Gjërat tona/ Jan Prenga, fundi tragjik i prishjes së një kontrate kokaine

schedule20:30 - 3 Dhjetor, 2023

schedule 20:30 - 3 Dhjetor, 2023

Në shumë histori gangsterësh, hekurat e burgut nuk janë gjë tjetër veçse disa barriera të lirisë fizike. Përveç saj, nuk u pengojnë asgjë tjetër. Madje shumë prej tyre, aty në burg, janë fuqizuar edhe më shumë. Kanë krijuar kontakte me botën e krimit jashtë. Kanë drejtuar linja trafiku ndërkombëtar droge. Madje kanë urdhëruar edhe pengmarrje. I tillë ishte edhe Dritan Rexhepi.

Në emisionin e datës 19 nëntor, sollëm historinë e Dritan Rexhepit, shqiptarit më të komentuar në Europë e Amerikën e Jugut si i pari që krijoi një kartel droge. Ai sot ndodhet në një burg të sigurisë së lartë në Turqi në pritje të ekstradimit.

Dhe sot, kur mundësia që Dritan Rexhepi të përballet me drejtësisë shqiptare është më e madhe se kurrë, do rikthehemi 3 vite pas. Aty ku nis historia e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, pas prishjes së një marrëveshje kokaine me vlerë 20 milionë paund. Një pengmarrje që Dritan Rexhepi dyshohet ta ketë urdhëruar nga qelia e burgut në Guajakil.

Një ditë janari, të vitit 2020, Ndrek Prenga mori një telefonatë të pazakonte. Në fakt edhe vetë kushtet kur u krye telefonata ishin të pazakonta. Ndreka ndodhej në një burg në Mbretërinë e Bashkuar, ku po vuante një dënim prej 8 vitesh heqje lirie. Po ashtu, edhe personi që e telefononte ndodhej në burg. Por, në një burg rreth 6000 kilometra larg, në anën tjetër të globit. Në Ekuador. Personi që i telefononte, ndodhej në një prej burgjeve të Guajakilit dhe quhej Dritan Rexhepi, i dënuar atje me 13 vjet burg, po për drogë. Të dy po komunikonim me celularë të futur fshehurazi në qeli.

Rexhepi, shefi i organizatës kriminale “Kompania Bello”, kishte një kërkesë të prerë dhe drejtpërdrejtë. I kërkonte Ndrekës kthimin e menjëhershëm të kokainës me vlerë disa milionë paund, që një nga vëllezërit e tij e kishte “vjedhur” pasi ishte trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar në fillim të janarit.

Ai i tha Ndrek Prengës së vëllai i tij sapo ishte rrëmbyer në një prej rrugëve të Shqipërisë dhe do të lirohej vetëm pasi të kthehej kokaina. Pengu kishte një mobileri në Kamzë dhe bënte një jetë të qetë. Ai nuk kishte marrë pjesë në asnjë moment në aktivitetet kriminale të vëllezërve të tij në Britaninë e Madhe. Por po paguante për hesapet e vëllezërve të vet.

Ndonëse ishte i pafajshëm, biznesi është biznes. Dhe kur në mes është kokaina, biznesi ka pasoja të rënda.

Ashtu si shumë nga bashkatdhetarë të tyre, pesë vëllezërit Prenga u larguan nga Shqipëria në fund të viteve 1990. Më i madhi, Jani, emigroi me gruan e tij Maria në Greqi, por më vonë u kthye në Tiranë ku hapi një biznes mobilerish. Çifti kishte tre fëmijë.

Katër vëllezërit e tjerë të tij u nisën për në Mbretërinë e Bashkuar, ku morën edhe nënshtetësinë britanike. Anton Prenga u fut në biznes të ligjshëm atje, ashtu si edhe vëllai tjetër, Leka, që nuk pati asnjë rol në historinë e pengmarrjes. Por dy nga vëllazërit, Ndreka dhe Astriti u përfshinë në rrjete kriminale të drogës.

