Gjërat tona/ Turpëruesit e Hipokratit

schedule21:28 - 30 Qershor, 2024

schedule 21:28 - 30 Qershor, 2024

“Në çdo shtëpi, vizita ime do të jetë vetëm për lehtësim dhe në dobi të të sëmurit dhe me vullnet do t’u shmangem shkaktimit të dëmeve apo gabimeve prej gënjeshtrave.”

Ky është vetëm një pasazh nga Betimi i Hipokratit, i njohur ndryshe edhe si babai i mjekësisë, e që prej mijëra vitesh recitohet nga mjekët e rinj që nisin profesionin.

Betimi  në thelb është zotim për përdorimin e njohurive në të mirë të njerëzve, pa i dëmtuar ata dhe në ruajtje të çdo konfidencialiteti.

Por njëherësh është tregues se përdorimi në mënyrë të gabuar të dijeve dhe informacioneve në këtë fushë, mund të jetë shkatërrues.

Të dyja këto ishin të qarta që prej vitit 460 para lindjes së Krishtit, kohë kur edhe Hipokrati ushtroi veprimtarinë e tij si një nga mjekët më të mirë në Greqinë e Lashtë.

Dhe treguesi  dytë, u shfaq në pështjellimin që qytetarët shprehën teksa lexonin në media biseda private të mjekëve të Spitalit Onkologjik, pranë QSUT-së, të vënë nën hetim për “Shpërdorim detyre”.

Dhjetëra biseda që sipas Prokurorisë së Tiranës zbardhën një skemë zhvatje të pacientëve që diagnostikoheshin me kancer, duke i orientuar ata drejt spitaleve private me qëllim përfitimi, sollën një reagim të gjerë në opinionin publik, si një nga ngjarjet më me ndikim gjatë muajve të fundit në vend.

Komunikimet tregonin mungesë empatie, konfidenciaitetit, përdorim të informacioneve të pacientëve, të cilët të gjendur përballë sëmundjeve të rënda siç janë llojet e tumoreve, besonin pa ngritur pikëpyetje të mjekët e tyre.

Në këtë episod do të zbardhim detaje të hetimeve dhe bisedave, jo për të bërë konsumin e radhës, as për të bërë drejtësinë hyjnore, por për të kujtuar rëndësinë e detyrës së Mjekut dhe betimit të Hipokratit.

Sëmundja e shekullit, për të cilën po bëhen përpjekje të vazhdueshme për ta luftuar, ishte kthyer në biznes nga grupi i mjekëve e infermierëve të Spitalit Onkologjik. Kur mjekësia çdo vit e më shumë po i afrohet vaksinës kundër kancerit, pa çka se shifrat e fataliteteve sa vijnë e rriten, mjekët e Onkologjikut në Tiranë, e shihnin sëmundjen si mënyrë pasurimi. Madje duke menduar edhe për pushime në Maldive, Tajlandë apo gjetkë. Ata që pas zotit shihen si shpresa e fundit nga pacientë e të afërm të tyre, që janë gati të marrin borxh e kredi vetëm për të jetuar qoftë edhe disa muaj më tepër, në fakt ishin kthyer në një makineri zhvatjeje, duke u marrë edhe pikën e fundit të gjakut.

Ajo që flitej e tentohet të dokumentohej me prova nga pacientë, të afërm të tyre e madje edhe gazetarë, për korrupsionin në sistemin e shëndetësisë, doli në skenë në një dosje hetimore të Prokurorisë së Tiranës, aty ku në fakt ka më shumë vuajtje e dhimbje se askund tjetër. Te spitali Onkologjik. Ai vend, që supozohej të mbante gjallë shpresën e pacientëve e familjarëve të tyre, në fakt ishte kthyer në ferr.

Bisedat në një grup Watsapp-i që u bënë publike dëshmuan një skemë të mirëfillte abuzimi me bluzat e bardha, me kurat dhe ilaçet. Dëshmuan mungesë totale empatie nga ana e mjekëve që nuk i lidh më asgjë me atë betim që bëjnë në nisje të profesionit të tyre.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin përfundimtar të  auditimit të performancës mbi “trajtimin e sëmundjeve tumorale” të vitit 2023, ka nxjerrë në pah se përgjatë vitit 2020-2022 , 600 gra të prekura nga kanceri gjinekologjik nuk janë trajtuar me radioterapi, pasi mungon pajisja e Brakiterapisë. Po ashtu, mos vendosja në punë e aparatit të Ortovoltazhit, që trajton kancerin e lëkurës ka lënë pa shërbim 200 pacientë të tjerë të prekur nga melanoma. Audituesit kanë konstatuar se veç mungesës së këtyre pajisjeve, në spitalin Onkologjik, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve të reja me kancer nga viti në vit, shpenzimet në buxhet për trajtimin e tyre nuk kanë ndryshuar.

