“Gjërat Tona”/ Të vritesh në sy të policëve, si u ekzekutua djali i ish-gjyqtarit

schedule20:35 - 24 Nëntor, 2024

schedule 20:35 - 24 Nëntor, 2024

Orët pas mesnatës në një fillim jave në Tiranë, zakonisht janë të qeta. Sidomos pasi ka ndodhur një krim i mëparshëm, që ka tronditur opinionin publik. Ashtu sikurse ishte vrasja me thikë e 14-vjeçarit Martin Cani, nga bashkëmoshatari i tij, të dy nxënës të shkollës “Fan Noli”.

Kur të gjithë ishin të shokuar nga krimi i rëndë i 18 nëntorit, në qendër të Tiranës, “mjegulla” që çorganizoi disi rendin, u përdor për një tjetër krim.

Pas një të hënë që shumë prej nesh e quajtëm tragjike, u duk se nata do të kalonte ashtu e qetë si në të hënat e zakonshme. Me rrugë thuajse të boshatisura, kur herë pas here shquhen fenelinat e Policisë e ndonjë sirenë ambulance.

Nga kryqëzimi i “Oxhakut”, në Tiranë, ku ndodhi ngjarja e deri tek vendi ku u dogj makina, na ndodh që të ndeshemi me të paktën 3 pika kontrolli të Policisë. Por në fakt nuk ndodhi kështu. Madje as ato postblloqe që shohim në netët e zakonshme, atë mbrëmje nuk ishin të pozicionuara. Ose të paktën nuk arritën dot të ndalonin makinën e atentatorëve që përshkoi 9 kilometra, duke u gjetur e djegur tërësisht pranë liqenit të Farkës.

Pesë të shtëna “të mbytura” për shkak të silenciatorit, i morën jetën një 28-vjeçari. Viktima është Klaudio Prendi. Ai është djali i një gjyqtari. E si i tillë, shoqëria për të mbase priste të shkonte në hapat e të atit, apo të ishte në mesin e ajkës së intelektualëve të shoqërisë. Por kjo duket se nuk ishte e thënë.

Mes një të shkuare me dritëhije dhe karrierës së babait të tij, ish-gjyqtarit Fran Prendi, 28-vjeçari u ekzekutua në një atentat tipik mafioz pak pas mesnate, kur sa kishte hyrë e marta e 19 nëntorit.

Pikëpyetjet janë të shumta. Ndërsa pistat hetimore janë të gjitha të hapura. Grupi hetimor po gërmon sa në jetën e të riut, ashtu edhe në detyrën që kishte pasur i atij si gjyqtar, deri 4 vite më parë që u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë.

Policia dhe Prokuroria nuk përjashtojnë asnjë mundësi, qoftë vetë problemet që mund të ketë pasur vetë Klaudio Prendi, apo edhe vendimet që mund të ketë dhënë babai i tij gjatë gjithë karrierës si gjyqtar.

Por si ndodhi ngjarja?

Klaudio Prendi, apo siç njihej ndryshe me emrin Klajdi, deri pak para mesnate ka qenë në shoqërinë e disa miqve të tij, në një bar në rrugën “Xhanfize Keko”, pranë kryqëzimit të “Oxhakut”, në Tiranë. Makinën e tij, një “Mercedez G Class”, e kishte parkuar para lokalit, aty ku ndodhet stacioni i urbanit të Porcelanit. Pasi është ndarë nga miqtë, ka dalë i vetëm nga lokali dhe është drejtuar për të hipur në makinë. Pikërisht në këtë moment ai është qëlluar 5 herë me një armë me silenciator. Atentatorët kanë qëlluar nga një automjet “Audi A4”, me targa greke të mbivendosura që vinte nga “Fresku” në drejtim të kryqëzimit ku ndodhi ngjarja.

I plagosur rëndë, me një plumb në kokë dhe një në gjoks, 28-vjeçari me origjinë nga Puka, është futur në mjetin e tij nga miqtë që kanë dalë nga lokali dhe e kanë transportuar drejt Spitalit të Traumës. Aty mjekët kanë bërë gjithçka, por për Klaudion nuk mund të bëhej më asgjë. Zemra e tij pushoi së rrahuri, në kohën që makina e atentatorëve po shkrumbohej nga flakët pranë liqenit të Farkës. Aty ku ata shkuan të pa shqetësuar dhe zhdukën çdo provë, bashkë me gjurmët e tyre.

