Gjërat Tona/ Të fshehtat e drejtësisë për Laert Haxhiun, pasojat e mosndëshkimit

schedule20:53 - 9 Shkurt, 2025

schedule 20:53 - 9 Shkurt, 2025

Deri ditën kur u arrestua në Janinë, më 23 maj të vitit 2023, ai ishte një nga 5 më të kërkuarit e Policisë shqiptare. Emri i tij u vendos në këtë listë në vitin 2017, bashkë me 4 personazhe të tjerë, të një rrezikshmërie të lartë.

E ndonëse informacionet që vinin për të tjerët, tregonin se ishin larguar nga Shqipëria, për të kishte pasur gjithmonë të dhëna se lëvizte lirshëm brenda territorit të vendit, por asnjëherë nuk kapej. Edhe pse denoncimet nga qytetarët nuk kishin munguar.

Ky është Laert Haxhiu, sot 32 vjeç, por me një cv të pasur kriminale. Akuzohet, është dënuar e është në gjykim për dhjetëra krime të rënda, duke filluar nga grabitjet, droga e vrasjet. Ndërsa pak pasi u arrestua në Greqi dolën në skenë edhe krime të tjera të kryera me porosi e të organizuara prej tij. Këto i rrëfeu bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani. 40-vjeçari që u arrestua në një hotel në Lushnjë, mbrëmjen e 23 shtatorit të vitit 2023 dhe u kthye në të penduar, duke treguar vrasje e tentativa vrasjesh. Të gjitha të organizuara nga Laert Haxhiu.

Ai ishte vetëm 5 vjeç kur në Lushnjë nisën të ndodhin vrasje e masakra. Në shtëpinë e tij flitej vazhdimisht për krime, për të vrarë. Ishte data 2 korrik e vitit 1997, kur ndodhi edhe përplasja e madhe mes Aldo Bares dhe Artur Dajës. Pasojat e kësaj përplasje vijuan për vite me radhë. Aldo Bare në atë kohë krijoi “Bandën e Lushnjës”, që të hakmerrej për vrasjen e të vëllait, Ramadan Shkurti. Bashkë me anëtarët e bandës, vrau Artur Dajën dhe këdo që pati lidhje me të. E mes tyre ishte edhe nipi i familjes Haxhiu, kushëriri i Laertit.

Laert Haxhiu kaloi një fëmijëri të tillë, duke u rritur me frymën e hakmarrjes. E të tillë e pati fëmijërinë edhe miku i tij, bashkëpunëtor në disa krime, Orges Bilbili. Edhe atij, banda e Lushnjës i vrau xhaxhain, Luan Bilbilin.

Me shumë gjasë, Laert Haxhiu, e nisi karrierën e tij me vrasjet, i brumosur nga ndjenja e hakmarrjes pa shkuar ende 18 vjeç, duke u arrestuar për ekzekutimin e Gerti Lalën, i njohur me nofkën “Iriqi”, në korrik të vitit 2010.

Ish-anëtari i bandës së Lushnjës, drejtuar nga Aldo Bare, u vra me 4 plumba dhe disa goditje me thikë në derën e shtëpisë së tij, mbrëmjen e ngrohtë të 8 korrikut, para shtëpisë së tij, në lagjen “Skënder Libohova”. Bashkë me Orgest Bilbilin, ky i fundit në atë kohë 20 vjeç, u arrestuan dhe gjykuan për vrasjen, duke marr pafajësi nga Shkalla e Parë dhe e Dytë e Gjykatës së Vlorës.

Por sot, pas 15 vitesh, për drejtësinë, të dy ata mbeten të dyshuarit kryesor të asaj ngjarje, që shënonte nisjen e asaj që SPAK, sot e quan sagën e hakmarrjes kundër krimeve që Banda e Lushnjës kreu në vitet ‘90 në qytetin e vogël.

Mbi 10 vite proces gjyqësor, ende drejtësia nuk i ka rënë çekiçit në mënyrë bindëse për këtë çështje dhe me gjasë, mund të jetë përgjegjëse për lënien të lirë, të dy njerëzve që nga viti 2017 deri në 2023, u kthyen nga më të kërkuarit e Policisë së Shtetit.

Në 16 janar 2025, Gjykata e Lartë, prishi vendimin e dhënë në korrik 2019 nga Gjykata e Apelit Vlorë, që konfirmonte vendimet e dhëna për pafajësinë e Haxhiut dhe Bilbilit. Ajo i kërkon Apelit të Përgjithshëm të rigjykoj edhe njëherë këtë çështje.

Por kjo është hera e dytë që Gjykata e Lartë, kontrollori i vendimeve te sistemit, kthen pas vendimmarrjet për këtë dosje. Njësoj veproi edhe në vitin 2018, kur në vendimin e saj, nuk kritikonte anën procedurale, por u tërhiqte veshin gjyqtarëve të Apelit se kishin shqyrtuar dhe interpretuar vetëm provat e sjella nga mbrojtja, duke anashkaluar provat e sjella nga Prokuroria.

“Gjërat Tona”, do të hedh dritë për herë të parë dhe ekskluzivisht mbi këtë proces, fati i të cilit mund të evitonte atë çfarë pasoi me rritjen e Leart Haxhiut dhe Orgest Bilbilit, të kthyer në dy nga njerëzit më të rrezikshëm të botës së krimit.

Vrasja e “Iriqit”, hakmarrje ndaj bandës së Aldo Bares

Më datë 8 korrik 2010, rreth orës 22:45 është bërë njoftim të salla e Drejtim Komandimit pranë Komisariatit te Policisë Lushnjë se, në lagjen “Skënder Libohova” të qyteti të Lushnjës, nga persona të paidentifikuar është vrarë me armë zjarri dhe sende të forta shtetasi Gerti Lala.

