Gjërat tona/ Vrasësit e rinj të Lushnjës, hakmarrja ndaj drejtësisë

schedule20:30 - 8 Tetor, 2023

schedule 20:30 - 8 Tetor, 2023

Mbrëmjen e 22 marsit të vitit 2019, teksa ishte i ulur në një lokal, u ekzekutua me plumb në kokë avokati Ravik Gurra. Ngjarja ndodhi në Elbasan. Në qytetin që për vite me radhë ka mbajtur rekord për kriminalitetin. Në qytetin që sot ka numrin më të lartë të prokurorëve të mbrojtur. E pikërisht aty krimi goditi me forcën më të ashpër një përfaqësues të sistemit të drejtësisë. Dhe nuk e goditi për hesapet e tij, por për shkak se ishte pjesë e këtij sistemi. Pra për shkak të detyrës.

Sot, kur kanë kaluar më shumë se 4 vite nga ajo ngjarje që u hetua nga Prokuroria për Krime të Rënda e më pas i kaloi SPAK, ajo ngjarje mbetet pa autor. Grupi hetimor ka ende në dorë pamjet e një kamere sigurie, ku shfaqet autori, por vetëm kaq, asgjë më shumë. Ai person as sot nuk është identifikuar. Me arsyetimin se pamjet nuk janë të qarta, dosja e vrasjes së një njeriu që i përkiste sistemit të drejtësisë, vijon të qëndrojë në sirtarët e institucioneve të drejtësisë.

Ajo ngjarje, ishte një dëshmi se si krimi godet me gjithë ashpërsinë e tij dhe sa serioz është kur kërcënon. Edhe avokatët, ashtu sikurse prokurorët dhe gjyqtarët, janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Por në 25 vitet e fundit sistemi i drejtësisë është sulmuar në të gjitha drejtimet. Është përballur me akuza, me kërcënime, por persona të caktuar, pjesë e tij, kanë qenë edhe objekt atentatesh mafioze.

Vrasjet e njerëzve të drejtësisë janë konsideruar gjithmonë si atentate mafioze dhe dosjet kanë përfunduar duke u mbyllur me siglën “pa autor”. Më të vështirat për t’u zbardhur, atentatet ndaj avokatëve, prokurorëve e gjyqtarëve, mbeten edhe më të rëndat në sytë e qytetarëve. Që nga viti 1999 e deri sot, janë vrarë në atentate tipike mafioze, që vijojnë ende të jenë të pazbardhura, 4 njerëz që kanë pasur lidhje direkte me sistemin e drejtësisë në vend. Një vajzë prokurori, kryetari i Dhomës së Avokatisë , një gjyqtar dhe një avokat kanë humbur jetën në sulme, për të cilat nuk është arrestuar ende askush.

Sulmet kanë qenë drejtpërdrejt ndaj tyre, por edhe ndaj familjarëve, ashtu siç ndodhi me studenten 21-vjeçare Kozeta Hyseni. Më 19 shkurt të vitit 1999, ajo u gjet e masakruar në Qytetin Studenti në Tiranë. Kozeta Hyseni, vlonjatja që vazhdonte studimet në degën “Gjuhë Letërsi”, është gjetur e masakruar pranë kinoklubit të Qytetit Studenti, mëngjesin e 19 shkurtit të vitit 1999. Vrasja e Hysenit u cilësua si një hakmarrje ndaj të atit, pasi ai në atë kohë ishte prokuror i Vlorës.

Një ngjarje e bujshme tronditi kryeqytetin mbrëmjen e 21 shkurtit të vitit 1999. Një nga juristët më të njohur, kryetari i Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, mbeti i plagosur rëndë pas një atentati që u organizua ndaj tij. Mjekët dhanë shpresa për jetën dhe e nisën atë për kurim në Itali. Por pas disa minutash fluturim, Kleanthi Koçi ndërroi jetë nga një atak në zemër, më 28 shkurt. Para se të vdiste, kur policët i kishin treguar atij disa fotografi, përgjigjja e avokatit ka qenë: Do t’ua tregoj, kur të dal nga spitali.

