Dilema 13-vjeçare për 4 vrasjet e ndodhura para Kryeministrisë, duket se më në fund mund të marrë përgjigje.
Gjykata e Lartë, që do të vendosë më 27 shkurt, ka në dorë “fatin” e dosjes që për vite me radhë fjeti në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës, “kurrizi pa shtyllë” i së cilës, siç e quajti kryeministri Edi Rama, duket se nuk e mbajti dot.
Tragjedia, në të cilën mbetën të vrarë Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Aleksandër Nika, sot më shumë se kurrë ka mundësinë të hetohet ashtu siç vetë familjarët e viktimave kërkojnë. Nga SPAK. Ata besojnë vetëm aty.
Atëherë kur u mendua se shansi i fundit për të vënë drejtësi për “21 Janarin” u shua me vendimin e Apelit të Posaçëm që hodhi poshtë kërkesën e familjareve të viktimave që çështja t’i kalojë SPAK, në dritë doli një tjetër mundësi. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, i publikuar më 14 nëntor të vitit 2023 zgjoi shpresat e të gjithëve për një drejtësi, që sado e vonuar të jetë, një ditë do të vihet në vend. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, në vendim e zbardhur për vrasjen e Aleks Nikës, në protestën e 21 Janarit, ka bërë përgjegjës shtetin shqiptar, si për vrasjen, ashtu edhe për mos zbardhjen e saj dhe ndëshkimin e autorëve. Sipas Gjykatës, shteti dështoi në kontrollimin e protestës dhe oficerët e Gardës së Republikës, përdorën armët e zjarrit duke vrarë 4 persona, përfshirë dhe Aleks Nikën. Në të njëjtin vendim thuhet se, Gjykatat nuk saktësuan nëse përdorimi i armëve për të shpërndarë protestuesit, ishte mundësia e fundit për gardistët.
Gjykata e Strasburgut: Proceset kombëtare nuk shqyrtuan nëse forcat e sigurisë mund të kishin përdorur mjete të tjera, jo vdekjeprurëse, për kontrollin e turmave, të cilat në ditën e ngjarjeve ishin përdorur shumë pak dhe kjo për motive që nuk janë shpjeguar nga autoritetet.
Në vendim, Gjykata e të Drejtave të Njeriut thotë se, zyra e Kryeministrisë, që në atë kohë drejtohej nga Sali Berisha, nuk ofroi të gjitha video incizimet, ose Prokuroria dështoi të sekuestrojë regjistrimet, që do të ishin provë e vlefshme për hetimin.
Gjykata e Strasburgut: Çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues nuk ishte zbardhur nga hetimi përkatës, i cili ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues i Gardës.
Nga ana tjetër, janë gjetur edhe mangësi të tjera në shqyrtimin e dosjes hetimore nga drejtësia shqiptare.
Gjykata e Strasburgut: Kishte pasur gjithashtu edhe një serë mangësish të tjera në hetim, duke përfshirë fshirjen e videoregjistrimit të indicentit dhe mos ndjekjen e disa pistave kyçe të hetimit, si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë.
Këto mangësi nga ana e organeve hetimore shqiptare, sipas vendimit të Strasburgut, ngrenë dyshimet se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim padrejtësisht. Në fund, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut sugjeron se, autoritetet duhet të vazhdojnë hetimet për zbardhjen ne rrethanave të vdekjes së Aleks Nikës dhe identifikimin e ndëshkimin e përgjegjësve.
Gjykata e Strasburgut ishte vënë në lëvizje pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës. Dosja për vrasjen e tij po hetohet prej tri vitesh nga Prokuroria e Tiranës që nuk ka dalë ende në një përfundim për autorësinë e krimit.
23 Janar 2023
Ministri i Drejtësisë dorëzoi dy padi në SPAK
Në fillim të vitit 2023 pati një shpresë se pikëpyetjet disavjeçare se kush e dha urdhrin për të qëlluar mbi 500 plumba, në protestën e 21 Janarit 2011 do të merrnin përgjigje nga Prokuroria e Posaçme. Më 23 janar u dorëzua aty një kallëzim për akuzat: Vrasje në rrethana cilësuese dhe shpërdorim detyre. Ish-funksionarët e lartë shtetërorë, të cilët u kallëzuan në SPAK ishin: Ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandandi i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.
Në SPAK u depozituan dy padi. E para nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe e dyta nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri. Por SPAK shpalli moskompetencë dhe ia kallëzimet për hetim Prokurorisë së Tiranës.
