“Gjërat Tona”, 10 shqiptarët “Most Wanted”

schedule20:48 - 22 Dhjetor, 2024

schedule 20:48 - 22 Dhjetor, 2024

Një i kërkuar mund të kalojë vite, madje edhe dekada në arrati. Aq sa fillon të mendojë se tashmë e kanë harruar.

Por ndodh që pikërisht atëherë, kur beson vërtetë se ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë, ndoshta me një pamje krejt tjetër për shkak të viteve që kanë kaluar, atëherë kur as nuk e pret, befas e sheh veten në pranga.

Një fund të tillë e pati në prill të vitit 2024 edhe një 50-vjeçar nga Tirana, i cili për 27 vjet ia kishte dalë të lëvizte në të gjithë botën, edhe pse ishte ndër personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare.

Pas aq shumë vitesh, pak kush e kujtonte vrasjen e një taksisti nga Fieri në vitin 1995. Thuajse të gjithë e kishin harruar.

Përveç familjes dhe Policisë. Atëherë kur autori i vrasjes mendoi se arriti t’i shpëtonte burgimit të përjetshëm, duke krijuar një jetë të re mijëra kilometra larg Shqipërisë, u rikthye i prangosur e kokë ulur.

Ky është Ervin Shahini, 50 vjeç, nga Tirana. Për 27 vite me radhë ai ishte në krye të listës së personave më të kërkuar nga Interpol Tirana. Për shumë kohë, konsiderohej si një fantazmë, pasi Policia nuk dispononte asnjë fotografi të tij, madje as gjurmët e gishtave.

Pasi vrau një taksist dhe plagosi 3 të tjerë, me qëllim për t’i grabitur në vitin 1995, ai u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Por izolimi i tij në burg zgjati vetëm një vit. Gjatë trazirave të vitit 1997, ai u arratis nga burgu, duke jetuar në arrati për 27 vite. Pjesën më të madhe të kohës në Amerikë dhe së fundmi në Korenë e Jugut, ku edhe u arrestua.

Por asgjë nuk harrohet…

Si ai, ka edhe shumë të tjerë. Për akuza nga më të rëndat e deri tek ato që konsiderohen më të lehta. Por sigurisht, Interpoli rëndësinë më të madhe ua kushton atyre me “kartelë të kuqe”, që nënkupton edhe rrezikshmërinë e tyre.

Interpol ka një listë të të kërkuarve, të njohur si “Red notice”, që përshkruan të arratisurit e kërkuar nga një juridiksion kombëtar. Në vend që të jepet një renditje se kush kërkohet ndërkombëtarisht, lista është thjesht gjithëpërfshirëse. Kriminelët e arratisur ose kërkohen për ndjekje penale ose për të vuajtur një dënim në vendet e tyre.

Ata janë identifikuar si prioriteti më i lartë i agjencisë për kapjen dhe lista është në dispozicion të publikut për t’i paralajmëruar ata të jenë vigjilentë. “Kartela e kuqe” kërkon që zbatimi i ligjit global të ndihmojë në gjetjen dhe arrestimin e këtyre personave në pritje të ekstradimit, dorëzimit ose veprimeve të ngjashme ligjore. Lista është lehtësisht e aksesueshme për të gjithë në faqen e internetit të Interpolit, të quajtur persona të kërkuar. Përveç kësaj, lista përmban fotografi, emra, moshë dhe vendin e origjinës për të identifikuar lehtësisht një person të kërkuar. Njoftimet janë në formën e kërkesave globale për bashkëpunim që lejojnë Policinë në shtetet anëtare të ndajë informacione të lidhura me krimin.

Sekretariati i Përgjithshëm publikon “Njoftimet e kuqe” me kërkesë të Byrosë Qendrore Kombëtare, e cila më pas është e disponueshme për të gjitha shtetet anëtare.

