoletë.
Viktima ishte Gilmando Dani. Një emër i njohur ndër vite në konfliktet më të ashpra të Tiranës. Por më tepër, i njohur si njeriu më i besuar i Emiljano Shullazit, i cili aktualisht ndodhet në burg dhe që ka një historik të gjatë arrestimesh, akuzash e ngjarjesh ku është dyshuar e hetuar se mund të jetë përfshirë bashkë me 47-vjeçarin që mbeti i vrarë.
Personi që u plagos rëndë në këtë atentat e më pas ndërroi jetë, ishte pjesë e strukturave të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i emëruar aty në shtator të vitit 2025, në rrethana të dyshimta. Megjithatë në atë ngjarje nuk ishte si agjent i AMP-së. Ishte si bashkëshoqërues i Gilmando Danit në udhëtimin e tij 5 ditor në Barcelonë, ku udhëtuan, qëndruan e u kthyen bashkë. Ndërsa ditën e ngjarjes ishte drejtues i makinës që u sharrua nga plumbat.
Të tjera pikëpyetje për sigurinë ngre edhe largimi i atentatorëve. Makina e tyre përshkoi 14 kilometra nga vendi i ngjarjes deri në fshatin Halil të Fushë – Krujës, ku u gjet në flakë bashkë me armët e krimit brenda. Një skemë tipikë e atentateve të ngjashme, e kryer edhe në dhjetëra vrasje të tjera, madje pothuajse edhe në të njëjtin vend.
Pistat? Larje hesapesh, hakmarrje por dhe reagim pas mesazhe të errëta të dalë nga rrjetet e koduara.
Por si mund të ndodhë një vrasje e tillë në një zonë kaq të monitoruar?
Kush e dha informacionin?
Dhe kë duhet të trembë kjo goditje?
A është kjo ngjarje rikthim i një “lufte” të vjetër?
VRASJA NË 75 SEKONDA
Aty ku në ditë të tjera qëndrojnë efektivë Policie, patrulla, madje dhe grupe të gatshme, më 11 nëntor 2025, nuk kishte asnjë prej tyre. Madje vetëm disa makina që qarkullonin pa trafikun e rënduar që jemi mësuar të shohim.
Në orën 14:14, makina e atentatorëve “Toyota” me targa greke të vjedhura është e ndaluar me bllokazh në afërsi të rrethit në krahun e djathtë.
Makina qëndron aty dhe pas 20 sekondash fillon të lëvizë dhe kalon në krahun tjetër të rrethit, përballë, vetëm pak metra larg Komisariatit të Rinasit, duke qëndruar po me bllokazh edhe 20 sekonda të tjera.
Më pas hapen dyert dhe zbresin 3 autorët, sapo shohin që makina ku ndodhej objektivi i tyre po i afrohej rrethit dhe nisin menjëherë të qëllojnë.
Pasi goditet me armë për 4 sekonda, drejtuesi i mjetit humb drejtimin dhe pa kryer harkun në rreth, mjeti ecën diagonal derisa mbetet i ndaluar.
Në një moment 3 atentatorët kthehen për të hipur në mjetin e tyre, por pasi shohin makinën e objektivit që kishte ndaluar kthehen sërish për ta qëlluar.
Njëri prej tyre, me hap normal, përshkon mes për mes rrethit, me automatik në dorë dhe i afrohet makinës. Menjëherë pas tij shkon edhe autori tjetër, pasi në dukje, të parit i ngec arma dhe personi tjetër i jep një armë që në dukje është e shkurtër, e ngjashme me pistoletë. Ndërsa makina e tyre vijon rrugën për pak metra me dyer të hapura.
Personi që i dha armën kthehet tek makina, ndërsa autori tjetër, me dy armët në duar, vijon i qetë drejt mjetit të ndaluar ku ishte objektivi, hedh njërën armë në tokë dhe me tjetrën afrohet tek xhami, në krahun e pasagjerit, ku ishte Gilmando Dani dhe qëllon edhe disa herë drejt tij.
Në këtë moment bashkëpunëtori i tij kthehet serish dhe ecën me vrap në drejtim të tij. Teksa i pari merr armën që kishte hedhur në tokë, i dyti qëllon edhe disa herë të tjera, në distancë, drejt makinës “Mercedes”.
