‘Gjërat Tona’/ Krimet e paralajmëruara që u kryen nga një vrasës serial i krijuar nga sistemi i drejtësisë

schedule18:43 - 4 Mars, 2023

schedule 18:43 - 4 Mars, 2023

Sot ai është 40 vjeç dhe mban autorësinë e 4 vrasjeve, tri plagosjeve, dy përdhunimeve, dy vjedhjeve dhe një rasti të dhunës në familje e kanosjes.

Të paktën për kaq është arrestuar e dënuar.

Në fakt është dënuar aq pak sa për 20 vjet ka arritur të kryejë kaq shumë krime.

Në rast se do kishte marrë dënimin e merituar, sot ai do ishte pas hekurave dhe jo duke lëvizur rrugëve të Tiranës me kallash në dorë e duke lënë pas gjak e viktima.

Të mërkurën ai vrau tri gra e plagosi tri të tjera. Të gjitha u shkaktuan në tri zona të ndryshme në Tiranë, por në një hark kohor prej 30 minutash.

Sinjalin ai e dha kur ishte 20 vjeç. Në këtë moshë ai kreu krimin e parë të dokumentuar, kundër dy grave.

Mbajti peng dhe tentoi të përdhunonte kunatën dhe nënën e saj në Devoll.

Ky ishte momenti ku Dan Hutra nisi serialin e tij të dhunës e vrasjeve me target femrat.

E që nga ky moment ai konsiderohet përsëritës sa herë që realizon krime të tjera. Për rrjedhojë nuk duhej të kishte lehtësira as nga Prokuroria e as nga Gjykata.

Por jo, ka ndodhur krejt e kundërta. Ai që shkaktoi terrorin të mërkurën në Tiranë nuk është thjeshtë një kriminel.

Ai është një vrasës serial i prodhuar nga sistemi i drejtësisë.

Sot, Inspeketoriati i Lartë i Drejtësisë nisjen e verifikimit të rastit për të identifikuar, nëse ka përgjegjësi disiplinore nga ana e magjistratëve

Ky është momenti që institucionet nisin t’i pasojnë topin njëri-tjetrit.

Por duket se ILD është pak vonë për të kryer këto verifikime.

Duhej të nisnin më herët, që kur një përsëritës u dënua minimalisht për dhunë në familje dhe kanosje.

 Historiku i arrestimeve dhe dënimeve të autorit

20 maj 2003

Mban peng dhe tenton të përdhunojë kunatën e nënën e saj në Devoll

10 dhjetor  2007

Vret me thikë bashkëshorten 22-vjeçare

7 dhjetor 2021

Arrestohet për vjedhje banesash në Durrës

1 shkurt 2022

Arrestohet në Durrës duke tentuar të vjedhë një banesë

16 qershor 2022

Arrestohet pasi dhunoi e kërcënoi bashkëjetuesen e familjen e saj

Le të nisim nga vitit 2003, kohë kur Dan Hutra vuri për herë të parë gjurmët e gishtave në sistemin e Policisë Kriminale.

Ai arrestohet më 20 maj të atij viti pasi mbajti peng dhe tentoi të përdhunonte kunatën e nënën e saj.

Ngjarja ndodhi në Devoll, kur autori ishte 20 vjeç. Ai u gjykua dhe u shpall fajtor për këtë ngjarje dhe u dënua me vetëm 2 vite burgim.

U akuzua për “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, parashikuar nga Neni 102 i kodit penal.

Për këtë vepër penale, ligji parashikonte nga 3 deri në 10 vjet burg. Dan Hutra u dënua me 2 vjet.

Ky ishte precedent i tij i parë dhe deri diku konsiderohet e pranueshme nga ana ligjore që ai të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar.

Por në çdo rast tjetër arrestimi dhe dënimi ai duhej konsideruar ashtu siç ishte, përsëritës.

Katër vite më vonë, Dan Hutra realizon vrasjen e parë.

Më 10 dhjetor të vitit 2007, në zonën e ish-parkut, rrugën “Stavri Themeli”, në Tiranë gjedet e vrarë në banesën ku jetonte me qira, 22-vjeçarja Dafina Havalja.

Vajza me origjinë nga Klosi ishte vrara dy ditë para se të bëhej denoncimi në Komisariatin Nr.2.