Në listën zyrtare të Interpolit, rezultojnë të nënvizuar si më të rrezikshmit në të gjithë botën, 6656 persona të shpallur në kërkim. Mes tyre ka edhe shumë shqiptar. Por së fundmi, Interpol Tirana ka veçuar 10 prej tyre të përfshirë në vrasje, vjedhje, plagosje dhe ngjarje të tjera kriminale.

Vetëm 3 prej tyre kërkohen nga drejtësia shqiptare, të tjerët janë shtetas shqiptarë, që duhet të përballen me drejtësinë në Amerikë, Belgjikë, Greqi madje edhe në Qipro.

Kush janë 10 shqiptarët më të kërkuar sot për sot nga Interpoli?

Personi që kryeson listën e publikuar së fundmi edhe nga Policia shqiptare, është 40-vjeçari Bedri Noka, nga Novoseja e Kukësit. Ai është i shpallur në kërkim nga Belgjika, si pjesë e një organizate kriminale, për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

Po nga Belgjika, rezulton të jetë në kërkim edhe një tjetër shqiptar, 31-vjeçari Andi Kuka, që po ashtu akuzohet si pjesë e një organizate kriminale që trafikon lëndë narkotike.

Drejtësia greke nga ana tjetër, kërkon arrestimin dhe ekstradimin e dy vëllezërve, nga Gjonçi i Ersekës. Konkretisht, Taulant Memos, 38 vjeç dhe Ergest Memos, 40 vjeç. Ndryshe nga shumë të tjerë që kanë kryer krime shumë të rënda dhe janë listuar mes më të kërkuarve me “kartelë të kuqe”, vëllezërit Memo në fakt akuzohet nga drejtësia greke për krim mjedisor, që sipas autoriteteve atje i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 10 mijë eurosh, por gjithashtu dyshohen edhe për mbajtje të paligjshme të armëve.

Ata akuzohen për një ngjarje që ka ndodhur në vitin 2009, por që në vitin 2019 u kushtoi atyre renditjen me 7 personave më të kërkuar të Interpolit për krim mjedisor.

Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, me 5 qershor 2019, Interpoli bëri një apel duke kërkuar ndihmën e publikut për arrestimin e shtatë të kërkuarve ndërkombëtare të akuzuar për krime mjedisore. Sipas Interpolit, krimi mjedisor gjeneron nga 110 miliardë dollarë deri në 280 miliardë dollarë çdo vit.

Në listën e publikuar së fundmi, figuron edhe Aleks Burreli, i cili në fakt prej vitesh konsiderohet si një prej shqiptarëve më të kërkuar nga Interpol. Burreli, i njohur edhe me emrin tjetër, Gani, sot 56 vjeç, akuzohet për një ngjarje të rëndë të ndodhur 8 vite më parë në Qipro. Shqiptari akuzohet nga autoritetet e Qipros si një nga pjesëmarrësit në masakrën që ndodhi më 23 qershor të vitit 2016 në një restorant, ku u ekzekutua biznesmeni Fano Kalopsidioti, dy policë që ishin në shoqërinë e viktimës dhe po ashtu, nga të shtënat mbeti i vrarë edhe shqiptari Jani Vogli. Policia vendase vlerësonte se Burreli ishte ai, i cili po ngiste makinën me të cilën atentatorët u afruan në “Ayia Napa” dhe me pas e dogjën pas sulmit.

Aleks Burreli kishte edhe precedentë të mëparshëm penal, pasi në vitin 2013 u arrestua sepse nuk i ndaloi policisë gjatë një kontrolli në Keratsini dhe u arratis me makinë duke rrezikuar edhe jetën e efektivëve të policisë. Gjatë arratisjes me shpejtësi të lartë, makina që ai drejtonte u përmbys, në të cilën udhëtonte bashkë me një shtetas grek. Atëherë ai u akuzua për tentativë vrasje të punonjësve të policisë dhe ndenji në paraburgim për 12 muaj.