Vrasja e tij ka ndodhur përpara hyrjes së pallatit ku banonte dhe disa momente para vrasjes mes viktimës dhe ekzekutoreve ka pasur edhe një debat. Fillimisht ekzekutoret kanë debatuar me viktimën e me pas e kane goditur atë me sende të forta dhe me armë zjarri tip pistoletë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas ata janë larguar nga vendi ngjarjes, duke ecur në këmbë. Nga deklarimet e saj të dhëna para oficerit të policisë gjyqësore, mbrëmjen e ngjarjes, nëna viktimës, shtetasja Vangjeli Lala, ka deklaruar se, rreth orës 23.00 ka dëgjuar zhurme që vinte nga jashtë pallatit. Fillimisht ka ndjerë hapa, më vonë ka dëgjuar zhurmë sikur po ziheshin. Ka dalë në dritaren e dhomës, pasi shtëpinë e kanë në katin e parë të pallatit, dhe ka parë dy persona, të cilët po largoheshin qetësisht, njërin prej te cilëve e përshkruan se kishte veshur një bluzë të kuqe dhe flokët i kishte të shkurtra. Gjatë debatit të zhvilluar midis djalit të saj dhe autorëve, Vangjeli Lala ka arritur të dëgjoje fjalët: “Çfarë keni me mua unë nuk ju kam bërë gjë…”

Është ngritur dyshimi se njeri nga autoret e vrasjes ka qenë Orgest Bilbili, person të cilin dëshmitarja, nëna e viktimës, e ka njohur fillimisht pasi e ka parë në rrugë. Vangjeli Lala në deklarimet e saj shpjegon në mënyrë të detajuar karakteristikat e trupit, ecjes, si dhe veshjen e personit që është larguar i dyti nga vendi i krimit. Gjithashtu ky person, pasi është larguar rreth 20 metër larg vendit të krimit, ka futur poshtë bluzës në brez diçka. Nëna e Gerti Lalës ka shpjeguar se, natën e ngjarjes, në kohën që po bëhej sherri ndërmjet djalit të saj të vrarë dhe personave që e vranë, para se të dëgjoheshin të shtënat e armës ajo kishte dëgjuar dhe fiksuar shprehjen: “Laert shpejt dorezën”.

Pra, dy të dyshuarit për këtë ngjarje kanë përdorur doreza për të evituar lënien e gjurmëve papilare në vendin e ngjarjes. Ky deklarim përkon edhe me procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, datë 9 korrik 2010, gjatë të cilit është gjetur dhe marre me cilësinë e provës materiale edhe një dorezë plastike kirurgjikale e grisur në një gisht, si dhe pjesa e grisur e kësaj doreze.

Për shkak se Laert Haxhiu, në kohën e kryerjes së veprës penale, për të cilën akuzohej, ishte i mitur, kompetenca e hetimit dhe gjykimit i përkiste Seksionit për të Miturit në Prokurorinë e Vlorës, ku ishte krijuar seksioni për të miturit, në zbatim të dekretit të Presidentit. Për këtë arsye, mbi bazën e materialeve të dërguara nga Prokuroria e Lushnjës, procedimi penal u regjistrua në vitin 2011 nga Prokuroria e Vlorës, për veprën penale të vrasjes me paramendim.

Prokuroria rendit disa prova konkrete në lidhje me ngjarjen dhe në fund e konsideron vrasjen e Gerti Lalës, si një krim për qëllime hakmarrje ndaj bandës së Lushnjës.

Në pretencën e Prokurorisë së Vlorës, përveç rrethanave të ngjarjes, shpjegohen edhe të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale të kryera në lidhje me vrasjen. Ndërsa jepen edhe argumentet mbi të cilat dy të arrestuarit, Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili, Prokuroria i konsideron autorë të vrasjes.

Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes, rezultoi se në trupin e viktimës janë konstatuar 4 plagë me armë zjarri dhe 10 dëmtime me thikë. Oficeri i Policisë Gjyqësore ka kryer ekzaminimin e aparatit telefonik që i përkiste viktimës, një “Nokia”, që ishte sekuestruar në cilësinë e provës, por nuk rezultoi asgjë e vlefshme për hetimin. Për shkak të orës se vonë kur ndodhi ngjarja dhe errësirës, këqyrja e vendngjarjes ka vijuar mëngjesin e datës 9 korrik, ku janë gjetur edhe prova të tjera. Gëzhojat dhe predhat e gjetura, rezultoi të ishin qitur nga e njëjta armë, një pistoletë “Zastava”, që nuk rezultoi të ishte përdorur në ngjarje të mëparshme kriminale.

Nga ana e oficerit të Policisë Gjyqësore janë pyetur disa persona në lidhje me ngjarjen, mes të cilëve edhe nëna e viktimës, shtetasja Vangjeli Lala.

Vangjeli Lala

Banoj në lagjen “Skënder Libohova”, në katin e parë të pallatit. Rreth orës 23:00 kam dëgjuar zhurmë që vinte nga jashtë pallatit. Kam qenë në dhomën e gjumit duke dremitur për të fjetur bashkë me mbesën 5-vjeçare, ndërkohë televizori ka qenë ende i ndezur. Fillimisht ndjeva hapa, më vonë dëgjova zhurmë sikur po ziheshin. Gjatë debatit kam dëgjuar fjalët: “Çfarë keni me mua, unë nuk kam bërë gjë…, fjalë të djalit tim dhe më pas kam dëgjuar: “Lëre, lërë atë se nuk na ka faj ky…”, fjalë që nuk kanë qenë të djalit tim. Kam dëgjuar edhe të tjera por nuk kam mundur t’i fiksoj. Kam dëgjuar disa krisma arme dhe menjëherë kam dalë në ballkon. Kam parë dy persona, njëri 175 cm dhe tjetri 180 cm. I kam parë nga mbrapa duke u larguar në drejtim të vendit që quhet “Ypsilon”. Njëri prej tyre ishte veshur me bluzë të kuqe dhe flokët i kishte të shkurtra.

Shpjegimet e nënës së Gerti Lalës përputhen edhe me deklarimet e një tjetër dëshmitareje, e cila ka thënë se natën e ngjarjes ka dëgjuar të njëjtën gjë.

Vangjeli Kala është pyetur sërish më 25 tetor të vitit 2010, deklarime që janë administruar edhe nga Gjykata gjatë seancës. Ajo ka shpjeguar hollësisht rrethanat e ngjarjes, përshkrimin e njërit prej ekzekutorëve, të cilin e ka njohur edhe në procesin e paraqitjes për njohje, ku ka identifikuar si një prej autorëve të vrasjes, të pandehurin Orgest Bilbili.

Vangjeli Lala

Njëri prej dy personave e kam fiksuar. Ai ka pasur veshur një bluzë me mëngë të shkurtra dhe ecte me hap normal. I dyti është shfaqur të cepi i pallatit që është tek ballkoni i kuzhinës së shtëpisë time dhe afër cepit të magazinës së Gori Priftit. Ky vend nuk ka qenë i ndriçuar dhe për këtë shkak kam pritur derisa ky person ka shkuar në mesin e rrugës që të nxjerr te “Ypsiloni”, që është 10 metra nga ballkoni ku po qëndroja. Aty kam dalluar qartë këtë person, i cili ishte 165-175 cm i gjatë dhe kur ka mbërritur tek cepi i shtëpisë së Sadik Zelës, për shkak të ndriçimit të rrugës kam parë që ky person ka futur diçka në brez.

Prokuroria sqaron se këtë person ajo ka arritur ta njohë edhe në procesverbalin e njohjes.

