“Gjërat Tona”/ “Kurum”, linjë trafiku mbetjesh të rrezikshme

schedule20:35 - 15 Shtator, 2024

schedule 20:35 - 15 Shtator, 2024

Qindra ton mbetje të rrezikshme, të dyshuara toksike “u zhdukën” në det në fund të korrikut duke përhapur një alarm global. Kontejnerët gjigandë, që transportonin mbetje, ishin nisur nga Porti i Durrësit, me linjën “Maersk” fillimisht drejt portit të Triestes në Itali.

Ndonëse anijet fikën GPS duke u zhdukur nga radarët afër Cape Town në Afrikën e Jugut, shumë shpejt u arrit të lokalizohen. Ajo që u zbulua më vonë, konkretisht më 5 gusht 2024, nga organizata mjedisore “Basel Action Network”, ishte fakti se origjina e këtyre mbetjeve me destinacion Tajlandën ishte “Kurum International”, me qendër në Elbasan.

Anija “Maersk Campton” dhe një anije e dytë kontenjerësh e së njëjtës linjë, rezultoi se në fillim të muajit korrik 2024, kishin ngarkuar në portin e Durrësit 100 kontejnerë me mbetje që dyshoheshin të rrezikshme. Sipas organizatës mjedisore me seli në Shtetet e Bashkuara, që dha sinjalin për këto mbetje, kishte dyshime se bëhej fjalë për materiale toksike që vinin nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike të prodhuara në ish-kombinatin Metalurgjik, ku që prej vitin 1998 operon kompania turke, “Kurim International”. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.

E duket se “Kurum” nuk e kishte për herë të parë. Dërgesa të ngjashme me mbetje të rrezikshme ishin nisur edhe më herët drejt Azisë gjatë vitit 2024 dhe ishin bllokuar në Kinë, nga Agjencia e Doganave, Fangcheng.

Sinjalizimi nga organizata mjedisore “Basel Action Network”, bëri që kontejnerët të bllokoheshin në Singapor dhe atje u vendos kthimi i tyre në vendin e origjinës, në Portin e Durrësit. Por nga ana tjetër inicioi edhe një hetim nga Prokuroria e Durrësit që tashmë ka regjistruar procedim penal për veprën penale “kontrabandë me mallra të ndaluar”. Hetimet identifikuan si eksportuese kompaninë “Sokolaj” sh.p.k, një kompani import-eksporti mineralesh me qendër në Durrës në pronësi të Gjovana Sokolaj dhe kompaninë turke “Kurum International” sh.a si burimin e këtyre produkteve.

HETIMI PER KONTRABANDE MALLËRASH TË NDALUAR

Shume shpejt u bë zyrtare që mbetjet toksike, të nisura me anije drejt Tajlandës në korrik, kanë dalë nga kompania “Kurum”. Prokuroria e Durrësit nga hetimet e deritanishme për këtë çështje, ka konstatuar se janë mbetje të shitura nga kompania “Kurum” si oksid hekuri për një kompani të licensuar për eksport të mbetjeve. Nga ana tjetër, më herët “Kurum”, e pati përgënjeshtruar këtë fakt, duke thënë se ajo nuk eksporton mbetje të rrezikshme, por nga ana tjetër as nuk e mohonte se prodhonte mbetje të tilla. “Kurum” thotë se ka lidhur kontrata e marrëveshje me shoqëri shqiptare apo të huaja, të licencuara sipas ligjeve ne fuqi, për menaxhimin e këtyre mbetjeve. Në fakt kjo është e vërtetë.

Subjekti, të cilit “Kurum” i ka shitur mallin, sipas hetimeve të Prokurorisë së Durrësit, është kompania “GS Mineral DOO”, me adresë në Rijeka të Kroacisë. Mbetet të verifikohet nga hetimet nëse kjo kompani e dinte apo jo që po blinte mbetje të rrezikshme që dyshohet të jenë toksike, si hiri i oxhaqeve metalurgjike. E nëse kjo kompani vërtetë nuk e dinte se çfarë mbetjesh kishte blerë, “Kurum” sigurisht qe e ka ditur.