Përtej polemikave politike dhe provave, një serie aktesh ekspertimi dhe përgjigjes së italianëve për Aleks Nikën që nuk ka ardhur ende, vendimtare për të zgjuar 21 janarin ishte një audio-regjistrim i asaj kohe, i bërë publik nga gazetari investigativ Artan Hoxha. Në këtë material dëgjohet një komunikim në radio që ka ndodhur para vrasjes së protestuesve. Nga komunikimet kuptohet që komandantit të Gardës i është kërkuar të hyjë në Kryeministri. Pasi ka dalë nga aty ka nisur komunikimi në radio. Zëri nuk është shumë i qartë, megjithatë ka sekuenca që mund të kuptohen. I takon Prokurorisë që të bëjë transkriptin e plotë.
Pas audio-regjistrimin, edhe familjarët e të ndjerit Aleks Nika trokitën në dyert e SPAK, të bindur se është Prokuroria e Posaçme institucioni që do të hedhë dritë mbi 21 janarin. Prej tri vitesh Prokuroria po mban në sirtar historinë e pazbardhur se kush e vrau Aleks Nikën. Ai ndërroi jetë në një spital në Turqi dhe për vrasjen e tij asnjë laborator i huaj, përfshirë edhe atë të FBI-së, nuk ishte në gjendje të përcaktonte se nga cila armë u qëllua. Aktualisht, për të arritur këtë qëllim po punohet në një laborator në Itali. Oficerët e Policisë, më 1 shkurt të vitit 2023 shkuan në Lezhë, për të sekuestruar materialin në familjen e Nikës. Por, xhaxhai i Aleks Nikës nuk e dorëzoi duke u thënë se audio-regjistrimi është i tij dhe se familja e disponon atë që prej muajit korrik të vitit 2022, por nuk mund ta dorëzojë, pasi nuk ka besim. Mark Nika thotë se në këtë pikë ka besim vetëm tek SPAK. Një argument ky që shpjegon edhe faktin pse kjo provë nuk është dorëzuar deri më sot.
Më 22 janar të vitit 2023, Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar hodhi poshtë kërkesën e familjarëve të viktimave të 21 Janarit që dosja t’i kalonte për hetim SPA-ut. Familjarët kishin ankimuar vendimin e Prokurorisë së Posaçme që i kaloi çështjen për kompetencë Prokurorisë së Tiranës. SPAK shpalli moskompentencë, jo vetëm për padinë e tyre të depozituar më 16 shkurt, por edhe atë të bërë nga Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste. Kreu i SPAK, Altin Dumani tha se do të pritej përfundimi i hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, për të marrë ndërmarrë hapa të mëtejshëm. Sipas tij, në rast se nga hetimet do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi, atëherë dosja do të merret në dorë nga SPAK, siç kërkojnë familjarët.
MANIPULIMI DHE SHKELJET PËR 21 JANARIN
Që historia kishte të fshehta dhe që Prokuroria po pretendonte ta zbardhte në atë kohë, ishte fakti që u mor i pandehur shefi i IT-së në Kryeministri, Armando Kasa. Ai akuzohej se kishte fshirë pamjet e vrasjeve të 21 janarit nga serveri i kamerave të sigurisë. Përfaqësuesi i akuzës në atë hetim, Ndini Tavani, duke lexuar konkluzionet përfundimtare ndaj Kasës, ndër të tjera u mbështet edhe tek ekspertiza e FBI-së, e cila përcaktoi se këto filmime ishin fshirë. Prokurori theksoi se nga 16 kamera, që ndodheshin në objektin e Kryeministrisë, 11 prej tyre ishin në gjendje pune, me shpejtësi 25 pamje në sekondë për secilin kanal. Këto regjistrime nuk iu vunë në dispozicion organit të hetimit, pasi Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, nëpërmjet një letërkëmbimi me Prokurorinë, pohonte se kamerat nuk punonin që prej 2009-s. Fshehja, fshirja dhe manipulimi i provave nisi menjëherë pasi përfundoi protesta. Fillimisht me pastrimin e sheshit para Kryeministrisë nga vetë punonjësit e këtij institucioni, para se ky shesh të rrethohej si skenë krimi.
Manipulimi i fakteve nisi nga vetë kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha. Në daljen e parë publike pas vrasjes së 4 qytetarëve, Berisha u përpoq të bënte përgjegjës protestuesit.
