‘Gjërat Tona’/ Inskenimi i vjedhjes dhe inceneratorët

schedule18:50 - 11 Shkurt, 2023

schedule 18:50 - 11 Shkurt, 2023

Dosje të vjetra që rikthehen me fakte të reja, krime të pazbuluara e rrëfime të pathëna më parë, ngjarje pa autor që tashmë do shfaqen në “Gjërat Tona”.

Emision nga Etleva Delia

Alda Klosi, njeriu më i besuar Arben Ahmetajt, që emërohej drejtoreshe kudo ku emërohej ai, u çua në burg  nga një pastruese.

Ajo u arrestua për tri akuza, pastrim parash, deklarim të rremë dhe fshehje pasurie.

Ishte dëshmia e pastrueses Rozeta Dobi që hodhi dritë për shumën prej afro 540 mijë eurove, të sekuestruara në shtëpinë e saj, për të cilën ajo tha që i përkisnin Alda Klosit.

Madje ajo shkoi edhe më tej në dëshminë e saj, duke thënë se paratë mund të ishin  të ish-shefit te saj, të cilin Dobi shprehej se e kishte parë në shtëpinë e Klosit.

Më 3 shkurt, rreth orës 13:30, Rozeta Dobi u paraqit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pa i rënë në sy askujt.

Dobi ishte aty për t’u pyetur sërish për paratë e gjetura në shtëpinë e saj. Më herët ajo kishte deklaruar se këto para i kishte vjedhur në shtëpinë e ish-shefes së Kabinetit  në Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin.

Pak më vonë u paraqit aty edhe avokatja e Rozeta Dobit, edhe pse më pas ajo u shkarkua nga klientja e saj.

Të gjithë i konsideruan si fjalë të thëna nga një grua që i hodhi poshtë një grua tjetër.

Deri tani duket se kjo histori është mbyllur vetëm me arrestimin e Alda Klosit, e cila u shtrua menjëherë në spital për shkak të problemve kardiake.

Por mbetet për t’u parë nëse do të ndiqet deri në fund, për të arritur tek ish-shefi e saj, ashtu siç pretendoi pastruesja Rozeta Dobi.

NDALIMI I STELA GUGALLJAS NE AUSTRI

Stela Gugllja është një nga personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar në lidhje me hetimet për Inceneratorin e Elbasanit.

Ajo konsiderohet si një personat kyç sa përket hetimeve që po kryhen në lidhje me inceneratorët dhe për rolin e Arben Ahmetajt në këtë histori.

Gugallja është ndaluar në Austri me urdhër të SPAK, në fillim të dhjetorit, vitin e kalua. Procedurat më pas kanë vijuar në gjendje të lirë.

Procesi ndaj Stela Gugalljas po vijon në gjykatë në lidhje me kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin drejt vëndit tonë.

Nga hetimet ka rezultuar se, Stela Gugallja, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy”, në bashkëpunim, kanë korruptuar zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit.

Veprim i kryer bashkë me të kërkuarit e tjerë, Klodian Zoton e Mirel Mërtirin, për fitimin e koncensioneve të inceneratorëve. Ndaj tyre është ngritur akuza e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të parave.

Nga hetimet ka rezultuar se, këta persona i kanë dhënë në total 3.9 milionë euro ish-ministrit të mjedisit Lefter Koka, me qëllim marrjen e lejes për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.

SI FUNKSIONONTE SKEMA

Pasi morën lejen nga Lefter Koka, inceneratori i Elbasani, në pronësi të kompanisë që administrohej nga Stela Gugallja bënte fatura fiktive duke i faturuar punë të pakryera kompanisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Duke qenë se inceneratorët ishin projekte të ndërtuara me fondet e shtetit, ishte buxheti që duhej të përballonte këto pagesa.

Rrjedhimisht, nëpërmjet kësaj skeme, buxhetit të shtetit i janë shkaktuar rreth 3.9 milion euro dëm.

Këto para sipas SPAK i kanë kaluar në formë ryshfeti Lefter Kokës përmes faturave fiktive të lëshuara nga dy kompanitë, “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. ndaj kompanive në pronësi të ish-ministrit apo të të afërmve të tij.

Nga ana tjetër, për aferat me inceneratorëve, është arrestuar edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako.

Ish-deputeti socialist u akuzua nga SPAK për “shpërdorim të detyrës” dhe “korrupsion” në aferën e inceneratorëve, në bashkëpunim me ish-eprorin e tij, Lefter Koka.

Në të njëjtën akuzë janë edhe pesë anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit.

Nga hetimi rezulton se Bllako ka mbajtur kontakte përmes postës elektronike me biznesmenin e shpallur në kërkim Klodian Zoto, administratorin e “Albtech Energy”, si dhe biznesmenin Mirel Mërtiri.

Në këto biseda të sekuestruara si provë nga SPAK flitet për procedurën koncensionare, por edhe për aktivitetet private të biznesmenëve.