Në dëshminë e dhënë në Prokurorinë e Durrësit, gjatë marrjes në pyetje, administratorja e kësaj kompanie, Gjovana Sokolaj, ka deklaruar se ka kërkuar nga “Kurumi” një sasi prej 2000 ton dioksid hekuri dhe ka dërguar një sasi parash paradhënie për këtë produkt. Sipas saj, është dërguar një mostër për analiza në një laborator në Kroaci, nga përgjigja e të cilave, më datë 21 prill 2024 ka rezultuar se produkti është dioksid hekuri dhe nuk është toksik. Gjithashtu, Sokolaj ka deklaruar se ka blerë mbetjet te “Kurum” dhe gjatë vitit 2024 ajo ka kryer 2-3 eksporte me destinacion Tajlandën dhe nuk ka pasur asnjë problem.

Dosja që do të zbulojë të vërtetën e këtij skandali tashmë është në duart e drejtësisë. Vetë fakti se mbetje të tilla kishin përfunduar në një vend si Tajlanda, pa kapacitete të provuara të riciklimit të këtyre mbetjeve, ngre hije dyshimi.

Prokuroria e Durrësit i shtriu edhe më tej hetimet për skandalin e transportit të mbetjeve të dyshuara toksike duke sekuestruar të gjithë dokumentacionin e kompanisë “Kurum International”. Edhe pse Gjovana Sokolaj ka treguar se sasia prej 200 tonësh që iu ble kompanisë Kurum është dioksid hekuri dhe jo mbetje toksike, Prokuroria pritet të kryejë akt ekspertimin në laborator të monstrave që janë ngarkuar në kontejner. Hetimet po zhvillohen për akuzën e kontrabandës së mallrave të ndaluara ose të kufizuara, por deri në këtë fazë nuk ka ende persona nën hetim. Përveç sekuestrimit te dokumentacionit në kompanitë private, Prokuroria ka kërkuar të dhëna edhe ne institucionet publike siç është Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore mbi praktiken e ndjekur për transportin e kontejnerëve. Momentalisht mësohet se anijet gjenden në Singapor, por autoritet atje nuk i kanë pranuar.

Nga ana tjetër Prokuroria e Durrësit ka kërkuar informacion në rruge elektronike tek homologet në Singapor, kjo për të shmangur vonesat me anë të letër-porosive, por deri më tani nuk kanë marrë ende përgjigje.

Ndërsa ne Elbasan, kompania turke “Kurum” ka mbyllur dyert dhe ka pezulluar aktivitetin. 500 punonjës të dy uzinave të kësaj kompanie janë aktualisht pa punë, pas ndërprerjes se kontratës në mënyre të njëanshme dhe pa asnjë sqarim nga kompania turke. “Kurum” nuk ka pranuar të japë shpjegim nëse bëhet fjalë për një pezullim të përkohshëm të punës në uzina, apo për ndërprerje të saj afatgjatë.

“KURUM”, PRODHUESJA E MBETJEVE

Për të eksportuar nga Shqipëria mbetjet që prodhohen nga furrat elektrike, të njohura botërisht si EAFD, electric arc furnace dust, nevojitet një leje paraprake nga Tajlanda si vend destinacion, si dhe vendet transit për të eksportuar mbetje të rrezikshme. Kjo leje duhet të përfshijë informacione mbi llojin dhe sasinë e mbetjeve, si dhe destinacionin dhe metodën e trajtimit ose asgjësimit të tyre. Eksporti i mbetjeve të rrezikshme mund të bëhet vetëm nëse mbetjet do të menaxhohen në mënyrë të sigurt në vendin e destinacionit, sipas standardeve mjedisore dhe shëndetësore të përshtatshme. Por të paktën deri në këtë fazë të hetimeve që po kryen Prokuroria e Durrësit, ende nuk është vënë në dorë një leje e tillë, që të konsiderohet si provë.

Kompania turke “Kurum International” operon në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit që prej vitit 1998 dhe është furnizues i rëndësishëm rajonal i shufrave të hekurit për ndërtim. Me qindra punëtorë në bordero, ajo ishte gjithashtu një punëdhënës i rëndësishëm për qytetin e Elbasanit. Por pas përhapjes së këtij skandali, kompania mbylli dyert dhe nxori në rrugë 500 punëtorë.

Për të reduktuar ndotjen e shkaktuar nga industria, “Kurum” ka pretenduar vazhdimisht se ka instaluar prej vitit 2010 një sistem filtrash për kapjen e mbetjeve të hirit nga trajtimi i gazeve të oxhakut në ish-Kombinatin Metalurgjik. Por duket se realiteti është ndryshe. Aty prodhohen sërish mijëra ton mbetje të rrezikshme të hirit të oxhakut në vit.

