“Gjërat Tona”/ E shkuara nuk amnistohet, rikthimi i krimeve ndaj njerëzve të drejtësisë

schedule20:34 - 5 Maj, 2024

schedule 20:34 - 5 Maj, 2024

Ky shpërthim në derën e shtëpisë së gjyqtarit të Shkodrës Tonin Stërkaj, ishte një mesazh. Një mesazh për detyrën e tij. Një demonstrim i hapur i pakënaqësisë së atyre që e organizuan ndaj ndonjë vendimi të dhënë a të pa dhënë.

Kjo nuk dihet me siguri. Por qartazi është një ngjarje që trondit sërish drejtësinë.

E më shumë se një ngjarje që ka një adresë konkrete, duket se mesazhin e ka më të përgjithshëm se kaq. Pasi ka shënjestruar Policinë në Shkodër, krimi tashmë e ktheu objektivin nga njerëzit e drejtësisë.

E ngjarje të tilla, ndër vite ka pasur me dhjetëra. Mbi të gjitha të pazbardhura. Asnjë prej tyre nuk ka autor, pa çka se motivet duket se dihen për secilën prej tyre. Janë motive që lidhen me pakënaqësi për vendimin e dhënë, për premtimin e pambajtur, për dënimin e madje edhe për lirimin, apo në ndonjë rast edhe për mospranimin e një kërkesë pushimi çështje.

Por ngjarjet duhen ndarë në hetim. Jo çdo përfaqësues i drejtësisë sulmohet për shkak të funksionit dhe detyrës që ai mban. Ka edhe nga ata që sulmohen për shkak të abuzimit që kanë bërë duke përdorur detyrën e tyre.

Në 25 vite që kanë nisur sulme të tillë ndaj drejtësisë, historia ka treguar se jo të gjithë kanë marrë mesazhe për shkak të funksionit.

Megjithatë, ngjarja e 28 prillit në Shkodër, duket se nuk lidhet me asgjë tjetër, përveçse me detyrën e gjyqtarit Tonin Stërkaj. Në karrierën e tij prej më shumë se 2 dekadash si gjyqtar, Stërkaj ka dhënë mijëra vendime. Por ky është rasti i parë që ai merr një kërcënim të tillë.

Menjëherë pas ngjarjes Komisioni i Posaçëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor vendosi mbrojtje të veçantë për gjyqtarin Tonin Stërkajn. Mbrojtja u aprovua me një afat 6-mujor. Nën mbrojtje nuk do të jetë vetëm gjyqtari Tonin Stërkaj, por edhe anëtarët e familjes së tij dhe banesa ku ai jeton. Aktualisht janë 13 gjyqtarë dhe prokurorë nën mbrojtjen e shtetit, nga të cilët 6 janë prokurorë të SPAK dhe gjyqtarë të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

KLGJ: Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë. Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në një komunikim për mediat pas mbledhjes tha se shpreson që në vijim të ketë rezultate konkrete, që të jepet mesazh ndaj çdokujt që mundohet të intimidojë sistemin gjyqësor.

Taulant Balla: Sulmi ndaj gjyqtarit është një sulm burracakësh. Unë kam marrë një takim me magjistratin, i kam shprehur solidaritetin. Policia do iu ofrojë mbrojtje personale dhe familjes të magjistratit. Policia e Shtetit e di fare mirë detyrën e saj. Shpresoj që në vijim të kemi rezultate konkrete, që të japim mesazh ndaj çdokujt që mundohet të intimidojë sistemin gjyqësor. Duhet më shumë mbështetje ndaj magjistratëve, për të ofruar më shumë siguri ndaj magjistratëve dhe prokurorëve.

Ministri Taulant Balla, e konsideron zbardhjen e ngjarjes si një test për Policinë e Shkodrës.

Mesazhi për gjyqtarin

Deri para se të ndodhte ky shpërthim, gjyqtari Tonin Stërkaj me bashkëshorten dhe djalin e vogël, dukej se do të kalonin një fundjavë të qetë. Të shtunën në mbrëmje ata ishin kthyer në shtëpi, pasi kishin qëndruar për disa orë në fshatin e lindjes, në Malësinë e Madhe. Në fillim kishin menduar që të kalonin edhe të dielën aty, por në fund ndryshuan mendje dhe u kthyen në Shkodër.