Gjithçka zgjat 75 sekonda. Më pas autorët hipin në makinë e cila lëviz me shpejtësi në drejtim të rrugës që të çon drejt Fushë – Prezës dhe Fushë-Krujës.
Rezulton që autorët të kenë përdorur një rrugë rurale, e përdorur edhe në ngjarje të tjera, që të çon drejt Niklës dhe fshatit Halil ku u gjet e djegur makina.
TRI PISTAT HETIMORE
Vrasja e Gilmando Danit konsiderohet si një nga ato krimet të rënda, të vëshira dhe të ndërlikuara për t’u dokumentuar. Me eliminimin e tij, atentatorët dhe porositësit kanë synuar të godasin edhe vetë Emiljano Shullazin që ndodhet në burg. Dani ishte njeriu i tij më i besuar, krahu i djathtë që nuk e kishtë lënë kurrë në baltë dhe me gjasë mund të çonte deri në fund çdo porosi të tij duke drejtuar gjithçka nga jashtë.
Përveç pistës së larjes së hesapeve mes grupeve, hakmarrjes për ngjarje që ndër vite mund të jetë hetuar por asnjëherë nuk janë vënë nën akuzë, si Shullazi ashtu dhe Dani, grupi hetimor ka dhe një pistë të tretë. E ajo lidhet me një krim të mundshëm për të parandaluar planë vrasjesh që në disa momente u ekspozuan nga platforma SKY në dosjen e SPAK, që goditi disa grupe kriminale gjatë operacionit “Revanshi”, në maj të vitit 2024.
Plane që personazhe të botës së krimit mund t’i ketë hamendësuar, por në momentin që mesazhet bëhen publike, kushdo e ndjen veten edhe më të rrezikuar. Dhe një nga ata personazhe që kishte zhvilluar biseda të tilla në SKY gjatë vitit 2020, edhe pse i izoluar në burg, ishte edhe Emiljano Shullazi.
Nga i gjithë grupi i tij, që u arrestuan me akuza të rënda në vitin 2016, disa prej të cilave ranë rrugës, të gjithë përfunduan dënimin dhe lanë qelinë njëri pas tjetrit. I vetmi që vijon të mbahet i izoluar është Emiljano Shullazi, për të cilin tashmë janë dy procese që po zhvillohen në Gjykatën e Posaçme. I pari që lidhet me vrasjen e vitit 2005 të biznesmenin Vajdin Lame dhe mikut të tij Artan Arsi dhe i dyti lidhur me dosjen e operacionit “Revanshi”, që ekspozoi aleancat e disa grupeve kriminale që bashkëvepronin për vrasjet e kundërshtarëve. Procesi i parë, ai i vrasjes së Vajdim Lames, ku përveç Shullazit janë në gjykim edhe 4 persona të tjerë, është drejt përfundimit, në fazën e dëshmive.
Ndërsa procesi tjetër është i ndarë në dy pjesë, një në themel dhe një tjetër në fazë seance paraprake. Më 15 shkurt 2025 SPAK mbylli hetimin dhe dërgoi për gjykim dosjen me 14 pjesëtarët e një grupi të strukturuar kriminal. Pjesë e kësaj dosje janë disa episode, mes të cilave edhe plani për vrasjen e Durim Bamit.
Muajt kalojnë dhe për atentatin e 11 nëntorit 2025 në Rinas ende nuk ka asnjë autor të dyshuar. Dosja tashmë është në duart e SPAK. E një tjetër hetim vijon për procedurat e punësimit në AMP të mikut të Gilmando Danit, Muçi Shaljanit që po ashtu u vra në atë ngjarje.
Por ky atentat zbuloi një edhe një herë dobësitë. Megjithëse drejtësia duhet të dallojë mes neglizhencës dhe krimit.
Një atentat mori dy jetë. Një kartë identifikimi hapi një hetim. Një firmë vuri në lëvizje drejtësinë.
Nëse ishte thjeshtë një neglizhencë që kushtoi shumë, apo një përgjegjësi që duhet të shkojë deri në fund./abcnews.al