Një tjetër i dënuar që renditet mes 10 shqiptarëve më të kërkuar të Interpol, është edhe 35-vjeçari nga Vlora, Romeo Rustemaj. Ai kërkohet nga drejtësia shqiptare, pasi akuzohet për vrasje në tentativë të kryer në rrethana të tjera specifike dhe largim nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Më 11 prill 2009, Romeo Rustemaj ndodhej duke pirë në një lokal në Selenicë të Vlorës, bashkë me dy vëllezërit Mikel e Agim Harizaj. Ata kanë nisur të grinden me fjalë me një grup tjetër të rinjsh e më pas janë konfrontuar fizikisht. Romeo Rustemaj është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është kthyer disa minuta më vonë, duke i pritur te dera e lokalit tre djemtë, me të cilët ishte konfliktuar. Ai u ka hedhur një granatë duke lënë të plagosur rëndë të rinjtë Ervis Alushi, Gentian Abazi dhe Edison Ademi. Rustemaj është arrestuar më 13 prill të vitit 2009, rreth 36 orë pasi ishte shpallur në kërkim policor për plagosjen e trefishtë. Ai u dënua me 10 vjet heqje lirie për këtë ngjarje. Por 4 vite më vonë, ai u rikthye në qendër të vëmendjes, pasi theu një leje të dhënë nga burgu, duke u arratisur.

Rustemajt i ishte dhënë leje nga Burgu i Peqinit më 7 maj 2013 dhe duhej të kthehej më datë 12 maj para orës 15:00. Por ai nuk është kthyer në afatin e dhënë, çka bëri që Drejtoria e burgut të Peqinit të sinjalizonte Policinë për shpalljen në kërkim të të dënuarit. Në atë kohë ai kishte kryer gati gjysmën e dënimit. Ai ishte larguar edhe më parë nga burgu dhe ishte kthyer brenda afatit, çka ka bërë që të mos kishte pengesa në dhënien e lejes së radhës. Që nga ai moment, Romeo Rustemaj nuk është gjetur dhe për rrjedhojë vijon të jetë person në kërkim.

Një tjetër personazh që kërkohet nga drejtësia shqiptare, është 48-vjeçari nga Vlora, Gazment Nebiu. Ai akuzohet për vrasje me paramendim, në kuadër të një organizate kriminale dhe pjesë e një bande të strukturuar kriminale.

Në një kohë anarkie siç ishte viti 1997, armatosja e shoqërisë e diktati i rrugës përballë ligjit prodhuan aq shumë krime, disa prej të cilave edhe sot vijojnë të jenë pa autor. Në vitin 1997, krimi i vrasjes arriti shifrën maksimale që ishte 50 për qind e kriminalitetit vjetor. Ndodhën 1542 vrasje. Një shifër e tillë nuk ishte regjistruar asnjëherë. Por qyteti i Vlorës dukej më i egërsuari në atë kohë. Tërheqja e forcave të Policisë, krijoi kushte të favorshme për krijimin e grupeve kriminale. Bashkë me qytetarët që u ngritën në protesta me sloganin “duam paret tona”, në sipërfaqe dolën edhe gangsterë të të gjitha llojeve. Që nga banditët e rrugës, rrëmbyesit e pengjeve, vrasësit, gjobëvenësit. Ata gjetën terren të përshtatshëm në Vlorë, që për shumë arsye u kthye në një fushëbeteje të grupeve kriminale me natyrë mafioze. Aty u krijuan aleancat e para që patën bazën për krimin e organizuar. Aty nisën të dalin “të fortët” e parë, siç oshte Zani Caushi dhe Gazmend Brraka, i njohur si Gaxhai.

Duke shfrytëzuar “Komitetin e Shpëtimit Publik”, të krijuar me idenë e ruajtjes së rendit dhe qetësisë, bandat kriminale ndanë zonat e influencës duke vendosur pushtetin e tyre dhe projektuan planet për krime.