Ata janë shtrirë për të fjetur dhe në orën 03:00, ende pa zbardhur dita e diel, një shpërthim i fortë ndodh në portën e shtëpisë së familjes Stërkaj. Ata nuk e kuptojnë që ngjarja kishte ndodhur në derën e tyre. Një shpërthim të ngjashëm kishin dëgjuar para pak ditësh, kur në një rrugicë pranë tyre iu vendos tritol një lokali. I pa shqetësuar, të paktën jo për familjen e tij, gjyqtari Stërkaj nuk lëviz nga krevati, derisa nisin ta thërrasin fqinjët. I thonë që ngjarja kishte ndodhur në shtëpinë e tij. Ai nxiton të dalë jashtë, por e pengon e shoqja, nga frika se autorët edhe mund të mos ishin larguar. Në këtë moment, gjyqtari Stërkaj ndalon dhe lajmëron Policinë. Brenda pak minutave patrullat e Policisë mbërrijnë në adresën e dhënë, ku kuptojnë se sulmi në fakt ishte bërë një gjyqtari. Në këtë moment, hetimet morën një tjetër rëndësi. Vetë Stërkaj nuk u ishte prezantuar me detyrën e tij.

Një kamera sigurie, e një shtëpia pranë vendit të ngjarjes, në rrugën “Doktor Todi”, kishte filmuar gjithçka. Një person me kapuç, i veshur me një xhup të madh, ndoshta edhe për të kamufluar përmasat trupore, që bën një ecje disi të sforcuar, sikur çalon, afrohet tek porta e familjes Stërkaj. Aty vendos pakon me eksploziv që duket se e aktivizon përmes një fitili që e ndez. Më pas largohet duke ecur në të njëjtën mënyrë, por duke nxituar. Brenda pak sekondash ndodh shpërthimi.

Lëvizjet e këtij personi janë gjurmuar përmes disa kamerave të ndryshme në rrugë. Në kamera shfaqet një person me kapuç në kokë që lëviz në afërsi të varrezave katolike të “Rrmajit” në drejtim të rrugës “At Martin Gjoka”, për të kaluar në rrugën “Karl Gurakuqi” dhe më pas në rrugën “At Vinçenc Prendushi” dhe drejtohet për tek shtëpia e Tonin Stërkajt, që ndodhet në rrugën “Doktor Todi”. Aty vendos lëndën plasëse në derën e oborrit dhe largohet me vrap serish në rrugë “At Vinçenc Prendushi”, në drejtim të rrugës “Lin Delija” që lidh sheshin “Prek Cali” me kryqëzimin e Shkollës Pyjore. Ai vrapon drejt sheshit “Prek Cali” dhe merr drejtimin e rrugës “Kardinal Mikel Koliqi” për t’u futur në rrugën “Vladimir Jani”, në drejtim të lagjes “Mahalla e Çakajve”, e cila përshkohet nga rruga “Bashkimi”, duke dalë në rrugën kryesore që lidh qendrën me lagjen Rus, rruga “Martin Camaj”, duke kaluar në anën tjetër në rrugën “Nazmi Kryeziu”. Pastaj në rrugën “Lekë Dukagjini” ai drejtohet për nga teatri “Migjeni” dhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë personi në fjalë është parë në zonën pas teatrit në mes rrugës “Qukej” dhe Bulaverdit “Bujar Bishanaku” ku edhe ka humbur gjurmët.

Burime nga grupi hetimor thanë se ky person që monitorohet nga kamerat është parë të futet në një lokal nate dhe më pas ka dalë nga aty duke hipur në një taksi. Në momentin që taksia niset, pas saj shkon edhe një makinë tjetër dhe largohen njëkohësisht. Të dy këto automjete janë duke u verifikuar nga Policia e Shkodrës. Nga ana tjetër, Policia kërkon edhe ndihmën e qytetarëve, duke vendosur një shpërblim prej 30 mijë eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në identifikimin e autorëve.