Vangjeli Lala

Nga fundi i muajit gusht, rreth orës 21:00, kam qenë duke kaluar me makinë bashkë me dhëndrrin tim, Shkëlzen Jupe dhe ndodhesha në sediljen e pasme. Ka qenë errësirë. Xhami i makinës ka qenë i ulur. Sapo jemi afruar tek hyrja e rrugës së lagjes që njihet si “Ypsilon”, pranë një lokaliu ka parë në trotuar, nën ndriçimin e dritës së rrugës, dy persona që më kanë tërhequr vëmendjen. Njërin prej tyre e njoha. Ata sapo panë makinën e dhëndrrit kanë kthyer shpinën nga rruga. Kur është afruar rreth 1.5 metra, personi tjetër që qëndronte në këmbë së bashku me personin që njihja unë, fillimisht nuk e njoha por kur jam afruar e kam identifikuar si personin që kam parë në vendin e ngjarjes bashkë me atë tjetrin. Dhëndri uli shpejtësinë pasi i thashë unë. Më vonë më pyeti pse i thashë ta ulte shpejtësinë dhe e pyeta nëse e njihte atë personin që pamë aty. Ai u kthye prapë te vendi ku i pamë. Në ditët në vijim dhëndrri më tha se e ka identifikuar atë person dhe emri i tij ishte Orgest Bilbili. Në këtë moment unë i thashë se ai ishte një nga personat që vranë Gertin. Natën e ngjarjes kam dëgjuar edhe fjalët: “Laert shpejt dorezën…”

Në funksion të verifikimit të këtij deklarimi, më datë 17 nëntor 2010 është kryer veprimi hetimor i eksperimentit hetimor dhe paraqitjes për njohje, nga të cilat rezulton se: Nga vendndodhja e shtetases Vangjeli Lala mund te shikoheshin personat e dyshuar. Shtetasja Vangjeli Lala në të gjitha rastet ka njohur shtetasin Orgest Bilbili si njërin nga autoret e vrasjes së djalit të saj Gerti Lala.

Shpjegimin që ka dhënë gjatë dëshmisë së saj nëna e viktimës, kanë dhënë edhe dëshmitarë tjerë, banorë të pallatit, në hyrjen e të cilit ka ndodhur vrasja, të cilët kanë dëgjuar se po ndodhte një sherr pasi po grindeshin disa persona para hyrjes së pallatit. Nga të dhënat e para nga Policia Gjyqësore, si dhe nga krahasimi i deklarimeve të dhëna nga banorë të tjerë të pallatit, të konfirmuara edhe në seancën gjyqësore nga dëshmitarët e dëgjuar nga Gjykata, rezulton se mes Gerti Lalës dhe autorëve të vrasjes ka pasur më parë një debat, të shoqëruar me fjalët që ka treguar edhe nëna e viktimës.

Gjatë pretencës, Prokuroria e Vlorës ka shpjeguar edhe motivin e ngjarjes. Sipas akuzës, Gerti Lala ishte i njohur për forcat e Policisë si lidhje e grupit kriminal të njohur me emrin banda e Lushnjës, ose e Aldo Bares, pasi kishte pasur lidhje të ngushtë shoqërore me Leonard Priftin, me nofkën Çibiku, i njohur si një nga ekzekutorët e kësaj bande. Për të provuar faktin se viktima, Gerti Lala ishte lidhje e grupit të Aldo Bares, është marrë në cilësinë e provës nga Prokuroria për Krime të Rënda, procesverbali i kallëzimit të Sajmir Taullajt, si dhe vendimi i datës 25 nëntor 2010 i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Nga këto prova rezulton se Sajmir Taullaj, së bashku me vëllezërit e tij, shpesh herë kanë qenë në shënjestrën e bandës së Lushnjës, të cilët i vinin gjoba, i kanë qëlluar me armë zjarri duke i plagosur, derisa më 4 korrik 2005, Leonard Prifti i ka vrarë vëllain Baki Taullaj.

Në procesverbalin e kallëzimit të krimit, datë 28 mars 2006, Sajmir Taullaj tregon se, Gerti Lala kishte shërbyer si shofer në një rast kur Taullaj ishte rrëmbyer nga Banda e Lushnjës me qëllim për t’i bërë presion për të paguar një sasi të konsiderueshme parash që kërkohej prej tyre dhe ishte dërguar pikërisht tek Leonard Prifti, që njihej si njëri nga ekzekutorët që vepronte për llogari të këtij grupi kriminal. Gjithashtu, nga informacionet e marra nga Komisariati i Policisë Lushnjë rezulton se, Klodian Haxhiu, djali i xhaxhait të Laert Haxhiut, dyshohet se është vrarë nga anëtarët e grupit kriminal të Aldo Bares, lidhje e të cilit dyshohet se ka qenë edhe viktima, Gerti Lala. Në vrasjen e Klodian Haxhiut, ka informacione operative se Gerti Lala ka qenë në rolin e ndihmësit, pasi ka larguar nga vendi i ngjarjes ekzekutorin e Klodianit. Familja e Shkëlqim Haxhiut ka qenë vazhdimisht objekt i sulmeve fizike dhe shkatërrimit të pronës nga banda e Lushnjës, të dhëna këto që provohen edhe nga vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në fazën e hetimeve paraprake, në funksion të dokumentimit të faktit penal, është kërkuar që të merren të dhëna për rrethanat, si dhe autorët e ngjarjes, nëpërmjet vënies në përgjim të komunikimeve telfonike të personave që ishin lidhje e afërt shoqërore e Gerti Lalës dhe që për shkak të lidhjeve mund të kishin dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Me vendimin e datës 11 korrik 2010, Gjykata e Lushnjës ka autorizuar përgjimin e 3 numrave telefonik, të shtetasve të quajtur, Margarit, Majlinda dhe Noel. Margariti, që ishte lidhje e ngushtë shoqërore e Gerti Lalës ka bërë një komunikim me një numër dhe nga biseda rezulton se në vrasjen e Gerti Lalës kanë qenë disa persona. Pasi gjatë komunikimit ai shprehet: Që do dali do dali se kanë qenë më shumë se 3-4 vetë. Kanë qenë shumë veta.

Kjo e dhënë përkon edhe me deklarimet e personave që tregojnë rrethana të dobishme për hetimet, konkretisht banorë të pallatit, në hyrjen e të cilit ka ndodhur vrasja. Nisur nga dy ngjarje ku Gerti Lala kishte ndihmuar bandën e Lushnjës, në shoqërimin e Sajmir Taullajt tek Leonard Prifti dhe largimin nga vendi i ngjarjes të ekzekutorit të Klodian Haxhiut, është kërkuar vënia në përgjim e komunikimeve telefonike të personave që ishin cenuar nga veprimet e Gerti Lalës, si dhe lidhjeve shoqërore të këtyre personave. Për këtë arsye, Gjykata e Lushnjës, më 14 korrik 2010 ka autorizuar përgjimet telefonike të Sajmir Taullait, Julian Zenelit, Laert Haxhiut, Eduart Belishakut, Odise Leshit, Drini Shehut dhe Orgest Bilbilit.