Rezultoi se autori i ngjarjes ishte bashkëshorti saj Dan Hutra, 25 vjeç, nga Kukësi.

Babai i Dafinës, Adbulla Havalja, tregonte në atë kohë se e bija kishte telefonuar nënën e saj pak para se të vritej.

Vajza i ka thënë se Dani e kishte mbyllur në dhomë e kishte frikë se do ta vriste.

Menjëherë pas kësaj telefonate ajo është vrarë.

Ai ka marrë në telefon vjehrrën duke i thënë: “Të rroni vetë se vajzën ta vrava”. Ndërsa për ta ngatërruar rreth vendndodhjes i ka thënë se ishte në Greqi.

Por pa kaluar ende një javë ai është arrestuar në Kukës.

Ai e kishte goditur 22 vjeçaren me thikë pranë zemrës dhe pasi i ka vendosur thikën në gjoks është larguar.

Babai i Dafinës tregonte se nuk ka pasur dijeni për dënimin e mëparshëm të dhëndrrit për përdhunim.

E ka mësuar pas martesës, por sipas tij atehërë ka qenë vonë.

Për këtë ngjarje, në mars të vitit 2009 ai u dënua me 24 vite burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, u dënua me 16 vjet heqje lirie.

Në atë kohë nuk ishin bërë ndryshimet në Kodin Penal dhe ai u akuzua për vrasje me paramendim, që parashikohej nga neni 78 dhe parashikonte burgim nga 15 deri në 25 vjet burg.

Pasi përfundoi dënimin për vrasje Dan Hutra u arrestua edhe dy herë të tjera për vjedhje banesash në Durrës.

Më 7 dhjetor 2021 dhe më 1 shkurt 2022. Sipas nenit 134 të kodit penal, vjedhja e pasurisë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Po kjo vepër penale, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet.

Për të dyja këto raste, edhe pse përsëritës, edhe pse kishte kryer edhe krime më të rënda, Dan Hutra ka marrë dënime minimale.

Aq minimale sa 4 muaj pasi kishte kryer vjedhjen e dytë, ai ishte i lirë, pasi më 16 qershor të vitit 2022 u arrestua sërish nga Policia e Tiranës.

Këtë herë ai dhunoi e kërcënoi bashkëjetuesen dhe familjen e saj.

Dan Hutra e kishte kërcënuar familjen e Elena Hysës duke u kërkuar edhe paratë e fejesës.

Në dosjen hetimore thuhet se Elena ka treguar disa episode ku është dhunuar fizikisht nga Hutra dhe se është trajtuar si skllave nga ana e tij.

Më pas përshkruhet se ai kishte besuar se fëmija që Elena priste nuk ishte i tij. E gjendur në këtë situatë, ajo është larguar nga banesa e tij duke shkuar tek prindërit e saj në Paskuqan.

Në dosje, tregohet se si Hutra kishte kërcënuar të atin e saj dhe duke i kërkuar paratë e fejesës. “Dua kokë njeriu, do shkojë gjaku deri në gju sepse vajza juaj më ka ikur nga shtëpia.”

Edhe pse një ngjarje mjaft e rëndë, edhe pse përsëritës e autor i krimeve edhe më të rënda, siç ishte vrasja e bashkëshortes, sërish ai u dënua minimalisht.

Dan Hutra fitoi lirinë dy javë më parë pasi përfundoi dënimin për akuzën e dhunës në familje.

Sipas vendimit të dhënë nga gjyqtari Gert Hoxha, 40-vjeçari u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, por përfitoi ulje me një të tretën për shkak se ndaj tij u aplikua gjykimi i shkurtuar.

U dënua përfunimishtr me një vit burg. Ai la ambientet e qelisë më 16 shkurt të këtij viti.

Referuar vendimit të gjykatës, autori i vrasjes së tri grave i kërkoi trupit gjykues që të jepte dënim minimal dhe të merrte parasysh që ai së shpejti do të bëhëj babai i një fëmije nga bashkëjetesa që kishte me Elenën.

Një tjetër rrethanë lehtesuese që paraqiti në gjykatë përmes avokatit të tij ishte edhe fakti që bashkëjtuesja dhe familjarët e saj hoqën dorë nga denoncimi për dhunën.