Sali Berisha: “Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe të mjekëve të reanimacionit, është se ata janë gjuajtur nga afër me armë të lehta”.
Manipulimi u zhvendos më pas në Spitalin Ushtarak, ku mjekët u urdhëruan që të mbështesnin versionin e kryeministrit, duke thënë se qytetarët ishin qëlluar nga afër me armë të kalibrit të vogël.
Mjeku: “Dukeshin plagë të vogla që shkonin për armë zjarri nga distancë… e afërt”.
Kur ky skenar nisi të rrëzohej nga pamjet e publikuara në media, nisi të vihej në jetë skenari tjetër. Fillimisht sulmi ndaj kryeprokurores së asaj kohe, Ina Rama dhe presidentit Bamir Topi e më pas ndaj gazetarëve që po publikonin fakte.
Në ditët e nxehta pas 4 vrasjeve, lufta e parë që qeveria i shpalli Prokurorisë, përveç fshirjes së gjurmëve të krimit, ishte refuzimi për të dorëzuar 6 gardistët për të cilët ishte firmosur urdhër-arresti. Faktet nisën të dalin në dritë ditë pas dite, por sa më shumë shtoheshin faktet, aq më shumë shtoheshin edhe hipotezat dhe interpretimet shtetërorë për t’i rrëzuar. Në fillim duke thënë se gardistët nuk kishin marrë urdhër për të qëlluar, por qëlluan me vullnetin e tyre. Më pas, ekspertë kriminalistë, nisën të mbështesin teorinë se vrasjet ishin kryer nga plumba rikoshetë. Në këtë formë, qartazi, po përdorej gjithçka për të fshehur të vërtetën. Në një lojë të gjatë gjyqësore, drejtësia shpalli fajtor gjeneralin Ndrea Prendi dhe shefin e Operacionales së Gardës, Agim Llupo, duke i dënuar minimalisht.
Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin e Ndrea Prendit me 23 vjet burg dhe të Agim Llupos me 25 vjet burg, duke i akuzuar për vrasje me paramendim. Ndërsa Gjykata rrëzoi organin e akuzës, duke ndryshuar edhe akuzat. Në përnfudim, Ndrea Prendi u dënua me 1 vit burg dhe Agim Llupo me 3 vjet burg, për akuzën “vrasje nga pakujdesia”. Ata u shpallën fajtorë vetëm për vrasjet e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit. Gjyqësori shqiptar ka njohur si viktimë të pestë të 21 janarit edhe djalin e Faik Myrtajt , 22-vjeçarin Bardhosh Myrtajn. Ai u vetëvra 3 muaj pas ngjarjes ku humbi jetën i ati. Gjykata Administrative tha se ai ishte viktimë e ngjarjes tragjike, pasi nuk arriti dot të përballonte vrasjen e të atit dhe ka qenë nën efektin e zisë patologjike.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me punonjës së zyrës së OSBE në Tiranë, kanë hartuar një raport të detajuar prej 46 faqesh, pasi kanë inspektuar Policisë së Shtetit në lidhje me menaxhimin e demonstratës së 21 janarit 2011. Hetim është pasqyruar i detajuar në raportin e majit të vitit 2011, ku janë përmendur të gjitha shkeljet e kryera nga forcat e policisë, mosfunksionimi siç duhet i planit të masave, por nuk është përmendur në asnjë rast momenti i vrasjes së 4 qytetarëve. Inspektimi i kryer u zhvillua duke u bazuar në mbledhjen e informacionit nëpërmjet intervistave të zhvilluara me punonjës të Policisë së Shtetit, të nivelit drejtues dhe zbatues dhe verifikimin e procedurave te ndjekura nga strukturat e Policisë. Për kryerjen e hetimeve janë administruar, këqyrur dhe vlerësuar dokumentacioni i vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit. Gjithashtu janë përdorur pamje filmike të transmetuara nga mediat, intervistime me punonjës të strukturës policore të niveleve të ndryshme, fotografi dhe intervistime me qytetarë.