Në Shqipëri numërohen çdo vit 6 mijë raste të reja me kancer, në rritje kanë ardhur edhe shtrimet në spital. Sëmundjet tumorale mbeten shkaku i dytë më i shpeshtë i fataliteteve, duke shkaktuar rreth 16% të vdekjeve çdo vit. Sëmundjet tumorale të diagnostikuara më shpesh në vendit tonë janë, kanceri i gjirit, i aparatit respirator, gastrointestinal, kanceri i lëkurës, etj. Këto kategori sëmundjesh tumorale përbëjnë së bashku pothuajse 40 % të të gjitha rasteve të reja të raportuara çdo vit nga sistemi shëndetësor. Kjo sëmundje është një diagnozë individuale që ka ndikim të rëndësishëm tek pacientët, por gjithashtu ndikon rëndë edhe në jetën e familjeve të tyre.

Sipas raportit të KLSH, në Shqipëri ka vetëm një spital Onkologjik, pranë QSUT në Tiranë, ku të gjithë pacientët e dyshuar dhe më pas të diagnostikuar me sëmundje tumorale nga spitalet rajonale nga Jugu në Veri, duhet të shkojnë në QSUT për përcaktimin e saktë të diagnozës dhe më pas në ecurinë e protokollit të mjekimit.

Raporti i KLSH

Shërbimet radioterapi e disa kimioterapi janë të centralizuara në Spitalin Onkologjik në QSUT dhe nuk ofrohen pranë spitaleve rajonale të vendit. Për rrjedhojë, centralizimi i shumicës së shërbimeve shëndetësore vetëm në Tiranë, rrit kostot ekonomike për pacientët dhe familjarët e tyre. Shërbimi i radioterapisë trajton rreth 90 % të pacientëve me sëmundje tumorale, nëpërmjet pajisjeve mjekësore, duke kërkuar investime të konsiderueshme për sigurimin e pajisjeve, si dhe të mirëmbajtjes së tyre, me qëllim për të mundësuar trajtimin e domosdoshëm të pacientëve dhe maksimizimin e përfitimit nga pajisjet. Për periudhën e auditimit, konstatohet se numri i rasteve të trajtuara pranë shërbimit të radioterapisë mbështetet në 4 pajisje kryesore, nga të cilat Brakiterapi nuk është funksionale për gjatë gjithë periudhës së auditimit, ndërsa Ortovoltazhi nuk funksionon që prej datës 2 nëntor 2022.

Qeveria do të ndryshojë ligjin për Urdhrin e Mjekut, me qëllim që bluzat e bardha që abuzojnë me pacientët, të mos jenë më pjesë e sistemit shëndetësor. Ministrja e Shëndetësisë dhe ai i Drejtësisë, e deklaruan këtë nismë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Albana Koçiu: Të sjellim në një dimension tjetër ushtrimin e figurës së mjekut dhe infermierit.

Ulsi Manja: Bëhet fjalë për ndryshime ligjore të aspektit administrativ dhe jo ndryshime penale.

Pas Prokurorisë, edhe Qendra Spitalore Universitare “Nëne Tereza” ka nisur një hetim për skandalin tek Onkologjiku. Në përfundim të tij, ministrja e Shëndetësisë paralajmëroi ridimensionim të shërbimit.

Albana Koçiu: Korrupsioni është vija e kuqe ndarëse mes interesit publik, interesit të çdo qytetari dhe kujtdo që i shkon mendja për të kryer veprime të tilla të turpshme, të cilat nuk i përkasin figurës së mjekut dhe të infermierit, do marrë atë që meriton.

Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën e abuzimit tek Onkologjiku në QSUT. Shtatë mjekë janë nën hetim pasi nuk u ofronin shërbime pacientëve në publik dhe i drejtonin në spitale private. Hetimet treguan gjithashtu se barnat spitalorë për trajtimin e tumoreve shiteshin në farmaci, ndërsa aparatura e kobalto – terapisë në spitalin Onkologjik, nuk u vu në punë prej 3 vitesh.

