Gjeorgjiani i arrestuar për vrasjen e Caroline: U torturova të pranoja krimin. Diaspora: Media nxiti urrejtje

schedule11:32 - 23 Qershor, 2021

schedule 11:32 - 23 Qershor, 2021

Një gjeorgjian i arrestuar për vrasjen e Caroline në Greqi pas trillimit nga ana e pilotit 32-vjeçar që u mundua të fshehë vrasjen e gruas duke sajuar një grabitje, ka deklaruar për një TV në Gjeorgji se është dhunuar për të pranuar se ka qenë autor i kësaj ngjarje.

Giorgio Khardzeishvili, 36 vjeç u akuzua për vrasjen e Caroline por u lirua nga akuza pasi burri i saj pranoi krimin. Ai u ndalua në kufirin greko-bullgar teksa po përpiqej të largohej nga vendi. Sipas tij në momentin e ndalimit policia i kërkoi të pranonte krimin dhe pasi ai refuzoi u dhunua prej tyre.

“Unë isha i lidhur në një karrige për katër ditë. Ata më rrahën shumë, unë e humba mendjen. Kur dikush u lodh, një tjetër filloi të godiste. Kishte shumë prej tyre. Më erdhi një tronditje truri. Nuk kishte asnjë pyetje. Kur më sollën në Athinë, menjëherë ata më rrahën seriozisht. Dhe ata thjesht thanë: “Më thuaj, si vrave, si u futët, si dolët?” Nuk kishte pyetje të tjera, ” thotë Khardzeishvili.

“Nuk e dija për cilën vajzë po flisnin. Ata më thanë: ‘Ti e vrave atë. Pastaj zbulova se ajo ishte vrarë nga burri i saj ndërkohë që unë akuzohesha për grabitje. Unë nuk kam asnjë lidhje me grabitjen. Unë thjesht kisha dokumente false”, deklaroi ai.

Ankesa u paraqit të premten në mbrëmje nga një 36-vjeçar Gjeorgjian në televizionin shtetëror gjeorgjian (Imedi TV) nga burgu Koridallos, ku ai po mbahet. Për momentin, Khardzeishvili është duke u konsultuar me një avokat. Ai mbetet në burg për akuzën e grabitjes. Khardzeishvili pretendon se ai nuk ka asnjë lidhje me këto krime:

“Unë kurrë nuk jam marrë me grabitje. Ata gjetën ADN-në time në ndonjë objekt, por makina ime u vodh para kësaj ngjarje”.

Gazeta gjeorgjiane rikujton gjithashtu se mediat greke si ProtoThema raportuan  më 18 maj se një 36 vjeçar gjeorgjian i arrestuar në kopshtet e Evros po dërgohet në zyrën e prokurorit. Më pas erdhi botimi i informacionit që burri i Caroline do të thirret në GADA për të dëshmuar.

Pasditen e djeshme, përfaqësuesit e diasporës gjeorgjiane lëshuan një deklaratë në të cilën ata fillimisht shprehën ngushëllime për familjen Caroline dhe përgëzuan policinë që po hetonte krimin. Ata shprehën keqardhjen për mbulimin mediatik që iu bë ngjarjes duke kërkuar një reagim nga ana e shtetit.

“Ne duam të shprehim keqardhjen tonë të thellë për mbulimin mediatik dhe të kërkojmë përgjigjen e shtetit. Gjatë gjithë hetimit, media vazhdoi të raportonte të huaj të dyshuar. Bashkatdhetari ynë i arrestuar pësoi traumë mendore dhe fizike, pa u dënuar për asnjë nga akuzat e ngritura kundër tij. 

Mbulimi mediatik i ngjarjeve vetëm shkaktoi panik dhe zemërim, duke nxitur urrejtjen dhe racizmin në shoqërinë greke. Ne presim që media greke të hedhë poshtë shpifjen e përsëritur publike ndaj komunitetit gjeorgjian në Greqi duke kryer propagandë pa ndonjë informacion zyrtar”.

Ambasada Gjeorgjiane në Greqi gjithashtu disa herë u bëri thirrje mediave lokale të përmbahen nga përkeqësimi i situatës dhe të presin përfundimin e hetimit.

Media shkruan se dëshmia e gjeorgjianit të rrahur, si dhe protestat e forta të komunitetit shqiptar treguan se media greke përsëri nuk e humbi rastin për të kultivuar me vëmendje të veçantë stereotipet e “emigrantit të huaj kriminal”, duke nxitur urrejtjen dhe racizmin në shoqërinë greke.

Në deklaratën e parë jozyrtare që burri i Caroline u bëri autoriteteve, tha se rreth 11 majit në orën 4:30 të mëngjesit, tre burra me kapuç që flisnin greqisht me theks hynë në shtëpinë e tyre, duke thyer një dritare në pjesën e prapme të vilës. m.v/abcnews.al