Gjërat tona/ “Kontrata vdekje” nga Greqia, saga e vrasjeve për pazaret e drogës që shkaktoi 8 viktima

schedule20:50 - 15 Dhjetor, 2024

schedule 20:50 - 15 Dhjetor, 2024

Ky shpërthim që i mori jetën Aleksandër Sadikajt më 11 qershor të vitit 2022, konsiderohet nga Policia shqiptare si pikënisja e një sage hakmarrjesh, që në më pak se dy vjet shkaktoi 5 të vrarë e 3 të plagosur.

Por për autoritetet greke duket se zanafilla e përplasjes së përgjakshme daton më herët dhe e ka origjinën pikërisht atje, në tokën helene. Aty, për të njëjtin motiv, rezulton të jenë vrarë edhe 3 shtetas shqiptarë e disa të tjerë janë plagosur.

“Kontratat e vdekjes” të lidhura mes grupeve kriminale, për armiqësi e rivalitete nga prishja e pazareve të drogës, nuk kanë kursyer as të pafajshmit. Ashtu sikurse ndodhi në Memaliaj në verën e vitit 2024.

Përplasjet e përgjakshme kanë ndodhur në një hark kohore prej 4 vitesh, në një fushëbetejë prej afro 700 kilometra mes Athinës dhe Tiranës.

Mosmarrëveshjet e nisura në Greqi, mbërritën në Shqipëri dhe u konkretizuan në vrasje, që deri më sot vetëm një prej tyre konsiderohet e zbardhur nga autoritetet shqiptare. Vrasja e biznesmenit Edmond Papa, e ndodhur fiks 2 vite më parë, më 16 dhjetor 2022. Ngjarje për të cilën sot janë pas hekurave dy të dyshuar, Albano Velo dhe Edvin Bode, të dy miq të Aleksandër Sadikajt. Asnjëri nuk e kanë pranuar krimin, megjithëse Prokuroria thotë se ka prova të forta kundër tyre.

Së fundmi, në Greqi është zhvilluar një operacion në zbatim të urdhër-arresteve të firmosura pas zbërthimit të aplikacionit SKY. Janë goditur 4 grupe kriminale me aktivitet trafikimin e lëndëve narkotike, 3 prej të cilave drejtoheshin nga shtetas shqiptar. Madje një nga grupet rezultoi se ishte drejtuar nga Aleksandër Sadikaj, që u vra në Tiranë nga një shpërthim i telekomanduar.

Nga bisedat e zhvilluara në SKY, referuar raportimeve të mediave greke që kanë publikuar pjesë të dosjes hetimore, Sadikaj rezulton të ketë urdhëruar atentatin ku mbeti i plagosur sarandiotit Ari Papa. Ai i shpëtoi atij atentati, që në fakt nuk ishte i pari për të, por mbeti i vrarë në një tjetër ngjarje. Hetimet greke e lidhin këtë ngjarje, me një tjetër plagosje të ndodhur në vitin 2020. Në atë ngjarje u plagos Rubin Kalemi, që është djali i dajës së Aleksandër Sadikajt, i cili nga bisedat në SKY rezulton të ketë porositur atentatin ndaj Papës si hakmarrje për kushëririn.

Kjo ngjarje, që tashmë konsiderohet e zbardhur nga autoritetet greke, mund të konsiderohet si një pistë e re për serinë e vrasjeve e plagosjeve të ndodhura në Tiranë e Memaliaj. Burime nga Policia shqiptare, shpjeguan se pavarësisht mbiemrit të njëjtë, Ari Papa dhe Edmond Papa, nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Edhe pse grupi hetimor nuk e përjashton mundësinë e njohjes dhe të bashkëpunim mes tyre. Drejtësia greke dhe shqiptare, deri në këtë fazë të hetimit ka bërë përgjegjës për këto dy ngjarje Aleksandër Sadikajn dhe njerëzit e tij.

Por sot, pas bisedave në SKY, që tashmë ndodhen në dosjen hetimore të autoriteteve në Greqi, hetimet për vrasjet e ndodhura në Shqipëri mund të marrin një tjetër kthesë. Edhe pse nuk përjashtohen pistat e mëparshme.