Gjatë një hetimi në tetor të vitit 2023, Prokuroria e Tiranës, zbuloi se disa medikamente që shiteshin ne farmaci, ishin vetëm për përdorim spitalor, specifikisht në spitalin Onkologjik dhe shërbenin për trajtimin e tumoreve të ndryshme. Kjo gjetje nxiti  Prokurorinë të vijojë hetimet me përgjime të bisedave të personave të dyshuar, vëzhgime në terren, por duke bërë edhe blerje me agjentë të infiltruar, duke zbuluar rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor në shërbimin e Onkologjisë në QSUT dhe qe drejtoheshin në klinika private. Po kështu, me agjentë të infiltruar por edhe me ndihmën e disa qytetarëve që kishin denoncuar abuzimet e mjekëve të spitalit Onkologjik, u dokumentuan  raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të dëmtuar.

Sipas përgjimeve, Afrim Ruçi, kryeinfermieri i Onkologjikut, në shumë raste bënte rolin e sekserit dhe shërbente si urë lidhëse mes mjekëve, por dhe farmacive e pacientëve për të siguruar ilaçet e kimioterapisë.

Në dosje theksohet se pasi  pacientët merrnin programin e plotë për kurën e tumoreve dhe medikamentet siguroheshin nga shteti, mjekët ndërhynin duke programuar që një pjesë e kurës të blihej jashtë spitalit dhe konkretisht në dy farmaci private. Një nga medikamentet për kimio që duhej blerë në farmaci kushton nga 250 Euro deri në 1500 euro flakoni.

Në komunikime të tjera kuptohet që  brenda farmacisë spitalore, mund të shkojë kushdo që është i afërm i një pacienti me kimio ose punonjës i brendshëm dhe kundrejt një shume monetare mund të tërheqë medikament dhe pse nuk është radha e tij për kurim por në listën e pritjes është një person tjetër.

PJESË NGA PËRGJIMET 14.12.2023:

 Qytetari: Do vijë një nga Kukësi, ma ndihmo të lutem mi afro çik kimioterapitë. Bëje për hatrin tim.

Ku je ti?

Afrimi Ruçi: Unë jam lart në zyrë.

Qytetari: Mirë ja do vijë lart tek zyra kjo.

 Në dosjen hetimore janë marrë edhe dhjetëra dëshmi të pacientëve që ankohen për shkelje. Një rast i tillë, është një paciente nga qyteti i Burrelit e diagnostikuar me tumor, që ishte transferuar në klinikën privat “Megis”, në pronësi të babait të Edmond Gashit. Gjithashtu në këtë klinikë është sugjeruar dhe t’i nënshtrohej kimios por nuk kanë pranuar. Ndërmjetës ka qenë Emiljano Lela Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT. Në rolin e sekserit ai ka bërë pazar për pagesën e operacionit në këtë klinikë, nga 3 mijë euro, do ulej në 2500 pas ndërhyrjes së tij.

Qytetari: Doku si të kam? N.A është nëna e një shokut tim do të marri në telefon. Ma zgjidh pak?

Emiljano Lela: Ca u tha doktori, a mbaruat punë?

Qytetari: Doktori tha duhet bërë operacion sa më shpejt, na dha një çmimin për të bërë operacion, bëhet 3500 euro tha por për Emiljanon 3000.

Emiljano Lela: Ok ishte do e bëjë operacionin, skaner, ka bërë skaner?

Qytetari: Do ta bëjmë edhe skanerin, ja ta provojmë do të shkojmë në Peshkopi të bëjmë atë skanerin e përgjithshëm ta shohim se a ka marrë pjesën e trupit a e ka vetëm aty.

Emiljano Lela : E pra se ajo është e rëndësishme, mos u lodh me harxhu lekë më.