Magjistrati i çështjeve civile në Gjykatën e Vlorës, Skerdilajd Konomi, humbi jetën pasi një shpërthim që ndodhi në makinën e tij më 9 shtator 2011, teksa gjyqtari shkonte në punë. Ai mbeti i vdekur, ndërsa pistat kryesore të hetimit ishin vrasja për detyrën dhe konfliktet e pronësisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda rihapi hetimet në vitin 2013, pasi ishte vlerësuar e nevojshme rihapja e dosjes me anë të rivlerësimit të provave që ndodhen në fashikull. Ekzekutimi me eksploziv në makinë, i gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, edhe pse u hetua për një kohë të gjatë, mbeti pa autor.

Pas dëshmisë së të penduarit Artan Tafani, rreziku që u kanoset njerëzve të drejtësisë doli sërish në skenë në mënyrën më të frikshme. Ai tregoi planet serioze që kishte pasur Laert Haxhiu me grupin e tij për të vrarë dy prokurore dhe një avokat. Vrasje që nuk u realizuan për arsye të ndryshme të vetë grupit që i shtyu për një moment te dytë, por që në fakt informacioni kishte munguar. Këto ngjarje nuk ndodhën se u parandaluan, por se në një farë mënyrë ishte grupi që dështoi apo nuk veproi.

Në rrëfimin e tij, i penduari Artan Tafani tregoi atentatin që po planifikohej të kryhej ndaj prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu, Prokurores së Lushnjës Merita Selimi dhe avokat të Lushnjës Adriatik Doga.

Prokurorja Musabelliu, e cila ka hetuar dosje të forta në SPAK, më e fundit ajo e masakrës së urës Vajgurore ishte vënë në shënjestrën e të fortëve të Lushnjës, mbasi kërkoi burgim të përjetshëm për dy miqtë e Laert Haxhiut, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshin.

Artan Tafani: I kemi ndjekur. Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelli, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokun e Laertit, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. I kemi mbajtur nën vëzhgim dhe familjet e tyre. Laerti, pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po i bënte gropën. Atij iu fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes.

I kemi bërë foto prokurores, burrit avokat dhe fëmijëve. Laerti tha se fotot e fëmijëve duhet më parë t’ia nisnim burrit të prokurores për të parë se çfarë ndikimi dhe reagimi do sillte. Ti bënin një lloj presioni.

Prokurorja tashmë është marrë në mbrojtje nga Policia, me kërkesë në kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani. E po ashtu në ruajtje të posaçme është marrë dhe familja e prokurores Musabelliu. Deri më tani, në strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë kanë marrë në mbrojtje, dy gra gjyqtare dhe prokurorja Doloreza Musabelliu.

Por plani për të vrarë prokuroren e SPAK, pasonte një tjetër plan që ishte thurur më përpara, që kur dosja i kaloi Musabelliut, pasi prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi shpalli moskompetencë. Sipas dëshmisë së Artan Tafanit, në fakt Laert Haxhiu mllefin më të madh e kishte me prokuroren që shpalli moskompetencën, duke ia kaluar hetimet SPAK-ut. Nëse dosja do të qëndronte në Lushnjë, grupi mendonte se do e kishte më të lehtë që të ndërhynte. Por deri në SPAK nuk mund të depërtonin dot. E për këtë arsye, Laert Haxhiu kishte planifikuar edhe vrasjen e Merita Selimit. Aktualisht ajo është e shkarkuar nga shkalla e parë e vetingut por vijon të ketë statusin e magjistratit për aq kohë sa nuk është shprehur apeli. Megjithatë, duke qenë se e mban ende këtë status, edhe Merita Selimi është marrë në mbrojtje.

Selimi ishte prokurorja që hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017 në Lushnjë, ku mbeti i vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.