Policia e Shkodrës: Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 28 prill 2024, rreth orës 03:00, në lagjen “Tom Kola”, ku në portën e oborrit të banesës së shtetasit Tonin Sterkaj, 62 vjeç, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, është hedhur lëndë plasëse, ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Policisë Shkodër dhe Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka kryer një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale, si dhe vijon punën intensivisht, për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë identifikimit të autorëve, zbardhjes dhe dokumentimin të rrethanave të ngjarjes. Krahas veprimeve intensive të grupit hetimor, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e shtetasit që shfaqet në pamjet filmike të sekuestruara. Për çdo informacion të vlefshëm që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin e autorëve, Policia e Shkodrës vë në dispozicion shpërblimin 30 mijë euro, duke iu garantuar anonimat të sigurt.

I pyetur në lidhje me dyshimet e tij rreth motiveve të ngjarjes, gjyqtari Tonin Stërkaj ka deklaruar se gjithçka ka të bëjë me detyrën e tij, pasi nuk ka asnjë problem të asnjë lloj natyre tjetër. Në këtë drejtim, grupi hetimor po verifikon të gjitha dosjet e fundit që ka shqyrtuar, gjyqtari Stërkaj. Por nga ana tjetër, në vëmendje është edhe lista e të burgosurve që përfituan nga amnistia penale e këtij viti në Burgun e Reçit. Po verifikohen të gjithë ata persona që fituan lirinë nga kjo amnisti, nëse ndonjë prej tyre është dënuar nga gjyqtari i Shkodrës.

Burimet thonë se po verifikohet gjithçka. Përveç vendimeve të dënimit, edhe ato dosje që gjyqtarit Stërkaj mund t’i kenë shkuar për pushim dhe ai nuk ka pranuar, duke i kthyer mbrapsht për rihetim. Por një gjë është e sigurt. Ngjarja është një mesazh për detyrën e Tonin Stërkajt si gjyqtar.

Krimet fatale ndaj njerëzve të drejtësisë

Mbrëmjen e 22 marsit të vitit 2019, teksa ishte i ulur në një lokal, u ekzekutua me plumb në kokë avokati Ravik Gurra. Ngjarja ndodhi në Elbasan. Në qytetin që për vite me radhë ka mbajtur rekord për kriminalitetin. Në qytetin që sot ka numrin më të lartë të prokurorëve të mbrojtur. E pikërisht aty krimi goditi me forcën më të ashpër një përfaqësues të sistemit të drejtësisë. Dhe nuk e goditi për hesapet e tij, por për shkak se ishte pjesë e këtij sistemi. Pra për shkak të detyrës.

Sot, ajo ngjarje që u hetua nga Prokuroria për Krime të Rënda e më pas i kaloi SPAK, ajo ngjarje mbetet pa autor. Grupi hetimor ka ende në dorë pamjet e një kamere sigurie, ku shfaqet autori, por vetëm kaq, asgjë më shumë. Ai person as sot nuk është identifikuar. Me arsyetimin se pamjet nuk janë të qarta, dosja e vrasjes së një njeriu që i përkiste sistemit të drejtësisë, vijon të qëndrojë në sirtarët e institucioneve të drejtësisë.

Ajo ngjarje, ishte një dëshmi se si krimi godet me gjithë ashpërsinë e tij dhe sa serioz është kur kërcënon. Edhe avokatët, ashtu sikurse prokurorët dhe gjyqtarët, janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Por në 25 vitet e fundit sistemi i drejtësisë është sulmuar në të gjitha drejtimet. Është përballur me akuza, me kërcënime, por persona të caktuar, pjesë e tij, kanë qenë edhe objekt atentatesh mafioze.