SKY ZBËRTHEU ATENTATET NË GREQI

Forcat speciale greke realizuan një operacion të rëndësishëm mbrëmjen e 5 dhjetorit 2024 për goditjen e disa grupeve kriminale të përfshira në trafik droge në Shqipëri, Greqi e Spanjë, në atentate dhe pastrim parash. Në dosjen hetimore, ku si provë janë përdorur mesazhet në platformat SKY dhe Encrochat, janë të paktën edhe 47 përdorues të platformave të kriptuara ende të paidentifikuar. Ndërsa 21 të tjerë janë arrestuar. Nga mesazhet, një pjesë e të cilave janë publikuar në mediat greke, janë zbuluar informacione në lidhje me atentatin e 26 shkurtit të vitit 2021 në vendin e quajtur “Stacioni i Larisës” në Athinë, ku u tentua të vritet me armë zjarri 32-vjeçari Ari Papa, nga fshati Dhivër i Sarandës. Ishte ora 20:00 kur Papa ndodhej në kryqëzimin e rrugëve “Nikopoleos” dhe “Korthiou”, në zonën e “Kato Patisias” në Athinë, kur pasagjerët e një taksie qëlluan me armë në drejtim të tij. Policia u njoftua nga banorë për të shtëna me armë zjarri. Sapo ka shkuar në vendngjarje, ka gjetur automjetin tip “Smart” me targa greke, të sharruar nga plumbat. Brenda tij ndodheshin dy meshkuj shqiptarë dhe një femër gjeorgjiane. Një nga meshkujt ishte i plagosur me armë zjarri në shpinë dhe u dërgua me urgjencë drejt spitalit. Ishte pikërisht Ari Papa, i cili kishte marrë dy plagë dhe pas ndihmës mjekësore i shpëtoi vdekjes.

Atentatorët u larguan duke kërcënuar shoferin e taksisë, por më pas e braktisën mjetin së bashku me dy pistoleta dhe sende të tjera.  Megjithatë Ari Papa u ekzekutua, disa javë më pas, më 30 maj të vitit 2021, në “Sepolia” të Athinës, teksa pinte kafe në një lokal. Për vrasjen e tij, në mars të vitit 2023 policia arrestoi vetëm dy persona që dyshohet se kishin shërbyer si ndihmës të autorëve. Bëhet fjalë për taksistin shqiptar, 47-vjeçarin Juljan Ymeri, i cili përdor edhe emrat Ervin e Beniamin dhe mbiemrat Rexhepi e Bethanov dhe një barist grek, ndërsa ekzekutori mendohej se shkuar atje nga Shqipëria.

Nuk dihet se çfarë detaje të reja kanë zbardhur komunikimet në SKY  lidhur me atentatin e shkurtit 2021, pasi në mars 2021, policia greke tha se e kishte zbardhur atë atentat duke arrestuar 7 persona dhe shpallur 1 në kërkim për trafik droge dhe akuza të tjera, 3 prej të cilëve rezultuan se kishin rol aktiv edhe në atentatin ndaj Papës.

Përveç atentatit ndaj Papës, mediat greke zbulojnë se në komunikimet e SKY janë zbardhur rreth 70 raste të trafikut dhe shitjes së drogës duke përfshirë Shqipërinë, Greqinë e Spanjën. Mes personave të përfshirë në komunikime është edhe Aleksandër Sadikaj. Në bisedat e zhvilluara gjithashtu ka dëshmi të disa anëtarëve që kanë qenë të burgosur në burgun e Koridhalos dhe që gëzonin privilegje të veçanta, madje duke arritur me ndihmën e zyrtarëve të futnin edhe gra në burgje. Lidhur me trafikun dhe shitjen e drogës, mësohet se vlera totale e lëndës narkotike që kishte kaluar në duart e anëtarëve të këtyre grupeve kriminale arrin në 7.2 milionë euro. Pastrimi i parave kryej me kompani makinash me qira, me bileta fituese në baste dhe me sistemin Hawala.

Por kush ishte Ari Papa?

Ari Kosta Papa, i datëlindjes 2 tetor 1989, nga fshati Dhivër i Sarandës, i njohur me pseudonimin “Ari vogël”, nuk rezulton të ketë fotografi as në regjistrin e gjendjes civile të Sarandës e Finiqit, por as në sistemin TIMS. Në Shqipëri ai është një “fantazmë”, edhe pse një ish-oficer i policisë së Sarandës, i cili kërkon që identiteti i tij të mbetet i fshehtë, shprehet se: “Arin e vogël e njoh vetëm si emër, por të dhënat e mia e lidhin atë ndoshta me krime të ndodhura në Sarandë në vitet 2005-2006 ose me protagonistë banorë të Sarandës në Athinë në vitet e mëpasshme”.

Megjithatë në Greqi, Ari Papa është një person me background të pasur kriminal. Ai ishte i skeduar për trafik droge dhe grabitje, por ajo që e ngarkonte më tepër historinë e tij ishte tentativa për ta eliminuar fizikisht dhe jo njëherë, por në tri raste. Aq sa ai lëvizte rrugëve të Athinës me antiplumb. Herën e katërt, ata që e deshën të vdekur, ia arritën qëllimit. Pak minuta para se ora të shënonte 18.00 në 30 maj 2021, 32-vjecari nga Saranda u qëllua pas shpine 8 herë me pistoletë, teksa pinte kafe në bar “Kayak” në rrugën “Dyrrahu 30” në Sepolia.