Pas dy viteve hetime, Merita Selimi shpalli moskompetencën duke sjellë dosjen ndaj tre të pandehurve në SPAK. Prokurorja e Lushnjës në muajin Korrik 2023 u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Çështjen në ngarkim të grupit të Laert Haxhiut e mori në dorë prokurorja e SPAK Doloreza Musabelli. Ajo kërkoi burgim të përjetshëm, ashtu sikurse edhe vendosi Gjykata për Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa Laert Haxhiu është ende në fazë gjykimi duke qenë se çështja për të u veçua.

Ndërkohë, i penduari Artan Tafani, ka treguar se grupi i Laert Haxhiut kishte planifikuar edhe vrasjen e avokatit Adriatik Guri. Avokati i kishte shpëtuar një atentati në tetor të vitit 2021, ku kishin marrë pjesë Laert Haxhiu, Artan Tafani dhe Lulzim Spahija. Artan Tafani dëshmoi në Prokurorinë e Elbasanit se e gjithë logjistika për vrasjen e avokatit Adriatik Guri ishte bërë gati, por kur do të qëllohej drejt tij, ai është takuar me një fqinje, çfarë ka detyruar grupin e vrasësve të tërhiqen për të mos shkaktuar viktima të pafajshme. Në rrëfim Tafani është shprehur se u vendos të pritej, por avokati ka hyrë brenda në shtëpi dhe nuk doli më. Vrasja e tij u anulua duke u shtyrë për një moment të dytë.

Të dhënat zyrtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor tregojnë se në sistemin e drejtësisë më të rrezikuar ndihen prokurorët se gjyqtarët. Tetë magjistratë argumentuan para Komisionit të Mbrojtjes së Prokurorëve gjatë vitit 2022 se u rrezikohej jeta. Një nga këto kërkesa ishte për herë të parë, ndërsa 7 të tjerët kërkonin zgjatjen e afatit të mbrojtjes. Një nga rastet e shqyrtuara është vlerësuar me urgjencë. Kjo për arsyen se kërcënimi ndaj një prokurori kishte qenë i çastit. E ndër të gjitha kërkesat, bie në sy Elbasani. Ka numrin më të lartë të magjistratëve të mbrojtur, konkretisht 5 prokurorë.

Kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi, duke folur për emisionin “Gjërat Tona”, thotë se të gjithë prokurorët janë marrë në mbrojtje për shkak të detyrës.

Pas dëshmisë së të penduarit Artan Tafani, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë u zhvillua një takim mes krerëve më të lartë të institucionev ligjzbatues. Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i KLP-së, Alfred Balla tha se në takim u fol për një bashkëpunim mes institucioneve, i cili do të jetë periodik edhe në vazhdim, duke konfirmuar se u diskutua edhe për kërcënimet e dy prokuroreve nga grupi i Laert Haxhiut.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Taulant Balla paralajmëroi se autoritetet e sigurisë, po mendojnë të ndryshojnë strategji për mbrojtjen e magjistratëve, duke rritur rolin e SHISH dhe bërë disa ndryshime që të reflektojnë mbrojtjen që ligji u jep.  Në takim morën pjesë edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtësi i Gardës së Republikës, Gramoz Sako.

Artan Tafani ka rrëfyer se Laert Haxhiu, kishte futur në listë për të vrarë të gjithë personat që ishin pjesë e bandës së Aldo Bares dhe këdo që shoqërohej me familjarë të personave që ai kishte vrarë më parë dhe interesohej në polici për fazën ku ndodheshin hetimet.

Tafani, ka treguar me detaje para prokurorisë së Elbasanit për vrasjet e kryera prej tij dhe anëtarëve të tjerë të grupit të Laert Haxhiut. Për ekzekutimin e biznesmeni Çajup Selimi në Tepelenë, më 1 qershor të 2021, në hyrje të pallatit ku banonte, Tafani ka deklaruar se janë paguar 50 mijë euro. Për vrasjen e tij, kanë bashkëpunuar 6 persona.