INCENERATORI I ELBASANIT

Inceneratori i Elbasanit është përfituar si koncension nga kompania “Albtek Energy”, më 12 dhjetor 2014, për 2.1 milionë euro.

Kjo kompani është themeluar nga Stela Gugallja. Ndërsa më herët, në tetor të vitit 2013 ajo kishte themeluar një tjetër kompani “C.G.C”, administrator i së cilës ishte emëruar Mirel Mërtiri, që zëvendësonte Loran Dushën.

Stela Gugallja vendos ta shesë këtë kompani në korrik të vitit 2018 tek  shtetasi Ilir Dedja, e cila ndryshon edhe status, nga kompani shqiptare, në kompani e huaj.

Një vit më vonë, Ilir Dedja shet 70 % të aksioneve të veta në këtë kompani, tek kompania tjetër “Integrated Technology Servises”, që tezulton e themeluar në vitin 2010 nga Klodian Zoto.

INCENERATORI I FIERIT

Inceneratori i Fierit është përfituar si koncension nga kompania “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, e themeluar në tetor të vitit 2016.

Fillimisht kompania zotërohej nga “Integrated Energy Services”, që kishte 80 % të aksioneve dhe “Energy 2”, që kishte 20 %.

Kriteri i përvojës plotësohej nga kompania italiane “Energy 2”, që fitoi edhe tenderin për inceneratorin e Fierit më 24 tetor të 2016-ës, me vlerën afro 28 milionë euro.

Një javë pasi fitoi tenderin, kompania italiane vendos të shesë 20 % të aksioneve tek kompania “Ndërtim Montim Patos”, e cila nga ana tjetër blen edhe 10 % të aksioneve nga kompania  “Integrated Energy Services”.

Në gusht të vitit 2017, administrator i kompanisë bëhet Loran Dusha, që ishte larguar në shkurt të po atij viti nga posti i administratorit të kompanisë së themeluar nga Stela Gugallja që më pas u ble nga Ilir Dedja.

Hetimet e SPAK për inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit janë mbyllur përkatësisht në shtator e nëntor.

Megjithatë ende nuk ka përfunduar seanca paraprake.

Seanca paraprake për incenereratorin e Fierit është shtyrë për herë të tretë, për shkak të mosgjetjes së adresave të administratorëve dhe për faktin se duhen njoftuar shtetasit italianë.

Për këtë çështje SPAK ka marrë të pandehur 30 persona, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-sekretarin e kësaj Ministrie, Alqi Bllako.

Po kështu, edhe seanca paraprake për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit ndaj Lefter Kokës dhe 9 të pandehurve të tjerë të arrestuar, është shtyrë për herë të tretë.

Në datat 14 dhe 15 shkurt, në Gjykatën e Posaçme do të zhvillohen dy seanca të ndara të gjyqtarëve paraprakë, që kanë shtyrë proceset për dy dosjet e inceneratorëve, atë të Elbasanit dhe të Fierit.

Avokatët këmbëngulin që këto çështje nuk janë të hetuara siç duhet, duke qenë se kanë dalë në dritë prova të reja dhe të rëndësishme.

Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u paraqit në SPAK në fund të janarit.

Ai ishte thirrur për procedurat lidhur me privatizimin e një ndërtese në Tiranë.

Në përfundim të deklarimeve që dha para prokurorëve, Cani nuk dha sqarime për çfarë ishte thirrur, por hodhi poshtë pretendimet se kishte shkuar në SPAK për çështjen e inceneratorëve.

 “Nuk jam thirrur ende për inceneratorët dhe nuk e di nëse do të thirrem. Por jam i gatshëm nëse thirrem. Nga SPAK pres drejtësi, pres rregull”, kështu tha Cani.

Cani: “Kam nënshkruar një deklaratë, në të cilën duhet të ruaj sekretin dhe kaq”.

Para një viti Shkëlqim Cani dëshmoi në Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur për inceneratorët. Ai tha se kishte refuzuar procedurat e ndjekura për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit, pasi kishin mospërputhje me ligjin.

Një ditë pas Canit, ishte Monika Kryemadhi që u pyet për më shumë se 2 orë në SPAK, lidhur me inceneratorin e Tiranës dhe denoncimet e publikuara në media.

Kryemadhi tha se u thirr nga SPAK si person në dijeni për padinë e dorëzuar.

Kryemadhi: “Nuk është rastësi kontratat e Fierit dhe Elbasanit, që janë kontrata që kanë mbaruar. Janë kontrata, të cilat vazhdojnë në 30 vjet”.

SPAK po kryen disa verifikime dhe po mbledh prova edhe për Arben Ahmetajn, në kuadër të hetimeve të nisura për çështjen e inceneratorëve.

Jo zyrtarisht, Prokuroria e Posaçme thotë se objekt i hetimeve të këtij procedimi penal janë një sërë rrethanash dhe faktesh, ku përfshihen edhe veprimet e Ahmetajt  në cilësinë e ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

 

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!