Grupi i drejtuar nga Gaxhai jetonin së bashku në mënyrë të organizuar në fshatin Cerkovinë. Gazmend Brraka, së bashku me një grup shokësh, nga qyteti i Vlorës, por dhe nga qytete të tjera, ndër ta dhe mjaft persona tashmë të vrarë, në mars të vitit 1997 krijuan bandën që më pas do të njihej si banda e Gaxhait. Anëtarët e kësaj bande, përveç Gazmend Brrakës, ishin edhe Alfred Nebiu, i njohur ndryshe si “Kakami”, Robert Boraku, Armando Sulejmani, Sokol Sinomataj, Fredi Mertiri e Gazment Nebiu.

Banda rivale me grupin e Gaxhait ishte Banda e Çoles. Përplasja midis tyre nisi më 9 maj 1997, kur u vra Bernard Duçka, i njohur si Kuqo, anëtar i bandës së Gaxhait. Gaxhai në kundërpërgjigje tentoi të merrte autoblindat e policisë për të luftuar me Zani Caushin, po nuk ia arriti.

Sokol Sinomataj, i njohur me nofkën “Buzderri”, ishte akuzuar nga drejtësia si një prej pjesëtarëve aktivë të bandës. Në mars të vitit 2009, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi burgim të përjetshëm për Gazmend Brrakën, ndërsa të njëjtë masë dënimi kërkoi edhe për 4 pjesëtarët e grupit të tij Armando Sulejmani, Sokol Sinomatajn, Edmond Leskaj dhe Gazment Nebiun. Ata akuzoheshin për kryerjen e disa lloje krimesh gjatë trazirave të vitit 1997 në Vlorë. Gjatë leximit të pretencës së prokurorisë, u përmendën 5 vrasje, si dhe vrasjen për shkak të cilësive të veçanta të një polici dhe vjedhjes me dhunë. Akuzat e ngritura për bandën e Gaxhait ishin: “Krijim i bandave dhe organizatave kriminale”, “Kryerja e krimeve nëpërmjet organizatave dhe bandave kriminale”, “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta”, “Armëmbajtje pa leje”, “Vrasje me paramendim”, si dhe “vjedhje me dhunë”, vepra këto të kryera në vitin 1997. Ata akuzohen për vrasjen e Sadik Kurtit, Avdul Bajramit, Arben Latifit, Gjergji Cukallës, Zyni Harunit dhe policit Viron Rrapaj.

Më 11 dhjetor të vitit 2023, Gazment Nebiu, një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Vlorë gjatë periudhës 1997-2000 dhe anëtar kryesor i bandës së armatosur të “Gaxhait”, nga arratia depozitoi një kërkesë në sekretarinë e Gjykatës së Lartë. Përmes kësaj kërkese të firmosur nga vetë Nebiu, i dënuari me 25 vite burgim dhe një ndër njerëzit më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, kërkon nga Gjykata e Lartë, ti rihapë çështjen penale ku ai rezulton të jetë dënuar në mungesë. Prej shumë vite Policia e Shtetit e kërkon Nebiun si njeriun që qëndron në Top-Listën e personave që duhet të arrestohet. Por në kërkesën drejtuar Gjykatës të firmosur nga vetë Nebiu, vetë i kërkuari shpjegon se ai nuk ka pasur dijeni në lidhje me vendimmarrjet e Gjykatës së Krimeve të Rënda deri në datën 20 prill 2022, datë në të cilën ai pretendon se është vënë në dijeni nga familjarët e tij. Nëpërmjet kërkesën në Gjykatën e Lartë, ai pretendon rishikimin e vendimeve penale të dhëna në ngarkim të tij, si dhe pezullimin e vënies në ekzekutim të tyre.