“Këto pluhura që kapen nga sistemi, ambalazhohen në thasë dhe mund të eksportohen ose të përdoren në vend. Për këtë periudhë nuk është bërë evadim i kësaj mbetjeje, ato janë depozituar në sheshin përkatës dhe janë lëndë e parë për prodhimin e bojërave pasi është në % të lartë ZnO”, raportonte Kurum në qershor te vitit 2021.

Sasia totale e këtyre mbetjeve është prodhuara për më shumë se një dekadë nga “Kurum” dhe destinacioni i tyre mbetet i panjohur, por vetëm për një periudhë 3-mujore, kompania raportonte se kishte akumuluar 2500 ton pluhura, të cilat deklarohen ndryshe edhe si oksid zinku.

Sipas verifikimeve të kryera nga Policia e Durrësit, të referuara më pas në Prokurori, një sasi prej 2800 ton mbetje të prodhuara nga “Kurum” dyshohet se i janë shitur kompanisë “Sokolaj” sh.p.k në tetor dhe nëntor të vitit 2023. Gjovana Sokolaj dëshmoi në Prokurori se produkti me të cilin janë mbushur 102 kontejnerët, që ajo e konsideron si oksid hekuri, është blerë nga kompania “Kurum” për një vlerë totale prej 41 mijë dollarësh. Më pas, Sokolaj ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024.

Por rreth një muaj më pas, Gjovana Sokolaj dëshmon se mori një njoftim shqetësues nga kompania e kontenjerëve. Ajo ka deklaruar se në njoftim e informonin se, 102 kontejnerët që kompania e saj kishte nisur do të ktheheshin në portin e Durrësit, sepse porti i Singaporit nuk pranonte të bënte shkarkimin. Sipas saj ata kishin dyshime se kontejnerët ishin mbushur me lëndë toksike. Në deklarimet që ka dhënë në Prokurori, Sokolaj pretendon se ka kthyer përgjigje me e-mail, duke u konfirmuar se materiali që ndodhet në kontejnerë është oksid hekuri, janë bërë analizat nga Sokolaj sh.p.k dhe Kurum sh.a dhe nuk rezulton që aty të ketë mbetje toksike.

Më 27 gusht, pasi e kishin lajmëruar më parë kompaninë turke “Kurum” se do të shkonin për inspektim, ekspertët e Inspktoratit Shtetëror të Punës zbarkuan në mjediset e saj. Ata qëndruan për afro 3 orë duke kryer verifikimet e nevojshme në zyrat e kompanisë duke marrë dokumente për të verifikuar shkaqet e largimit nga puna të afro 500 punonjësve, të cilët kompania turke thotë se po i shkarkon pas vështirësive ekonomike që ka hasur.

Në përfundim të inspektimit, drejtuesi i inspektoratit Elbasan nuk ndau asnjë informacion lidhur më çfarë kishin mundur të shihnin dhe dokumentonin në tre orë qëndrimi brenda kompanisë që akuzohet se ka eksportuar mallra të rrezikshme drejt Tajlandës. Konkluzione e inspektimit njoftoi se do të bëhen publike në ditët në vijim. Në të njëjtin ditë pranë “Kurum” ishin edhe ekspertë të Inspektoratit të Mjedisit, të cilët mësohet se morën mostra që do të analizohen në laboratorët përkatës. Ndërkohë dy uzinat e kompanisë turke ajo e prodhimit të çelikut dhe e petëzimit vijojë te jenë të mbyllura.

Brenda zyrave mësohet se ndodhen vetëm punonjësit e departamentit të shitjeve dhe jashtë tyre rojet e sigurisë, ndërsa qindra punonjës të tjerë janë hedhur në rrugë me pretendimin se kompania nuk po ia del dot ekonomikisht. Ky vendim për mbyllje uzinash e shkarkim punonjësish vjen pas zbulimit të skandalit se “Kurum” përmes një kompanie tjetër ka eksportuar drejt Tajlandës rreth 800 ton mbetje që dyshohet se janë të rrezikshme.

Largimin e 500 punonjësve, “Kurum” e justifikon me faktin e rritjes së kostove dhe vështirësive ekonomike. Por shifrat e dorëzuara në institucionet shtetërore tregojnë të kundërtën e asaj që pretendon kompania. Nga të dhënat konfirmohet se “Kurum” është një ndër kompanitë që ka rezultuar me fitimet më të larta në dy vitet e fundit. Sipas bilancit, “Kurum” realizoi një fitim prej 78 milionë eurosh në vitin 2022. Ndërkohë që gjatë vitit të kaluar fitimi neto ishte 44,6 milionë euro,  shifër kjo edhe pse pak më e ulët vlerësohet një fitim i konsiderueshëm. Këto fitime lidhen me nivelin e lartë të inflacionit dhe kërkesën e lartë për metalet. Por ky nuk është i vetmi burim fitimesh për “Kurum” pasi zotëron gjithashtu edhe 4 hidrocentrale, nga të cilat siguron energji për aktivitetin dhe shet tepricën.