 Në një nga bisedat, dy persona te përfshirë në këtë skemë, punonjës të spitalit Onkologjik, bëjnë planet e pushimeve, madje flasin hapur dhe për shifrat që sigurojnë nga ryshfetet përmes operacioneve.

x-Ku i kap pushimet e tjera tani?

y-Këtu e një vit të jemi mirë

x-Shih Tajlandën tani

y-Po pse jo?

x-Hë mo se nuk shkon shumë

1500 euro, 5 operacione, i kap brenda javësh ti, hahah, ca llogarie

y-Kirurg më di ti mua? Ku e ke bërë matematikën ti vëlla? Sa bëjnë 5X5?

x-HAHAHAHA Llogarita 300 euro operacionin, jo 500

y– Po lale po

x-Për i javë bëhesh për Maldive ti atëherë

Në një tjetër episod, Prokuroria e Tiranës, ka zbuluar bisedat mes Emiljano Lelës, dhe Edmon Gashit, ku flasin lidhur me dërgimin e pacientëve tek klinika private, “Megis” .

 Kordinatori i spitalit Onkologjik, Emiljano Lela : Po si i merrni lekë ju atij pacientit?

Mjeku, Edmond Gashi: Sdij gjë, jam në sallë.

Emiljano Lela: Po sbëhet kështu se është e dyta herë me nxirmi mua keq. Edmond!

Edmond Gashi: Do e kontrollojmë. Ai është për operacion.

Emiljano Lela: Po unë i thash që është vizita falas.

Edmond Gashi: Do e rregullojmë  do e rregulloj doktori thuaj do të të fusi në operacion.

Emiljano Lela: E futja kot sa keq më nxirri.

Pas kësaj bisede me mjekun onkolog Edmond Gashi, Emiljano Lela, i drejtohet pacientit duke i kërkuar ndjesë për ngatërresën, pasi atij i ishin marrë më shumë para.

 Emiljano Lela:  Më tha të kërkoj ndjesë do t’ia bëj minus tek operacioni se harrova.

Pacienti: Emiljano ai e kishte operacionin 4 milion lekë, 5 e kam më tha po për ju 4.

Emiljano Lela: Shume e ka, po ti hajde të mërkurën dhe e shohim dhe flasim.

Hetimet zbuluan se mjeku onkolog, Edmond Gashi, jo vetëm nuk u ofronte shërbim pacientëve të prekur me tumor në spitalin Onkologjik, por edhe i mashtronte për shërbimet në klinikën e tij private “Megis”. Sipas hetimeve, Edmond Gashi, nuk u ka treguar në asnjë rast pacientëve të  klinikës së tij,  se aty mund të bënin vetëm skanerat dhe operimet, ndërsa për biopsinë, kimioterapinë apo rrezet për të kuruar pacientët do të duhet të riktheheshin sërish në spitalin shtetëror. Përveç mashtrimit për tu zhvatur para pacientëve të tij, mjeku onkolog Edmon Gashi, kartelat e pacientëve i mbante në zyrën e tij duke thyer rregullat e spitalit që parashikon që të lihen në kartotekat e kirurgjisë. Kjo bëhej në mënyrë që ai të kalonte pacientët tek klinika e tij private dhe që të mos ndiqeshin nga mjekë të tjerë.

Nga hetimet rezulton se Edmond Gashi, ka bashkëpunuar ngushtë, me Koordinatorin e spitalit Onkologjik, Emiljano Lelën, i cili me veprimet e tij i orientonte pacientët tek klinika private e Edmond Gashit. Sipas Prokurorisë së Tiranës, për secilin rast që ai dërgonte tek klinika private Megis, merrte përqindje, por edhe bënte ndërhyrje në mënyrë që pacientët të mos ndiqeshin nga mjekë të tjerë. Prokuroria në bashkëpunim me policinë, kanë arritur të faktojnë me pamje filmike edhe një rast ryshfeti, ku Emiljano Lela, merr para nga një qytetar në parkimin e Spitalit. Këto para sipas prokurorisë ai i ka marrë në mënyrë që pacienti të favorizohej për radhën në spitalin Onkologjik.

Një tjetër bashkëpunëtore e Edmon Gashit, është edhe mjekja onkologe, Alketa Pere. Sipas organit të akuzës, pavarësisht se ajo rezulton e punësuar vetëm në spitalin Onkologjik, në disa raste ka firmosur në kartelat e pacientëve që shtroheshin në klinikën private të Edmond Gashit.  Për këtë gjetje, ajo është shprehur se ndihmonte mjekun Gashi dhe në këmbim ky i jepte një shumë prej një mijë lekësh. Lidhur me fletëdaljen nga spitali Onkologjik të një pacienteje e prekur me Tumor dhe që ishte dërguar në klinikën private “Megis”, sipas prokurorisë dosja e pacientes nuk është marrë nga spitali, por është paraqitur vetëm me një rekomandim të lëshuar nga Edmond Gashi që mban logon e Spitalit Onkologjik.