Vrasjet e njerëzve të drejtësisë janë konsideruar gjithmonë si atentate mafioze dhe dosjet kanë përfunduar duke u mbyllur me siglën “pa autor”. Më të vështirat për t’u zbardhur, atentatet ndaj avokatëve, prokurorëve e gjyqtarëve, mbeten edhe më të rëndat në sytë e qytetarëve. Që nga viti 1999 e deri sot, janë vrarë në atentate tipike mafioze, që vijojnë ende të jenë të pazbardhura, 4 njerëz që kanë pasur lidhje direkte me sistemin e drejtësisë në vend. Një vajzë prokurori, kryetari i Dhomës së Avokatisë , një gjyqtar dhe një avokat kanë humbur jetën në sulme, për të cilat nuk është arrestuar ende askush.

Sulmet kanë qenë drejtpërdrejt ndaj tyre, por edhe ndaj familjarëve, ashtu siç ndodhi me studenten 21-vjeçare Kozeta Hyseni. Më 19 shkurt të vitit 1999, ajo u gjet e masakruar në Qytetin Studenti në Tiranë. Kozeta Hyseni, vlonjatja që vazhdonte studimet në degën “Gjuhë Letërsi”, është gjetur e masakruar pranë kinoklubit të Qytetit Studenti, mëngjesin e 19 shkurtit të vitit 1999. Vrasja e Hysenit u cilësua si një hakmarrje ndaj të atit, pasi ai në atë kohë ishte prokuror i Vlorës.

Një ngjarje e bujshme tronditi kryeqytetin mbrëmjen e 21 shkurtit të vitit 1999. Një nga juristët më të njohur, kryetari i Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, mbeti i plagosur rëndë pas një atentati që u organizua ndaj tij. Mjekët dhanë shpresa për jetën dhe e nisën atë për kurim në Itali. Por pas disa minutash fluturim, Kleanthi Koçi ndërroi jetë nga një atak në zemër, më 28 shkurt. Para se të vdiste, kur policët i kishin treguar atij disa fotografi, përgjigjja e avokatit ka qenë: Do t’ua tregoj, kur të dal nga spitali.

Më 30 shtator të vitit 2003, vritet Genci Sina, shoferi i prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Ai ishte duke shoqëruar bashkëshorten e Sollakut dhe vajzën e tij, kur në afërsi të Piramidës, një taksi i afrohet makinës së tij, një person zbret dhe e qëllon me armë zjarri, duke e lënë të vdekur.  Familjarët e viktimës deklaronin se Sina nuk kishte asnjë problem personal, por ngjarja ishte një mesazh për kryeprokurorin.

Magjistrati i çështjeve civile në Gjykatën e Vlorës, Skerdilajd Konomi, humbi jetën pasi një shpërthim që ndodhi në makinën e tij më 9 shtator 2011, teksa gjyqtari shkonte në punë. Ai mbeti i vdekur, ndërsa pistat kryesore të hetimit ishin vrasja për detyrën dhe konfliktet e pronësisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda rihapi hetimet në vitin 2013, pasi ishte vlerësuar e nevojshme rihapja e dosjes me anë të rivlerësimit të provave që ndodhen në fashikull. Ekzekutimi me eksploziv në makinë, i gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, edhe pse u hetua për një kohë të gjatë, mbeti pa autor.

Më 1 nëntor të vitit 2019, mbetet i vrarë në një atentat pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës, Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja. Hetimet për atentatin u përqendruar tek vrasja e mbetur në tentativë, për shkak të detyrës prokurorit Arjan Ndoja, i cili u plagos në atë ngjarje. Por Policia dhe Prokuroria nuk e përjashtonin mundësinë që objektiv i atentatit mund të kishte qenë edhe Pëllumb Muharremi, që ndodhej në makinë me të dhe u plagos.

Pas dëshmisë së të penduarit Artan Tafani, rreziku që u kanoset njerëzve të drejtësisë doli sërish në skenë në mënyrën më të frikshme. Ai tregoi planet serioze që kishte pasur Laert Haxhiu me grupin e tij për të vrarë dy prokurore dhe një avokat. Vrasje që nuk u realizuan për arsye të ndryshme të vetë grupit që i shtyu për një moment te dytë, por që në fakt informacioni kishte munguar. Këto ngjarje nuk ndodhën se u parandaluan, por se në një farë mënyrë ishte grupi që dështoi apo nuk veproi.

