Gjendet një i vdekur në paraburgimin e Prizrenit

schedule18:12 - 6 Dhjetor, 2021

schedule 18:12 - 6 Dhjetor, 2021

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar për vdekjen e F.I., 34-vjeç, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Sipas SHKK-së, viktima dyshohet se është ndarë nga jeta si pasojë e vetëvarjes në dritaren e banjos së dhomës. Gazeta Express mëson se F.I., po qëndronte në paraburgim për veprën penale “grabitja”, ndërsa ai ishte i njohur për policinë edhe për një vepër penale të kësaj natyre.

Më 13 shtator të këtij viti Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, kishte caktuar 30 ditë paraburgim për F.I., pasi më datën 10 shtator, sipas Gjykatës, i ndjeri kishte grabitur 20 mijë euro në një këmbimore në Prizren.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se rrjedh dyshimi i bazuar: “Se më datë 10 shtator, në orët e mesditës, në Prizren, në një zyre të këmbimores, i pandehuri F.I., me përdorim të forcës e përvetëson në mënyrë të kundërligjshme pasurinë e luajtshme të personit tjetër – të dëmtuarit (zyrtari të këmbimores), në atë mënyrë që pasi i pandehuri shkon në këmbimore kinse të këmbejë 25.000.oo franga në euro, me ç ’rast i dëmtuari i përgatit 22.950.oo euro dhe posa fillon i pandehuri t’i numërojë, e zë të habitur të dëmtuarin, duke u ngritur nga karrige e godet me grusht dhe largohet me vrap me paratë që i ka grabitur në shumë prej 20.000.oo euro”, transmeton Gazeta Express.

Express mëson se Prokuroria Themelore e Prizrenit, më 1 tetor të këtij viti kishte ngritur aktakuzë kundër tij dhe të njëjtit i ishte vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj.

Në njoftimin për vdekjen e tij, SHKK thotë se “F.I në vazhdimësi ka pasur probleme shëndetësore të natyrës mendore, ngecje ne zhvillim mendor, për çka është trajtuar në vazhdimësi nga mjeku i burgut, psikiatri, psikologu”.

Lidhur me rastin janë suspenduar zyrtarët përgjegjës, janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, ndërsa SHKK ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative, “gjithashtu është themeluar Komisioni Hetimor Administrativ nga SHKK, i cili do të dal me Raport Administrativ Përfundimtar”, ka njoftuar SHKK.

Edhe përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor për reanimim viktimën nuk kanë arritur të kthejnë në jetë.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion. /Express