Ari Papa ishte tentuar të vritet edhe në 26 maj 2019. Ai u qëllua rreth orës 20:40 me pistoletë në kofshë në vendin e quajtur “Stacioni Larisit”. U transportua menjëherë në spital, ku mori ndihmën e parë dhe arriti të shpëtojë. Gjatë kontrollit policia i gjeti në trup një sasi të vogël marijuane. Pas kësaj ngjarje, Ari Papa filloi të mbrohej. Më 25 shkurt 2021 ai u arrestua nga policia greke në qendër të Athinës duke udhëtuar mbi një patinë elektrike. Ai mbante veshur një antiplumb, ndërsa në brez kishte një pistoletë turke të llojit “Baikal”. Çuditërisht policia e lë të lirë. Një ditë më pas, bie sërish pre e atentatorëve të tij. Aty ku u godit në vitin 2019, pikërisht në “Stacionin e Larisit”, aty qëllohet përsëri më 26 shkurt 2021, por sërish arrin të shpëtojë. Siç zbuluan bisedat në platformën e kriptuar, pikërisht kjo ngjarje rezulton të ishte porositur nga Aleksandër Sadikaj. Shkak për konfliktin Sadikaj – Papa ishte ngjarja e ndodhur më 14 dhjetori 2020, ku mbeti i plagosur kushëriri i Sadikajt, 16-vjeçari Rubin Kalemi, i cili u qëllua me armë zjarri teksa udhëtonte në makinë me shtetasin Viljan Boraj.

Pas kësaj ngjarje, Sadikaj organizoi disa persona për të kryer vrasjen me snajper të Ari Papës. Ky i fundit u plagos, por 3 muaj më pas u arrit të vritej në një zonë tjetër të Athinës. Në bisedat e zhvilluara në SKY, të paktën ato që tashmë janë publikuar nga mediat greke, nuk thuhet me saktësi se kush e porositi ngjarjen ku ai mbeti i vrarë. Nëse ishte vazhdim i atentatit të parë, apo kishte hesape të pambyllura me persona të tjerë.

Policia greke e lidh veprimtarinë e Ari Papës me atentatin e parë të ndodhur ndaj tij, pikërisht atë të datës 20 korrik 2007, kur ai ishte vetëm 18 vjeç. Në atë kohë, ai u qëllua me armë në kryqëzimin e rrugëve “Liosion” dhe “Sozopoleus” në Athinë. Papa mbeti i plagosur së bashku me shtetasin e huaj Georgio Tarnovalinski. Për policinë greke, sarandioti Papa është i skeduar në këtë ngjarje si Aristidi Pappa, emri i dytë që ai përdorte në Greqi. Për atentatin e parë ndaj Ari Papës, si dhe për 10 atentate të tjera dhe 11 vrasje policia greke arrestoi atëherë një grup të rrezikshëm shqiptarësh të përfshirë në historinë e përgjakshme të përplasjes e bandave shqiptare në vitet 2007-2008 në Greqi.

Nga ana tjetër, Ari Papa ishte vënë në shënjestër edhe nga Klodian Lekoçaj i njohur edhe me emrin Klod Cara, aktualisht i burgosur për dhjetëra ngjarje kriminale në Greqi, kryesisht vrasje, disa prej tyre me pagesë. Në dëshminë e 19 marsit 2019 të gardianit Antonis Aravantinou, doli edhe emri i Ari Papës. Më 1 qershor 2021, e përditshmja greke “Ta Nea” zbuloi se Ari Papa, ishte personi për të cilin Klodian Lekoçaj kërcënonte gardianin se nëse nuk e nxirrte nga psikiatria që ai ta vriste, do të detyrohej t’i vriste nënën.

HAKMARRJA QË U ZHVENDOS NË SHQIPËRI

Ndonëse zanafilla e përplasjeve të armatosura me të vrarë e të plagosur, mund të datojë edhe më herët në Greqi, për drejtësisë shqiptare, të paktën zyrtarisht, gjithçka nis me ekzekutimin e Aleksandër Sadikajt.

Mesditën e 11 qershorit të vitit 2022, një sasi e madhe eksplozivi e vendosur në makinën e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, shpërtheu duke e plagosur rëndë. I riu ndërroi jetë pak momente më pas, si pasojë e plagëve të rënda. Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut, pranë qendrës tregtare. Qytetarë të shumtë u bënë dëshmitarë të pamjeve të rënda dhe ishin të parët që i erdhën në ndihmë Sadikajt, duke e transportuar me një makinë të rastit drejt spitalit.

Aleksandër Sadikaj ishte nisur drejt Memaliaj kur makina “Volkswagen”, me targa AB 077 PO që drejtonte, shpërtheu në ecje. Në një zonë me shumë lëvizje siç ishte vendi ku ndodhi shpërthimi, ngjarja mund të kishte pasoja edhe më të rënda. Por fatmirësisht nuk u dëmtua askush tjetër.

Sipas ekspertëve, autorët mund të kenë qenë duke vëzhguar lëvizjen e tij dhe kanë aktivizuar lëndën plasëse në momentin kur nuk ka pasur makina të tjera afër.

Menjëherë pas vrasjes së tij, Policia nxitoi të tregonte precedentët, duke e konsideruar si një person me precedentë të theksuar kriminal, megjithatë deri më sot askush nuk është në burg për atë ngjarje. Nga ana tjetër, Sadikaj merrej edhe me biznes. Ai ishte pronar i një resorti me pistë hipizmi në Memaliaj, që në fakt ishte vendlindja e nënës së tij dhe kalonte një pjesë të madhe të kohës atje.