Ndërkohë që kërkesat në vend për hekur mbeten të larta në sektorin e ndërtimit. Ky argument është dhënë edhe nga deputeti Erion Braçe. Në një postim të radhës  deputeti socialist thekson se është e pamundur që kompania të jetë në vështirësi financiare në kushtet kur kërkesa për produktet që uzina prodhon është në maksimum prej vitesh.

“Kurum” pretendon nga ana tjetër se me shkurtimin e rreth 500 punonjësve do të ulë shpenzimet. Por me një përllogaritje të thjeshtë rezulton se fondi i pagave është minimal në krahasim me fitimet e deklaruara zyrtarisht të cilat sipas bilancit në vitin 2023 janë 44.6 milionë euro. Paga mesatare e punonjësve është rreth 1 mijë dollarë në muaj. Ndërkohë për 500 punonjës kjo kompani shpenzon 500 mijë dollarë në muaj ose 6 milionë dollarë në vit dhe e konvertuar në euro 5.4 milionë euro. Ky është një fond shumë minimal krahasuar me fitimet dyshifrore të deklaruara të kompanisë. Ndërsa nga të dhënat konfirmohet se i gjithë fondi i pagave të grupit ishte më pak se 9 milionë euro.

Kompania “Kurum” ka pasur kohë të arta të aktivitetit të saj me fitime marramendëse  si rezultat i përfitimeve të aseteve shtetërore nga demokratët. Aktualisht ka mbyllur aktivitetin dhe rrezikon që të lerë të papunë rreth 500 punonjës por në periudhën 2005-2013 kjo kompani ka qenë e favorizuar në shumë aspekte. Kompania turke “Kurum”, fitoi në 2011-ën një koncesion 35-vjeçar për menaxhimin e terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit. Një kontratë kjo që u prish më pas nga qeveria socialiste, e cila urdhëroi anulimin e koncesionit duke hapur çështje gjyqësore për shkak të mospërmbushjes së kushteve kontraktuale nga kompania. Shqipëria fitoi gjyqin e arbitrazhit me kompaninë turke “Kurum” për mbylljen e kontratës koncesionare të terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrës. Gjykata për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve në Uashington, ICSID, ka rrëzuar pretendimin 100 milionë euro që kompania turke kishte ndaj qeverisë shqiptare, dëm që sipas saj i ishte shkaktuar nga mbyllja e njëanshme e koncesionit për terminalin e kontejnerëve në Portin e Durrësit.

Po ashtu një tjetër koncesion iu dha kompanisë turke “Kurum”. Më 22 korrik të vitit 2013. Qeveria i dha me koncension me kontratën e tipit “Rehabilitim, Operim dhe Transferim”, kompanisë Kurum International SH.A. rafinerinë e Cërrikut. Premtoi se do të investonte 48 milionë euro duke ndikuar edhe në punësim në këtë zonë por e shkriu për skrap që në muajin e parë.

Në të njëjtën periudhë përfitoi ndër të tjera edhe asete të rëndësishme energjetike shtetërore. Ekspertët në atë kohë e kritikuan ashpër shitjen e katër hidrocentraleve rentabël me çmime të ulëta. Hidrocentralet Bistrica 1 dhe Bistrica 2 u shitën për 52 milion euro. Ndërsa Ulza e Shkopeti u shitën për 57.5 milion euro.

Ndërkohë në fund të mandatit si kryeministër, Sali Berisha firmosi një tjetër kontratë koncesionare në bazë të së cilës i jep “Kurum” 67 hektarë tokë publike në Spitallë të Durrësit, për të ndërtuar një park industrial.