Raporti i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm ishte ndarë në 7 pjesë kryesore: Masat paraprake organizative, përshkrimi i ngjarjes, intervistimet, masat pas protestës, konkluzionet, rekomandimet dhe fotot përshkruese. Ajo çka bie në sy gjatë shtatë pjesëve të këtij raporti, është fakti se në asnjë paragraf të tij nuk është përmendur momenti i vrasjes së katër qytetarëve gjatë demonstratës. Janë përshkruar me hollësi dhe minutë pas minute momentet kur turma ka sulmuar policinë me sende të forta. Urdhrat e dhënë nga drejtuesit për përdorimin e gazit lotsjellës, makinës me ujë dhe një tjetër urdhër për përdorimin e një helikopteri për hedhjen e lëndëve lakrimogjene mbi protestuesit. Ndërsa rezulton të jetë dhënë edhe një urdhër për t’u njoftuar Garda e Republikës që të mos qëllojë më me armë, pasi turma po tërhiqet drejt selisë së Partisë Socialiste, ndërkohë që në raport nuk citohet momenti kur është dhënë urdhri për të qëlluar me armë. Katër qytetarët e vrarë gjatë demonstratës, përmenden vetëm si shifër, në tabelën statistikore me pasojat e demonstratës.
Nga konkluzionet përfundimtare të raportit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, rezulton që Policia e Shtetit nuk ka qenë e përgatitur për demonstratën e 21 janarit dhe plani i masave nuk është zbatuar me përpikmëri. Si rezultat i çorganizimit të forcave të policisë edhe godina e Kryeministrisë mbeti e pambuluar nga forcat e rendit për rreth 45 minuta. Grupi i punës që ka hartuar raportin përfundimtar, ka arritur në përfundimin se gabimet e forcave të policisë gjatë protestës kanë nisur që me orarin e vënies në zbatim të planit të masave. Rezulton që forcat e policisë janë angazhuar për demonstratën, në vendin ku ishte lajmëruar 3 orë para se të fillonte, gjë që ka sjellë lodhjen e efektivave të rendit e më pas çorganizimin e tyre. Plani i masave të policisë ka dalë jashtë kontrollit që pas orës 14:20, kur përpara godinës së Kryeministrisë, një grup prej 300 – 350 demonstruesish, kanë filluar të godasin me shkopinj dhe sende të forta, policët e vendosur në kordon, që ishin të pa pajisur me mjete mbrojtëse. Forcat FNSH janë afruar, por nuk janë futur në veprim, duke qëndruar në gatishmëri. Për rreth 35–40 minuta, protestuesit kanë vazhduar dhunën ndaj punonjësve të policisë. Janë bërë thirrje me megafon nga drejtuesit e Policisë, por sipas SHKB është konstatuar se në këtë fazë nuk janë kryer komunikime të vazhdueshme nga drejtuesit e Policisë së Shtetit me organizatorët e tubimit.
Pas çarjes së kordonit të policisë nga turma për të depërtuar tek godina e Kryeministrisë, është dhënë urdhër nga drejtuesi i shërbimit që të fillojë hedhjen e granatave të dorës me gaz lostjellës “CN”. Janë përdorur veç granatave edhe shotganët 12 mm dhe 40 mm me gaz “CN”, për shpërndarjen e demonstruesve që ishin më aktiv në ushtrimin e dhunës ndaj punonjësve të policisë.
Raporti i SHKB: Ky veprim ka rezultuar jo shumë efektiv, për shkak të mosllogaritjes së drejtimit të erës, e cila frynte me drejtim perëndim – lindje dhe gazi “CN” i hedhur në drejtim të demonstruesve, kthehej në vendin e dislokimit të forcave të policisë dhe FNSH-së, të cilët ranë nën efektin e këtij gazi për arsye të mos pajisjes së tyre me kundragaz.
Edhe pas përdorimit të lëndëve kimike, një pjesë e grupit të demonstruesve vazhdonte të godiste punonjësit e policisë dhe në këtë moment hynë në veprim dy automjete ujëhedhës.
Raporti i SHKB: Automjetet ujëhedhës nuk u shoqëruan me punonjës policie, për arsye të angazhimit të gjithë forcave policore në ruajtjen e godinës së Kryeministrisë, dhe rënies nën efektin e lëndëve lakrimogjene. Ky veprim bie në kundërshtim me procedurat standarde të punës për rendin dhe sigurinë publike, e cila parashikon shoqërimin e automjeteve ujëhedhës me forca policore.
Sipas raportit, nga pamjet vizive konstatohet që, porta Nr. 1 e godinës së Kryeministrisë për rreth 45 minuta, nuk ka qenë mbuluar me forca policore, për shkak të çorganizimit të tyre. Por nga ana tjetër, duket se ka pasur informacion 3 ditë para demostratës se më 21 Janar do të kishte incidente.