Ndërkohë sipas Prokurorisë specialistja, Drilona Kishta, ka bërë një ekspertizë, për sa i përket rrezatimit në spitalin Onkologjik nga materiali i Kobaltit që mbahej jashtë standardeve. Sipas hetimeve kjo ekspertizë është bërë gabim, dhe në shkurt të vitit 2022, nga një ekspertizë e dytë e bërë ka rezultuar se rrezatimi ka qenë i lartë. Pavarësisht se lënda e kobaltit që përdoret për radioterapi, ka një afat skadencë në 5 vite, nuk është përdorur në asnjë moment.  Ndërkohë në raport-ekspertize për lëndën e kobaltit, eshët kërkuar nge ambienti te përforcohet me beton, ndërkohë ky përforcim është realizuar me tulle gjë që ka ndikuar në rritjen e rrezatimit në spital.

Në një rast tjetër, prokuroria e Tiranës, ka faktuar se si barnat që janë vetëm për përdorim spitalor, shiteshin në 2 farmaci në Tiranë, Farmaci Flori dhe Farmaci VIP. Me një agjent të infiltruar, është bërë e mundur blerja në këto farmaci e medikamentit “Valmor”, për një shumë prej 1300 eurosh.

Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe detyrim paraqitje për Edmond Gashin, mjek onkolog; Emiljano Lelën, koordinator në Spitalin Onkologjik; Alketa Peren, mjeke onkologe; Brikena Qirjazi, ish-zv.drektoreshë e QSUT; Halil Gashin, administrator i klinikës private; Florian Marku; administrator i “Flori Farma”; Drilona Kishta, ish-specialiste në QSUT.

Gjithashtu është bërë sekuestrimi i klinikës mjekësore “Megis” dhe i është komunikuar që nuk duhet të ushtrojë aktivitetin deri në një moment të dytë.

Më 27 qershor, në Gjykatën Penale të Tiranës, mjekët e Onkologjikut u paraqitën për t’u njohur me masën e sigurisë, pasi akuzohen për shpërdorim detyre. Njëra prej mjekeve të Onkologjikut, Alketa Pere, e cila akuzohet se orientonte pacientët e sëmurë drejt klinikave private ka hedhur poshtë akuzat. Ajo theksoi se asnjëherë nuk ka orientuar pacientë të prekur nga kanceri drejt klinikave private. Mes tjerash, mjekja u përplas dhe me gazetarët, të cilët sipas saj kanë shtrembëruar fotot e saj dhe nuk kanë respektuar etikën.

Më tej, mjekja Pere theksoi se do vazhdojë të shkojë tek spitali Onkologjik duke pretenduar se nuk është e përfshirë në rastin konkret.

Alketa Pere: Nuk kam asnjë koment. Kurrë në jetën time se kam bërë këtë gjë, që pacienti me kancer të shkojë në privat. Duhet të trajtohet në onkologjik, duhet të hetohen spitalet private për aktivitetin që kryhet. Duhet ndryshim rrënjësor në Onkologjik. Sot kam ardhur të mbroj veten time, jam e pafajshme.  Duhet të ndryshojë struktura, pajisjet. Jam shumë e lumtur me prokurorin që e ka quajtur “rrugëtimi”. Duhet që çdo njeri në qelizë ta dijë rrugëtimin e pacientit neoplazik deri në fund. Në spitalin tonë s’ka shkelje, mund të jetë dikush që mund ti orientojë në spitale private. Por duhet të sqarohen mirë gjërat se kush ika drejtuar pacientët në privat. Unë përfaqësoj veten time. Në asnjë klinikë private unë nuk punoj. Më keni mërzitur ju gazetarët, më keni shtrembëruar gjitha. Nuk jam e shkarkuar. Do vazhdoj të shkoj, kush je ti ti ore? Ti nuk je askushi.