RRUGA E MBETJEVE DHE KTHIMI I TYRE

Dy dërgesa që besohet se përmbajnë mbetje toksike të padeklaruara që zbarkuan në brigjet e Singaporit në gusht, po dërgohen nga autoritetet në vendin e origjinës. Tituj të ngjashëm u publikuan nga disa media në Singapor. Ngarkesat me origjinë nga Shqipëria, që sipas mbikëqyrësve të mbetjeve atje deklaruan se përmbanin pluhur toksik të furrave së çelikut, në muajin korrik ishin nisur nga Italia në drejtim të Tajlandës. Pluhuri toksik i furrës së çelikut përmban metale të rënda si zink dhe plumb që mund të kullohen kur hidhen në tokë, duke ndotur ujërat nëntokësore. Pluhuri i dëmshëm mund të çojë në acarim serioz të syve, lëkurës dhe mushkërive, madje edhe të shkaktojë kancer.

Në Itali, ngarkesa është vendosur në dy anije, Maersk Campton dhe Maersk Candor, nga gjigandi danez i anijeve Maersk. Campton mbante 41 kontejnerë dhe Candor, 61. Mbikëqyrësi, Basel Action Network, tha në një deklaratë më 5 gusht 2024 se anijet Maersk ishin nisur për në Tajlandë. Singapori duket se ka qenë një ndalesë transiti gjatë rrugës. Konventa e Bazelit është një traktat i OKB-së që kriminalizon trafikimin e mbetjeve. Sipas traktatit, eksportuesi ose gjeneruesi i mbetjeve do të duhet të marrë miratimin nga autoritetet e vendit pritës përpara se mbetjet të zhvendosen. Por Basel Action Network deklaronte se vendet në rrjetin e transportit nuk ishin njoftuar për ngarkesën toksike.

Basel Action Network

Shqipëria nuk u informua kurrë për eksportin nga eksportuesi. Po ashtu as shtetet transit nuk u informuan dhe Tajlanda nuk mori kurrë asnjë njoftim.

Në një moment, rrugës për në Azinë Juglindore, ku hedhja e mbeturinave të paligjshme nga vendet e tjera është e përhapur, Maersk Campton dhe Maersk Candor dolën jashtë radarit për një kohë shumë të pazakontë. Transponderi i Sistemit të Pozicionimit Global të sistemit të identifikimit automatik të Maersk Campton (AIS) u çaktivizua më 31 korrik dhe nuk arriti të bënte ankorimin e planifikuar më 1 gusht në Cape Town. Maersk Candor doli nga radari midis 9 dhe 19 gusht apo më shumë. Organi mbikëqyrës ngriti alarmin dhe njoftoi Shqipërinë, disa vende transit dhe Tajlandën.

Më 18 gusht, Maersk Campton besohet se ka shkarkuar 41 kontejnerët e tij në Singapor. Të nesërmen, kontejnerët u transferuan në një anije tjetër nën kompaninë e transportit mesdhetar që ishte planifikuar të lundronte në Itali më 21 gusht.

Anija e dytë, Maersk Candor, e cila mbante 61 kontejnerët e mbetur, u ankorua në Singapor më 24 gusht. Një kërkim në portalin e gjurmimit detar MarineTraffic.com tregoi se Maersk Candor ishte ankoruar në terminalin Pasir Panjang më 25 gusht.

Në përgjigje të pyetjeve nga “The Straits Times”, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (NEA) dhe Autoriteti Detar dhe Portual i Singaporit (MPA) thanë më 26 gusht se kishin marrë informacion mbi dy anijet Maersk të destinuara për në Singapor që mbanin kontejnerë që thuhet se përmbajnë mbetje të rrezikshme të padeklaruara.

Agjencitë thanë se kishin informuar Maersk, që i njoftoi se po i dërgonin kontejnerët në vendin e eksportit. Maersk Campton ishte ankoruar dhe që atëherë ishte nisur nga Singapori. Ndërsa Maersk Candor ishte rrugës”.

Singapori u bë nënshkrues i Konventës së Bazelit në 1996. Republika miratoi Aktin e Mbetjeve të Rrezikshme (Kontrolli i Eksportit, Importit dhe Transitit) dhe rregulloret e tij për të rregulluar eksportin, importin dhe transitin e mbetjeve toksike në përputhje me konventën. Çdo palë që kërkon të zhvendosë mbetje të tilla këtu kërkon një leje nga Departamenti i Kontrollit dhe Menaxhimit Kimik të AKM-së.

E pyetur për përmbajtjen e dërgesave, ose nëse Singapori kishte kryer teste për të përcaktuar nivelet e metaleve të rënda dhe substancave të tjera në to, AKM dhe MPA do të thoshin vetëm: “Në përputhje me Konventën e Bazelit, Singapori po lehtëson kthimin e kontejnerëve .”