Zona ku ndodhi krimi është me shumë biznese private, lokale e dyqane që janë të pajisura me sisteme kamerash sigurie, të cilat tashmë janë sekuestruar dhe po analizohen nga grupi hetimor. Në një prej kamerave, të vendosura në një biznes përballë vendngjarjes, duket qartë momenti i vrasjes. Në pamje shquhet makina e atentatorëve, që ka qenë në pritje për disa minuta. Siç duket autorët kanë pasur informacion për vendndodhjen e viktimës dhe e kanë pritur derisa ai ka dalë nga lokali. Në momentin që Klaudio Prendi del dhe hipën në makinë, automjeti “Audi A4”, siç shihet në pamjet e filmuara nga kamerat, vjen nga përballë viktimës dhe i afrohet paralel. Më pas njëri nga autorët, që ndodhet në sediljen e pasme të mjetit, qëllon të paktën 7 herë pa zbritur nga makina. Më pas “Audi” largohet me shpejtësi në drejtim të kryqëzimit që njihet si “Varri i Bamit”. Nga aty mendohet se më pas ka vijuar majtas dhe ka dalë në Unazën e Re, duke udhëtuar drejt liqenit të Farkës, ku edhe ku u gjet e djegur, bashkë me pistoletën me silenciator që u përdor për vrasjen. E siç ndodhë në vrasje të kësaj natyre, në vendin ku digjet makina, është patjetër dikush tjetër që i pret me një tjetër mjet, që i ndihmon autorët për t’u larguar.

Ndërkohë, në pamjet e kamerave të sigurisë duken edhe disa persona që i shkojnë në ndihmë Klaudio Prendit dhe me makinën e tij nisen drejt spitalit. Policia i ka identifikuar këta persona dhe u ka marrë deklarim në lidhje me ngjarjen, por pa arritur të mësojë diçka në lidhje me atentatorët. Ndërsa mësohet se në lidhje me këtë vrasje, ka nisur një verifikim edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nisur nga fakti se aty kanë qenë të pranishëm edhe 3 oficerë Policie.

Nuk është sqaruar ende nëse të tre oficerët kanë qenë në tavolinë me viktimën para se të ndodhte vrasja, apo thjeshtë ndodheshin në të njëjtat ambiente me ta. Megjithëse, persona të ndryshëm që janë marrë në pyetje, kanë dëshmuar se viktima ka qenë me 3 persona në tavolinë para se të dilte jashtë dhe se dyshohet që bëhet fjalë pikërisht për punonjësit e Policisë.

Vetë efektivët kanë dhënë dëshmitë e tyre për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policorë, duke treguar se e kanë takuar Klaudio Prendin, por takimi ka qenë i rastësishëm.

Si provë e këtij krimi të rëndë, përveç pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, janë administruar edhe makina e viktimës dhe e atentatorëve, ndonëse e djegur, si dhe pistoleta e kalibrit 9 milimetra me silenciator. Tashmë këto janë në duart e ekspertëve që po i analizojnë për të zbuluar sa më shumë elementë të vlefshëm për hetimin. Automjeti ku u qëllua Klaudio Prendi, një “Mercedes Benz G Class”, rezulton në emrin e një vajze 26-vjeçare, E. Cani dhe nga verifikimi në sistemin E-Gjoba, nuk figuron të ketë masa administrative.

Por pasi ndodh një vrasje dhe Policia mëson dinamikën e mënyrën se si ka ndodhur, vëmendja shkon tek motivet e krimit. E për të zbuluar motivet, fillimisht puna përqendrohet tek viktima, familja dhe rrethi i tij i ngushtë shoqëror.

Vetë identiteti i viktimës, duket se nuk u ka dhënë shumë detaje oficerëve të grupit hetimor. Përveç një incidenti të ndodhur më 6 maj të vitit 2023, kur ai u shpall në kërkim me dyshimet se qëlloi me armë nga një automjet “Maserati” ditën e zgjedhjeve vendore, në skedarët e Policisë së Shtetit, nuk kishte precedentë të tjerë të tij.