Ndërkohë, komenti i vetëm i mjekut Edmond Gashi, teksa hynte në Gjykatë me një hap të shpejtë, ishte: Unë bëj vetëm detyrën… Ndërsa në dalje askush nuk arriti t’i shkëpuste asnjë fjalë. Ai përfitoi nga fakti që ishte i pa shoqëruar dhe roja i sigurisë nuk gjendej aty dhe u largua me vrap nga dera e pasme e gjykatës. E teksa i duhej të qëndronte në shtëpi, ashtu sikuse edhe ishte masa e sigurisë së vendosur nga Gjykata, mjeku zgjodhi të drekonte. Kjo i kushtoi edhe një tjetër procedim penal, sërish në gjendje të lirë, për thyerje të masës së sigurisë.

Puna në spitalin Onkologjik vijon, por raporti mes mjekëve dhe pacientëve është dëmtuar. Publikimi i abuzimit të bluzave të bardha i ka bërë të sëmurët dhe familjarët e tyre mosbesues ndaj personelit shëndetësor.

Mjeku Ilir Alimehmeti i ftuar në “Real Story” tregoi se pacienti vuan pasojat më të mëdha dhe padyshim duhet mbrojtur.

Ilir Alimehmeti: Sa herë ndodhin situata të tilla krijohet një përplasje mes të sëmurëve që kanë hallin e vetë dhe stafit mjekësor. Kujdes, mjekësia bazohet në besim të dyfishtë, nëse nuk ka besim pacienti te mjeku dhe mjeku te pacienti, kush mendoni ju se do i vuaj pasojat më të mëdha? Pacienti. Edhe ne këtu jemi për të mbrojtur pacientin. Këto lloj situatash i kemi vënë re në shumë sëmundje të ndryshme. Ka një lloj acarimi dhe në fund indikatorët e performancës së pacientit përkeqësohen, nuk është se përmirësohen. Edhe si rrjedhojë, ditën e nesërme do të jetë më keq. Ne duhet të kuptojmë që nga na vjen kjo si burim.

Kur mungon një ilaç për një pacient me kancer, situata bëhet shqetësuese dhe mund të ketë pasojë të rënda për shëndetin e tij. Sfidat shtohen edhe më shumë, duke nisur me vonesën në trajtimin e sëmundjes. Rreziku i përkeqësimit të gjendjes shëndetësore shtohet e po ashtu edhe stresi e ankthi i pacientit e familjes së tij. Me tej kostot nisin të rriten, pacientët ose familjet e tyre mund të detyrohen të blejnë ilaçet me shpenzime të veta, duke shtuar një barrë financiare në një moment të vështirë. Kostoja e trajtimit të tumorit në Shqipëri varet në mënyrë të konsiderueshme nga lloji i tumorit, stadi i tij, dhe metodat e trajtimit që përdoren. Po ashtu, ajo ndryshon në varësi të trajtimit në sektorin publik ose privat të kujdesit shëndetësor. Një cikël radioterapie mund të kushtojë nga 100 mijë deri në 250 mijë lekë ose më shumë, në varësi të numrit të seancave. Ndërhyrjet kirurgjikale varet nga specifika dhe vendndodhja e tumorit, por kostoja fillon nga 150 mijë lekë ose më shumë. Terapia, që përfshin edhe ilaçet ka kosto të ndryshme, por disa ilaçe të reja dhe të avancuara mund të jenë shumë të shtrenjta.

Këto janë vetëm disa nga sfidat me të cilat përballet një i sëmurë me kancer. Dhe kur atyre u shtohen edhe pazaret e mjekëve, ashtu sikurse zbuloi hetimi i Prokurorisë së Tiranës, lufta me sëmundjen shpallet e humbur ende pa filluar. Ata që i shohin si shpresën e fundit për të jetuar edhe pak, në fakt u marrin edhe ditët e fundit që u kanë mbetur. Ata që kanë humbur të afërmit në betejat me kancerin, prej ditësh po përjetojnë edhe një herë dhimbjen dhe të gjitha peripecitë që kaluan në dyert e ferrit. E ata që vijojnë të luftojnë sot me këtë sëmundje, nisën të numërojnë ditët që u kanë mbetur.

Ashtu siç e thonë të gjithë, pasojat e humbjes së besimit i vuan vetëm pacienti, pasi puna në Onkologjik do të vazhdojë. Çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet, por përgjegjësia e atyre që e shkaktuan, ndëshkimi i tyre mund të jetë një dritë në fund të tunelit për të gjithë ata që luftojnë disa ditës me këtë sëmundje./abcnews.al