Prokuroria e Tiranës hetoi në disa pista, përfshirë edhe atë të larjes së hesapeve për shkak të konflikteve të ashpra ku ishte përfshirë në Greqi. Madje për një kohë të gjatë kishte vuajtur dënimin atje, pasi akuzohej për një vrasje të ndodhur 8 vite më parë në Athinë, për prishjen e pazareve të drogës. Gjithashtu, po hetohej edhe si i përfshirë në një grup të strukturuar kriminal që vepronte një vend të Bashkimit Europian.

Dëshmitë e familjarëve të tij, nisur nga takimet dhe lëvizjet e fundit që kishte bërë pak para vrasjes, orientuan grupin hetimor drejt një biznesmeni nga Fieri, që qëndronte kryesisht në Sarandë, i cili u ekzekutua 6 muaj pas vrasjes së Sadikajt.

Nëna e Aleksandër Sadikajt ka rrëfyer për oficerë e Policisë se djali i saj, para se të vritej kishte qëndruar në hotelin “Blue Sky” në Sarandë, në pronësi të Edmond Papës, duke shtuar dyshimet se familja Papa kishte gisht në ekzekutimin mafioz të 27-vjeçarit. Familja kishte kryer një hetim paralel për të zbuluar vrasësit dhe informacionet i kishin çuar atje. Nëna e Sadikajt, tregonte se i biri nuk kishte qenë i vetëm në këtë hotel, por ishte në shoqërinë e dy personave të tjerë, njëri prej të cilëve Ledjan Alushaj dhe tjetri i quajtur Xhino. Të dy këta persona, nëna e Sadikajt i konsideron si të përfshirë në ngjarje edhe pse ishin miqtë e djalit të saj. Sipas dosjes së Prokurorisë, Ledjani rezulton se e ka këshilluar Sadikajn që makinën e tij tip “Volkswagen”, të bardhë ta çonte në fshatin Kurjan në Fier, te magazinat e dajës së Edmond Papës. Kjo sipas nënës së tij, me qëllimin për ta rregulluar pas një defekti teknik që kishte automjeti.

Edmond Papa ishte takuar me Aleksandër Sadikajn dy ditë para se të ndodhte shpërthimi në autostradën Tiranë-Elbasan. Madje, emri i tij ishte një ndër kontaktet e fundit në telefonin e Sadikajt, kur u verifikua për llogari të hetimeve. Edhe familjarët e Sadikajt, që në ditët e para të ngjarjes kanë pasur dyshime se Edmond Papa kishte “gisht” në vrasjen e 27-vjeçarit. Këtë ia kishin thënë edhe grupit hetimor. Megjithatë, edhe pse kishte dyshime, Policia nuk kishte siguruar ende prova që ta lidhte direkt apo indirekt Edmond Papën me këtë ngjarje.

Familjarët e Aleksandër Sadikaj dhe shokët e tij, kishin pasur dyshime se vrasja ishte organizuar në qytetin e Sarandës dhe në Kurjan të Fierit.  Ata vazhdimisht janë interesuar dhe angazhuar privatisht për të mësuar detaje me qëllim dhe hakmarrjen për vrasjen e personit të tyre të afërt.

Më datë 16 dhjetor, rreth orës 16:30, është marrë njoftim nga Salla Operative e Policisë së Tiranës, se në rrugën “Fadil Bodinaku”, një person është plagosur me armë zjarri.  I plagosuri është dërguar në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë për jetën. Ky person ishte biznesmeni Edmond Papa. Nga veprimet e para të grupit hetimor rezultoi se rreth orës 16:20, Edmond Papa, lindur në Fier e banues në Sarandë, ka shkuar për të pirë kafe në një lokal që ndodhet përballë banesës së vëllait të tij, Kristo Qirici.  Ai është ulur i vetëm në një tavolinë në rreshtin e parë, në verandën e lokalit.  Kur ai kishte porositur dhe po pinte kafe, aty është afruar një person me fytyrë të mbuluar dhe me pistoletë në dorë.

Ky person ka qëlluar disa herë në drejtim të Papës duke e plagosur rëndë. Si pasojë e të shtënave Edmond Papa ka marrë disa plagë në pjesën e sipërme të trupit. I plagosur, ai ka mundur të largohet dhe të futet në ambientet e brendshme të lokalit, derisa është rrëzuar në tokë. Ndërsa personi që e ka qëlluar me armë është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Papa është dërguar me ambulancë në Spitalin e Traumës, por si pasojë e plagëve të marra ka gjetur vdekjen.

Emri i 44-vjeçarit Edmond Papa, nuk ishte i panjohur për Policinë e Tiranës. Madje ata po verifikonin çdo dyshim, për lidhjen e tij me një tjetër vrasje të ndodhur në Tiranë, 6 muaj para saj, atë të Aleksandër Sadikajt.