Mes 10 më të kërkuarve të Interpol, është edhe një emër, që kur u publikua në vitin 2022 nga Policia, shkaktoi disa reagime, për shkak se u deklarua që kishte ndërruar jetë në Amerikë më 30 dhjetor të vitit 2019. Vdekja e tij ishte publikuar në internet ku jepeshin edhe gjeneralitetet e plota të tij madje dhe fotografia e tij që korrespondonte me atë të Policisë. Siç thuhet në shpalljen e vdekjes, Sageri kishte shkuar në Amerikë që në 1999. Por pavarësisht kësaj, sot ai vazhdon të jetë ende person në kërkim në Shqipëri, i akuzuar për vrasjen e dy komisionereve të zgjedhjeve në Leskovik. Bëhet fjalë për Spartak Sagerin, nga Erseka, që ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse është gjallë apo ka vdekur. Por Policia e Shtetit nuk përjashton mundësinë që njoftimi i shpërndarë në internet për vdekjen e tij, mund të jetë një plan për t’i shpëtuar kërkimit, duke u nisur edhe nga raste të ngjashme që kanë ndodhur me parë. E për aq kohë sa nuk ka ende një konfirmim zyrtar, ai do të vazhdojë të jetë person në kërkim nga drejtësia. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në vitin 1997 dhe ai është dënuar me 22 vjet heqje lirie.

Pas zhvillimit të zgjedhjeve te përgjithshme parlamentare te datës 29 qershor 1997, në zonën e Leskovikut, të nesërmen me datë 30 qershor, rreth orës 07:00, në qendër të këtij qyteti, janë grumbulluar komisionerët që përfaqësonin “Aleancën për shtetin” dhe ata të grupimit “Bashkimi për demokraci”.

Ata do të transportonin materialet e kësaj zone në komisionin zonal të qytetit të Ersekës. Pasi nuk kanë rënë dakord të udhëtonin me të njëjtin mjet, komisionerët e “Bashkimit për demokraci” kane udhëtuar më vete, ndërsa dokumentacioni i votimit dhe komisionerët e grupimit “Aleanca për shtetin” (të dëmtuarit Fredi Shehu, Arben Arapi, Shaban Koxhaj dhe viktima Ilirjan Arapi), të armatosur, kanë udhëtuar në një automjet, shoqëruar ky dhe nga furgoni i policisë.

Rreth orës 09:30, ata kane mbërritur në Erseke, dhe pasi kanë parkuar makinat para shkalleve të Bashkisë, Fredi Shehu, Arben Arapi, Shaban Koxhaj dhe Ilirjan Arapi, të armatosur, kanë shkuar të dorëzojnë kutitë e votimit. Kutitë do i dorëzonin në komisionin zonal, në godinën e këshillit të rrethit që ndodhej aty pranë, te shkallët e së cilës kanë parë shefin e komisariatit dhe Hysni Dervishin e Roland Hasanin (policë).

Në sheshin e Bashkisë ishin parkuar midis të tjerave dhe tre automjete, një autoveturë “Opel” e drejtuar nga i pandehuri Spartak Sageri, ku ndodheshin dhe persona të tjerë të armatosur, makina “Toyota” e drejtuar nga i pandehuri Kastriot Fejzo, si dhe një furgon i bardhë me targa te TR, i vëllezërve Shkëlzen e Sulejman Sulejmani.

Në momentin që komisionerët e Leskovikut  kane zënë vendet në furgonin e tyre për t’u nisur, i është bllokuar rruga nga mjeti “Toyota”, i drejtuar nga Kastriot Fejzo, në të cilën ndodheshin dhe dy persona të pa identifikuar. Pasi ka dëgjuar Kastriotin të urdhëronte shoqëruesit “Hidhu një difensive”, Fredi Shehu ka reaguar duke rimbushur armën që kishte mes gjunjëve, tërhequr siguresën dhe drejtuar atë personave të ndodhur ne mjetin “Toyota”. Kjo ka mjaftuar për t’i trembur dhe mjeti Tojota ka lëvizur prej aty.