Tjetër argument që u pranua ishte edhe fakti që Hutra ka pretenduar se është personi i vetëm që duhet të kujdesej për nënën e tij të moshuar që hërë pas herë ka shfaqur edhe probleme shëndetësore.

Gjatë kësaj ai kërkoi ndryshimin e masës nga arresti në burg në detyrim paraqitje, por kjo kërkuesë u rrefuzua nga të dyja shkallët e gjykimit.

Në përfundim të dënimit gjyqtari urdhëroi lirimin e Hutrës nga qelia në 16 shkurt pas përfundimit të dënimit,

Dy javë pas lirimit nga burgu ndodhi ngjarja e së mërkurës. Vrasje e plagosje të paramenduara e të planifikuara nga autori Dan Hutra.

Dinamikën e ngjarjeve e shpjegoi në mbrëmje drejtori i Policisë së Tiranës, 6 orë pasi ato kishin ndodhur, kur autori ishte arrestuar.

“Në orën 12 e 15 minuta, autori Dan Hutra, në rrugën “Teodor Keko”, në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, ka plagosur me thikë 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi.

Pas kësaj ngjarjeje ai është larguar me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.

Ka plagosur me armë zjarri ish-bashkëjetuesen, Elena Hysa, 35 vjeçe dhe nënën e saj, Kujtime Hysa, 60 vjeçe.

Ndërsa ka vrarë me armë zjarri motrën e ish-bashkëjetueses, Mevlute Hysa 30 vjeçe dhe të fejuarën e vëllait të saj, Hasime Dafku, 26 vjeçe, e cila ishte shtatzanë.

Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.

Për plagosjen e Marjana Gurakuqit, Policia është njoftuar rreth orës 13:40, pasi kishin ndodhur vrasjet”.

Autori i këtyre krimeve është arrestuar rreth orës 18:45, në afërsi të Sharrës në Kombinat. Ndërsa është sekuestruar edhe arma kallashnikov qe e ka përdorur për krimet.

Profesori i Kriminalistikës, Ervin Karamuço, pasi përmend skedën kriminale të autorit Dan Hutra, ndalet edhe tek puna e policëve në terren.

Punën që ata kanë bërë pas daljes nga burgu të këtij personi, pasi është detyrë e tyre që të trokasin në dyert e familjeve që ai ka kërcënuar dhe ka pasur konflikt.

T’i monitorojnë në mënyrë që të parandalojnë një krim të mundshëm, që në fakt nuk e parandaluan.

DESHMIA E AUTORIT

Dan Hutra ka treguar përgatitjet  dhe gjithë dinamikën për vrasjen e tre grave dhe plagosjen e 3 të tjerave mesditën e së mërkurës.

Ai është pyetur dhe ka pranuar të gjitha krimet por pa shfaqur në asnjë moment pendesë.

Personi i parë që ishte  në shënjestrën e Hutrës ishte Marjana Gurakuqi me të cilën pretendon se ka pasur lidhje intime 15 vite më parë dhe në të njëjtën kohë e akuzon për një borxh prej 80 mijë euro.

“Në fillim shkova tek Marjana Gurakuqi, të cilën e kam pasur të dashur 15 vite më parë. Më pas kam ikur në Gjermani dhe u këtheva me 80 mijë euro, qe ia dhashë Marjanës në mirëbesim që të mi ruante. Kur erdha nga Gjermania ajo më tha se ishte martuar dhe lekët nuk i kishte më. Paastaj i kërkova disa herë që të më kthente shumat e parave por ajo nuk e bëri. Për këtë shkova që ta vras, e kam goditur disa herë me thikë dhe kam ikur”.

Dyshimet se ish-bashkëjetuesja e tij Elena Hysa e kishte tradhëtuar dhe fëmija nuk ishte i tij, e shtynë Hutrën që të shkonte në banesën e e ish-bashkëjtueses për të vrarë atë dhe babain e saj.

“Jam nisur për në banesën e Elenës. Doja ta vrisja sepse unë i kërkova disa herë që të bënte AND-në e fëmijës, edhe nga burgu i kisha dërguar mesazhe, por ata nuk pranuan. Pasi shkova në banesë kam qëlluar me thikë dhe me armën që kisha me vete.”