Personazhi më i rëndësishëm, por edhe i rrezikshëm në të njëjtën kohë, që Ndrek Prenga njohu në botën e krimit, ishte Dritan Rexhepi, që në fakt ai e njihte me emrin Gramoz. Të dy ata kishin kaluar pak kohë bashkë në një paraburgim në Itali.

Në vitin 2013 fotografia e Dritan Rexhepit renditej e para në listën e më të kërkuarve të Scotland Yard, kur besohej se fshihej në Mbretërinë e Bashkuar. Po atë vit ai u dënua në mungesë, në Shqipëri për vrasjen e një oficeri policie dhe një personi tjetër. Por në atë kohë, Rexhepi në fakt ishte larguar drejt Amerikës së Jugut, në rrugën e tij për t’u bërë lideri i padiskutueshëm i “Kompania Bello”, të cilën e ktheu në një nga kartelet më të rëndësishëm dhe inovative të drogës që vepronte në Europë.

Kjo organizatë përbëhej nga 14 grupe kriminale shqiptare. Rexhepi mbikëqyrte “operacionet” e kokainës nga Ekuadori. Madje edhe kur u arrestua në Kuito në vitin 2014, ai e zhvilloi edhe më shumë perandorinë e tij të drogës nga qelia, duke negociuar me kolumbianët dhe duke dërguar çdo vit tonelata kokainë në Europë. Rexhepi kishte një celular brenda në burg të lidhur me rrjetin e koduar Encrochat, i përdorur shumë nga kriminelët derisa u zbulua nga një hetim i policisë franko-holandeze. Ka qenë ndoshta i njëjti telefon që Rexhepi ka komunikuar me vëllain e Jan Prengës.

Shtator 2019

Niset nga Guayaquil ngarkesa me banane dhe 260 kg kokainë

Zanafilla e ngjarjeve që çuan në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ndonëse ende nuk është gjetur trupi i tij, filloi në shtator të vitit 2019, në portin ekuadorian të Guajakil, kur një anije mallrash që transportonte banane u nis për në Mbretërinë e Bashkuar. Përveç frutave, në një prej kontejnerëve ishin futur edhe 260 kg kokainë, me vlerë 15-20 milionë paund. Anija u ankorua në Portsmouth, Hampshire në fund të dhjetorit të po atij viti.

Sipas dosjes së Prokurorisë Astrit Prenga, Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian u punësuan nga ndërmjetës me origjinë britanike dhe iraniane për të marrë drogën nga porti, për llogari të dy bandave kriminale me bazë në Shqipëri. Ata e realizuan me sukses tërheqjen e kokainës nga kontejneri në port në fillim të muajit janar të vitit 2020. Por më pas e ndërruan planin, që më vonë rezultoi me pasoja fatale.

Korrierët dhe ndërmjetësit dyshohet se kishin një konflikt për një pagesë të mëparshme. Megjithatë duket se në rastin e fundit thjeshtë u joshën në momentin që hapën kontejnerin. Por pavarësisht motiveve, përfundimi ishte ky: Astrit Prenga, bashkë me Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian, vendosën të mbanin kokainën dhe ta ndanin me njëri-tjetrin. Sipas të dhënave në dosjen e Prokurorisë ka dyshime se në atë moment ata nuk ishin në dijeni të faktit se ngarkesa që kishin vjedhur ishte e lidhur me Dritan Rexhepin.

Një javë pasi kishin marrë kokainën, ata janë telefonuar nga Gentian Doçi, i cili i kërkonte kthimin e kokainës. Pas tri ditësh i telefonoi përsëri duke i paralajmëruar që të mos bënin gabim pasi droga ishte e tij dhe duhej kthyer. E pas Gentian Doçit, ishte radha që Dritan Rexhepi të bënte lëvizjen e tij, duke telefonuar Ndrek Prengën që ndodhej në burg në Mbretërinë e Bashkuar. Këtë e ka dëshmuar në Prokurori vëllai i Jan Prengës, Antoni.