Njoftimi i Policisë

6 maj 2023. Qëlloi në mesnatë, me armë zjarri në ajër nga automjeti, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin. Vijon puna intensive për kapjen e 26-vjeçarit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, me marrjen e njoftimit, në mesnatë, rreth orës 00:20, se në dalje të qytetit të Pukës, në aksin rrugor Pukë – Fushë-Arrëz, ishin dëgjuar të shtëna me armë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë organizuar punën. Falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit, i cili ka qëlluar me armë zjarri, në ajër. Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të policisë bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje dhe shpallja në kërkim e shtetasit Klaudio Prendi, 26 vjeç, banues në Tiranë.  Vijon puna intensive për kapjen e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore. Gjithashtu u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim dhe e automjetit, nga i cili ky shtetas ka qëlluar në ajër, duke qenë në lëvizje. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Në fakt ky ishte njoftimi i vetëm që u dha për incidentin e ndodhur në Pukë, ku protagonist ishte Klaudio Prendi, por më vonë nuk u mësua asgjë se çfarë ndodhi. Por ajo që tashmë dihet me siguri, është fakti që 28-vjeçari nuk ishte më në kërkim për këtë ngjarje. Siç rezulton nga verifikimet e Policisë, nuk rezulton të këtë as ndonjë precedentë tjetër penal.

Burime të grupi hetimor thonë se kanë të hapur çdo pistë, edhe disa të dhëna që kanë siguruar në rrugë operative për aktivitetet e fundit që ka dyshime se kryente 28-vjeçari.

Ndonëse nuk është e konfirmuar zyrtarisht, hetimi ka përfshirë edhe disa dëshmi që flisnin për administrimin nga ana e Klaudio Prendit të një website bastesh sportive. Dëshmitë që po verifikohen nga grupi hetimor, flasin dhe për një konflikt të lindur mes tij dhe disa të afërm të klanit Duka në Tiranë, për shkak të këtij aktiviteti të paligjshëm. Sipas tyre bëhet fjalë për në shumë prej ofro 15 mijë eurosh që këta persona kishin fituar përmes basteve sportive dhe nuk i kishin marrë. Nisur nga këto të dhëna, Policia ka marrë në pyetje personat e dyshuar, por ata kanë mohuar të kenë pasur konflikt me 28-vjeçarin.

Pista kryesore ku janë shtrirë hetimet e Policisë së Shtetit për vrasjen e Klaudio Prendit është një konflikt që ai ka pasur për një borxh. Ky konflikt ka ndodhur në Tiranë rreth një muaj më parë.  Grupi hetimor dyshon se porositësit e vrasjes jetojnë jashtë vendit, nga ku është organizuar dhe porositur vrasja.  Ka dyshime se baza e këtij grupi është në Greqi, në këtë shtet dyshohet se është organizuar edhe vrasja e Klaudio Prendit. Ndërkohë ka dyshime se edhe grupi i qitësve mund të jetë nga ky shtet, me të cilin po punohet për gjetjen edhe të personave që kanë vjedhur targat greke dhe që iu vendosën Audit që u përdor në krim.

VIKTIMA, DJALI I  ISH-GJYQTARIT FRAN PRENDI

Si një prej pistave që aktualisht po hetohet me përparësi nga ana e grupit hetimor, është edhe ajo që lidhet me babanë e viktimës. Klaudio Prendi, është djali Fran Prendit, një ish-gjyqtar i Krimeve të Rënda, që u tërhoq nga sistemi i drejtësisë, para se të niste procesi i vetingut për të.

Fran Prendi e nisi karrierën në gjykatën e Pukës në vitin 1995. Në vitin 2006, u transferua në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe për një periudhë shumë të shkurtër kohore ka qenë edhe gjyqtar në Gjykatën e Posaçme.

Ai paraqiti dorëheqjen para Këshillit të Lartë Gjyqësor, më 30 tetor të vitit 2020 dhe që nga ai moment nuk është më pjesë e sistemit të drejtësisë.