Artan Tafani: “Unë së bashku me Laert Haxhiun, Erisiano Abedinin, Lulzim Spahinë, Ligor Romaçkën dhe Bujar Abedinin kemi ekzekutuar në shkallët e një pallati, Çajup Selimin. Porosinë e kishte mare Laert Haxhiu, ku me sa mbaj mend i ishin paguar 50 mijë euro. Erisiano Abedini dhe Bujar Abedini ishin njerëzit që na mbanin në kontakt për lëvizjen e Çajupit. Unë kam marrë 25 mijë euro”.

Një ditë pasi kryen këtë vrasje, ata udhëtuan gjatë natës drejt Korçës, për të vrarë një tjetër person, po me porori të Lart Haxhiut. Më 2 qershor ekzekutohet Fridman Xhaferraj. Sipas dëshmisë së Artan Tafanit, Xhaferraj u vra sepse kishte kërcënuar kushëririn e tij, Laert Haxhiun, se nëse ky i fundit nuk e ndihmonte për ta nxjerrë nga burgu, Fridmani do fliste për krimet që Haxhiaj kishte kryer, si dhe për vendin ku ai fshihej.

Artan Tafani: “Kërcënimi se Fridmani mund të fliste nëse Laerti nuk e ndihmonte, nuk është pritur mirë nga Haxhiu. Këtë mesazh, Fridmani ja kishte çuar kushëririt të tij, përmes avokatit që shkonte çdo muaj e takonte në burg. Avokati ia ka përcjellë Haxhiut dhe që në këtë moment, ai ka filluar të dyshojë mbi besnikërinë dhe qëndrueshmërinë e Fridmanit”.

Sipas Tafanit, Lart Haxhiu e kishte ndihmuar Fridman Xhaferrajn  që në Gjykatën e  Lushnjës t’i ndryshohej masa e sigurisë nga arrest në burg në arrest shtëpie dhe menjëherë kishte nisur planin për ta vrarë. Trupi i viktimës në atë kohë u gjet 12 ditë më vonë, në rezervuarin e Gjançit. Për këtë vrasje, morën pjesë 7 persona.

Artan Tafani: “Fridman Xhaferaj është rrahur para se të vritej. Laerti i kërkonte llogari nëse kishte folur dhe pse e kishte shantazhuar dhe kërcënuar nga brenda burgut. E kemi goditur disa herë. Kur pa pistoletat i kërkoi falje Laertit duke iu lutur të mos e vrisnim. Në këtë moment u qëllua me plumb pas koke. E morëm në makinë dhe e çuam në Gjanç dhe trupin ia hodhëm në rezervuar”.

Kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi, tregoi se Artan Tafani ka qenë në hetim për vrasjen e Alban Semakut, para se te kryente grabitjen në Tiranë.

Tafani ka treguar se 4 muaj më vonë vranë Alban Semakun që sapo kishte dalë nga burgu. I njohur edhe me emrin Elton Mermali, ai u gjet në breg të lumit Shkumbin, pak muaj pasi kishte dalë nga burgu. Në këtë krim morën pjesë tre persona, Laert Haxhiu, Artan Tafani dhe Lulzim Spahija. Sipas Tafanit, Laert Haxhiu i kishte thënë se Semaku ka vrarë njerëzit e familjes së tij, me urdhër të Aldo Bares.

Artan Tafani: “Ne e dinim që ai kishte dalë nga burgu dhe konsumonte heroinë. Alban Semakun e njihja herët. Atë ditë e kam gënjyer duke i thënë se në një vend kasha fshehur heroine. Shkova me makinë tek lagja e tij. Kemi shkuar në Peqin, dhe buzë një muri jemi drejtuar tek disa ferra, duke e gënjyer se aty ndodhej heroina. E gjitha ka qenë një mashtrim. Kur Semaku uli kokën për të kërkuar heroinën e kemi qëlluar me një plumb në kokë dhe dy në trup. Ne ikëm dhe trupin e tij e lamë aty në ferra”.

