Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar në lidhje me masat e marra së fundmi nga qeveria në lidhje me parandalimin e përhapjes së koronavirusir.
Manjani në reagimin e tij thekson se masat për parandalimin e koronavirusit duhet të merren nga zyra e shtetit dhe jo nga shtëpia e kryeministrit.
Postimi i Manjanit:
Me përjashtim të urdhërave të Ministres së Shëndetësisë, çdo veprimtari tjetër që ka diktuar jetën dhe sjelljen e publikut nuk mbështeten në asnjë ligj të shkruar të shtetit.
Jo se ndryshon ndonjë gjë nga ky konstatim, por mirë është ta mbajmë mend këtë sjellje ligjërisht të papërgjegjshme të Kryeministrit dhe strukturave që varen nga qeveria.
Këto të fundit nuk ndjekin dot një llogjikë protokollare sjellje sepse nuk ndjekin rregullin e ligjit për porositë e Kryeministrit i cili urdhëron nga shtëpia jo nga zyra e shtetit.
Pa dyshim situata është alarmante dhe në asnjë rast nuk po kumtoj kundërshti ndaj nevojës për masa të jashtëzakonshme.
Jo! Ato duhen marrë pa asnjë dyshim. Por në shoqërinë me shtet janë rregullat ata që përcaktojnë sjelljen, jo fantazia dhe improvizimet e Kryeministrit. Kjo nuk lejohet as në situata të jashtëzakonshme!
Ligjet e sotme nëse do zbatoheshin përcaktojnë protokolle sjellje shumë të rrepta. Por që këto ligje të zbatohen, fillohet me SHPALLJEN e GJENDJES SË EMERGJENCËS PANDEMIKE.
Të gjithë udhëheqësit e botës, populistë ose jo,kështu janë paraqitur para popullit të tyre. Pra duke shpallur gjendjen e emergjencës dhe duke prezantuar planin e masave emergjente.
Asnjëri nuk del nga oborri i shtëpisë privatë, por nga selia ku kryen detyrën publike. Të gjithë flasin për vendime kolegjiale, të konsultuara e të propozuara nga struktura publike dhe ekspertë.
Askush nuk lejohet të improvizojë, pavarësisht situatës së jashtëzakonshme.
Askujt në botë nuk i shkon në mendt të urdhërojë PA LIGJ kompanitë celulare të dhunojnë hapësirën private. As të urdhërojnë gjoba e masa administrative që nuk janë askund të shkruara në ligje.
Në situata të tilla emergjence, kur ligjet nuk mjaftojnë lëshohen akte normative. Por për qeverinë tonë,zyrtarisht e vetmja emergjencë është KÇK. Për pandeminë nuk ka asnjë rrjesht të shkruar askund. Të paktën jo deri tani!!
Çështja nuk është të çelim debat për debat. Në dukje ky argument është formal, dhe pak kush e ka mendjen tek formalizmat para “kërcënimit”.
Por në fakt është substancial sepse publiku do garanci,të cilat i jep vetëm vendimmarrja kolegjiale dhe procesi i rregullt ligjor.
Nuk jep garanci fantazia e një personi të vetëm. Përkundrazi, po të jetë për dëshirën e Tij,kjo gjendje zgjat edhe 1 vit… Kjo është llogjika ligjore e çdo shoqërie me shtet në formën e Republikës Parlamentare./abcnews.al