Letra e dorëheqjes

Kam paraqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor. KLGJ-ja më ka informuar për vendimin e datës 28 tetor 2020 për “Deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit” për shkak të dorëheqjes time. Në këto kushte, që nga data e sotme (30 tetor 2020) nuk kam më statusin e magjistratit. Deklaroj se nuk dua të ushtroj të drejtën për t’u dëgjuar në seancën dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Kërkoj ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për mua, subjektin e rivlerësimit Fran Prendi, gjyqtar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në këto kushte, trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, mbështetur në nenin G të aneksit të Kushtetutës, si dhe nenin 57 të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, vendosi:

Vendimi i KPK

Të deklarojë se procesi i rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, Fran Prendi është ndërprerë. Të deklarojë humbjen e së drejtës për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Pra, prej datës 30 tetor të vitit 2020, Fran Prendi, i cili prej disa muajsh ishte gjyqtar i Gjykatës së Posaçme, është larguar nga detyra dhe ka humbur statusin e magjistratit.

Prendi ka qenë gjyqtari në seancën paraprake për shqyrtimin e “Dosjes 339”, me 12 të pandehur, të akuzuar për krijim të grupit kriminal dhe prodhim dhe shitje narkotikësh në bashkëpunim.

Ndër vendimet e bujshme që mbajnë emrin e Prendit është edhe dënimi për grupin e Emiljano Shullazit, në total me 55 vite burg. Ai ishte pjesë e trupës gjykuese që vendosi burg përjetë për Salvatore Lettizia, një anëtar i Camorras italiane, për masakrën me tre viktima në bulevardin “Zogu I” në vitin 2015.

Grupi hetimor, po verifikon të gjitha vendimet që ka dhënë si gjyqtar Fran Prendi, duke mos e përjashtuar as detyrën e tij të dikurshme me vrasjen e të birit, Klaudio Prendi.

Ky vendim i Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku kryesues i trupës gjykuese ishte Fran Prendi, u shpall më 13 nëntor të vitit 2018. Të pandehurit nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, por u përfaqësuan me avokatët e tyre. Vendimi u apelua dhe pas shumë seancash që shtyheshin dhe që u shoqëruan me debate, vetëm më 3 dhjetor 2021 u arrit të merrej verdikti final, që la në fuqi të njëjtat masa dënimi të dhëna nga Shkalla e Parë.

Procesi ndaj Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij i nisur në dhjetor të vitit 2018 në Apel, ka pasur një zvarritje të pa shembullt, ku janë shtyrë mbi 40 seanca. Grupi ishte shpallur fajtor për veprat penale “Krijim i grupit të strukturat kriminal”, “Gjobëvënie” dhe “Kanosje për shkak të detyrës”. Një javë para vendimit të Apelit, procesi i zhvilluar për Emiljano Shullazin, Gilmando Danin, Endrit Qyqen, Endrit Zelën dhe Blerim Shullazin u shoqërua me debate. Tri vite pasi ata u shpallën fajtorë, vetëm më 24 nëntor 2021 u arrit të zhvillohej seanca në Shkallën e Dytë.

Fillimisht ishte Emiljano Shullazi, i cili e nisi me prokurorin Altin Dumani, të cilit iu drejtua me pyetjen: “Pse, ne duam të rrimë në burg sipas teje?”. Më pas ndërhyri gjyqtarja Miliana Muça, e cila pas kërkesës, i dha fjalën të pandehurit Emiljano Shullazi. Situata ka qenë disi e tensionuar gjatë seancës, ku Shullazi i ka kërkuar Gjykatës që marrë parasysh listën me 100 avokatë kryesisht.

Emiljano Shullazi

Po pse ne duam të rrimë në burg sipas teje!? Kërkoj fjalën.. (ndërhyn gjyqtarja që i jep fjalën Emiljano Shullazit). Prokurori citoi procesverbalin e datës 7, por ne mund të themi çfarë të duam. Ju penguam gjë ne që të mos vini në punë, ne detyrë? Në s’ju kemi pengu. Unë s’jam dakord me ju. Unë ta kam thënë edhe një herë dhe ta them edhe një herë, ta dëgjojnë edhe vëzhguesit që janë këtu. Kur ti jep dorëheqjen, ore kur jep gjyqtari dorëheqjen, se nuk mund të gjykoj unë, t’ja fus murit me kokë unë eee, kur gjyqtari thotë se s’mund të gjykoj? Kuptohet dorëheqja jote. Unë do të marr vendim, si do thuash ti, është i padrejtë? Është i pavërtetë Ylvi Beqja, kur ti në vendim konfiskimi kë thënë që e ke bllokuar këtë pronë se ia kam marrë me zor Ylvi Beqjas? Unë kam prova të reja që do i nxjerr para avokatit, si të mi prishësh ti mua ato prova? Se ti çfarë vendimi do marrësh, nuk ke si të marrësh, me datë 1 mora atë vendim, me datë 6 të marrësh vendim tjetër… Pastaj, ku u njoh me dosjen Gjykata? Më datë 6 more emërimin në apel, më datë 7 erdhe ke ne??