Në një nga bisedat e përgjuara, një telefonues i identifikuar si Gimi, i ka kërkuar Julian Zenelit që të blejë diçka. Ai i ka kërkuar që t’i gjente një pistoletë “Zastava”. Për këtë ka kërkuar që të komunikojë vetë me personin që e shiste për punën e pazarit të shitjes. Nga biseda rezulton se ky person banon në Shkodër. Nga ky përgjim ka rezultuar se një person në Shkodër shet pistoleta “Zastava”, e njëjtë me pistoletën e përdorur për vrasjen e Gerti Lalës.

Në një tjetër bisedë, djali i hallës së Klodian Haxhiut, komunikon me një numër që ishte në përgjim. Nga biseda rezulton se i afërmi i Haxhiut ishte interesuar për shpjegimet që kishte dhënë në Polici Redion Çaushi, i njohur si Dokja, kur ishte pyetur rreth vrasjes së Gerti Lalës. Më pas i kërkon këtij personi që të mos komunikojë me të dhe të mos qëndrojë në lokalin e tij.

Prokuroria ka ngritur dyshime se, lokali Redion Çaushit, i njohur me emrin “Lokali i Çausheve”, duke qene se ndodhet pranë banesës se viktimës Gerti Lala e si rrjedhin pranë vendit ku ai është vrarë, mund të ketë shërbyer si vendi ku janë nisur për të kryer veprimin kriminal autorët. Ky fakt konfirmohet edhe nga deklarimet e Redion Çaushaj, etj, të cilët dëshmuan para gjykatës se para dhe pas ngjarjes, Laert Haxhiu dhe Orges Bilbil kanë qenë bashkë dhe të dy, gjatë kësaj kohe kanë qëndruar në ketë lokal, ndërsa në kohën që ka ndodhur vrasja ata nuk kanë qenë në lokal.

Prokuroria e Vlorës

Jo më kot të dyshuarit, Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili, si autorë të kësaj ngjarjeje, në deklarimet e dhëna në fazën e hetimeve paraprake, kanë ngritur alibinë se në momentin e ndodhjes së ngjarjes kanë qenë pikërisht në ketë lokal nën shoqërinë e shtetasve: Julian Zeneli, Eduart Belishaku, Odise Leshi, Drini Shehu, Redion Çaushi. Në komunikimet mes të pandehurve Orgest Bilbili e Laert Haxhiu, dalin të dhëna që në mënyrë indirekte i implikonin këta të pandehur në kryerjen e vrasjes së shtetasit Gerti Lala pasi: I pandehuri Laert Haxhiu, akuzonte viktimën Gerti Lala si autorin e vrasjes së djalit të xhaxhait të tij, shtetasit Klodian Haxhiu, duke përdorur shprehjet, “ai edhe mua më ka vrarë djalin e xhajës” ose “pse se kapën këto, ai nga nuk e priste”.

Gjithashtu nga procesverbalet e përgjimeve te kryera rezulton se, Laert Haxhiu përdor shprehjet, “nuk kanë prova”, “ku të njohu ty plaka”, “si të akuzoi ty dhe jo mua”. Prokuroria arsyeton se nga këto biseda të zhvilluara midis dy të pandehurve, del qartë se në këtë ngjarje kanë qenë të dy dhe mendojnë se për autorësinë e tyre në këtë ngjarje nuk ka prova, pra indirekt ata pranojnë se janë autor të kësaj vrasje, por mendojnë se do të përjashtohen nga përgjegjësia penale pasi për fajësinë e tyre nuk ka prova.

Për sa pretendohet nga Laert Haxhiu në përgjimet ambientale, ku akuzonte viktimën Gerti Lala se i kishte vrarë djalin e xhaxhait, konfirmohet edhe nga informacioni i sjellë nga Komisariati Policisë Lushnjë.

Prokuroria e Vlorës

Nga përgjimi i komunikimeve telefonike të shtetasve, Shkëlqim Haxhiu, Adion Haxhiu, Qamil Haxhiu e Drini Shehu të autorizuara me vendimet nr. 24 datë 22.04.2011 dhe nr. 25 datë 27.04.2011 rezulton se, këta shtetas kanë shfaqur interes të veçantë pasi janë informuar se arsyet e thirrjes së tyre në Komisariatin e Policisë, Lushnjë ka qenë pikërisht për t’u pyetur rreth vrasjes së shtetasit Gerti Lala. Referuar provave të grumbulluara në fazën e hetimeve paraprake, përfshirë këtu edhe transkriptin e përgjimit ambiental, përgjimit të thirrjeve telefonike, konkludohet se, të pandehurit Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili, duhet të përgjigjen penalisht për kryerjen e veprës penale të vrasjes me paramendim e kryer për hakmarrje dhe në bashkëpunim, e drejtuar kjo vepër ndaj shtetasit Gerti Lala, pasi me veprime konkrete të kundërligjshme, me përdorim të armës luftarake dhe me mjete prerëse dhe të forta kanë vrarë për hakmarrje shtetasin Gerti Lala.

Akuza, në këtë analizë, ka konkluduar se, të pandehurit Orgest Bilbili dhe Laert Haxhiu pasi kanë siguruar më parë mjetet e përshtatshme për të realizuar vrasjen e Gerti Lalës për hakmarrje, natën e ngjarjes kanë qëndruar në ambientet e lokalit të quajtur “Çaushaj” ndodhur ne afërsi të banesës së viktimës. Pasi janë siguruar se Gerti Lala ka qenë duke shkuar për në banesë, e cila ndodhet rreth 300 metra larg lokalit në fjalë, e kanë pritur atë në hyrje të pallatit dhe me përdorim të sendeve të forta kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, me qëllim marrjen e ndonjë informacioni paraprak lidhur me vrasjen e kushëririt të të pandehurit Laert Haxhiu, Klodian Haxhiut. Më pas e kanë qëlluar atë me disa plumba në trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme dhe pas vrasjes, të dy qetësisht janë larguar nga vendi i ngjarjes për t’u kthyer përsëri tek lokali nga ku edhe u nisen më parë. Sapo ata kane mbërritur në këtë lokal aty është hapur fjala për vrasjen e të Gerti Lalës, të thirrur me nofkën “Iriqi”.