Dosja e Prokurorisë

Nga verifikimi i pamjeve filmike, i profileve të Facebook të Albi Velo, Adriatik apo i njohur ndryshe si Andrea Kalemi dhe pas këqyrje e sistemit TIMS, rezulton se shtetasit Albano Velo, Andrea Kalemi, Andre Bode kanë lidhje të ngushta shoqërore mes tyre. Po kështu edhe me Aleksandër Sadikajn, i vrarë më 11 qershor 2022 në afërsi të Saukut. Shtetasi Andrea Kalemi është djali i dajës së Sadikajt, i cili dy ditë para se të vritej, ka qëndruar në hotel “Blue Sky”, në Lagjen nr.1 në Sarandë, në pronësi të Edmond Papës dhe vëllait të tij, Kristo Qirici. Nga të dhënat operative që disponon Policia, rezulton se familjarët e viktimës, Aleksandër Sadikajt dhe lidhjet e tij shoqërore kanë pasur dyshime se vrasja është organizuar në qytetin e Sarandës dhe vazhdimisht janë interesuar e angazhuar privatisht për të mësuar detaje, me qëllim dhe hakmarrjen për vrasjen e personit të tyre të afërt.

Personat që kanë realizuar vrasjen, duket se kanë ndjekur të gjitha lëvizjet e tij dhe ishin në dijeni të faktit se ai atë ditë do të kthehej në Tiranë. Papa kishte shkuar të merrte të ëmën, të cilën do ta dërgonte në spital për të kryer disa vizita mjekësore.

Familjarët e Sadikajt, që në ditët e para të ngjarjes kanë pasur dyshime se Edmond Papa kishte “gisht” në vrasjen e 27-vjeçarit. Këtë ia kishin thënë edhe grupit hetimor. Megjithatë, edhe pse kishte dyshime, Policia nuk kishte siguruar ende prova që ta lidhte direkt apo indirekt Edmond Papën me këtë ngjarje. Por pas vrasjes së tij, më 16 dhjetor dhe pasi nisën të identifikohen autorët e dyshuar, emri i Papës filloi të lidhej edhe më shumë me shpërthimin që i mori jetën Aleksandër Sadikajt.  Në fillim të vitit 2023, Policia e Tiranës njoftoi se kishte zbardhur vrasjen e Edmond Papës. Fillimisht në pranga u vu 30-vjeçari Albano Velo, shoku i ngushtë i Aleksandër Sadikajt. Velo u arrestua natën e ndërrimit të viteve në Aeroportin e Rinasit. Ai po kthehej nga Franca, ku kishte udhëtuar 4 ditë pas vrasjes së Papës. Policia kishte të dhëna se vrasja e Edmond Papës ishte kryer për hakmarrje dhe ishte e organizuar nga disa persona. Hakmarrje, që më pas do të zbulohej se nuk lidhej vetëm me vrasjen e Aleksandër Sadikajt.

Një nga provat e paraqitura në gjyq ishin kamerat e sigurisë të sekuestruara në zonën ku u ekzekutua Edmond Papa, si dhe një sërë përgjimesh telefonike dhe ambientale.  Oficerët e Policisë kishin sekuestruar kamerat e sigurisë dhe automjetin tip “Audi” që dyshohej se ishte përdorur nga autorët para dhe pas krimit.

Dosja e Prokurorisë

Janë administruar regjistrimet filmike të kamerave të sigurisë së disa subjekteve private përgjatë intinerarit nga ku mendohet se ka lëvizur autori për të shkuar dhe larguar nga vendi i ngjarjes.  Po ashtu edhe serveri i kamerave të sigurisë që monitoron ambientet e jashtme të banesë së vëllait të viktimës. Nga këqyrja paraprake e kamerave të sigurisë, rezulton se në orën 16:17, një person i seksit mashkull afrohet në këmbë në trotuarin përpara lokalit, ku përballë tij, në anën tjetër të rrugës ndodhet banesa e vëllait të viktimës. Ky person qëndron në këmbë, për rreth 4-5 minuta, me dorën e djathtë të mbledhur afër gjoksit. Futet në ambientet e brendshme të lokalit dhe pas pak çastesh shihet duke u larguar me vrap nga aty. 

Të pyetur për dyshimet e tyre rreth autorëve të mundshëm të ngjarjes, vëllai dhe kunata e Edmond Papës kanë pohuar se nuk kanë dijeni, ndërsa janë shprehur se ai nuk kishte konflikte me njeri.

Kunata e Papës

Nuk kam dijeni se cilët janë autorët. Edmondi lëvizte lirisht dhe nuk na kishte shprehur ndonjë shqetësim. Ai ishte i divorcuar dhe nuk kishte fëmijë. Ishte pronari i një biznesi në Sarandë. As Edmondi dhe as bashkëshorti im Kristo, nuk kishin konflikte me ndonjë person.

Dëshmitarët okularë, që kanë qenë klientë në lokalin ku ndodhi ngjarja, kanë deklaruar se personi që qëlloi me armë ishte në moshë të re, me trup mesatar, pak i mbushur. Ai kishte kapuç me ngjyrë blu të errët të vendosur në kokë, në duar kishte doreza dhe mbante një pistoletë.  Sipas Prokurorisë, Albano Velo, djali i një punonjësi Policie, ka pasur rolin e vëzhguesit në vrasjen e Papës.