Në një letër të 14 gushtit drejtuar Portit Laem Chabang në Tajlandë që u publikua në internet, Maersk tha se dy anijet nuk ishin planifikuar të ndalonin në Tajlandë.

Kompania Maersk

Duke pasur parasysh spekulimet në lidhje me përmbajtjen e këtyre kontejnerëve, kompania aktualisht po bashkëpunon me autoritetet përkatëse në Singapor dhe linjën e anijeve, në emër të së cilës ne operojmë, për të siguruar që këto kontejnerë të kthehen në Shqipëri me mjetet më të mira të mundshme. Nuk është e papritur që disa pronarë anijesh të çaktivizojnë përkohësisht sinjalet AIS për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Këto kontejnerë nuk janë deklaruar se përmbajnë mbetje të rrezikshme. Nëse do të deklaroheshin si të tillë, kompania do të refuzonte t’i transportonte.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin ka thënë se Malajzia, Vietnami, Tajlanda dhe Indonezia janë bërë venddepozitimi kryesor në Azinë Juglindore për mbetjet legale dhe të paligjshme nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Britania, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera.

Midis marsit dhe qershorit, portet e Malajzisë sekuestruan qindra kontejnerë që dyshohej se përmbanin mbetje të paligjshme elektronike, pasi morën një informacion nga Rrjeti i Veprimit të Baselit. Të paktën 106 kontejnerë u mbushën me mbeturina elektronike. Odiseja e këtyre mbetjeve është vetëm në hapat e parë. Ndërsa pritet përfundimi i analizave laboratorike për të vërtetuar se çfarë përmban në të vërtetë materiali në kontejnerët që po udhëtojnë për t’u rikthyer në Shqipëri.

Por nga ana tjetër Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Ministria e Turizmit kanë dalë në një deklaratë në lidhje me mbetjet e Kurum që janë eksportuar drejt Tajlandës, duke theksuar se Shqipëria nuk do të pranojë rikthim të tyre. Në deklaratë, thuhet se në të dyja rastet e transportit të publikuara nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e BE-së, por janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre. Mallra me klasifikim të tillë thuhet në deklaratë, nuk janë konsideruar asnjëherë si mbetje të rrezikshme nga organet doganore dhe mjedisore.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe ajo e Turizmit thonë më tej se në këto raste përgjegjësia nuk mund të bjerë mbi administratën portuale pasi këto mallra nuk bëjnë pjesë në kategorizimet e parashikuara në Kodin Ndërkombëtar Detar për Mallrat e Rrezikshme.

“Faktet tregojnë se ngarkesa të tilla janë pranuar rregullisht nga vendet transit dhe nga vendet e destinacionit fundor. Më konkretisht rezulton se së fundmi 360 njësi kontejnerike të tilla janë pranuar nga autoritetet doganore kineze vetëm në 10 muajt e fundit”, thuhet në deklaratë.

Duke përmendur konventat ndërkombëtare, ministritë thonë se deklarimi i ngarkesës si mall i rrezikshëm apo mbetje e rrezikshme është detyrim i eksportuesit apo importuesit, çka duhet të evidentohet përmes dokumentacionit shoqërues të mallit nga prodhuesi, analizat dhe autorizimet përkatëse. Në fund të deklaratës theksohet se Shqipëria nuk do të pranojë rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme.

Nëse në kontejnerët që po kthehen në Shqipëri ka mbetje toksike ose jo, kjo do të vërtetohet vetëm nga analizat e specializuara laboratorike. Por që “Kurum” tashmë është përfshirë në këtë skandal, kjo duket se nuk do shumë analiza. Sinjalet e para i dha vetë kompania. Fillimisht me përgënjeshtrime që rezultuan të pabaza e më pas me largim nga puna të 500 punonjësve, me arsyetim sërish pa baza. Ndotja nga furrat dhe oxhaqet e uzinave të “Kurum”, duket se tashmë nuk është më vetëm lokale dhe as kombëtare.

Kontejnerët e dyshimtë e kthyen atë në ndërkombëtare. Tashmë gjithçka është në dorën e Prokurorisë së Durrësit. Behët fjalë vetëm për kontrabandë mallrash të ndaluar, apo në këtë formë ishte ndërtuar një linjë e trafikimit të mbetjeve toksike nga “Kurum” e “Sokolaj”. E nëse kjo do të provohet, atëherë nuk bëhet më fjalë për një krim të rëndomtë, por për krim të organizuar.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!