Dëshmia e Anton Prengës:

Astriti së bashku me Gëzimin e kishin fshehur diku pjesën e tyre dhe nga kjo sasi ata kishin shitur një pjesë, por unë se di saktë se sa kilogramë. Rreth një javë pasi ata kishin grabitur sasinë e lëndës narkotike nga kontejneri, Gëzimi më ka treguar se ishte kontaktuar me telefon nga shtetasi Gentian Lush Doçi, i cili është nga Dukagjini i Shkodrës. Gentjan Doçi, i kishte thënë Gëzimit të kthenin lëndën narkotike mbrapsht, pasi lënda ishte e tij, por Gëzimi i ka pohuar se nuk e njihte dhe nuk kishin punuar asnjëherë bashkë. Pas dy apo tre ditësh Gentjan Lush Doçi ka telefonuar vëllain tim të quajtur Ndrek Prenga, të cilin pasi i është prezantuar që ishte Gentjan Doçi nga Shkodra, i cili i ka kërkuar duke e porositur: ‘Mos bëni gabim të prekni sasinë e kokainës, pasi janë gjerat e mia dhe duhet të mi ktheni mbrapsht’, Ndreka i ka thënë se: ‘Unë jam në burg dhe do të flas me Astritin dhe Gëzim Shullanin, do sqaroj gjerat dhe më pas do kontaktojmë sërish’. Pas disa ditësh, vëllain tim Ndrek Prenga e ka marrë në telefon një shtetas, i cili është prezantuar me emrin ‘Gramozi nga Vlora’, ku i ka thënë Ndrekës: ‘Mos bëni gabim të luani gjerat  pasi janë gjerat tona’. Dua të shpjegoj se Ndreka ka pasur në burgun ku ndodhet një telefon celular, me të cilin ka filluar të komunikojë me personin nga Vlora që quhej Gramoz. Ky person, Gramozi, i ka treguar Ndrekës së ndodhej në burg në Ekuador. Gramozi gjithashtu i ka thënë se sasia prej 260 kg ishte e tij dhe disa personave të tjerë. Gjatë kësaj kohe Astriti dhe Gëzimi janë munduar të kontaktojnë me shtetasin Gentjan Doçi, por ata nuk kanë mundur të komunikojnë sërish. Pas disa ditësh ata kanë folur sërish me Gentjan Doçin, i cili ju ka thënë se: ‘Nuk kam më punë unë me këtë punë’. Disa ditë pas këtyre komunikimeve ka ndodhur dhe rrëmbimi i vëllait tim Jan Prenga. Unë kur kam qenë së bashku me Astritin dhe Gëzimin, i kam pyetur ata nëse ia kishin kthyer mbrapsht lëndën narkotike, por ata më thanë se nuk e kishin kthyer me pretendimin se nuk e dinin se e kujt ishte, e Gentjan Doçit, personit me emrin Gramoz nga Vlora, apo ndonjë shtetasi tjetër.

17 janar 2020

Rrëmbehet në afërsi të Tiranës Jan Prenga

Mëngjesin e 17 janarit të vitit 2020, Jan Prenga, 49 vjeç, ka pirë kafe me gruan e tij dhe më pas është ndarë prej saj që të merrej me disa punë që kishte lënë pa përfunduar. Është nisur drejt rrugës “London”, në Kamzë. Katër persona të maskuar, i prenë rrugën dhe pasi e goditën disa herë, e futën me forcë në një makinë “Range Rover”, të bardhë, që e kishin vjedhur për ketë qëllim. Si provë e pengmarrjes mbetën vetëm disa njolla gjaku në asfalt. Dëshmitarët lajmëruan Policinë e më pas u njoftua edhe bashkëshortja e Jan Prengës.

Në një njoftim paraprak që shpërndau ditën e ngjarjes, Policia e Tiranës dyshonte se pengmarrja mund të kishte ndodhur pas një konflikti të çastit mes autorëve dhe të dëmtuarit.