Nisur nga rrezikshmëria e këtij grupi kriminal, por edhe debatet e vazhdueshme që kanë ndodhur në sallën e gjyqit, ky vendim, i shpallur fillimisht nga Fran Prendi, po verifikohet me përparësi nga grupi hetimor. Megjithatë, jo më pak të rëndësishme janë çështjet e tjera që ai ka gjykuar e ka marrë vendime.

Një tjetër vendim i rëndësishëm që po verifikohet nga grupi hetimor, është ai i datës 10 tetor 2018, kur Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë dënimet për autorët e masakrës te Bulevardi “Zogu I”, ku mbetën të vrarë në një atentat tre persona, Besnik Sulku, Mentor Lufi dhe Gert Goxhaj. Ngjarja ka ndodhur në 27 maj 2015, ditën kur kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç vizitoi Tiranën. Por pavarësisht masave të rrepta të sigurisë, kjo nuk pengoi që në Tiranë të derdhej gjak nga përplasja mes bandave.

Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit Përparim Kulluri dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm italianin Salvatore Letizzia, nga Napoli, i cilësuar vrasës me pagesë, i cili njihet edhe si pjesë e organizatës mafioze italiane, Camorra. Ndërsa për dy vëllezërit Markeljan dhe Klejvi Doçi gjykata ka dhënë respektivisht 27 dhe 20 vite burg. Italiani Leticia ishte punësuar nga Besnik Sulku për të ekzekutuar Mentor Doçin, të cilin e akuzonte si përgjegjës për vrasjen e të vëllait, Durim Sulku, në Holandë.

Më 27 maj të vitit 2015, tre persona mbetën të vrarë gjatë një përplasje me armë zjarri që ndodhi shumë afër qendrës së Tiranës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:20, në Bulevardin “Zogu i Parë”, në hapësirën mes maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Viktimat ishin shtetasit, Mentor Lufi, 39 vjeç, shoku i tij, Gerti Goxhaj, 33 vjeç dhe Besnik Sulku, 34 vjeç, i cili ishte njëri prej atentatorëve. Burimet thanë në atë kohë se objekti i këtij atentati ishte shtetasi Mentor Lufi. Policia ndaloi 3 persona, dy nipat e Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, që dyshohet se janë kundërpërgjigjur me armë pasi është qëlluar xhaxhai i tyre dhe shtetasi italian Salvatore Lettizia, i cili shoqërohej me atentatorin Besnik Sulku, i cili po ashtu mbeti i vrarë.

Sipas veprimeve të para që grupi hetimor ka kryer në vendin e ngjarjes, rezultoi se dy grupe personash, me precedentë të mëparshëm  penal kanë pasur shkëmbim zjarri mes njëri-tjetrit. Mentor Lufi së bashku Gerti Goxhaj kanë qenë të ulur në një kafe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Jashtë lokalit kanë qenë duke pritur dy nipat e Mentor Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, brenda një makine tip “Tuareg” që qëndronte e parkuar. Pasi kanë dalë nga kafja, Mentor Lufi ka hipur në mjetin tip “BMW” si pasagjer dhe drejtues mjeti ka qenë Gerti Goxhaj. Ndërkohë pas tyre vinte mjeti tip “Touareg”, me të cilin udhëtonin dy nipat e Lufit. Në momentin kur mjeti tip “BMW” ka filluar lëvizjen, në këmbë kanë qenë dy shtetas, të cilët kanë hapur zjarr duke  qëlluar me pistoleta në drejtim të dy shtetasve që udhëtonin në këtë makinë. Burimet zyrtare të Policisë thanë se në këtë kohë janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dy nipat e Mentor Lufit, duke goditur me mjet një nga autorët e dyshuar, shtetasin italian Salvatore Letticia e më pas edhe Besnik Sulkun, i cili hapi zjarr i pari ndaj xhaxhait dhe mikut të tij.