Në momentin që ishin duke ecur, në afërsi të Bashkisë, atyre i janë afruar tre persona me gishtat e dorës përpjetë, pa armë në dore, por me xhepa të fryrë, dy prej të cilëve ishin vëllezërit Sulejmani, ndërsa i treti i pa identifikuar. Pasi këta të fundit kanë pyetur: “Ti je Fredi Shehu?” ai u është përgjigjur “Unë jam, por mos bëni asnjë lëvizje, asnjë tentativë se armën e kam të mbushur dhe po më ngacmuat apo vepruat do ju qëlloj”. Ata janë larguar. Pas kësaj komisionerët e Leskovikut kanë vazhduar lëvizjen, për t’u larguar kur kanë dëgjuar klithmën e Ilirjan Arapit “… me vranë”.

Të dëmtuarit kane kthyer kokën dhe kane pare viktimën të rrëzohej në afërsi të shkallëve hyrëse të Bashkisë. Në këtë moment është plagosur me armë zjarri edhe Fredi Shehu dhe duke pare intensifikimin e të shtënave me armë, ata janë futur për t’u mbrojtur në Bashki. Janë ngjitur në katin e dytë, ku kanë filluar të kundërveprojnë me armë, pra midis palëve ka pasur shkëmbim zjarri.

Në përpjekje për të lëvizur makinën, si rezultat i kryqëzimit të breshërive të plumbave ka mbetur i vdekur Nako Skupra, ndërsa dy të tjerët kanë dalë prej saj dhe me zvarritje janë larguar në drejtim të hotel “Borovës” duke shpëtuar. Te dera e Bashkisë janë hedhur 5 granata, njëra prej të cilave ka mbetur e paplasur. Nga plasja e granatave ka mbetur i vdekur dhe Ilirjan Arapi. Gjendja është qetësuar me 11:30, me ndërmjetësinë e shefit të rendit, kandidatit për deputet të së majtës e të afërmve të viktimës.

Ndërkohë, në listën e 10 personave më të kërkuar nga Interpoli, janë edhe dy shqiptarë të tjerë, të cilët janë të dënuar për vrasje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konkretisht, Ervis Meçollari, 37 vjeç, nga Korça dhe Artan Sulstarova, 44 vjeç, nga Pogradeci.

Rasti i Ervis Meçollarit është trajtuar gjerësisht nga mediat në Amerikë dhe hetuar edhe nga detektivë të ndryshëm, për shkak se ai u akuzua për vrasjen e një të moshuare në mënyrë brutale në vitin 2008.

Trupi i Laura Orso, 85 vjeçe, u gjet në kuzhinën e shtëpisë së saj në “Wesley Street”, më 20 dhjetor 2008, e shtrirë në një pellg gjaku. Miqtë nuk kishin dëgjuar për të për disa ditë. Ata e zbuluan trupin pasi hynë në banesën e saj, që ishte lënë e hapur. Policia zbuloi se ajo është goditur brutalisht 37 herë me thikë gjatë një grabitjeje.

Hetuesit përcaktuan se pak momente përpara se trupi i Orsos të zbulohej nga Policia, një shqiptar, në atë kohë 23-vjeçar, i identifikuar si Ervis Meçollari u largua nga banesa e tij, e cila ishte direkt poshtë asaj të Orsos. Policia ka thënë se mundi ta lidhë Meçollarin me krimin përmes provave të ADN-së në vitin 2009.

Një ekip prej katër hetuesish zhvilloi disa pista hetimore që i orientuan ata drejt Floridas. I veshur me një xhaketë, xhinse dhe një çantë shpine, Meçollari u pa duke hipur në një autobus në Waterbury dhe supozohej të ishte rrugës për në Shën Petersburg. Hetimet zbuluan se Meçollari kishte blerë një biletë vetëm vajtje, por ai kurrë nuk e përfundoi atë udhëtim. Ai zbriti në terminalin e Autoritetit Portual në New York City, më pas u zhduk në turmë. Meçollari sot është do të ishte 37 vjeç dhe sigurisht që portreti i tij mund të ketë ndryshuar, krahasuar me një foto të vjetër kur ai ishte 23 vjeç dhe kreu krimin e rëndë. Për këtë arsye hetuesit kanë ndërtuar një fotografi të re, duke iu përshtatur moshës aktuale, e cila shpjegon se si mund të jetë imazhi i tij sot. Policia shteroi disa rrugë ndërsa ndoqi vrasësin e Orso, duke përfshirë fluturimin për në Shqipëri, Illinois dhe Florida, si dhe punën me emisionin “America’s Most Wanted”, i cili transmetoi një segment për vrasjen e saj. Policia vazhdimisht kërkoi të dhëna në lagjen e saj dhe i kërkoi publikut të ndihmonte në gjetjen e një të dyshuari, të cilin ata e kanë përshkruar si rrezik për shoqërinë.