Njoftimi i Policisë

Rreth orës 11:44, në rrugën ‘London’, Kamzë, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit midis disa personave ende të paidentifikuar, është marrë jashtë dëshirës në automjet një nga personat e përfshirë në konflikt. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është vënë në ndjekje të automjetit, i cili është larguar nga vendngjarja. Në vendngjarje shërbimet e Policisë kanë gjetur automjetin e personit që dyshohet se është marrë jashtë dëshirës së tij, nga personat me të cilët u konfliktua. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në fakt, nuk kaloi shumë kohë dhe rezultoi që nuk bëhej fjalë aspak për një konflikt të çastit. Ishte një ngjarje tipike mafioze, e cila vijon të jetë ende e mbuluar me mister. Për aq kohë sa Policia e Prokuroria thonë se pengu është vrarë, por ende nuk ka një kufomë. Vëllai i Jan Prengës, Antoni, ka dhënë deklarime edhe për rrëmbimin e tij.

Dëshmia e Anton Prengës:

Në datën 17 janar 2020, rreth orës 13:30 – 14:30, kam qenë në punë në Londër dhe jam telefonuar nga bashkëshortja e vëllait tim Jan Prenga, por nuk ia kam hapur telefonin, pasi nuk e kam dëgjuar sepse kam qenë duke punuar. Më pas më ka telefonuar bashkëshortja ime, e cila më ka treguar se kishte folur në telefon me nusen e vëllait tim, si dhe me babanë tim, të cilët i kanë treguar se ishte rrëmbyer Doda. Kështu e ka pasur më parë emrin Jani por e pati ndryshuar kur emigroi në Greqi. Menjëherë unë kam lënë punën dhe jam munduar të kontaktoj me nusen e vëllait dhe më pas kom kontaktuar me babanë tim, i cili më ka thënë se nuk mund të fliste dot pasi ishte në Policinë e Kamzës. Më pas babai më ka treguar ngjarjen. Duke qenë se unë dhe vëllai që jeton në Shqipëri, Jan Prenga, nuk kemi asnjë problem me asnjë person, unë kam kontaktuar vëllain tim Astrit Prenga, të cilit i kam thënë ‘eja më tako dhe më trego se cila është arsyeja e rrëmbimit të vëllait tonë’. Astriti pas dy orësh ka ardhur, më ka takuar se së bashku me një shokun e vet të quajtur Gëzim Shullani, të cilin e kemi mik shtëpie. Jemi ulur në një kafe afër shtëpisë sime dhe aty i kam pyetur edhe Astritin edhe Gëzimin se çfarë kishin bërë që kishte ndodhur rrëmbimi i vëllait Jan Prenga në Shqipëri. Astriti, së bashku me Gëzimin më kanë treguar se, ata kishin grabitur një kontejner me lëndë narkotike të llojit kokainë, përpara 2-3 javësh dhe se kjo ishte arsyeja e rrëmbimit të Janit. Unë i kam kërkuar shpjegime se si kishte ndodhur kjo vjedhje dhe ata më treguan se, një shtetas anglez dhe një shtetas iranian, iu kishin kërkuar të nxirrnin një kontenier nga Porti i Portsmouth, ku ata më kanë treguar se kontejneri ishte i ngarkuar me banane, por aty gjithashtu kishte të fshehur edhe një sasi lënde narkotike e llojit kokainë. Astriti më ka treguar se kishte bashkëpunuar për të nxjerrë kontejnerin nga porti me një shtetas rumun, si dhe me një shtetas shqiptar me emrin Xhulian, i cili është shok i Gëzimit dhe Astritit. Xhuliani me sa më kanë treguar është nga zona e Bajzës në Shkodër. Pasi ata kanë nxjerrë kontejnerin nga porti, më kanë treguar se e kishin çuar në një vend të sigurt dhe kishin grabitur sasinë e lëndës narkotike. Astriti me Gëzimin më kanë treguar se aty kishte një sasi prej 260 kg lëndë narkotike të llojit kokainë. Pasi e morën kokainën, ata e kishin ndarë. Se si unë nuk e di, por di që një pjesë e kishte marrë vëllai im Astriti, një pjesë Gëzimi, një pjesë Xhuliani dhe një pjesë shtetasi rumun. Unë nuk e di se nga sa kilogramë kanë marrë secili. 