Prokuroria e Vlorës

Të pandehurit, Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili kanë konsumuar plotësisht elementet e veprave penale për të cilat akuzohen. Ata kanë cenuar marrëdhëniet juridike të vendosura në bazë të ligjit, për të mbrojtur jetën e njeriut, rendin dhe sigurinë publike. Me veprimet aktive, konkrete të kryera, shoqërisht të rrezikshme e të kundraligjshme, në formën e sigurimit dhe të mbajtjes së armëve të zjarrit pa leje të organeve shtetërore, përdorimi i tyre me pasojë vdekjen e njeriut me qëllim hakmarrje, që të marra së bashku në proces japin idenë e plotë të dashjes direkte prej të pandehurve në kryerjen e veprës penale. Të pandehurit plotësojnë kuadrin ligjor të veprave penale për të cilat akuzohen. Ata vepruan me dashje të drejtpërdrejtë përderisa njohin dhe parashikojnë kundraligjshmërinë e veprimeve të tyre dhe dëshirojnë apo me ndërgjegje lejojnë ardhjen e pasojës kriminale, siç është vrasja e shtetasit Gerti Lala për hakmarrje. Është e kuptueshme se kryerja e veprës penale të vrasjes me dashje të shtetasit Gerti Lala, është bërë nga të pandehurit, për të marrë hak ndaj viktimës lidhur me vrasjen e të ndjerit Klodian Haxhiu. Ky fakt konfirmohet më së miri me deklarimet e dëshmitarëve të pranishëm në këtë ngjarje dhe përgjimet e bëra midis të pandehurve dhe personave të tjerë. Duke e konsideruar akuzën të provuar nga organi i akuzës, është kërkuar deklarimi fajtor dhe masat e dënimit përkatëse.

Nga ana tjetër, mbrojtja e të pandehurve kërkoi deklarimin e tyre të pafajshëm për shkak se sipas tyre nuk gjenden të vërtetuara rrethanat dhe faktet e paraqitura nga Prokuroria për të vërtetuar akuzat e vrasjes me paramendim. Mbrotja ka përsëritur kërkesat për pavlefshmëri të akteve, si vendimin për kryerjen e eksperimentit hetimor, vendimin për caktimin e mbrojtjes, procesverbalin e kryerjes së eksperimentit hetimor për mundësinë e të parit të Orgest Bilbilit dhe procesverbalin për njohjen e personit. Gjithashtu, mbrojtja pretendon se ka analizuar dëshminë e nënës së viktimës, duke vënë në dukje momente nga dëshmia e saj në lidhje me pohimet ndaj të pandehurve, si dhe kundërthëniet në deklarimet e mëparshme para Policisë, por edhe dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë, shokë të viktimës, si dhe banorëve të pallatit, të cilët në asnjë rast nuk identifikojnë si autorë të pandehurit. Përfundimisht është kërkuar deklarimi i pafajshëm i tyre.

Në fakt këtë vendim kanë dhënë edhe treshja e Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, Albert Spiro, Mirela Mishgjoni e Klodian Gjyzari, më datë 12 dhjetor 2012, që i ka shpallur të pafajshëm të akuzuarit Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili.

Procesi farsë për vrasjen e “Iriqit”

Në shpalljen e vendimit të pafajësisë për Laert Haxhiun dhe mikun e tij Orgest Bilbilin, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, ka vlerësuar se nga provat e paraqitura nga akuza në proces, nuk provohet se të pandehurit të kenë konsumuar elementë të veprës penale “vrasje me paramendim”, në bashkëpunim për qëllime hakmarrjeje. Në këto rrethana, sipas Gjykatës, ata duhet te deklarohen të pafajshëm.

Në arritje të këtij përfundimi, Gjykata ka parasysh se përcaktimi i vërtetësisë dhe fuqisë provuese të provave, bëhet gjatë shqyrtimit gjyqësor, ku asnjë provë nuk ka fuqi të paracaktuar, por ato vlerësohen në tërësinë e tyre. Sipas Gjykatës, për të konkluduar për fajësinë e të pandehurit dhe kualifikimin e veprës penale, duhet që provat të jenë në unitet me njëra – tjetrën dhe asnjë prej tyre nuk duhet të mbivlerësohet apo të ketë vlerë të paracaktuar në raport me provat e tjera. Në lidhje me paraqitjen nga ana e akuzës për të provuar fajësinë e të pandehurve të transkriptove telefonike dhe ambientale, Gjykata vlerëson se këto përgjime nuk janë prova, por janë mjet për kërkimin e provës.

 Gjykata e Vlorës

Në këtë gjykim rezulton se nuk ka asnjë provë me fuqi provuese të pakontestueshme që të provojë se të pandehurit janë autorë të veprave penale, për të cilat akuzohen. Nga ana e akuzës është arritur në përfundimin e fajësisë së tyre duke u mbështetur në dyshime dhe indicie. Neni 152/2 i Kodit të Procedurës Penale, parashikon se ekzistenca e një fakti nuk mund të nxirret nga indiciet, përveçse kur këto janë të rëndësishme, të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën.

Kundër këtij vendimi, Prokuroria e Vlorës, ka paraqitur ankim dhe ka kërkuar ndryshimin e tij dhe deklarimin fajtor të të pandehurve për veprat penale për të cilat janë akuzuar dhe dënimin e tyre sipas kërkesës së bërë në seance gjyqësore.

Sipas organit të akuzës, vendimi i Gjykatës është rrjedhojë e interpretimit të gabuar ligjit penal dhe procedurial, si dhe të provave të administruara gjatë gjykimit. Këtë vendim Prokuroria e ka çmuar si një vendim të dhënë në favor të pafajësisë së të pandehurve Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili dhe jo të drejtësisë. Kështu megjithëse në pjesën hyrëse të vendimit janë renditur të gjitha provat e administruara në dhënien e vendimit ajo u është referuar vetëm atyre që kanë qenë në funksion në pafajësisë.

Megjithatë, edhe vendimi i Gjykatës së Apelit, dhënë më datë 12 nëntor 2013, ka qenë në favor të dy të akuzuarve, duke lënë në fuqi atë të shkallës së parë. Duke arsyetuar se është i bazuar në prova dhe në ligj dhe i marrë në respektim të normave proceduriale dhe ligjit material e si i tillë ai duhet të lihet në fuqi.