Gerti Goxhaj, një prej 3 viktimave rezultoi se ishte vrarë gabimisht. Krimet e Rënda kanë nxjerrë këtë përfundim, pas ekspertizës së kryer mbi trupat e viktimave. Rezulton se Besnik Sulku dhe italiani Salvatore Leticia kishin si shënjestër Mentor Lufin, i cili dyshohej se urdhëroi vrasjen në Holandë të Durim Sulkut. Ekspertiza zbuloi se plumbat që u qëlluan mbi Lufin përfunduan mbi trupin e Gerti Goxhajt, nga Tirana.

Për drejtësinë italiane emri i Salvatore Leticia-s është mjaft i njohur. Përveç dy rasteve ku ai ka pasur përballje direkte me Policinë napolitane, një herë si i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe herën tjetër si i plagosur, kur ndodhi vrasja ne Tiranë ndaj tij ende nuk ishin mbyllur hetimet për pjesëmarrje në organizata mafioze. Leticia konsiderohet si kapo i një prej klaneve mafioze të Camorra-s, që njihet me emrin Piccolo-Leticia. Gjithashtu ai është nipi i Armando Leticia, i arrestuar me bujë në Napoli në vitin 2009, si një prej urdhëruesve kryesorë të vrasjeve për llogari të Camorra-s dhe pjesë e një prej familjeve më të mëdha mafioze. Në vitin 2001, ditën e Shën Valentinit, ai është plagosur në këmbë, gjatë një shkëmbimi zjarri me automatik, ku mbeti i vrarë në derën e shtëpisë shoku i tij Ferdinando Latino. Kjo ngjarje ndodhi gjatë një përleshje të armatosur mes dy klaneve të Camorra-s, klanit Piccolo-Leticia dhe atij Belfore. Policia italiane arrestoi për këtë ngjarje 10 persona, ndërsa Salvatore Leticia arriti t’u shpëtonte prangave. Por 6 vjet më vonë, nuk e pati këtë fat. Më 21 janar të vitit 2007, ai u arrestua në një zonë industriale të Napolit, bashkë me mikun e tij Giovanni Timbone, pasi u kapën me pistoleta që ua kishin fshirë numrat serialë. Ata u ndaluan nga grupi i Antimafias dhe në momentin e arrestimit Leticia mbante veshur një jelek antiplumb. Mediat italiane kanë shkruar disa herë rreth bëmave të tij, duke e konsideruar si një person mjaft të rrezikshëm, vrasës gjakftohtë dhe shumë të fuqishëm, i mbështetur nga klani kamorrist që ai drejtonte. Megjithatë, atë që nuk arriti ta bënte drejtësia italiane, e bëri drejtësia shqiptare, duke e mbyllur në qeli përjetësisht.

Për disa orë rresht, që nga arrestimi në hotelin pranë Rrugës së Barrikadave, shtetasi italian Salvatore Leticia, nuk ka pranuar të ketë qenë i përfshirë në krimin e trefishtë që ndodhi në Bulevardin “Zogu i Parë”. Megjithëse Policia kishte arritur të gjente disa prova që e lidhnin atë me ngjarjen, Leticia, në atë kohë 33 vjeç, vazhdonte ta mohonte, madje duke sajuar edhe alibi, që në fakt rrëzoheshin lehtësisht. Ndonëse nuk e ka shpjeguar në asnjë moment faktin se përse mbante në portofol një fotografi të Mentor Lufit, ai është munduar të shpjegojë pse kishte plagë dhe ishte i gjakosur në fytyrë. Madje pretendoi se ishte gjendur rastësisht aty ky pati shkëmbim zjarri dhe se ishte duke kaluar në rrugë kur u përplas nga një makinë e bardhë. Me gjithë tentativën për t’i ndryshuar ngjyrën “Tuaregut” të zi, me të cilin e përplasi nipi i Mentor Lufit, fotografia në portofol e nxirrte vazhdimisht zbuluar. Edhe pasi i janë gjetur faktorë plotësues në duar, ai sërish mohonte autorësinë, derisa u gjet pistoleta që ai kishte fshehur pas një kazani plehrash te Rruga e Barrikadave. Por ato që e kryqëzuan dhe e bindën të flasë, ishin kamerat e sigurisë së një kazinoje pranë vendngjarjes, që kishin filmuar gjithçka.