Pas bisedës me të vëllain në Angli, Antin Prenga ka fluturuar drejt Shqipërisë dhe ka nisur negociatat për lirimin e pengut. Ai është takuar me të afërmit “shefave” që u përkiste droga e gjithashtu filloi bisedimet edhe nëpërmjet një ndërmjetësuesi, siç e parashikon kanuni në Veri të vendit. Megjithatë gjithçka ka rezultuar pa sukses.

22 Janar 2020

Vëllai i Jan Prengës dorëzon një pjesë të kokainës

Ndonëse ndodhej i izoluar në burg, Ndrek Prenga ishte i pari që merrte informacionet në lidhje me vëllain e tij që ishte marrë peng. Ai kontaktohej drejtpërdrejt nga Dritan Rexhepi, që sipas Prokurorisë ishte një nga porositësit e pengmarrjes. Në një prej këtyre telefonatave, nga burgu në Ekuador, Dritan Rexhepi i kishte dhënë fjalën Ndrekës se i vëllai do të lirohej nëse Astriti do të kthente kokainën.

E me gjithë premtimin e dhënë nga kontinenti i largët, duket se pengmarrja kishte marrë fund në mënyrë tragjike. Sipas deklaratës që Anton Prenga ka dhënë në Polici, pas mbërritjes në Shqipëri, ka treguar se më 22 janar 2020, i vëllai, Astriti dhe bashkëpunëtori i tij shqiptar u  kishin dorëzuan ndërmjetësuesve polakë të dërguar nga karteli i drogës, 106 kg kokainë. Gjithashtu kishin paguar edhe 700 mijë paund, si kompensim për drogën që kishin shitur. Po atë ditë Dritan Rexhepi telefonoi sërish nga Ekuadori për t’u thënë vëllezërve Prenga se Jani do të lirohej brenda dy orësh. Por nuk po ndodhte asnjë lëvizje. Rexhepi i siguronte se Jani ishte shëndosh e mirë dhe do të lirohej. Por përsëri nuk kishte asnjë shenjë. Përfundimisht Dritan Rexhepi i telefonoi sërish Ndrek Prengës dhe i tha se personat që kishin marrë peng Janin, nuk e kishin mbajtur fjalën dhe si besë, ai u detyrua t’i jepte familjes Prenga emrat e rrëmbyesve, që ata të bënin me ta çfarë të dëshironin. Dhe kështu bëri.

Dëshmia e Anton Prengës:

Pasi ka kaluar kohë dhe vëllai s’po lirohej, vëllai im Ndreka ka kontaktuar sërish me telefon me Gramozin dhe në këtë moment Gramozi, i ka thënë se: ‘Më kanë lëvizur nga fjala ata personat. Unë të detyrohem të të jap emrat e tyre’ dhe i ka thënë vëllait se personat, të cilët e kanë marrë peng apo kanë organizuar pengmarrjen quhen, Gentjan Lush Doçi, Gentjan Nik Bleta dhe një shtetas tjetër me emrin Korado Doda. Gentjan Doçi është nga Dukagjini, Gentjan Bleta është nga Gruda e Shkodrës, ndërsa Korado Doda është nga Malësia e Madhe nga Shkodra. Sipas vëllait tim, Ndrekës, Gramozi është ndier i fyer pasi Gentjan Doçi, Gentjan Bleta dhe Korado Doda, i kishin dalë nga fjala dhe kjo ishte arsyeja që ai kishte treguar emrat e tyre. Gentjan Bleta së bashku me Gramoz Rexhepin nga qyteti i Vlorës, kanë bërë burg së bashku në Itali përpara disa vitesh.

Shoku jonë, Gëzim Shullani, ka kontaktuar me telefon me Gentjan Bletën dhe më ka treguar se i ka thënë se ishte në dijeni të kësaj çështjeje, por nuk ishte ai në këtë lidhje, por do mundohej të kontaktonte me kushëririn e tij dhe do e merrte në telefon pas 5 minutash. Pas disa minutash Gëzimi i ka telefonuar sërish Gentjan Bletës, por ai e kishte telefonin të fikur. Unë kam dyshime se kushëriri i Gentjan Bletës është Korado Doda. Që në momentin që është mbyllur telefonata me Gentjan Bleta dhe më vonë, janë fikur të gjitha kontaktet që vëllezërit e mi kishin me këta persona, si ‘Instagram’, ‘Facebook’, etj. Duke qenë se Gentjan Doçi dhe Gentjan Bleta kanë fikur numrat e tyre, unë më datë 23 janar 2020, kam shkuar tek shtëpia e Gentjan Bletës, në Grudë të Shkodrës, së bashku me kryeplakun e pajtimit të gjaqeve, që është njëkohësisht babai i Gëzim Shullanit, i cili është shok me Astritin dhe të gjithë ne.