Në rrëfimin e tij, i penduari Artan Tafani tregoi atentatin që po planifikohej të kryhej ndaj prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu, Prokurores së Lushnjës Merita Selimi dhe avokat të Lushnjës Adriatik Doga.

Prokurorja Musabelliu, e cila ka hetuar dosje të forta në SPAK, më e fundit ajo e masakrës së urës Vajgurore ishte vënë në shënjestrën e të fortëve të Lushnjës, mbasi kërkoi burgim të përjetshëm për dy miqtë e Laert Haxhiut, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshin.

Artan Tafani: I kemi ndjekur. Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelli, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokun e Laertit, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. I kemi mbajtur nën vëzhgim dhe familjet e tyre. Laerti, pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po i bënte gropën. Atij iu fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes.I kemi bërë foto prokurores, burrit avokat dhe fëmijëve. Laerti tha se fotot e fëmijëve duhet më parë t’ia nisnim burrit të prokurores për të parë se çfarë ndikimi dhe reagimi do sillte. Ti bënin një lloj presioni.

Prokurorja tashmë është marrë në mbrojtje nga Policia, me kërkesë në kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani. E po ashtu në ruajtje të posaçme është marrë dhe familja e prokurores Musabelliu. Deri më tani, në strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë kanë marrë në mbrojtje, dy gra gjyqtare dhe prokurorja Doloreza Musabelliu.

Por plani për të vrarë prokuroren e SPAK, pasonte një tjetër plan që ishte thurur më përpara, që kur dosja i kaloi Musabelliut, pasi prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi shpalli moskompetencë. Sipas dëshmisë së Artan Tafanit, në fakt Laert Haxhiu mllefin më të madh e kishte me prokuroren që shpalli moskompetencën, duke ia kaluar hetimet SPAK-ut. Nëse dosja do të qëndronte në Lushnjë, grupi mendonte se do e kishte më të lehtë që të ndërhynte. Por deri në SPAK nuk mund të depërtonin dot. E për këtë arsye, Laert Haxhiu kishte planifikuar edhe vrasjen e Merita Selimit. Aktualisht ajo është e shkarkuar nga shkalla e parë e vetingut por vijon të ketë statusin e magjistratit për aq kohë sa nuk është shprehur apeli. Megjithatë, duke qenë se e mban ende këtë status, edhe Merita Selimi është marrë në mbrojtje.

Selimi ishte prokurorja që hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017 në Lushnjë, ku mbeti i vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.

Pas dy viteve hetime, Merita Selimi shpalli moskompetencën duke sjellë dosjen ndaj tre të pandehurve në SPAK. Prokurorja e Lushnjës në muajin Korrik 2023 u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Çështjen në ngarkim të grupit të Laert Haxhiut e mori në dorë prokurorja e SPAK Doloreza Musabelli. Ajo kërkoi burgim të përjetshëm, ashtu sikurse edhe vendosi Gjykata për Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. Ndërsa për Laert Haxhiu çështja u veçua për aq kohë sa ishte në kërkim dhe filloi pas arrestimit në Greqi. Më 24 prill 2024, Gjykata e Posaçme e dënoi me burgim të përjetshëm edhe Laert Haxhiun, i cili është në pritje të ekstradimit.

Ndërkohë, i penduari Artan Tafani, ka treguar se grupi i Laert Haxhiut kishte planifikuar edhe vrasjen e avokatit Adriatik Guri. Avokati i kishte shpëtuar një atentati në tetor të vitit 2021, ku kishin marrë pjesë Laert Haxhiu, Artan Tafani dhe Lulzim Spahija. Artan Tafani dëshmoi në Prokurorinë e Elbasanit se e gjithë logjistika për vrasjen e avokatit Adriatik Guri ishte bërë gati, por kur do të qëllohej drejt tij, ai është takuar me një fqinje, çfarë ka detyruar grupin e vrasësve të tërhiqen për të mos shkaktuar viktima të pafajshme. Në rrëfim Tafani është shprehur se u vendos të pritej, por avokati ka hyrë brenda në shtëpi dhe nuk doli më. Vrasja e tij u anulua duke u shtyrë për një moment të dytë.