E duket se ajo që mund t’i shërbejë edhe më shumë hetimeve për grupin e Laert Haxhiu, duket se janë pinet e aplikacionit “SKY”, të cilat u janë dhënë hetuesve nga i penduari Artan Tafani. Ashtu sikurse në dosjen “Metamorfoza”, komunikimet në këtë aplikacion, që për njerëzit e botës së krimit e jo vetëm, është parë si i sigurtë, mund të zbulojnë shumë më tepër nga çfarë ka dëshmuar i penduari. Tafani ka deklaruar se disa biseda për planifikim vrasjesh mes Laert Haxhiut dhe anëtarëve të tjerë të grupit janë zhvilluar në “SKY”.

Kreshnik Ajazi shprehet se instituti i bashkëpunëtorit të drejtësisë është një nga provat kryesore dhe determinante për të hetuar një formë të caktuar të krimit të organizuar.

Ndër vrasjet që ka rrëfyer Artan Tafani, dy rezulton të jenë kryer me pagesë. Vrasja e Çajup Selimit dhe vrasja për gjakmarrkje e Ali Bashaliut. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se asnjë nga anëtarët e grupit nuk ka pasur konflikte apo njohje të drejtpërdrejta me viktimat.

Tafani ka shpjeguar edhe rolin e të dashurës së Laert Haxhiut, 27-vjeçares Klea Gjata, e cila sipas grupit hetimor ka qenë pjesë e grupit. Sipas deklarimeve të të penduarit, Gjata është përdur nga Laert Haxhiu, kryesisht për ta informuar në lidhje me lëvizjet e Policisë.

Artan Tafani: Klea Gjata është e dashura e Laert Haxhiut. Ajo nuk ka pasur dijeni për ngjarje konkrete që ne kemi bërë, por ka shërbyer për disa raste që të informonte Laertin. Kryesisht, kur donte që të lëvizte diku vetë, i kërkonte Kleas që të kalonte ajo para me makinë në një rrugë dhe të shikonte nëse kishte apo jo postbllok policie dhe ta informonte. Në një rast kam lëvizur edhe unë me të me makinë. Ajo dëgjonte shumë biseda që ne bënim, por nuk ka qenë e informuar për ngjarje konkrete kriminale”.

Sipas të gjitha hetimeve dëshmive dhe veprimeve të kryera, grupi i Laert Haxhisë ka të gjitha karakteristikat një grupi të strukturuar kriminal. Madje në disa raste edhe i tejkalon e për shumë hetues merr përmasat e një organizate kriminale. Megjithatë do të jetë Prokuroria e Posaçme që do e vlerësojë konkretisht në vazhdim.

Kreshnik Ajazi thotë se hetimi dhe gjykimi në vazhdim është në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme dhe kualifikimi ligjor përcakton edhe natyrën e grupit.

Pjesë e dëshmisë së Tafanit kanë qenë krimet e kryera nga grupi i Laert Haxhiut, pas vitit 2019. Deri në atë kohë ai ka qenë në burg. Ai është arrestuar në vitin 2014 për grabitjen e një kambisti në Lushnjë dhe është dënuar për këtë ngjarje. Pasi ka përfunduar dënimin në vitin 2019, i është bashkuar grupit të Haxhiut.

Artan Tafani: Unë kam qenë në burg dhe nuk mund të flas se çfarë ka ndodhur në atë kohë. Nuk di detaje. Por kur dola u afrova me Laertin. Çdo gjë gjatë kësaj kohe ai e bënte me mikun e tij, Orgest Bilbilin. Më pas, kur u arrestuan Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi isha edhe më afër tij. Filluam të punonim bashkë.