28 Janar 2020

Arrestohen 5 persona për pengmarrjen e Jan Prengës

Kur kishin kaluar 11 ditë nga rrëmbimi i 48-vjeçarin Jan Prenga në Kamzë, shpresat për lirimin dhe kthimin e tij pranë familjes u shuan më 28 janar 2020, me një deklaratë zyrtare të Policisë së Shtetit.

Njoftimi i Policisë

“Nga veprimet hetimore rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës kur po transportohej për në resort, aty ku do mbahej peng.”

Policia arrestoi atë ditë 4 persona, që veç të tjerave i akuzonte edhe për “Fshehje ose asgjësim të kufomës”. Gjatë operacionit të koduar “Resorti”, nisur nga të dhënat hetimore se pengu ishte dërguar nga Kamza në resortin e familjes Hajri në Shijak, nuk u arrit të gjendej asnjë gjurmë e Jan Prengës. Megjithatë, u tha se përmes hetimeve të thelluara, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.

Njoftimi i Policisë

“Ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe.”

Konflikti në fjalë, kishte të bënte me ngarkesën e madhe të drogës. Konkretisht 260 kg kokainë, që një nga vëllezërit e Jan Prengës në Angli, nuk e ka dorëzuar tek pritësit, por e ka përvetësuar bashkë me 3 persona të tjerë.

Policia kishte arritur që nëpërmjet pamjeve të kamerave të sigurisë dhe provave të tjera, të gjurmonte udhëtimin e “Range Rover”-it të bardhë nga rruga “London”, në Kamzë, në parkingun nëntokësor të “Golden Resort”, në Shijak.

Pamjet e kamerave të parkingut treguan një çantë të madhe të zezë duke u transferuar nga makina e vjedhur në një furgon. Disa persona shquheshin duke ngarkuar lopata dhe kazma dhe duke fshirë gjurmët e gjakut nga vendi i ngjarjes. Furgoni më pas u nis në një vend të panjohur që nuk u zbulua kurrë. Ndërsa “Range Rover” më vonë u gjet i djegur.

Grupi hetimor beson se çanta e zezë përmbante trupin e fatkeqit Jan Prenga dhe se ai ishte plagosur e më pas kishte vdekur.

Për ngjarjen u arrestuan disa persona e të tjerë u shpallën në kërkim. Por aktualisht në burg është vetëm kopshtari, i dënuar me burgim të përjetshëm.

29 Shtator 2022

Gjykata e Posaçme jep vendimin për 2 nga të akuzuarit

Vetëm dy nga shumë persona të akuzuar për organizimin, rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës janë dënuar nga Gjykata e Posaçme, me një vendim të datës 29 shtator 2022. Është dënuar me burgim të përjetshëm i vetmin autor i akuzuar për vrasjes dhe zhdukjen e kufomës, kopshtari i restortit, Festim Bexhdili. Togat e zeza kanë arritur në përfundimin se Bexhdili ka dijeni për vendodhjen e kufomën, por nuk tregon. Nga ana tjetër, i akuzuari si bashkëpunëtor, Olsi Turja, u dënua me 3 vjet heqje lirie. Krimi u provua nga kamerat e sigurisë të “Resortit Golden”, ku në 6 orë, janë vënë re hyrje-dalje të makinave të dyshimta, nxjerrja e sendeve që akuza pretendon se janë armët e krimit, lopata e kazma si dhe në fund një qese e madhe e zezë, brenda së cilës dyshohet se ishte futur trupi i viktimës.