Në rolin e ekzekutorit, Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim shtetasin Andre Bode, 45 vjeç, me origjinë nga Berati. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se autorët e ngjarjes e kanë ndjekur viktimën edhe disa ditë përpara ngjarjes. Kjo është konstatuar nga këqyrja e kamerave të sigurisë në rrugën ku ndodhi ngjarja. Në pamje duke makina e vëllait të viktimës dhe pasi parkohet, janë parë të kalojnë makina tip “Audi”, me targë italiane dhe makina tip “Benz” me targa shqiptare.

Sipas pamjeve, rezulton se të njëjtët persona në mjete takohen sërish pas Presidencës, disa minuta më vonë, pasi është larguar makina e vëllait të viktimës.

Dosja e Prokurorisë

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova dhe fakte se shtetasit Albano Dilaver Velo dhe Andre Fatos Bode kanë bashkëpunuar. Ata kanë ndjekur Edmond Papën për disa ditë me radhë dhe dyshohet se më 16 dhjetor kanë kryer vrasjen e tij.

Më 8 janar 2024, Prokuroria dorëzoi në Gjykatë kërkesën për gjykim, në ngarkim të Albano Velos, i arrestuar pak kohë pas krimit dhe Edvin Bode që fillimisht u hetua në mungesë, por u arrestua gjatë një operacioni të RENEA-s në Memaliaj më 28 gusht. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Bode është i dyshuari kryesor si ekzekutor i Edmond Papës, e provuar kjo sipas organit të akuzës edhe nga pamjet filmike dhe nga qelizat telefonike. Gjatë operacionit të koduar “Plani”, u arrestua edhe Julian Kalemi, i cili strehonte në banesë 45-vjeçarin Andre (Edvin) Bode.

Gjithashtu, forcat speciale RENEA arrestuan edhe Adriatik (Andrea) Kalemin, djali i dajës së Aleksandër Sadikajt, në banesën e të cilit u gjet një arsenal armësh zjarri dhe një shumë prej rreth 45 mijë eurosh. Më shumë gjasë, Andrea Kalemi, po përgatiste hakmarrjen ndaj vrasjes ende të pa zbardhur të të atit dhe plagosjes së xhaxhait të tij mbrëmjen e 20 korrikut 2024. Kalemi u ka shpëtuar dy sulmeve me armë në Greqi.

Mbrëmjen e 9 gushtit të vitit 2023, Adriatik Kalemi plagoset rëndë në një atentat mafioz të organizuar në ishullin Paksos të Greqisë, ku ai kishte shkuar me familjen për të kaluar pushimet. Autori i atentatit lëvizte me një skaf që më pas rezultoi se ishte nisur nga Italia dhe kishte mbërritur aty. Ai ka qëlluar të paktën 14 herë në drejtim të lokalit ku Kalemi ishte ulur për të darkuar bashkë me gruan e 3 fëmijët. Kalemi u qëllua me 10 plumba dhe u plagos rëndë duke u transportuar me urgjencë në spitalin e Janinës.

Ai rezultonte të kishte kaluar për pushime në territorin grek në datën 5 gusht, nga pika kufitare e Kakavijës, me bashkëshorten dhe 3 fëmijët. Informacioni se ai ndodhej në territorin grek, duket se ishte shpërndarë me shpejtësi dhe autorët kanë pasur 4 ditë kohë për të përgatitur atentatin.

Pushuesit në ishull dëgjuan të shtënat dhe gjetën të gjakosur 51-vjeçarin. Policia greke dyshon se bëhet fjalë për një atentat për larje hesapesh dhe se atentatori mendohet se ishte një shqiptar erdhi nga Italia për të kryer atentatin. Në vendin e ngjarjes u gjetën 14 gëzhoja. Me dosjen hetimore u njohën edhe autoritetet shqiptare, që përveçse e kishin në verifikim për vrasjen e Edmond Papës, duke qenë se ishte kushëriri i Aleksandër Sadikajt, e kishin të skeduar edhe për krime të tjera.

Në vitin 2001 ai rezulton se është arrestuar nga forcat speciale RENEA. Kalemi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge në atë kohë, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishin vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.

Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë së bashku me 2 persona të tjerë pasi, duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë, i cili u dërgua në spital. Në vitin 2022 Kalemit iu vra me shpërthim eksplozivi kushëriri, Aleksandër Sadikaj.

Atentati mafioz në ishullin grek, të cilit për fat të mirë ai i shpëtoi, vijon të mbetet pa autor. Por nga ana tjetër, pasi u kurua nga plagën të spitalin e Janinës, Adriatik Kalemi u vu në pranga dhe u dërgua në burgun e Koridhalosë, pasi kishte një proces të hapur ndaj tij në Greqi. Aty ndodhi edhe sulmi i dytë që synonte eliminimin e tij.