Policia ndërkohë kishte provuar prezencën e tij në Tiranë në dy raste. Sipas burimeve nga Policia Kufitare, Salvatore Leticia ka mbërritur në Tiranë më 26 maj 2015. Ai ka zbritur në Aeroportin e Rinasit, pasi kishte udhëtuar me avionin e nisur nga Roma në orën 11:23 minuta. Sapo ka mbërritur në kryeqytet, ai është takuar me Bensik Sulkun, i cili e kishte paguar për të vrarë shtetasin Mentor Lufi. Ndërsa në dëshminë e tij, të dhënë para oficerëve të Policisë, Leticia ka pohuar se ka qëndruar në shtëpinë e Sulkut, që sipas tij ndodhet pranë disa varrezave. Por burimet thonë se Sulku mund ta ketë strehuar shtetasin italian në ndonjë banesë të marrë me qira, pasi në të vërtetë shtëpia e tij ndodhet në afërsi të Rrugës së Durrësit. Zyrtarisht kjo ishte vizita e tretë që Leticia i bënte Shqipërisë, pasi kishte ardhur më parë edhe në vitin 2009 nga Brukseli në Rinas dhe një herë tjetër është futur në territorin tonë pa u regjistruar në sistem. Dyshohet se mund të ketë kaluar në pikën e kalimit kufitar me Kosovën. Megjithatë burimet tregonin se prezenca e tij ishte verifikuar edhe gjatë muajit prill.

Një tjetër vendim i rëndësishëm që është dhënë nga gjyqtari Fran Prendi, është ai për autorët e vrasjes së komisarit të Matit Musa Skura, ngjarje e ndodhur më 14 janar të vitit 2013.

Më 13 qershor 2014, pas 32 senacave trupa gjykuese e Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku kryesues ishte Fran Prendi dha 110 vite burg për tre të akuzuarit për vrasjen e shefit të krimeve të komisariatit të Matit. Gjykata caktoi burg përjetë për Fitim Allën i akuzuar si autori kryesor i ngjarjes, 6 vjet për Vilson Milkurtin dhe 4 vite për Edison Lleshin. E teksa të ndarë në të majtë e të djathtë të sallës ku jepej vendimi kanë qëndruar familjarët e 3 të rinjve që u dënuan dhe familjarët e ish-shefit të Krimeve të Burrelit, nuk kanë munguar as masat e rrepta të sigurisë ku mbi 10 oficerë policie qëndruan në sallë për të shmangur ndonjë konfrontim mes palëve.

Por verdikti i gjykatës është kontestuar nga familjarët e të dënuarve, duke deklaruar se drejtësia nuk ka marrë për bazë të vërtetën, ndaj dhe ata kërkonin zhvarrosjen e Musa Skurës, pasi në trupin e tij sipas tyre janë 3 plagë me armë zjarri.