Një ditë pas krimit, Festim Bexhdili dhe bashkautori Olsi Turja, janë riparë në garazhin e kompleksit duke pastruar gjurmët e gjakut. Mostrat e ADN të marra në vendi e ngjarjes përputhen me nënën e viktimës.

Mes gjithë atyre personave që u akuzuan, pasi u panë në kamerat e resortit, rrethi u ngushtua vetëm në dy emra. Por për persona të tjerë, mes të cilëve edhe porositësit, Dritan Rexhepi dhe Gentian Doçaj, dosja është veçuar, ashtu sikurse edhe për Altin Hajrin.

Pas afro një viti pezullim, vetëm pak kohë më parë, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim çështjen penale ndaj të pandehurve: Dritan Rexhepi, tashmë i arrestuar në Turqi, Gentian Funiqi (Doçaj), i arrestuar në Spanjë, Geraldo Martini, Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Gështenja e Artan Doçaj, të akuzuar si grup i strukturuar kriminal, për rrëmbimin e Jan Prengës. Gjyqi për Altin Hajrin, për të njëjtat akuza është pezulluar deri në njoftimin dhe kapjen e tij.

9 Nëntor 2023

Arrestohet në Stamboll i shumëkërkuari Dritan Rexhepi

Gjatë kohës që Dritan Rexhepi vijonte të vuante dënimin prej 13 vitesh burg në Ekuador, emri i tij del në skenë në Shqipëri, në ngjarjen e janarit të vitit 2020, kur u rrëmbye dhe më pas u zhduk Jan Prenga. Ai u hetua si organizator i rrëmbimit të tij, për zhdukjen e një sasie kokaine në Angli. Kjo tregonte gjithashtu se Rexhepi e vazhdonte trafikun e drogës edhe nga burgu. Më 28 janar të vitit 2020, Policia dhe Prokuroria thanë se kishin zbardhur ngjarjen dhe një ndër të dyshuarit si organizator ishte Dritan Rexhepi.

Dritan Rexhepi u arrestua mbrëmjen e 9 nëntorit 2023 në lagjen Beylikduzu, në perëndim të Stambollit. Operacioni për kapjen e tij u kodua “Kartel” dhe ishte kompleks.  Një operacion i shërbimeve inteligjente, i koordinuar nga Shërbimi Ndërkombëtar i Bashkëpunimit Policor me Sekretariatin e Përgjithshëm të Interpol Lionit, Shërbimi Qendror Operativ i Policisë italiane dhe Agjencia Antidrogë e Antikontrabande e Turqisë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Ali Yerlikaya, disa orë pas arrestimit, më 10 nëntor 2023, dha detaje për operacionin, që ai e konsideroi të një rëndësie të veçantë. Ministri turk deklaroi se vendndodhja e Dritan Rexhepit u përcaktua si rezultat i punës së përbashkët të kryer nga dega Kundër Krimeve Narkotike në Stamboll, Dega e Inteligjencës, Dega Kundër Kontrabandës dhe Kalimit Kufitar të Emigrantëve dhe shkëmbimit të informacionit me Policinë Italiane.

Ministri i Brendshëm i Turqisë

Ali Yerlikaya: “Gjatë operacionit ‘Karteli’ të zhvilluar në Stamboll, u kap Dritan Rexhepi, kreu i kartelit të drogës me emrin ‘Kompania Bello’, i cili kërkohej nga autoritetet italiane dhe shqiptare dhe transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Europë.  Unë dua që kombi ynë i dashur ta dijë këtë. Ne jemi të vendosur të pastrojmë vendin tonë nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të krimit të organizuar dhe trafikantët e drogës.

U konstatua se Rexhepi, i cili ndiqej ndërkombëtarisht nga Drejtoria jonë kundër Krimeve Narkotike dhe Drejtoria e Inteligjencës së Policisë së Stambollit, nën koordinimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë, ka hyrë në vendin tonë nga Aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emër të Benjamin Omar Perez Garcia. Menjëherë është kryer operacioni ‘Karteli’ për kapjen e Dritan Rexhepit.”