Duke arsyetuar vendimin, Gjykata e Apelit shprehet se, gjatë procesit të kryerjes së veprimeve të njohjes dëshmitarja Vangjeli Lala ka identifikuar si personin që ka parë natën e ngjarjes, shtetasin Orgest Bilbili. Ky veprim procedurial është kontestuar si nga të pandehurit ashtu dhe nga mbrojtësi i tyre i zgjedhur

Gjykata e Apelit

Gjykata e Shkallës së Parë ka bërë një analizë të hollësishme të provave të paraqitura nga organi i akuzës dhe në fund me të drejtë ka konkluduar se ato nuk duhet të merren në konsideratë për pranimin e fajësisë së të pandehurve. Kodi i Procedurës Penale parashikon dispozita konkrete për procedurën e njohjes së personave, mosrespektimi i të cilave passjell sipas rastit papërdorshmërinë apo pavlefshmërinë e këtij veprimi.

Duke marrë në analizë procedurën e njohjes, është provuar gjatë gjykimit se, para paraqitjes për njohje është kryer eksperimenti për mundësinë e parjes së personit. Në këtë eksperiment katër personat që do t’i nënshtroheshin paraqitjes për njohje midis të cilëve dhe i dyshuari Orgest Bilbili, janë vendosur para dritares së banesës dhe kanë lëvizur në rrugë. Në këtë eksperiment hetimor shtetesja Vangjeli Lala ka deklaruar se dhe dy nga personat e tjerë nga ecja i ngjajnë me atë që ka parë natën e ngjarjes, por nuk është shumë e sigurt. Kur është paraqitur i dyshuari Orgest Bilbili ajo e ka identifikuar si personin që ka parë natën e ngjarjes.

Nga ana tjetër, Apeli shprehet se për të provuar fajësinë e të pandehurve, nga ana e organit të akuzës janë sjellë në gjykim edhe traskriptimet të përgjimeve telefonike dhe ambientale. Por sipas Apelit, me të drejtë gjykata e faktit, këto përgjime nuk i ka konsideruar si prova, por si mjete për kërkimin e provës.

Gjykata e Apelit

Ndryshe nga sa pretendohet në kërkesë ankimore, i pandehuri Orgest Bilbili për asnjë moment nuk ka pranuar, jo vetëm faktin që të ketë kryer veprime për vrasjen e viktimës, por as dhe të jetë shprehur për ndonjë indicie për ta përfshirë atë në këtë ngjarje. Përkundrazi nëpërmjet pohimeve të tij (te dala nëpërmjet përgjimeve) provohet në mënyrë të qartë mungesa e një motivi të këtij të pandehuri për vrasjen e Gerti Lalës dhe aq më tepër për një motiv hakmarrje sikundër pretendon organi i akuzës. Pra, nga këto përgjime nuk është përfituar ndonjë provë që të fajësojë të pandehurit.

Në vendim, Gjykata e Apelit shprehet se, ashtu siç është analizuar, akuza për të pandehurin Laert Haxhiu bazohet vetëm në faktin se nga dëshmitarja, në deklarimet e saj është përmendur se ka dëgjuar shprehjen “Laert shpejt dorezën” dhe për shkak se ai është shok i të pandehurit Orgest Bilbili dhe vrasjes të kushëririt të tij në vitin 2005 nga banda e Lushnjës ku dyshohej se viktima ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes. Por, sipas Apelit, sikundër rezulton e provuar edhe gjatë gjykimit, nga ana e akuzës nuk është paraqitur asnjë provë dhe për faktin pse Orgest Bilbili është ekzekutori dhe nuk duhet të akuzohet i pandehuri tjetër Laert Haxhiu, i cili sipas akuzës kishte dhe motivin për të kryer vrasjen për qëllim hakmarrje. Ndërkohë, sipas gjykatës, megjithëse dëshmitarja Vangjeli Lala ka deklaruar se ka parë dy persona dhe se personi tjetër nuk ishte Laert Haxhiu, të cilin ajo e njeh, edhe pse në rastin konkret prej kësaj dëshmitareje është pohuar fakti se nuk ka qenë në vendngjarje, në fund e akuzon për veprën penale të vrasjes, pa kryer veprime të tjera hetimore në lidhje me këtë person.

Gjykata e Apelit

Për sa më sipër kjo Gjykatë çmon se me të drejtë Gjykata e Shkallës së Parë ka rrëzuar pretendimin e ngritur nga Prokuroria se, nga përgjimet ambientale dhe telefonike, provohet që të pandehurit janë autorë të vrasjes së shtetasit Gerti Lala. Në këtë rast kemi të bëjmë me indicie (provë indirekte), të cilat që të marrin vlerën e provës duhet të lidhet edhe me prova të tjera. Dëshmitë indirekte që vlerësohen si indicie të dëshmitarëve janë kontradiktore, pasi nuk harmonizohen me provat e administruara gjatë gjykimit. Nisur nga këto kundërshti, me të drejtë Gjykata në funksion të dhënies së vendimit, ka rrëzuar dhe motivet e kryerjes së veprës penale të vrasjes për hakmarrje, duke i cilësuar dëshmitë si të pabesueshme në lidhje me motivin e kryerjes së veprës penale.

Në përfundim të arsyetimit, Apeli shprehet se, nisur nga rrethanat e faktit të vërtetuara gjyqësisht, e të analizuar ne mënyrë të hollësishme në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, por dhe gjatë këtij vendimi nuk provohet që të kenë qenë të pandehurit personat që kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Për rrjedhojë, Gjykata e Apelit çmon se pretendimet e ngritura prej Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë janë të pabazuara, ato kanë marrë përgjigje në vendimin objekt shqyrtimi. Në këto kushte, treshja gjykuese, Hysen Saliko, Andi Civici dhe Sokol Ngresi kanë vendosur që vendimi Nr.671, datë 12 dhjetor 2012 i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, duhet të lihet në fuqi.

Gjykata e Lartë e ktheu  dy herë për rigjykim

Pas rekursit të paraqitur nga Prokuroria e Vlorës, Gjykata e Lartë ktheu për rigjykim çështjen në ngarkim të Laert Haxhiut dhe Orgest Bilbilit, me vendimin e datës 31 janar 2018. Ndër të tjera, në këtë vendim, arsyetohej se Gjykata e Apelit të Vlorës kishte pranuar që të pandehurit janë autorë të kësaj vrasje, por duke qenë se provat e administruara prej saj në seance gjyqësore komform kërkesave të ligjit nuk mund të konsiderohen të tilla, i ka deklaruar të pafajshëm. Po kjo Gjykatë është shprehur fillimisht për vlefshmërinë provave dhe përdorueshmërinë e tyre në këtë gjykim, çuditërisht në përfundim të gjykimit ka arsyetuar se, këto prova nuk mund të përdoren, kur me po këto prova kjo gjykatë pranon ekzistencën e faktit penal, si dhe autorësinë e të pandehurve në këtë gjykim.