E rrjedhimisht, duke qenë se nuk ishte pjesë e grupit të Laert Haxhiut gjatë kësaj kohe, për shkak se ndodhej në qeli, Artan Tafani nuk ka pasur dijeni as për porganizimin e vrasjes së Besnik Hidës, ngjarje e ndodhur më 1 tetor të vitit 2019. Kjo ngjarje u zbardh më 20 korrik të vitit 2023. Sipas Policisë, autorë të vrasjes së 490-vjeçarit, dyshohet të jenë Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Ardian Ahmetaj. Policia e Fierit tha se tregtari i makinave Besnik Hida, u ekzekutua teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” në qytetin e Lushnjës. Vrasësit kanë qenë me maska dhe përdorën një makinë të cilën ia kishin grabitur një çifti në Tiranë. Hida ishte daja i Zamir Latifit, të riut që u vra më 11 tetor 2017 në masakrën e Lushnjës, ku shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. Përgjatë 3 viteve në vijim 40-vjeçari vijonte të kërkonte drejtësi për nipin, por u eliminua edhe vetë. Dhe duket se kjo ishte arsyeja.

Megjithatë, Artan Tafani kishte dijeni për një tjetër vrasje që po organizohej. Sipas tij, në maj të vitit 2023, Laert Haxhiu kishte vënë në shënjestër për të vrarë edhe Genci Hidën, vëllain e Besnik Hidës. Sipas Tafanit vrasjen e tij do ta kryente ai vetë bashkë me Kristi Bixhekun me urdhër të Haxhiut. Por duke qenë se Laert Haxhiu u arrestua në Janinë, u shty dhe plani për vrasjen e Genci Hidës.

Ashtu sikurse Laert Haxhiu, apo Orges Bilbili, edhe Artan Tafani është rritur me histori krimi në familje. Ndonëse ndryshe nga ata, vrasja e tij nuk kishte ardhur nga banda e Lushnjës, edhe ai ishte rritur me idenë e hakmarrjes. Babai i tij, Bashkim Tafani, i është vrarë para syve në vitin 1997. Tafani ka qenë 13 vjeç, por nuk ka mundur kurrë të mësojë se kush ishte vrasësi i të atit. Xhaxhai që e rriti, nuk i tregoi asgjë, me qëllim që të ai të mos bëhej vrasës, edhe pse në fakt ai u bë.

Babai i Tafanit, Bashkimi, ishte arrestuar në vitin 1988 e më pas u dënua në vitin 1989, pasi plagosi një person në fshat. Në kohën që ndodhej duke kryer dënimin, në vitin 1994, gjatë një konflikti në burg, ai plagos një të dënuar. I plagosuri ishte një i dënuar nga Elbasani. Në vitin 1997, kohë kur u hapën burgjet, Bashkim Tafani largohet nga burgu e ashtu si ai u largua edhe personi që kishte plagosur. Në verën e atij viti, Bashkim Tafani vritet në sy të të birit, Marius Tafanit, si hakmarrje për plagosjen që kishte bërë në burg.

Artan Tafani sot është 39 vjeç dhe ka një të shkruar të errët. Është një ish-i dënuar dhe tashmë i arrestuar si vrasës, ashtu sikurse e ka pranuar vetë të jetë. Deri në këtë fazë të hetimit, thëniet e tij janë në fazën e provimit të saktësisë. Megjithatë duket se ai nuk po gënjen. Të paktën për ato krime që ai ka pasur dijeni. Por më shumë se dyshimi nëse Artan Tafani po thotë të vërtetë apo jo, duket se nga rrëfimi i tij është ngritur një dyshim akoma më i madh. Krimi po bëhet më i egër, apo drejtësia ka nisur të funksionojë?

Kur nje grup kriminal shënjestron njerëzit e drejtësisë është një tregues që dëshmon jo vetëm egërsinë e krimit, por edhe se prokurorët janë në rrugën e duhur për ta luftuar. Kjo ndodhi në Italinë e viteve ’90. Dy prokurorët e antimafias, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, u vranë nga mafia siçiliane, atëherë kur lufta për goditjen e saj ishte bërë më e ashpër se kurrë. E duket se kjo ka nisur të ndodhë edhe në Shqipëri. Kur krimi nis të goditet nga drejtësia, fillon planet për t’u hakmarrë. Kësaj here dështuan për arsye që nuk dihen. Le të shpresojmë që plane të tilla në vazhdim jo vetëm të dështojnë, por edhe të parandalohen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!