Tirana ka hyrë tashmë në javën e derbit dhe po bëhet gati të përgatisë në mënyrën më të mirë këtë ndeshje, që nëse fitohet, e dërgon skuadrën e Shehit në një tjetër nivel dhe i jep moral të madh për të synuar edhe titullin kampion.
Gjendja fizike e lojtarëve është problemi më i madh për skuadrën e Shehit. Vangjeli dhe Najdovski nuk janë në gjendje të mirë fizike dhe janë në dyshim të madh nëse do e nisin nga minuta e parë ndeshjen.
Gjithashtu mbetet për t’u parë edhe gjendja e Torassa dhe Cale, që nuk e nisën nga minuta e parë ndeshjen me Kastriotin. Përtej këtyre telasheve për Shehin, kampionët duket se po mendojnë edhe për skuadrën e sezonit të ardhshëm.
Panorama Sport raporton se Devid De Silva do jetë objektivi kryesor i bardhebluve në merkato. Sulmuesi ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm me Kastriotin dhe Tirana kërkon t’i blejë kartonin.
Vlera e tij në merkato është 325 mijë euro, por Tirana pritet të bëjë një ofertë minimale, duke parë se kontrata përfundon shpejt dhe pret që braziliani të kërkojë largimin nga Kastrioti, për t’u bashkuar me kampionët në fuqi. /abcnews.al