Më tej 40-vjecari  ka treguar se është larguar për të kryer një tjetër vrasje këtë radhë ndaj familjes së Vladimir Kurtit me të cilin është konfilktuar në qeli.

“Unë ika më pas për në banesën e Vladimir Kurtit. Me të pata konflikte dhe e kisha paralajmëruar se do i bëja diçka të afërmve të tij. Në banesë gjeta një vajzë që e pyeta se kush ishte dhe çfarë e kishte Vladimirin. Kur më tha se e kishte vëlla, e qëllova me armë”.

Në gusht të vitit 2019, Vladimir Kurti është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Tiranës, i shpallur fajtor për grabitjen dhe vrasjen e pronarit të një marketi në zonën e Kamzës.

Ngjarja ka ndodhur në prill të vitit 2018. Ndërkohë bashkëpunëtori i tij, Ruxhi Hoda u dënua me 26 vite burg.

Sipas prokurorisë së Tiranës, Vladimir Kurti ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të viktimës Agim Buci.

Gjithashtu në këtë ngjarje u plagos rëndë edhe bashkëshortja e tij, Rita Buci në tentativë për të larguar autorët e grabitjes.

I pranishëm në biznesin e familjes Buci ishte edhe djali i mitur 6 vjeçar.

Në fund ai ka rrëfyer për hetuesit se lëvizi me makinën që kishte marrë me qera drejt Kombinatit për të kryer edhe vrasjen e fundit.

“Unë jam larguar më pas për në Kombinat, ku kisha planifikuar edhe një vrasje tjetër. Rrugës më ka rënë sheqeri dhe ndalova në një dyqan për të blerë ujë. Aty pashë që në televizor ishte fotoja ime, në një ekran. Fëmija që ishte në market më duket se më ka njohur, por unë nuk e vrava. Vazhdova rrugën për në vendin ku do realizoja vrasjen tjetër. Vendosa të rrija i fshehur dhe vrasjen ta bëja në mëngjes.”

Në kodrën e Sharrës ai ka pritur duke pirë cigare, se kur do të shfaqej objektivi i radhës, Rrahman Sela.

Hutra e akuzon Selës se i ka dhënë armën personit që i qëlloi për vdekje të atin, Riza Hutrën, 23 vite më parë në Durrës.

Në fakt autor i kësaj ngjarje ishte nipi i viktimës, djali i motrës.

Duke qenë se jetonte afër me shtëpinë e Rrahman Selës, familjarët, përfshirë edhe Dan Hutrën patën dyshime se autori kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe ishte pahisur me armë.

Por nëse e ka marrë pa dijeninë e tyre apo ia ka dhënë vetë Sela, kjo nuk është e qartë. Megjithatë Dan Hutra e fajësonte Selën për këtë çështje.

Kur efektivët e Komisariatit nr.6 dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë e rrethuan, ai u dorëzua.

Të gjitha këto janë krime që mund të ishin parandaluar nëse gjatë gjykimeve për krime të mëparshme Dan Hutrës nuk do i krijoheshin lehtësira ligjore.

Profili i autorit

Autori i këtyre ngjarjeve të rënda, fillimisht u dyshua se mund të kishte problem mendore. Por drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj u shpreh se nuk kishin konstatuar ndonjë çregullim psikik të tij.

Ndërsa sa i përket tipologjisë dhe kategorisë që i përket Dan Hutra, nisur nga krimet që ka realizua, eksperti kriminalist Ervin Karamuço, e kosnideron atë pjesë të një katergorie feminicide që targeton vetëm femra.

Sistemi, përgjegjës për të vënë drejtësi, po bën padrejtësi duke riaktivizuar kriminelë, të cilëve u jep dënime minimale.

Duke krijuar lehtësira ligjore e duke pranuar gjykim të shkurtuar si në rastin e Dan Hutrës.

Edhe sa vrasje duhet të kryejë një njeri për të marrë dënimin që meriton?

Ndoshta kësaj here Dan Hutra nuk falet më nga sistemi, por askush nuk ka siguri që po ky sistem mund të ketë prodhuar apo do të prodhojë vrasës të tjerë si ai.

Të shpresojmë që ky të jetë i fundit./abcnews.al

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!