Teksa ishte në pritje të lirimin nga burgu në Greqi, Adriatik Kalemi u tentua të vritej edhe një herë tjetër, më 15 dhjetor të vitit 2023. Një i burgosur tjetër, me kombësi egjiptiane, e sulmoi atë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë e në gjoks. Dyshimet se bëhet fjalë për një sherr të zakonshëm mes të dënuarve në burgun e Koridhalosë u shuan shpejt sapo u mësua identiteti i autorit. Ai rezultoi se nuk kishte asnjë njohje të mëparshme me Kalemin, as jashtë dhe as brenda burgut. Për më tepër, ai ishte transferuar aty vetëm pak orë para ngjarjes. Sipas të gjitha të dhënave ai kishte ardhur me porosi për të vrarë Adriatik Kalemin. Me vete kishte një thikë dhe një celular, që ende nuk dihet se si dhe me ndihmën e kujt i ka futur brenda burgut.

Kalemi ka marrë plagë në kraharor, qafë e krah dhe është transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë. Sapo kanë parë skenën, të burgosur të tjerë kanë goditur 28-vjeçarin egjiptian, i cili ka marrë plagë në kokë dhe trup. Atij më pas iu sekuestrua thika dhe një celular që ishte thyer. Ashtu si Kalemi, edhe autori është transportuar në klinikën e burgut për të marrë ndihmën e parë. Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë para se Adriatik Kalemi të lirohej nga burgu dhe nuk dihet nëse autori ka pritur pikërisht këtë çast. Hetuesit atje e lidhën edhe këtë ngjarje me atentatin e gushtit në ishullin Paksos dhe kanë dyshime se është porositur nga të njëjtët persona. Megjithatë edhe në këtë rast nuk ka asnjë autor konkret të dyshuar.

Edhe i vëllai u bë objekt i një atentati pak kohë më vonë. Në orët e vona të datës 12 janar 2024, Policia e Tiranës shpërndau një mesazh, përmes të cilit njoftonte se një person ishte plagosur në këmbe dhe ndodhej në spital jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja që fillimisht u raportua si një plagosje nga ato të rëndomtat, më vonë rezultoi të ishte një atentat mafioz, por që fatmirësisht objektivi kishte arritur të shpëtonte. E për më tepër, emri i viktimës e bëri këtë ngjarje të dukej edhe më e rëndë nga çfarë ishte raportuar më parë. I plagosur në atentat kishte mbetur Zamir Kalemi 40 vjeç. Ai është vëllai i Adriatik Kalimit, që po ashtu u tentua të eliminohet dy herë në Greqi e njëkohësisht kushëriri i Aleksandër Sadikajt.

Zamir Kalemi u qëllua me breshëri kallashnikovi, nga një mjet në lëvizje, por mundi të shpëtojë edhe pse u godit nga 4 plumba. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:55, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës”. Kalemi lëvizte me një automjet “Smart” kur u qëllua me breshëri kallashnikovi. Pas ngjarjes atentatorët kanë vijuar rrugën në drejtim të Bërzhitës, ku më pas i kanë vënë flakën makinës tip “Nissan”. Brenda mjetit të djegur u gjet edhe arma që dyshohet se është përdorur në krim. Policia tha se nga verifikimet paraprake, targat e automjetit AA 968 JD, të përdorura nga autorët, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri me targë MHY 66 50, rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13 shkurt 2023.

Njoftimi i Policisë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë ka kryer veprimet e nevojshme procedurale, ka këqyrur vendin e ngjarjes, ka këqyrur vendin e djegies së automjetit të përdorur nga autorët, ka sekuestruar provat materiale, ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit disa shtetas, ka sekuestruar dhe po vazhdon këqyrjen e pamjeve filmike në afërsi të vendit të ngjarjes. Aktualisht grupi hetimor vazhdon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera të rëndësishme për hetimin. Nga analiza e rrethanave të ngjarjes ka informacione se kjo ngjarje ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën e publikut për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje dhe për çdo informacion të vlefshëm vendos në dispozicion shumën prej 15 000 euro duke garantuar anonimatin e çdo telefonuesi.

Dy ditë pas ngjarjes i plagosuri dha dëshminë e tij për oficerët e grupit hetimor.  Por ai ka mohuar të ketë pasur konflikte dhe në të njëjtën kohë nuk kishte dijeni se kush mund të jenë autorët. Madje, ai ka treguar se e ka pasur të pamundur të identifikojë ndonjë prej tyre për shkak se ngjarja ka ndodhur shumë shpejt dhe ata janë larguar. Kalemi ka treguar edhe itinerarin që ka përshkruar të premten. Ai ka thënë se në momentin që ka ndodhur ngjarja ka qenë duke u kthyer nga një lokal ku ishte me miqtë e tij, por u sulmua teksa po shkonte në shtëpi.