Kërcënimet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve

Ngjarje si ajo e Shkodrës, na kthejnë shumë pas në kohë. Krimi ka guxuar edhe më parë të japë mesazhe të tilla, të kërcënojë e madje edhe të rrezikojë seriozisht jetën e gjyqtarëve e prokurorëve.

Edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, që është figura më e lartë e sistemit të drejtësisë, ka qenë objekt sulmi nga krimi i organizuar. Fehmi Abdiu dhe familjarët e tij, i shpëtuan një atentati me tritol në shtëpi, pasditen e 11 nëntorit të vitit 1998. Sasia e tritolit ishte aq e madhe sa pothuajse shkatërroi plotësisht shtëpinë e Abdiut, madje shkaktoi dëme edhe tek shtëpitë e fqinjëve të tij. Ngjarja ndodhi në një pallat në rrugën “Mysmyl Shyri”, në Tiranë. Deri në vitin 2004, që ai drejtori Gjykatën Kushtetuese, familja e Fehmi Abdiut u mor në mbrojtje. Edhe kjo ngjarje u lidh me trazirat e shtatorit të vitit 1998.

Edhe Bujar Himçi, ish-drejtor i Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Përgjithshme, një ndër prokurorët që hetonte çështjet më të rëndësishme të vitit 1997, mori një kërcënim serioz që lidhej me detyrën e tij. Ishte një nga prokurorët e çështjes së shtatorit të vitit 1998 dhe kishte marrë disa herë kërcënime për jetën, madje edhe në sallën e gjyqit. Në nëntor të vitit 1998, një person hedh një granatë në dritaren e shtëpisë së tij, që fatmirësisht nuk shpërtheu, por rrezikoi jetën e gjithë familjes së tij. Në një intervistë të dhënë pasi u arrestua, për një çështje që ai e konsideronte politike, Himçi tha se granatën ia kishin hedhur njerëzit e Sali Berishës, pasi ai kishte kërkuar që ish-presidenti i asaj kohe të paraqitej në Prokurori për të dhënë shpjegime në lidhje me ngjarjet e shtatorit të vitit 1998.

Por ngjarje të tilla kundër prokurorëve e gjyqtarëve kishin ndodhur shpesh në ato vite.

Në maj të vitit 1996, në Pogradec, persona të paidentifikuar i vënë flakën shtëpisë së prokurorit Bilbil Mete. Ai njihej si një ish-hetues në kohën e komunizmit, por nuk kishte pasur probleme me askënd dhe njihej si një prokuror mjaft korrekt. Në vitet pasuese, Metes i ndodhën edhe dy incidente të tjera. Në vitin 2007 dhe 2012 iu grabiten makinat.

Në nëntor të vitit 1996, në qendër të Tiranës ndodh një shpërthim i fuqishëm. Një sasi tritoli shpërthen në derën e një apartamenti në katin e pestë, në një pallat pranë “Ushtarit të panjohur”. Sulmi ishte ndaj familjes së gjyqtarit Prelë Martini, kryetar i Gjykatës së Apelit të Tiranës.

Në korrik të vitit 1997, pasi të dënuarit u arratisën nga burgjet, disa persona rrethojnë me armë banesën e prokurores Ledina Riza, në Korçë. Ata qëllojnë me breshëri drejt shtëpisë dhe nga plumbat plagoset plagoset vjehrri i saj. Ngjarja u hetua si një hakmarrje e ndonjë prej të dënuarve që kishin lënë burgjet. Po në atë vit, e njëjta skemë përdoret në shtëpinë e prokurorit Arqile Koça, në Linzë të Tiranës. Banesa rrethohet nga persona të armatosur, që qëllojnë por fatmirësisht nuk plagoset askush.

Në dhjetor të vitit 1997, prokurorit të Bajram Currit, Petrit Cengu, i vendosin tritol në derën e banesës. Nga shpërthimi i fuqishëm nuk pati persona të lënduar. Më 12 dhjetor 2002, shpërthen tritoli në banesën e kryetarit të Gjykatës së Rrethit në Shkodër, Besnik Hoxha. Ngjarja shkaktoi dëme të shumta materiale, por fatmirësisht nuk u lëndua njeri.