Raporti i SHKB: Drejtoria e Policisë së Tiranës më 18 janar 2011, ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se, nga organizatorët dhe përkrahësit e Partisë Socialiste do goditet me mjete të forta, si gurrë, vezë, në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Në miting do të marrin pjesë militantë të dhunshëm nga rrethet, të cilët kanë tendenca për të krijuar trazira gjatë mitingut. Më problematikët do të jenë ata të ardhur nga rrethet Shkodër, Laç, Mamurras, Fier, Berat dhe Vlorë. Gjatë mitingut do të vendosen në mes të protestuesve në vende të ndryshme makina të vjetra, të cilat do të digjen. Gjithashtu, do të bëhet bllokimi i bulevardit duke hedhur plehra me makina si dhe do të shkatërrohen mjetet e drejtuesve të ministrive të ndryshme.
27 Shkurt 2024
Gjykata e Lartë do të vendosë për fatin e dosjes së 21 Janarit
Edi Rama: Nuk na mbetet veçse të shpresojmë, që Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, do të vendosë me drejtësi në 27 shkurt dhe do të lëvizë barrën e rëndë të 21 Janarit nga kurrizi pa shtyllë i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në duart e SPAK-ut.
Në përkujtim të viktimave të 21 Janarit 2021, kryeministri Edi Rama, tha se katër dëshmorët humbën jetën në mënyrë të padrejtë. Sipas Ramës, vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të njeriut është detyrues dhe drejtësia shqiptare nuk duhet të humbasë kohë, por ta marrë në dorë hetimin e plotë të asaj ngjarjeje, që ai konsideron krim shtetëror të pa hetuar.
Ndërsa ndryshe nga përkujtimoret e mëparshme të kësaj date tragjike, xhaxhai i Aleks Nikës, Marku, thotë se 13 vite më pas tashmë për ta ka mbërritur një lajm i shumëpritur.
Mark Nika: Bashkë me dëshpërimin e përhershëm të vrasjes së pazbardhur të djalit tonë, Aleksit, ky përvjetor i 13-të i 21 Janarit të përgjakshëm, vjen me një lajm të mirë e të shumëpritur. Ky lajm është vendimi i Gjykatës së Strasburgut, i nëntorit të vitit të kaluar, që pohon të gjitha pretendimet tona. Pohon shmangien kriminale që i është bërë hetimit të vrasjes së Aleksit.
Përveç provave që u manipuluan e të tjerave që nuk o konsideruan, hetuesit e kohës duket se shmangën edhe dëshmitë e gjalla të asaj kohë. I tillë ishte edhe gazetari Fatos Mahmutaj, i cili mbeti i plagosur në demostratën e 21 janarit.
Ai thotë se ka dëshmuar në Prokurori lidhur me ngjarjen e 21 Janarit duke zbuluar se përveç Agim Llupos, nga tarraca e Kryeministrisë ka qëlluar edhe shefi i sigurisë.
Fatos Mahmutaj: Në të njëjtin moment janë qëlluar pothuajse të gjithë. Intervalet janë pothuajse pak sekonda nga njëri-tjetri. Unë i kam parë dy personat që kanë identifikuar, më vonë i kam identifikuar. Agim Llupo ishte me maskë, plus nuk e njihte njeri.
Fatos Mahmutaj tregon edhe se si është marrë nëpër këmbë nga Mjekësia Ligjore shqiptare që e refuzoi dhe më pas u detyrua të telefononte një nga prokurorët. Ndërsa thotë se ekspertizën e ka bërë privatisht në Belgjikë.
Fatos Mahmutaj: Dëshmia ime nuk marrë asnjëherë. Për ironi të fatit shkova në mjekësinë ligjore, sepse prokuroria më orientojë për të bërë ekspertizën dhe shefja më tha që ti duhet të jesh goditur në shtëpi. E nxora telefonin dhe mora një nga prokurorët i tregova dhe më tha hajde të bësh kallëzimin penal. Shkova në zyrën e tij dhe më tha nuk kam vizore. Nuk kam aparat fotografik dhe ia nxora vetë. Unë e kam bërë në Belgjikë ekspertizën pak kohë më pas, por nuk e di sa vlen.