Mediat italiane që pasqyruan arrestimin e tij, duke e quajtur “Pablo Eskobari shqiptar”, shkruanin se Rexhepi, i njohur si lideri i padiskutueshëm i kartelit shqiptar, veproi në të njëjtin nivel me trafikantët kolumbianë dhe ekuadorianë të drogës. Urdhri i arrestit ndërkombëtar më i fundit është ai i Gjykatës së Firences. Drejtoria Antimafia e Firences, në kuadër të operacionit “Los Blancos” e shpallu atë në kërkim si drejtuesi i organizatës kriminale. Ndërsa Gjykata më pas e dënoi 20 vjet burg.

22 Nëntor 2023

Ministria e Drejtësisë nis në Turqi dosjen për ekstradimin e Rexhepit

Pas arrestimit në Turqi, dy shtete, nisën procedurat për ekstradimin e tij. Italia, që dha edhe informacionin për vendndodhjen e tij dhe bashkëpunoi për arrestimin, por edhe Shqipëria, ku është i dënuar me 25 vjet burg për vrasje.

Vetë Dritan Rexhepi, edhe kur doli para gjykatës në Ekuador edhe së fundmi në Turqi, ka shprehur dëshirën që të ekstradohet në Shqipëri, ndonëse e kërkon edhe Italia e Belgjika. Në Turqi, ku edhe u arrestua, kishte hyrë para 9 muajsh dhe ishte vendosur në një vilë në një zonë europiane të Stambollit.

Por përveç dënimit të mëparshëm për të, Rexhepi ka pasur pretendimet e veta dhe e ka çuar deri në Kushtetuese, tashmë ai ka edhe hesape të tjera të hapura me drejtësinë shqiptare. Ai është pjesë e një procesi të nisur në mungesë, si një prej organizatorëve të rrëmbimit të Jan Prengës.  E duket se me gjasë, pas Turqisë që e zgjodhi vetë, destinacioni i tij final, kësaj here i detyruar dhe shoqëruar nga forca policore, do të jetë Shqipëria.

Ministria e Drejtësisë

“Ministria e Drejtësisë ju bën me dije se, më datë 22 nëntor 2023, ka përcjellë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t’u dërguar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit, Dritan Rexhepi. Dosja e tij, me kërkesën për ekstradimin e shtetasit Dritan Rexhepi, është nisur në bazë të kërkesave të paraqitura nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë datë, 16.11.2023 dhe 17.11 2023.”

Kanë kaluar gati 3 vjet nga rrëmbimi i Jan Prengës, që ishte fundi tragjik i prishjes së një kontrate kokaine. Gjatë këtyre tri viteve, edhe pas shumë kërkimeve e disa të arrestuarve, trupi i tij nuk u gjet asnjëherë. Vëllai i tij, Ndrek Prenga, ai që komunikoi nga burgu me Dritan Rexhepin, tashmë lëviz i lirë në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa për vëllain tjetër, Astritin, ai që prishi kontratën dhe vodhi kokainën, ende nuk dihet asgjë. Edhe pse duhej të ishte arrestuar.

Hetimet treguan se Jan Prenga ishte pasojë e trafikut ndërkombëtar drogës, të eksponentëve shqiptarë të botës së krimit. Ata prej vitesh po luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, në Amerikën e Jugut dhe në Europë. Por ai nuk është i vetmi. Dhjetëra atentate të kryera ndër vite kanë pasur pistë kryesore prishjen e pazareve të drogës. Ngjarje, të cilat zyrtarisht në shumicën e rasteve mbeten pa autor, por operativisht Policia di çdo detaj. Prapaskenat e tyre po zbardhen tashmë nga hetimet e përbashkëta ndërkombëtare si rezultate i komunikimeve të SKY.

“Gjërat Tona” në vijim do të hedhë dritë mbi të tjera ngjarje që vijnë si pasojë e trafikut ndërkombëtar të drogës. Jan Prenga u mor peng me porosi nga Ekuadori. Por edhe disa të tjerë janë vrarë e zhdukur me porosi nga shumë larg Shqipërisë. Shkaku duket se është gjithmonë i njëjtë. Droga…/abcnews.al