Në janar të vitit 2006, një sasi tritoli shpërthen edhe në banesën e gjyqtarit e Matit, Artan Çupi, në qytetin e Burrelit. Ndërsa në korrik të atij viti, i vendoset tritol edhe shtëpisë së gjyqtarit Pirro Sota, në Fier, e disa muaj më pas, në dhjetor i vendoset eksploziv në makinë gjyqtarit të Lezhës, Jak Ndoka.

Në janar të vitit 2007, një sasi tritoli shpërthen në banesën e prokurorit të Fierit Shkelqim Sina, ndërsa pak ditë më pas, gjyqtarja e Fierit Irena Meneku, i shpëton një atentati brenda në gjykatë. Një person, futet i armatosur brenda ambienteve duke iu drejtuar gjyqtares. Në atë kohë ka ndërhyrë roja i sigurisë, Agim Gjoka, i cili mbet i plagosur nga të shtënat.

Po në Fier, në mars të atij viti, plagoset në atentat gjyqtari, Skënder Danini. Ngjarja u hetua si një sulm për shkak të detyrës dhe Policia arrestoi dy autorë të dyshuar.

Më 9 shkurt të vitit 2008, plagoset me armë zjarri gjyqtari i Gjykatës së Lartë Ardian Nuni. Ai po shkonte në shtëpinë e tij në zonën e “Komunës së Parisit”, kur u qëllua me një plumb në këmbë dhe një në shpatull. Megjithatë kjo ngjarje nuk u lidh me detyrën e tij, por me çështjet personale.

Në shtator të vitit 2008, shpërthen një sasi tritoli në banesën e gjyqtarit Liradin Lila, në një pallat pranë liqenit në Pogradec. Eksplozivi ishte vendosur në garazhin ku parkonte automjetin.

Më 25 nëntor të vitit 2019, një zjarr i dyshimtë dogji makinën e gjyqtarit të Shkodrës, Andri Ymeri. Vetë gjyqtari deklaroi se ngjarje lidhej me detyrën e tij. Policia tha në atë kohë se autorë të dyshua të ngjarjes ishin dy persona.

Në orët e para të mëngjesit të datës 21 dhjetor 2019, një sasi tritoli ka shpërthyer në makinën e zëvendësdrejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Albert Kuliçi. Hetimet e autoriteteve u orientuan menjëherë tek detyra e tij. Albert Kuliçi, me origjinë nga Tropoja, ka pasur në dorë çështjet më të bujshme në Vlorë, duke filluar nga skandali i madh i tjetërsimit të pronave në Karaburun dhe Zvërnec, e shumë ngjarje të tjera.

Më 11 mars të vitit 2021, një sasi eksplozivi u zbulua se ishte vendosur në makinën e çiftit Arian dhe Gentiana Muçaj. Bashkëshortët, përkatësisht prokuror dhe gjyqtare kishin parkuar makinën në vendin e tyre personal pranë një qendre tregtare, në “Komunën e Parisit”, në Tiranë. Hetimet u orientuan te detyra e Arian Muçajt su prokuror, por nga ana tjetër, nuk u përjashtuan as mundësitë e një sulmi për shkak të detyrës së bashkëshortes së tij, Gentiana Muçaj, e cila është gjyqtare në Gjykatën e Apelit Adminustrativ në Tiranë. Kjo për shkak se automjeti “Mercedes Benz A Class”, ku ishte vendosur tritoli, përdorej nga të dy bashkëshortët. Madje gjatë ditës kur ndodhi ngjarja, makina është përdorur nga gjyqtarja Muçaj, e cila pasi ka shoqërua për në punë bashkëshortit, ka shkuar tek Gjykata Administrative ku ajo punon dhe pas punës ka shkuar sërish për të marrë të shoqin e më pas e ka parkuar aty ku ndodhi ngjarja.