Gjatë një aksioni të datës 14 janar 2023, vëzhgimi i terrenit për të pasur situatën nën kontroll, por edhe një ndryshim plani i autorëve që po dyshonin për ndonjë kurth të mundshëm nga ana e personit që do u shisnin armët, solli përplasje me shefin e krimeve të Burrelit. Ne tentativë për t’i hequr automatikun nga dora, autorit Fitim Alla, pas thirrjes “Ndal Policia!”, mes komisarit Musa Skura dhe 19-vjeçarit Alla pati një përleshje, derisa autori tërhoqi këmbëzën dhe goditi shefin e krimeve. Ky ka qenë momenti i përplasjes mes Policisë dhe autorëve që po tregtonin armë e municion në fshatin Suç të Burrelit, ku mbeti i plagosur rëndë shefi i krimeve Skura. Ai ndërroi jetë disa ditë më vonë në një spital në Itali, ku ishte dërguar për një trajtim mjekësor më të specializuar. Plani operacional ka qenë i detajuar mjaft mirë dhe në aksion morën pjesë 15 forca të Policisë së Burrelit. Gjithçka kishte nisur të programohej menjëherë pas marrjes së informacionit, tri ditë para ngjarjes, se një grup personash do të tregtonin armë zjarri dhe municion luftarak. Pas hedhjes në sistem të këtij informacioni, nisën hetimet për të zbuluar sa më shumë të dhëna rreth grupi që i shisnin armët, personave që do i blinin, vendit të shkëmbimit dhe detaje të tjera. Të gjitha të dhënat u siguruan në rrugë operative dhe situata dukej nën kontroll pavarësisht orarit, që dukej se ishte disi e papërshtatshme për shkak të errësirës, si dhe terreni i vështirë. Nga ana tjetër edhe një dyshim i autorëve të ngjarjes, se mos personi që do blinte municionin, Riza Braçi, që do udhëtonte me furgon drejt tyre, do i fuste në kurth, për t’u marrë armët pa u dhënë paratë, i kishte bërë ata që të shpërndaheshin. Gjatë marrjes në pyetje, dy prej autorëve Fitim Alla dhe Vilson Milkurti shpjeguan se për shkak të këtij dyshimi, ata ishin zhvendosur nga vendi ku ishin pozicionua dhe aty kishin lënë bashkë me armët personin e tretë, Edison Lleshin. Ata shkëputen nga vendi ku do bëhej shkëmbimi dhe dalin tek kodrina ku ndodhi ngjarja, për të pasur nën vëzhgim furgnonin, nëse personi që po prisnin ishte vetëm apo me të tjerë. Por në këtë moment janë përballur drejtpërdrejt me shefin e krimeve dhe efektivin që e shoqëronte. Pas përleshjes mes komisarit Skura që tentonte t’i hiqte armën nga dora autorit Fitim Alla, ky i fundit  ka shkrepur. Më pas ka lëshuar automatikun në tokë dhe ka nxituar që të largohet bashkë me autorin tjetër Vilson Milkurti. Efektivi që ndodhej me shefin i është vënë pas Fitim Allës, duke e arrestuar pak minuta më pas. Ndërkohë të alarmuar nga krisma dhe thirrjet për ndihmë të shefit Skura, forcat e tjerë operacionale kanë nisur të veprojnë. Autori tjetër, Melkurti është arrestuar nga shefi i Komisariatit të Burrelit. Disa orë më vonë, është vënë në pranga edhe bashkautori i tretë, Edison Lleshi.

Këto janë vetëm disa nga vendimet më të rëndësishme që Fran Prendi si kryesues ka dhënë gjatë kohës që ishte gjyqtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda. Por gjatë karrierës së tij si gjyqtar, ai ka qenë anëtar e kryesues në dhjetëra dosje të tjera. Megjithëse vendimet përjetë duket se janë ato që rëndojnë më shumë dhe që po shikohen me përparësi nga grupi që po heton vrasjen e djalit të tij, Klaudoi Prendi.

E ashtu siç e thamë edhe në nisje të këtij emisioni, mes një të shkuare me dritëhije dhe karrierës së babait të tij, grupi hetimor nuk përjashton asnjë pistë për vrasjen e Klaudio Prendit.

Dëshmia e ish-gjyqtarit, ndonëse pak gjasa ka që të ketë dijeni për ndonjë problem të mundshëm të të birit, shihet me interes nga Policia. Si një njeri që ka vendosur drejtësi për vite me radhë, tashmë ai është i pari që pret drejtësi edhe për djalin e tij.

Koha ka treguar se ngjarje të tilla vështirë të zbardhen lehtë. Megjithëse Klaudio u ekzekutua para policëve me të cilët po qëndronte në bar para ngjarjes, asnjëri prej tyre nuk pati mundësi të reagojë. Por asgjë nuk është e pamundur. Edhe pse duket si një krim i mirëmenduar dhe i mirëorganizuar, edhe vrasësit më perfekt ndodh që bëjnë ndonjë gabim. Se sa do të këtë mundësi Policia për t’i zbuluar këto gabime, kjo mbetet për t’u parë në vazhdim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!