“Gjenocidi nuk njeh moshë”, Idrizi: Çështja çame s’duhet të trembë askënd, të luftojmë për të drejtat e mohuara

schedule17:54 - 10 Qershor, 2024

schedule 17:54 - 10 Qershor, 2024

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi thotë se duhet të ngremë zërin për atë që ka ndodhur me Çamërinë. Nga Kuvendi, duke folur për gjenocidin në Çamëri, Idrizi u shpreh se kjo çështje nuk duhet të trembë askënd por duhet luftuar  për të drejtat e mohuara.

“Më kujtohet një plak i Kosovës kur po flisnim për masakrën e Reçakut, dhe kur e pyetën se kanë kaluar 25 vjet. Tha ‘Gjenocidi nuk ka moshë’. Prandaj jemi këtu për ta sfiduar derisa të kemi drejtësi. Prania jonë sot është respektimi dhe përkujtimi më i mirë që mund t’i bëjmë ndaj kësaj drame të madhe kombëtare. Sot është data 10 qershor dhe për ne është dita e Lidhjes së Prizrenit, ditë kur shqiptarët u bënë bashkë për të mos lejuar copëtimin e trojeve shqiptare nga fuqitë e huaja. Në Çamëri u krijua lidhja shqiptare e jugut, me Abdyl Frashërin dhe Abedin Bej Dinon, një figurë e jashtëzakonshme e beut të Prevezës, ish ministër i Jashtëm i Perandorisë Osmane, i thirrur në të gjithë negociatat për 30 vjet, nga 1878-1913, punoi dhe bëri gjithçka që të ndalonte copëtimin e Çamërisë. Në përkujtim të kësaj dite vendosëm që ky aktivitet, në parlamentin e Shqipërisë të na bashkojë bashkë, përfaqësues të politikës, akademikë për të ngritur zërin për një nga gjymtyrët e prera të kombit shqiptar, për Çamërinë.”, tha ai.

Idrizi thotë se me Çamërinë janë shkelur konventat ndërkombëtare.

“Dua t’ju rikujtoj edhe konventat ndërkombëtare që janë shkelur me masakrën dhe gjenocidin e Çamërisë. Konventa për parandalimin e krimeve të gjenocidit të viteve 1945, konventa për krimet e luftës në 1968 dhe konventa e shoqërisë demokratike sot, për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.  Çështja çame s’duhet të trembë askënd prej nesh. Është e drejta e jetës së mohuar, e drejta e pronës së tjetërsuar, dinjiteti njerëzor i masakruar. Ndaj ne sot duhet të jemi të vetmit që nuk mund të ndihemi as në faj dhe as të trembur sepse jemi në trojet dhe në të drejtën tonë kombëtare.”, tha mes të tjerash ai. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!