Orso, një punonjëse pagesash në pension dhe e ve, ndihmonte me përkthime dokumentesh fqinjët e saj shqiptarë. Sipas fqinjëve dhe Policisë, ajo nuk do ta kishte hapur derën për një të huaj, por duke qenë se e njihte Meçollarin, e lejoi që të futej në shtëpinë e saj. Ervis Meçollari ishte zhvendosur nga Florida në Waterbury në tetor të vitit 2008, duke gjetur punë në një qendër shpërndarjeje ushqimore. Ai jetonte me prindërit e tij Fatos dhe Desolemona, të cilët iu bashkuan në apartamentin e tij vetëm disa javë pasi ai u transferua nga Florida. Prindërit e tij i thanë policisë se djali i tyre ishte pushuar së fundmi nga puna. Kohët e fundit ai kishte humbur peshë dhe ata dyshuan se mund të përdorte drogë. Nëna e tij i tha policisë se djali i saj dukej i dëshpëruar. Në atë kohë, por Policia ofroi një shpërblim prej 15 mijë dollarësh për informacionet që mund të çonin në arrestimin autorit të dyshuar të vrasjes. Por ai nuk u arrit të arrestohej asnjëherë.

Shqiptari tjetër që kërkohet nga autoritetet amerikane, është 44-vjeçari Artan Sulstarova, që po ashtu është i akuzuar për vrasje. Dyshohet se më 11 gusht të vitit 2004, Sulstarova dhe Klevis Mullalli ishin në një apartament me miqtë e tyre, duke pirë dhe luajtur poker. Në orën 3 të mëngjesit, ata po luanin një lojë me letra kur Artani, i dehur u nervozua për rregullat e lojës. Më pas ai ka shkuar dhe ka kapur një thikë duke goditur Klevisi Mullallin. Menjëherë pas ngjarjes ai u largua dhe autoritetet mbërritën shpejt në banesë ku kishte ndodhur krimi. Shqiptari tjetër, Klevis Mullalli u gjet i vdekur në vaskë. Gjatë hetimeve, oficerët kishin siguruar të dhëna se autori i dyshuar akuzohej edhe për një tjetër vrasje në Shqipëri, përpara se të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Interpoli lëshoi ​​një “Njoftim të Kuq” për Artan Sulstarovë, që tregon se ata mendojnë se ai mund të ketë ikur në Shqipëri. Hetuesit e gjurmuan atë në Florida dhe Ohaio pasi vrau Klevisin, por nuk u arri të gjendej asnjëherë.

Sigurisht që këta 10 persona, nuk mund të konsiderohen si më të rrezikshmit, krahasuar edhe me lista të mëparshme që Interpoli rifreskon herë pas here. Por janë disa prej tyre. Për aq kohë sa për vite me radhë kanë arritur t’i shpëtojnë prangave, jo më kot Interpoli i rendit ata mes 6656 shtetasve me kombësi të ndryshme, më të kërkuar në të gjithë botën.

Me ekstradimin e Ervin Shahinit në prill të vitit 2024, i cili arriti të fshihej për 27 vjet, u dëshmua se në fakt asgjë nuk harrohet. Për Policinë dhe autoritetet ligjzbatuese, arrestimi dhe ekstradimi i një të kërkuari, quhet sukses. Ndërsa për familjet e viktimave që kanë shkaktuar këta personazhe të botës së krimit, është më shumë se kaq. Është drejtësi e vendosur në vend.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!