Në përkujtimoren e 21 Janarit, Prokuroria e Tiranës shpërndau një deklaratë duke thënë se është duke kryer veprimet hetimore në lidhje me procedimin penal Nr.285 të vitit 2011, i rifilluar, aktet e të cilit bëjnë fjalë për ngjarjen e ndodhur më datën 21 janar 2011, gjatë së cilës kanë gjetur vdekjen shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
Prokuroria e Tiranës: Në datën 18.04.2012, është vendosur ndarja nga procedimi penal dhe dërgimi për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, i çështjes së numërtuar 285/21, të viti 2012, i materialeve për të pandehurit Ndrea Prendi akuzuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, parashikuar nga neni 79 gërma “ë” i K.Penal, me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj dhe të pandehurit Agim Llupo, akuzuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer kundër dy ose më shumë personave”, parashikuar nga neni 79 gërma “dh” i K.Penal, me pasojë vdekjen e shtetasve Hekuran Deda e Ziver Veizaj, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Erald Bisha, Sokrat Gode. Për gjykim në këtë procedim janë dërguar edhe materialet në ngarkim të të pandehurit Margarit Kume, i akuzuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Prokuroria thotë se, në funksion të hetimeve të zhvilluara nga ana e policisë gjyqësore janë kryer të gjithë veprimet e nevojshme hetimore, por nuk është bërë e mundur që të identifikohet se cilët janë personat që kanë vrarë Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën. As personat që kanë plagosur gazetarin Fatos Mahmutaj dhe qytetarët Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko e Ilia Papa. Në kushtet kur ishin kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore dhe autori i veprës penale nuk njihet, me vendim të datës 28 shkurt 2020, prej prokurorëve të çështjes është vendosur që hetimet të pezullohen duke i kaluar aktet e procedimit penal, për ndjekje të mëtejshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Prokuroria e Tiranës: Në datën 02.04.2021, është vendosur rifillimi i hetimeve të pezulluara dhe kryerja e veprimeve hetimore me qëllim zbulimin e autorit të vrasjes së shtetasit Aleks Nika, si dhe Hekuran Deda, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr.100, të shpallur në dt.07.02.2013, ka vendosur deklarimin të pafajshëm të pandehurit Agim Llupo, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje, të kryer kundër dy ose më shumë personave”, me pasojë të drejtpërdrejtë vdekjen e të ndjerit Hekuran Deda. Me kryerjen e veprimeve hetimore të këtij procedimi penal janë ngarkuar Oficerët e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët krahas detyrave të urdhëruara prej prokurorëve të ngarkuar me hetimin, kanë kryer edhe veprimet hetimore të deleguara prej prokurorit në lidhje me verifikimin e fakteve të publikuara prej shtetasit Artan Hoxha.
Prokuroria thotë se, në funksion të hetimeve të zhvilluara prej prokurorit është vendosur të bëhet vlerësimi dhe ekspertimi i provave të sekuestruara gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe këqyrjes së viktimës, Aleks Nikës, duke iu drejtuar autoriteteve kompetente të huaja, prej të cilëve për shkak të sensibilitetit dhe natyrës së çështjes është kërkuar konfidencialitet.
Prokuroria e Tiranës: Duke kujtuar respektimin e garancive të një procesi që është në hetim, bëjmë me dije se gjatë hetimeve që do të kryhen do të mbahen parasysh edhe aktet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që kanë lidhje me këtë procedim penal.
Çështja e 21 janarit ishte një nga testet më të forta të Prokurorisë për të kuptuar nëse akuza shqiptare ka apo jo vullnet për të çuar para drejtësisë përgjegjësit e vërtetë të vrasjes së Faik Myrtajt, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Aleksandër Nikës. Vitin që kaloi thanë se ishte shansi i fundit për të vënë drejtësi. E duket se vërtetë për drejtësinë shqiptare, me iniciativën dhe vullnetin e vet, ai ishte shansi i fundit. Pasi tashmë duket se gjithçka është diktuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
13 vite nga ajo ngjarje, shumë emra zyrtarësh të lartë, duke nisur që nga kryeministri i kohës, Sali Berisha, apo edhe ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, u lakuan si përgjegjës, jo vetëm që s’pati akuzë për ta, por nuk u morën kurrë në pyetje. Tashmë e thotë vendimi i Gjykatës së Strasburgut. “21 Janari” ishte një krim shtetëror dhe duhet hetuar si i tillë. Kush ishte shteti i asaj kohe? Dalim sërish aty, tek ata emra. Sot të gjithë e dinë dhe nuk pyesin më se kush qëlloi. Thelbi i historisë është të zbulohet, të hetohet dhe të dënohet ai që urdhëroi./abcnews.al