Rrallë ndodh që të bëhet historia e një shteti paralel apo siç e quajnë ndryshe “shtet brenda shtetit”. Duan apo nuk duan qeveritë e vendeve më të fuqishme në botë, mafia apo krimi i organizuar ekziston. Madje vazhdon punën e vet si gjithmonë dhe ky është një realitet që duhet pranuar nga të gjithë. Duhet pranuar nga populli i thjeshtë, nga qeveritë e tyre, por edhe nga njerëzit e drejtësisë, të cilët kanë bërë “luftë” për asgjësimin e mafiAs edhe pse plotësisht nuk ia kanë dalë asnjëherë.

Kushdo që u mundua dhe tentoi të hidhte pak dritë apo të kryqëzonte “Cosa Nostra”-n, pati një fund tragjik. Mafia organizoi vrasjet më të bujshme kundër atyre që tentuan të “fusin hundët” në punët e bosëve të mëdhenj. Vrasje të bujshme u cilësuan ekzekutimi i Xhovani Falkones, Paolo Borselinos, Roko Kiniçit, Pio la Torres, Salvo Limas, Karlo Alberto Dala Kiezas, Gaetano Kostas, Xhuzepe Montanas, etj. Dikush apo shumëkush, nuk dëshironte që dy prokurorët, Falkone dhe Borselino, të ecnin më tej në punën e tyre, sepse ata kishin filluar të ecnin në “tokë të ndaluar”, sepse kishin filluar të preknin interesa deri atëherë të paprekshme, sepse shikonin se ata nuk ndiheshin vetëm. Më parë “rrëzohet” Falkone, më 23 maj 1992, dhe pas tij, në kuadrin e 56 ditëve, më 19 korrik 1992 do të vinte radha e Paolo Borselinos dhe rojeve të eskortës së tij. Por në ditët e sotme ngjarje të tilla shihen rrallë. Jo se mafia ka harruar apo ka hequr dorë nga ekzekutimet e njerëzve të drejtësisë, por sepse tashmë u është dhënë më shumë “liri veprimi”. Mjafton të përmendim vetëm një rast, atë të familjes “Marcello” në New Orleans. Quhej si një familje e parrëzueshme, por që një ditë të shtatorit të vitit 2001 shefi i FBI-së siguron prova mjaft të rëndësishme për aktivitetin e kësaj familjeje, të përqendruar kryesisht në shfrytëzimin e prostitucionit. Pas këtij zbulimi të madh ai i dërgon një mesazh shefit të vet mëngjesin e 11 shtatorit 2001, ditën kur FBI-ja merr goditjen më të rëndë në historinë e saj. World Trade Center shembet nga një sulm terrorist në mënyrë të frikshme. Dhe në këtë moment shefi që kishte bërë zbulimin e prostitucionit merr një përgjigje të ashpër nga eprori i tij: Amerika është goditur mu në zemër, e ti na paske zbuluar një bordello! Mesazhi ishte mjaft i qartë për Policinë Federale: Krimi i organizuar tashmë ishte i fundit që do të luftohej, në plan të parë ishte terrorizmi.

Por sot, krimi i organizuar është kthyer sërish në sfidën numër një për institucionet ligjzbatuese, duke i shpallur luftë në të gjitha frontet. Në vend të dytë, si objektiv strategjik është lufta kundër terrorizmit. E duket se kjo ka sjellë një rikthim të sulmeve kundër sistemit të drejtësisë në vende të ndryshme të botës e njëkohësisht edhe në Shqipëri. Shpërthimi në shtëpinë e gjyqtarit Tonin Stërkaj në Shkodër, pa dyshim që është një vepër e krimit të organizuar. Por sipas ligjeve tona, konsiderohet edhe si akt terrorist. Zbardhja e kësaj ngjarje tashmë është një përgjegjesi e dyfishtë. Mesazheve të tilla për drejtësinë, i duhet përgjigjur me një mesazh po aq konkret. Zbardhjen e ngjarjes. Shtrëngimin e prangave në duar për këdo që e ka kryer dhe organizuar dhe mbylljen e tyre në qeli./abcnews.al