Lidhur me transkriptimet e përftuara nga përgjimi ambiental dhe telefonik i të pandehurve me njeri-tjetrin dhe me persona të tjerë, Apeli ka arsyetuar se, ai nuk është prove por mjet për kërkimin e provës, jo me kot gjykata ka arsyetuar në këtë formë, pasi në të gjitha këto përgjime të pandehurit shpjegojnë rreth faktit penal dhe autorësisë së tyre në këtë vrasje. Sipas Gjykatës së Lartë, Apeli ka keqinterpretuar ligjin dhe provat e këtij fakti penal duke justifikuar në këtë mënyrë pafajësinë e të pandehurve, kur vetë ata e pranojnë se kanë kryer veprën penale, provë kjo që lidhet edhe me dëshmitë e personave të tjerë të pyetur nga Gjykata në seancë gjyqësore lidhur me këtë vrasje.

Gjykata e Lartë

Gjykata ka arsyetuar se, dëshmitarja ka njohur të pandehurin Orgest Bilbili si personi që ka kryer vrasjen, si dhe shprehjet e tij lidhur me te pandehurin Laert Haxhiu, prova këto që lidhen me njëra-tjetrën në mënyrë të qartë, fakt i konfirmuar më së miri prej bisedave të zhvilluara midis të pandehurve me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë me të cilët ata kanë zhvilluar biseda gjatë kohës që kanë qenë nën përgjim. Veprimet e të pandehurve janë të njëkohshme, janë pjesë përbërëse e veprimeve në tërësi për arritjen e qëllimit përfundimtar dhe nuk mund të shkëputen. Dëshmia e të dëmtuarës dhe bisedat e te pandehurve janë të njëjta, në të njëjtën kohe rezultoi e provuar në këtë gjykim se midis të pandehurit Laert Haxhiu dhe viktimës Gerti Lala ekziston një konflikt, i cili lidhet me vrasjen e kushëririt të këtij të pandehuri, të ndjerit Klodian Haxhiu, ndërsa Gjykata në arsyetimin e vendimit shpreh dyshime rreth këtij fakti, kur vetë ka pranuar se viktima Gerti Lala mund të ketë ndihmuar në vrasjen e shtetasit Klodian Haxhiu.

Sipas Gjykatës së Lartë, referuar vendimit, Gjykatat në arsyetimin e këtij vendimi nuk kane bere gjë tjetër veçse kane keq interpretuar provat e administruara në gjykim, pasi në asnjë rast nuk janë pasqyruar drejt thëniet e dëshmitarëve në këtë gjykim dhe vendimi është kontradiktor në interpretimin e provave e për rrjedhojë edhe në vlerësimin e tyre.

Nga ana tjetër, motivi i hakmarrjes për vrasjen e Gerti Lalës, citohet edhe në vendimin e datës 24 prill 2024 të Gjykatës së Posaçme, që e dënoi Laert Haxhiun me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjës”.

Sipas vendimit të GJKKO, nga hetimet dhe shqyrtimi gjyqësor rezultoi e provuar se masakra e datës 11 tetor 2017 ka pasur objektiv të vrasjes shtetasin Xhulio Shkurti. Vrasja e mbetur në tentativë ndaj shtetasit Xhulio Shkurti, konkludohet se është kryer për hakmarrje referuar historikut të konflikteve midis familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert  Haxhiut. Kjo hakmarrje e ka zanafillën herët, pasi banda e Aldo Bares (Alfred Shkurtit) i ka djegur shtëpinë xhaxhait të të pandehurit Laert Haxhiut, shtetasit Shkëlqim Haxhiu, fakt që evidentohet qartë nga vendimi gjyqësor i formës së prerë nr. 61, datë 26 dhjetor 2017 i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

GJKKO arsyeton se, në vijim në janar të vitit 2005, është vrarë djali i xhaxhait të të pandehurit Laert Haxhiu, shtetasi Klodjan Haxhiu. Pavarësisht faktit se kjo çështje është pezulluar për moszbulim autori, xhaxhai i Laertit shtetasi Shkëlqim Haxhiu ka akuzuar për këtë rast bandën e Aldo Bares. Nga vendimi i pezullimit të çështjes, datë 4 maj 2005, rezulton se: Gjithashtu është pyetur si deklarues babai i viktimës Shkëlqim Haxhiu, i cili deklaron se ka pasur konflikt pronësie me të ashtuquajturin grupi kriminal i Alfred Shkurtit si dhe në vitin 1998 grupi kriminal i ka djegur edhe shtëpinë. Ai deklaron se para disa ditësh atë e ka kërcënuar shtetasi Ilir Sterku për një pronë e cila është ish hotele Myzeqeja. Gjithashtu, Shkëlqim Haxhiu deklaron se vrasjen e djalit të tij e ka bërë grupi kriminal i Alfred Shkurtit. Po ashtu dëshmitari Qamil Haxhiu në seancë gjyqësore dëshmoi se nipi i tij është vrarë nga banda e Aldo Bares.

 Vendimi i GJKKO

Kjo hakmarrje ka filluar të faktohet në vitin 2010. I pandehuri Laert Haxhiu ka qenë i akuzuar së bashku me të pandehurin Orgest Bilbili, për ngjarjen e datës 8 korrik 2010  ku në Lushnjë është vrarë me armë zjarri shtetasi Gerti Lala me pseudonimin ”Iriqi” si pjesëtar i organizatës kriminale të drejtuar nga Aldo Bare. Për këtë ngjarje shtetasit Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili janë arrestuar si të dyshuar dhe më pas akuzuar dhe dërguar për gjykim, pasi gjatë hetimeve janë njohur nga nëna e viktimës, por më pas janë liruar pasi janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për shkak të ndryshimit të thënieve gjatë gjykimit të nënës së viktimës. Nga aktet e marra nga ky procedim, rezulton se janë kryer përgjime telefonike dhe ambientale midis të pandehurve Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili, me autorizim të prokurorit dhe të vleftësuara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë. Nga këto përgjime dy të pandehurit flasin rreth ngjarjes në të cilën janë shoqëruar, shprehin siguri se do të dalin shumë shpejt, se me të dalë do ta marrin hak ndaj plakës (nëna e viktimës që ka njohur të pandehurin Orgest Bilbili.

Biseda e përgjuar

Laert Haxhiu: Ta nxjerri kështu ai ta hapi çantën ja ku i ke se thonë kështu këta ou se lek duan … e motrës për lekë e bëjnë këta. Do u shtyp kokën unë atyre kur të dal do t’ja … motrën. Ore që do të dal do dal unë, s’të mban njeri brenda kur s’ke bërë gjë është muhabet kunji të na i ngecin ne. I thashë atij shefit të rendit, ti sa merr në muaj i thashë që i çon në shtëpi, unë i prish në ditë, tall … ai më tha mua që je në bashkëpunim me tjetrin.

