Vrasja e shkencëtarit iranian një ditë më parë, ka shkaktuar një reagim të ashpër të Teheranit, i cili akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke premtuar hakmarrje.
Presidenti iranian, Hasan Rohani, akuzoi Izraelin se është sjellë si mercenar i Shteteve të bashkuara të Amerikës duke vrarë në Teheran një nga shkencëtarët më të rëndësishëm të programit bërthamor iranian. Në adresën e tij zyrtare presidenti iranian shkruan se dhe njëherë më shumë, duart e këqija të arrogancës globale, me regjimin pushtues zionist si mercenar, u njollosën me gjakun e një biri të kombit iranian. Irani zakonisht përdor termin arrogancë globale për të cilësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë Izraeli ka vënë në gatishmëri ambasadat e tij në botë pas kërcënimeve iraniane për hakmarrje, për vrasjen e shkencëtarit. Nga ana tjetër guida supreme iraniane, Ali Kamenei kërkoi dënimin e përgjegjësve të vrasjes së shkencëtarit bërthamor iranian, dhe premtoi që kjo gjë është e pashmangshme./abcnews.al