Në një sagë atentatesh për hakmarrje, vrasjesh e plagosjesh, të gjithë kanë pasigurinë për fundin e saj. Të vdekurit i marrin me vete përgjigjet, ndërsa të gjallët, ata që u shpëtojnë atentateve, as që e marrin mundimin të japin përgjigje. Të gjithë thonë s’kemi konflikte, edhe pse tashmë është realitet se dikush kërkon me çdo kush eliminimin e tyre. Këmbëngulja është e dukshme, që nga dy sulmet në Greqi ndaj Adriatik Kalemit dhe plagosja në Tiranë e vëllait të tij. Vrasësit duket se s’kanë ndërmend të dorëzohen e as të plagosurit të binden për të bashkëpunuar. Ata shohin vetëgjyqësinë si zgjidhje, të vetëdijshëm që për shumë ngjarje të tilla plumbat nuk kanë falur as të pafajshmit. Nga ana tjetër, autoritetet përgjegjëse, që dinë konfliktet, kanë indiciet e nevojshme për organizatorët, por nuk kanë gjetur ende prova, duket se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të parandaluar.

Dhe hakmarrja nuk u ndal me kaq. Një ngjarje shumë e rëndë, për më tepër e paralajmëruar ndodhi mesnatën e 20 korrikut 2024 në Memaliaj. Babai i Andrea e Zamir Kalemit, që u kishin shpëtuar 3 atentateve, u vra atë mbrëmje, ku u plagos rëndë edhe xhaxhai i tyre Artur Kalemi, 57 vjeç. Shënjestër e atentatit ishte 74-vjeçari Shyqyri Kalemi, babai vëllezërve Kalemi, njëkohësisht edhe daja i Aleksandër Sadikajt. Ai nuk i mbijetoi dot 6 plumbave të kallashnikovit. Po ashtu, kanë humbur jetën kamerieri 36-vjeçar, Gledio Muka dhe klienti 47-vjeçar, Marsel Çela, dy viktima të pafajshme të cilët kanë qenë në lokal në momentin e ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur në lokalin në pronësi të Artur Kalemit. Dy vëllezërit Kalemi, Arturi dhe Shyqyriu kanë qenë të ulur në të njëjtën tavolinë, në momentin që ka nisur breshëria e automatikut. Plumbat i morën jetën në vend, 74-vjeçarit dhe dy personave të rastësishëm që nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen. Autorët, që mendohet të kenë qenë tre persona, janë afruar pranë ambienteve të lokalit me automjetin e tyre dhe menjëherë kanë hapur zjarr duke lenë pas tre viktima, ndërsa janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.

Pas kontrolleve nga ana e policisë është konstatuar se në fshatin Bejaj te Mallakastrës është gjetur një mjet duke u djegur që mendohet të jete i autoreve të ngjarjes. Brenda saj janë gjetur edhe tre kallashnikovë. Ndërsa krimi trefishtë ende nuk është zbardhur. Të gjitha veprimet hetimore flisnin për një atentat të urdhëruar nga Greqia.

Për të gjitha këto ngjarje të ndodhura mes Shqipërisë dhe Greqisë, vetëm dy persona janë në burg. Policia tha se zbardhi ngjarjen e dytë, pa zbardhur ende të parën edhe pse motivin e lidhi me të. Për ngjarjen e fundit hetimet vazhdojnë. Por paralelisht me Policinë e Prokurorinë që po hetojnë, edhe ata që organizuan atentatet me gjasë nuk kanë ndërmend të ndalen.

Faktet flasin vetë. Pesë të vrarë e tre që u tentuan të vriten për pak kohë. Ardriatik Kalemi, vëllai i tij Zamiri, por edhe xhaxhai i tyre Arturi, sot jetojnë sepse kanë pasur fatin në anën e tyre. Plumbat u falën jetën, por u lanë pas frikën për të jetuar të qetë. Të paktën për aq kohë sa të zbulohet se kush urdhëroi  dhe kush financoi eliminimin e tyre.

Ngjarjet që u zbardhën nga autoritetet greke, falë zbërthimit të platformës SKY në Greqi, e bëjnë edhe më të rëndë bilancin e kësaj “lufte” që sipas të gjitha hetimeve që po kryhen tashmë në shtetin helen, paska nisur prej disa vitesh atje.

Pazaret e prishura të drogës atje, po shkaktojnë viktima nga të dy krahët e kufirit. Madje tashmë ka hapur një sagë hakmarrje edhe në rrethin e tyre familjar. E përveç tyre, po u merr jetën edhe personave të pafajshëm. Por zhvillimet e fundit në Greqi, duket se po hapin pista të reja edhe për autoritet shqiptare. Por nga ana tjetër, mund të nxisin edhe hasmëri të reja, për krime që me gjasë deri ditën që u publikuan mesazhet në SKY pak kush mund t’i ketë ditur. Të paktën në Shqipëri. Konflikte, përplasje me armë, plagosje e vrasje që kanë ndodhur për prishjen e pazareve në Greqi, po sjellin larjen e hesapeve sa në Tiranë sa në Memaliaj. E për ngjarje të tilla, njihet vetëm fillimi, por për fundin e zinxhirit të hakmarrjes askush nuk ka siguri./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!