Orgest Bilbili: E ç’na bënë ne këta … e motrës të …plakën.

Laert Haxhiu: Ç’e vret mendjen shumë ti na këtu u … e ke seriozisht ti?

Orgest Bilbili: Për plakën po e vras mendjen… Unë s’kam asnjë provë asnjë gjë, kot me hamendje të plakës, ku më njohe ti ku më pe ti. Më tha bluza e kuqe, tha ai e ku e pe ti ç’a pantallonash kisha vesh. S’e di, po ça dini ju, ku e pe ti ç’a pantallonash kisha veshur. Opo për të folur ja …. motrën unë po ishalla s’ia marrin për bazë plakës.

Laert Haxhiu: Në bashkëpunim e po do ta thoshte ajo ishte filani e kupton … do ta thoshte emrin tim. Na akuzojnë padrejtësisht kanë qenë dëshmitarë këta, kanë qenë ata, u çova në këmbë unë do të …. motrën ty i thashë asaj unë do të bjerë radha dhe ty i thashë.

Orgest Bilbili: Ça thu?

Laert Haxhiu: Ja shikoje…unë ja … motrën, e djeg komplet atë.

Orgest Bilbili: Po kur, apo na kanë në përgjim?

Laert Haxhiu: E të kisha bërë ou direkt brenda. Unë ja … motrën atij sa të dal një çik .Unë e kam gjithë shtetin mik s’më … për këta të Lushnjës. Këta janë kokëmorr bëhen garipa nga Tirana. Ta marr unë avokatin, qysh e mban ti tjetrin pa asnjë lloj prove, plaka s’rri gojë mbyllur, qysh më akuzoke ti unë do t’ia ….motrën t’i them nëse dal që këtu do t’i djeg si familje si më akuzon plaka e tij. Ai ma ka vra dhe mu çunin e xhajës pse s’e kapën këta?

Orgest Bilbili: Kur të dalim nga burgu dalim të keq fare ne. Do t’u dali mendja kur të dalim nga burgu.

E megjithatë, edhe pasi çështja është kthyer për rigjykim nga Gjykata e Lartë, Apeli i Vlorës, sërish ka lënë në fuqi vendimin e pafajësisë, Vendimi është shpallur më 10 korrik.2019, nga treshja gjykuese Skënder Damini, Margarita Buhali dhe Petrit Aliaj. Edhe ky vendim është thuajse identik me atë të dhënë më herët nga Apeli, me ndryshimin e vetëm që në këtë rast ka pasur edhe një mendim pakice.

Gjyqtarja Margarita Buhali, e cila aktualisht është anëtarë e Gjykatës së Lartë, ka qenë pjesërisht kundër vendimit të dy kolegëve të saj në Apel. Ajo ka kërkuar që vendimi për Orgest Bilbilin të lihej në fuqi, por të ndryshohej për Laert Haxhiun, i cili duhej të shpallej fajtor për vrasje. Në arsyetimin e saj, ajo shprehej se, nga deklarimet e nënës së viktimës, që përputhen edhe me një tjetër dëshmi, të cilët kanë dëgjuar debat para ngjarjes, rezulton që vrasja e Gerti Lalës të jetë kryer për hakmarrje dhe kjo sipas saj provohet. Buhali arsyeton se vlerësohen të besueshme thëniet e Vangjeli Lalës, e cila pretendon se ka dëgjuar dikë t’i drejtohej autorit me shprehjen: “Laert shpejt dorezën”. Gjithashtu, gjyqtarja thotë se mes Laert Haxhiut dhe Gerti Lalës ka ekzistuar një konflikt, për shkak se Haxhiu e akuzonte atë për vrasjen e të afërmit të tij. Në arsyetimin e saj, Margarita Buhali përdor edhe bisedat e zhvilluara gjatë përgjimit ambiental por edhe atij telefonik. Ata kanë dashur të krijojnë alibi dhe kjo sipas saj provohet edhe nga këshillat gjatë bisedave të familjarëve, që tregon se ata kanë qenë në dijeni të autorësisë së vrasjes së Gerti Lalës. Në arsyetimin e saj, gjyqtarja shprehet se ekzistojnë prova në përputhje me njëra-tjetër që provojnë kryerjen e veprës penale nga i pandehuri Laert Haxhiu.

Por Gjykata e Lartë ka prishur sërish këtë vendim duke e kthyer për rigjykim, në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me një tjetër trupë gjykuese.

Pasojat e mosndëshkimit

Kanë kaluar më shumë se 14 vjet nga koha kur Laert Haxhiu u arrestua si i dyshuar për vrasje. Në atë kohë ai ishte vetëm 18 vjeç, ndërsa sot 32. Historia e tij pati një kulm, që me gjasë dhe të paktën siç arsyeton Prokuroria, por edhe Gjykata e Lartë, ishte pasojë e një krimi të pa ndëshkuar. Ndonëse shumë i ri, ai u kthye në një nga personazhet më të rrezikshme edhe sot është i izoluar në burg përjetë për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, në atë që njihet si “masakra e Lushnjës”. Ndërsa Prokuroria e Posaçme po e heton edhe në lidhje me krimet që rrëfeu bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani.

Pas arrestimit të Artan Tafanit, u arrit të zbardhen 6 vrasje, 5 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, 2 rasteve të vjedhjes me dhunë, 3 rasteve të sigurimit  të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, etj. Prokuroria e Elbasanit lëshoi 15 urdhra ndalimi, nga të cilat 12 u ekzekutuan, ndërsa 3 shtetas u shpallën në kërkim. U dokumentua vrasja e Lulzim Qorrit në vitin 2018 në Greqi; vrasja e biznesmenit Çajup Selimi në vitin 2021 në Tepelenë; vrasja e Fridman Xhaferrajt në vitin 2021; në Korçë; vrasja e Dikens Halilit në vitin 2021 në Athinë; vrasja e Alban Semakut në vitin 2021 në Peqin: vrasja e Albi Bashaliut në vitin 2021 në Peqin. Për të gjitha këto, bashkëpunëtori i drejtësisë akuzoi Laert Haxhiun.

Nëse të gjitha këto krime janë pasojë e mosndëshkimit, këtë nuk mund ta themi derisa të ketë një vendim përfundimtar për vrasjen e Gerti Lalës, kur Laert Haxhiu u akuzua që në moshën 18-vjeçare. Por, në të gjithë këtë ping pong gjyqësor në tri shkallë, çfarë hedh hije dyshimi është se si mund të ketë kaq fuqi një adoleshent. Kush e mbrojti dhe e përkrahu një 18-vjeçar, duke e kthyer në kriminelin më të rrezikshëm?

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!